Pellumbi spiun I cmuar edhe ne luften teknologjike

Pellumbi spiun: I çmuar edhe në luftën teknologjike

Në vitin 1898, gjermani Xhulius Nojbroner filloi të ndërtojë një seri aparatesh fotografike shumë të lehta për t'u fiksuar në gjoksin e fluturakëve dhe pas tentativash e eksperimentesh të shumta vuri në përdorim një aparat me peshë prej vetëm 70 gramësh që mund të fiksonte një imazh të terrenit mbikëqyrur në një negativ katror me brinjë 4 centimetra. Kishte lindur pigeon kamera.

Lajmin e parë që tregon përdorimin e pëllumbave në rikonjicionin ajror mund ta marrim nga Bibla. Pas javësh në Arkë, nën mëshirën e përmbytjes, Noèja nxori për tri herë me radhë një pëllumb. Në tentativën e tretë zogu u kthye duke mbajtur në sqep një degë ulliri, shpresën, provën që tokat po fillonin të rishfaqeshin. Gjetje të shumta arkeologjike kanë nxjerrë në dritë statuja pëllumbash të datueshme 5000 vjet përpara Krishtit, duke konfirmuar kështu përshtatjen ndaj një mjedisi shtëpiak. Në zonat e vendbanimit të etruskëve janë gjetur vende të shumta që shërbenin për rritjen e pëllumbave.

Shkrimet greke dhe romake na përcjellin përdorimin e pëllumbave udhëtarë për të informuar lidhur me betejat në frontet e largëta. Gjatë lojërave olimpike në Greqinë e lashtë përdoreshin pëllumbat për të përhapur emrat e atletëve fitues, ndërsa Perandori Neron i përdorte për të informuar familjarë dhe miq lidhur me kompeticionet sportive.

Në shekullin e XII-të pëllumbat përdoreshin rregullisht në një rrjet shërbimi postar midis Irakut dhe territoreve të Sirisë aktuale. Në sulltanatet e Orientit ndërtimet që mbanin pëllumbat qenë normë. Duket pikërisht se gjatë kryqëzatave në Tokën e Shenjtë kalorësit templarë morën nga arabët teknikën e rritjes së pëllumbave udhëtarë. Në fakt, pranë mbeturinave të vendbanimeve templare gjendet gjithmonë një kullë paralajmërimi me kafaz pëllumbash.

Për shekuj me radhë pëllumbat udhëtarë mundësuan që të organizohej një rrjet i përhapur dhe i mirëorganizuar komunikimesh. Në 1700 gazetat e para në Belgjikë dhe Holandë mbështeteshin te pëllumbat për të marrë informacione nga korrespondentët e tyre. Beteja tragjike e Vaterlosë dhe humbja e Napoleonit u mësua menjëherë në Londër prej raporteve të sjella nga pëllumbat udhëtarë të dhëna trupave angleze nga bankieri Natan Rothshild. Një episod tjetër i mirënjohur është përdorimi i këtyre fluturakëve për transportimin e mesazheve sekrete në rrethimin e Parisit gjatë luftës franko-prusiane. Në vitin 1870 dhe deri një vit më vonë, qindra pëllumba u kontrabanduan nga Parisi në Tus me përdorimin e aerostateve me ajër të nxehtë; kur lëshoheshin me mesazhet, ktheheshin në çatitë e tyre parisiane.

Në këtë rast fotografia, në atë kohë në embrionet e saj, u përdor për të fotografuar mesazhet dhe reduktuar në mikrofilma, në këtë mënyrë çdo pëllumb mund të transportonte një tekst që përmbante 1 milion fjalë. Gjatë rrethimit u dërguan me këtë sistem 150000 mijë mesazhe qeveritare, ushtarake e sekrete dhe mbi 1 milion telegrame private. Me përhapjen e telegrafit,telefonit dhe më pas të radios, sistemet e komunikimit të bazuara te pëllumbat udhëtarë filluan të zhduken nga jeta civile, edhe pse mbetën në përdorim në realitetit ushtarak.

Në vitin 1898 gjermani Xhulius Nojbroner filloi të ndërtojë një seri aparatesh fotografike shumë të lehta për t'u fiksuar në gjoksin e fluturakëve dhe pas tentativash e eksperimentesh të shumta vuri në përdorim një aparat me peshë prej vetëm 70 gramësh që mund të fiksonte një imazh të terrenit mbikëqyrur në një negativ katror me brinjë 4 centimetra. Kishte lindur pigeon camera e cila u patentua në vitin 1903. Në të njëjtin vit u blenë një numër i caktuar ekzemplarësh nga brigadat e Bavarisë.

Tek pigeon camera shkrepja e fotografisë komandohej nga një kohëmatës mekanik i rregulluar sipas një kohe të përafërt që do t'i shërbente pëllumbit për të arritur zonën që duhej fotografuar. Natyrisht që bëheshin tentativa të përsëritura, pasi pëllumbat e stërvitur nuk shkonin gjithmonë në drejtimin e duhur. Edhe në fushën e stërvitjes lindën mite, pëllumba kampionë që arrinin ta përshkonin me saktësi ekstreme rrugën e duhur dhe të lejonin në këtë mënyrë fotografimin e zonës me interes ushtarak. Në vitin 1912 Nojbroner paraqiti një model të ri me shumë përmirësime dhe në vitet në vijim aparati fotografik apo dispozitivë të ngjashëm u blenë në një numër të madh nga forcat e armatosura të vendeve kryesore: Lufta e Parë Botërore ishte në prag.

Qysh përpara fillimit të konfliktit, agjentë gjermanë krijuan një rrjet të gjerë komunikimesh të bazuar mbi pëllumbat në territorin anglez, pasi do të shërbenin për të siguruar lidhjet e tyre me Gjermaninë. Një pjesë e strukturës fatmirësisht u çmontua nga policia angleze falë sinjalizimit të bërë nga pasagjeri i një treni, i cili kish parë të nxirrej poshtë një mbulese një pëllumb dhe të lëshohej nga dritarja e vagonit të tij.

U përgatit një ndjekje pa rënë në sy e këtij personi që në fund mundësoi të zbuloheshin dhe të çmontoheshin vende të fshehta dhe kafaze të shumta pëllumbash në të të gjithë Anglinë. Nga shpërthimi i konfliktit, në anije, nëndetëse, aeroplanë dhe autoblinda të ushtrive të ndryshme ndërluftuese, prania e pëllumbave udhëtarë ishte një fakt normal.

Për të kuptuar rëndësinë që u jepej këtyre fluturakëve gjatë atyre viteve, mjafton të kujtohet sesi menjëherë pas fillimit të operacioneve luftarake gjermanët sulmuan disa kapanone pëllumbash në Belgjikë, duke shtënë në dorë më shumë se 1 milion pëllumba udhëtarë për t'i përdorur në betejë. Duke mos qenë në ato vite akoma e përhapur radioja, anijet e luftës dhe aeroplanët duhet t'i përdornin domosdoshmërish pëllumbat udhëtarë si sistem i vetëm ndërlidhjeje me komandat.

Në vitin 1916, autobusë të ndryshëm dykatësh londinezë u transformuan në pëllumbore ushtarake të lëvizshme. Rëndësia e pëllumbave udhëtarë u dëshmua nga gjenerali Fauler, kreu i Departamentit të Komunikimeve të ushtrisë britanike, i cili e përshkroi kështu vlerën e tyre: "Gjatë periudhave të qetësisë mund të përdorim lajmëtarë, telegrafë, telefona, sinjalizime me flamuj dhe qentë, por kur ndizet beteja dhe situata bëhet kaotike me mitraloza, artileri dhe gaz, atëherë duhet t'ju besojmë pëllumbave. Kur ushtarët humbasin apo mbesin të rrethuar nga armiku në vende të panjohura, mund të mbështetemi vetëm në komunikime të besueshme. I sigurojmë vetëm me pëllumbat. Marr guximin të them se ata në punën e tyre nuk na kanë tradhtuar asnjëherë".

Aeroplanët në rikonjicion në det e sinjalizonin me pëllumba pozicionin e flotave armike. Pëllumbat ushtarakë mundësuan të individualizohen 717 avionë të rënë në det. Gjatë betejës së Marnës, të 72 pëllumbat e përdorur arritën që t'i kryejnë misionet duke përcjellë 78 mesazhe. Gjatë ofensivës së Argonës u përdorën 442 pëllumba që përcollën 403 mesazhe. Është llogaritur se gjatë zhvillimit të Luftës së Madhe, 95 përqind e pëllumbave i përfunduan misionet e tyre.

Rreth 20000 u vranë, sakrificës së tyre iu ngritën monumente në kryeqytetin belg Bruksel dhe në Lilë të Francës. Shumë mbetën të plagosur rëndë gjatë misioneve që megjithatë arritën t'i përfundonin. Midis trupave amerikane dhe britanike disa pëllumba u bënë mite, heronj, si Presidenti Uillson, Big Tom, Colonel's Lady, Steady, Lord Adelaine, The Cocker, Spike dhe pëllumbesha Cher Ami, padyshim rasti më i njohur. Në përfundim të konfliktit shumë prej fluturakëve u dërguan në Shtetet e Bashkuara me nderime të mëdha, së bashku me ta ishte Kajzeri, një i burgosur lufte, një prej pëllumbave më të famshëm gjermanë, i kapur në vitin 1918 nga ushtarët amerikanë gjatë betejës së Mozit.

Kishte një inteligjencë të jashtëzakonshme, një bukuri të madhe dhe pati shumë trashëgimtarë. Ngordhi në moshën 32-vjeçare! Në pasluftën e parë, pavarësisht përhapjes së radios, përdorimi i pëllumbave udhëtarë vazhdoi. Në vitet tridhjetë diplomatët anglezë instaluan një rrjet të gjerë komunikimesh të bazuar mbi pëllumbat udhëtarë që shkonte nga Turqia në brigjet afrikane në Oqeanin Atlantik dhe nga Kajro në Kejptaun, duke mbuluar në këtë mënyrë të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën. Me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore të periudhës 1939-1945 qeveria angleze kish përgatitur shumë mirë rrjetin e saj të pëllumbave. Për nevojat e ushtrisë, marinës dhe aviacionit u "rekrutuan" 200000 pëllumba nga rritjet civile dhe u caktuan në National Pigeon Service, ushtria amerikane bleu rreth 54000 nga i njëjti burim i përdorur në një strukturë të posaçme të formuar nga 3000 ushtarë dhe 150 oficerë.

Një seksion special i ushtrisë siguroi parashutimin e 16554 fluturakëve mbi vendet e Evropës së pushtuar, baza e tyre ishte nxjerrë nga hatullat e një magazine të madhe në Oxford Street në qendër të Londrës. Çdo ditë gjatë luftës mijëra pëllumba kryenin qindra misione midis instalimeve ushtarake në të gjithë Britaninë e Madhe, duke ndjekur një orar të rregullt për t'u pasur zili nga trenat ekspresë. Në Digla pranë Kajros, Royal Air Force instaloi një shërbim të veçantë pëllumbash për të operuar me vendet e Lindjes së Mesme, të Afrikës Veriore dhe të Italisë jugore.

Në Lindjen e Largët repartet indiane në shërbim të britanikëve krijuan Indian Pigeon Service dhe arritën t'i stërvitin pëllumbat të fluturonin vajtje ardhje midis dy kafazeve: në njërin mund të ushqeheshin, kurse në tjetrin të pushonin. Të përdorur në Malajzi dhe Birmani këta fluturakë mund të fluturonin në xhunglën më të dendur deri në 30 milje përtej linjave armike. Lëvizjet partizane të rezistencës në Francë, Holandë, Belgjikë e Danimarkë, përdorën shërbime pëllumbash udhëtarë që mbeteshin të fshehur me kujdes, sepse rreziku ishte i jashtëzakonshëm. Në këto vende pushtuesit nazistë vinin menjëherë përpara armëve këdo që gjendej në zotërim të pëllumbave udhëtarë. Pigeon Services të tjerë u ngritën nga ushtritë e Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Zelandës së Re dhe Australisë.

Shumë prej fluturakëve të përdorur u stërvitën që të punonin në errësirë, të parashutoheshin në zona të kontrolluara nga rezistenca dhe të kalonin Kanalin e La Manshit përpara mëngjesit për të shmangur interceptimin apo goditjen. Përdorimi i pëllumbave udhëtarë gjatë Luftës së Dytë Botërore padyshim që pati një rëndësi më të madhe nga sa besohet rëndom dhe në fakt, pjesa më e madhe e dokumenteve lidhur me temën mbetet sekret akoma dhe tani.

Vetëm më 27 janar të vitit 1999, Sekretariati i Mbrojtjes britanike në Londër bëri publike disa dokumente lidhur me argumentin në fjalë. Nga analiza e tyre zbulohet se hierarku nazist Hajnrih Himler qysh fëmijë ishte një fanatik i rritjes dhe i përdorimit të pëllumbave udhëtarë. I detyroi SS-ët dhe Gestapon që të ndërtonin një rrjetë komunikimesh të bazuar mbi këta fluturakë si në brendësi të Gjermanisë, ashtu dhe në vendet e pushtuara. Bile Himleri ishte Presidenti i Shoqatës Gjermane të Pëllumbave.

Nga pyetjet e bëra disa të burgosurve të luftës gjermanë shërbimi sekret anglez MI5 zbuloi rëndësinë e informacioneve që agjentë të infiltruar në Angli përpara konfliktit kishin dërguar në Gjermani falë pëllumbave udhëtarë. U krijua me shpejtësi një shërbim për të interceptuar pëllumbat "nazistë" duke përdorur fajkoj të stërvitur që u përhapën në brigjet britanike, nga Kornuolli në Ishujt Shili. Me sa duket kjo masë rezultoi jashtëzakonisht efikase, mundësoi që të eliminoheshin shumë pëllumba në fluturim drejt Gjermanisë e Francës dhe kapjen e 2 të "burgosurve të luftës" së bashku me mesazhet që transportonin në vijim, por nuk u shpjegua se me çfarë metode.

Të dy pëllumbat gjermanë u integruan në fluturakët e Army Pigeon Service. MI5 zbuloi edhe sesi gjatë konfliktit furnizimet me pëllumba të "freskët" për agjentët nazistë në Angli kryheshin natën me fluturime të shpejta ose nëpërmjet kontejnerëve specialë të parashutuar nga avionë. Pas Luftës së Dytë Botërore nuk është dëgjuar më të flitet për përdorimin e pëllumbave të stërvitur. Qenë bërë një sistem i prapambetur apo qenë bërë ndoshta një armë akoma më sekrete?

Duke konsideruar lajmet e filtruara lidhur me përdorimin ushtarak të specieve të tjera të kafshëve, si puna e delfinëve për të dërguar ngarkesa eksplozive mbi objektiva detarë apo qen të përdorur për të kërkuar eksplozivë apo për t'i çuar në pozicionet armike, nuk do të kishte asgjë të çuditshme. Ndërsa nuk ka njoftime lidhur me përdorimin e tyre në luftën në Afganistan, në të vërtetë është e mirëdëshmuar rishfaqja e pëllumbave gjatë pushtimit të Irakut, të shpërndarë me duzina në repartet angloamerikane të përdorur si ndjesorë kafshërorë kundër sulmeve kimike e biologjike të shumë reklamuarve armë të shkatërrimit në masë të Sadam Huseinit. Pëllumbat qenë pjesë e njësive që përdornin armë të sofistikuara rikonjicioni dhe analize shkencore të agjentëve toksikë. Fluturakët nuk i zëvendësojnë dispozitivët teknologjikë, por i integrojnë ato.

Den Follas, përgjegjës i një skuadre rikonjicioni të një regjimenti marinsash, thekson: "Pëllumbat kanë një shqisë më shumë. Punojmë me ndjesorë elektronikë që kushtojnë 12000 dollarë dhe pëllumba që kushtojnë 60 dollarë, por këta të fundit vështirë se prishen ose sjellin lexime të gabuara. Fillimisht menduam të përdornim pula, por ngordhën të gjitha përpara se të arrinin këtu. Çdo fluturak ka ardhur me kafazin e tij dhe rezervën e tij të ushqimit".

Sot roli i tyre është ai i alarmit, pasi një dozë gazi që për fluturakët do të ishte vdekjeprurëse, në fakt do t'u lejonte ushtarëve që t'i merrnin në kohë masat e duhura mbrojtëse. Zogjtë mbahen në kafaze të mbrojtura nga dielli në periferitë e kampeve në shkretëtirë dhe pak e nga pak po bëhen simbolet e ushtarakëve që i ushqejnë atje, paksa duke improvizuar, pasi askush nuk i ka mësuar sesi të veprojnë. Përpara se të lëviznin nga Kuvajti brenda Irakut, regjimentit të IV-ët të batalionit të I-rë të divizionit të I-rë të marinsave i kanë arritur 8 pëllumba. Askush nuk dinte se çfarë të bënte me to dhe si t'i përdorte. Komandanti Xhon Mejer ka sugjeruar që t'i vinin në çatitë e automjeteve kryesuese të kolonave të blinduara. "Ndoshta kështu do të kapnim në kohë sulmet me antraks apo me gaz nervin", ka komentuar ai.

Armir Tirana : Gazeta Metropol

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama