Pazaret e ndyra me banken e Vatikanit

Pazaret e ndyra me banken e Vatikanit

Angelo Caloia, 75 vjeç, gjithë jetën njihej si një katolik i mirë dhe një demokristian i vërtetë. Kishte qenë kryebashkiak në vendlindjen e tij, në Castano Primo dhe profesor i nderuar i ekonomisë në “Universitetin Katolik të Zemrave të Shenjta” në Milano. Kulmi i karrierës së tij ishte nga viti 1989 deri në 2009: ai ishte president i Institutit për Veprimtari Fetare (IVF), siç njihet zyrtarisht banka e kishës katolike. Disa e quajnë thjesht Banka e Vatikanit. Por ky institucion ishte përfshirë në aktivitete kriminale prej dekadash.

Më pas erdhi Angelo- e përkthyer: Engjëlli- dhe shëroi bankën e sëmurë, siç thuhet në një shkrim në Wikipedia italisht. Por jo gjithçka është kështu. Presidenti është nën hetim për një aferë të ndyrë: Së bashku me drejtorin e përgjithshëm të IVF dhe një avokat nga Roma, kanë shitur pasuri të patundshme të Vatikanit dhe një pjesë e të ardhurave ka përfunduar në xhepat e tyre. Kështu mendon prokurori i shtetit kishnor.

Por cili ishte marifeti?

Pasuritë imobiliare shiteshin me çmime të lira tek disa firma të ngritura në oazet fiskale, të cilat i përkisnin treshes. Firmat e tyre i shisnin më pas këto shtëpi apo rezidenca më shtrenjtë.

Diferenca u mbetej atyre. Në këtë mënyrë, këta qytetarë të nderuar kanë bërë të paktën 60 milionë euro. Deri më tani, 17 milionë euro, në llogari të ndryshme, janë ngrirë nga hetuesit. Prokurorët janë në gjurmë të parave të tjera, duke kërkuar edhe në Karaibe. Por sensacioni i vërtetë i këtij skandali të ri është që ai u bë publik nga vetë Vatikani. Më parë nuk ndodhte kështu. Shumica e gjërave fshiheshin nën tapet.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama