Paqja mes feve sinjal i mire per te gjithe boten

'Paqja mes feve, sinjal i mire per te gjithe boten'

Mbërritja e Papa Françeskut në Tiranë, në atë që cilësohet si udhëtimi i tij i katërt ndërkombëtar, është pasqyruar padyshim edhe nga mediat italiane. “Ansa” ka dhënë njoftimin për nisjen e Papës nga aeroporti i Fiumicinos në Romë, ndërkohë që “TGCom” ka pasqyruar mbërritjen dhe në faqe të parë ka edhe takimin e Atit të Shenjtë me kryeministrin shqiptar Edi Rama. 

 

Vizita e Papës në Shqipëri është e para e tij në një vend europian jashtë Italisë. Pas pritjes së tij në aeroport nga Rama dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë së vendit, ndalesa e parë do të jetë në Pallatin presidencial, me kreun e shtetit Bujar Nishani.

 

Bashkëjetesa paqësore mes feve në Shqipëri “është një shenjë e mirë për gjithë botën”, është shprehur Papa Françesku teksa ishte në udhëtim e sipër.

 

“Shqipëria është një vend që ka vuajtur shumë - ka theksuar Papa Françesku, por që më pas “ia ka dalë mbanë të gjejë paqen pavarësisht ndryshimeve fetare. Ky është një sinjal i bukur dhe domethënës për të gjithë botën: dialogu, paqja dhe ekuilibri janë në favor të qeverisjes së vendit”.

 

Papa i drejtohet italianëve: Ju uroj paqe e qetësi

 

Ndërkohë, përpara se të nisej për në Shqipëri, Papa ka bërë urimin e tij për paqe dhe qetësi kundrejt Italisë. Ati i Shenjtë i ka shkruar një telegram Presidentit të Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano.

 

“Në momentin kur të ngjis shkallët e avionit për udhëtimin tim apostolik drejt Republikës së Shqipërisë, më lejoni që me kënaqësi dhe nderim t’u ofroj të gjithë italianëve përshëndetjet e mia të përzemërta dhe të ngrohta, të cilat shoqërojnë çdo dëshirë për paqe dhe qetësi”.

 

Selia e Shenjtë, shtohen masat e sigurisë

 

Pas paralajmërimit për akte të mundshme terroriste kundër Papës ose Vatikanit, shkalla e sigurisë përreth sheshit “Shën Pjetër” është rritur së tepërmi. Janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të shmangur çdo lloj rreziku të mundshëm apo kërcënim nga jashtë. /


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama