Papa Shqiperia vendi ku do te linde profecia e paqes

Papa: 'Shqiperia, vendi ku do te linde profecia e paqes'

Një vit pas vizitës historike në Shqipëri, Papa Françesku i ka treguar edhe njëherë botës modelin e paqes dhe harmonisë fetare që gjeti në vendin tonë.  Aktiviteti 3-ditor “Lutja e Paqes” ka nisur dje, dhe do të vijojë me vizitën dhe mesazhet e 4000 besimtarëve nga e gjithë bota. Ceremonia e Inaugurimit u mbajt në Pallatin e Kongreseve, ku fillimisht u lexua edhe mesazhi i kreut Katolik. Ipeshkvi Mateo Xumpi, ishte ai që lexoi mesazhin e Papës për këtë nismë dhe arsyet se përse zgjodhi të vizitonte Shqipërinë si vendin e parë Evropian. “Unë jam vërtetë mirënjohës juve që keni zgjedhur Shqipërinë. Do të doja sot të theksoja atë që thashë vjet në Tiranë, bashkëjetesa mes besimeve është ajo që dëshirojmë”, shkruhej në mesazh.

Ipeshkvi vijoi dukë thënë se Papa zgjodhi Shqipërinë si vendin e parë Evropian për t’i dhënë zemër bashkëjetesës paqësore. “Të jetojmë së bashku në paqe, është e mundur. Nuk duhet t’i dorëzohemi luftës, paqja e mundur. Besimi i mirëfilltë sjell paqen. Nga Shqipëria mund të lindë një profeci e re paqeje”, shkruan Papa në letrën e diktuar nga Ipeshkvi Xumpi.  Më tej në letrën e Papa Françeskut, i bëhet thirrje të gjithëve për të mos qëndruar indiferent ndaj krizës së emigrantëve, që janë larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës. “Nuk duhet të qëndrojmë indiferent para atyre që vuajnë nga dhuna dhe lufta. Por dhunë është edhe kur ngre mure dhe pengesa për atë që kërkon një vend paqeje. Dhunë është edhe kur zmbraps atë që largohet nga kushtet çnjerëzore për të kërkuar paqe”, thuhej ndër të tjera në letrën e Atit të Shenjtë.

“E ardhmja i përket paqes”

“Paqja jo vetëm është e mundshme por është e vetmja mundësi që e ardhmja na ofron”. Kështu ka deklaruar gjatë këtij takimi, kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama që në nisje të fjalës së tij vlerësoi lart vizitën e Papa Franceskut në vendin tonë dhe mesazhet e tij për popullin shqiptar e gjithë njerëzimin mbarë. “Nëse paqja, pajtimi dhe dashuria nuk ushqejnë lutjen e përbashkët, të gjitha gojët që e predikojnë janë daulle që bien shurdhët.

Prandaj ftesa e shenjtë e kuranit përuluni së bashku me ata që përulen është ftesa më kuptimplotë”, tha Rama në fjalën e tij. “I ngazëllyer që ky event si zgjatim drejt qiellit i pemës së mbjellë në Asizi shtrihet në hijen e vetë, në tokën e shqiptarëve si një lutje për gjithëpërfshirje se nuk është katalizator përkatësie fetare, por një apel për t’u takuar me tjetrin duke bërë që ky event të përçojë rrugën e takimit për të gjithë ata që e duan paqen dhe që s’do ta gjejnë dot kurrë nëse nuk e kërkojnë me atë me të cilin janë në luftë”.

Kryeministri Rama, në përfundim të fjalës së tij, uroi dhe njëkohisht dha mesazhin për një botë me paqe dhe plot shpresë. “Dua ta mbyll duke iu uruar çdo të mirë e sukses në këtë qëndrim tuajin së bashku, me besimin e madh se ashtu sikundër historia e këtij vendi të vogël na tregoi se tek zoti, besimin në të, lutjet ndaj tij, mund të gjendet forca që e pengojnë për një kohë të gjatë por jo përgjithmonë. Paqja është gjithmonë e mundshme”, tha Rama.

Në fjalën e tij të mirëseardhjes, edhe ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi deklaroi se takimi i 28­të organizohet në kryeqytetin e harmonisë fetare. “Vetëm në 2 vjet mbështetëm ndërtimin e Xhamisë së Madhe, përuruam katedralen e Ortodoksëve, pritëm të gjithë së bashku Papa Franceskun dhe në këto ditë të paqes do përurojmë odeonin e bektashinjve. I nderuar që iu drejtohem në këto ditë, për të thënë se paqja është gjithnjë e mundur”, tha ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

“Kryeqyteti i lutjeve”

Për tri ditë rresht, Tirana do jetë kryeqyteti i paqes dhe harmonisë fetare. Paqja, toleranca fetare dhe dialogu janë kryefjala e takimit të 28­të Ndërkombëtar për Paqen, që nisi pasditen e djeshme në Tiranë dhe do vijoje edhe sot e nesër. Takimi 3-ditor zhvillohet në përkujtim të 20­vjetorit të përfundimit të luftës së fundit në Ballkan dhe organizohet nga Komuniteti Sant’Egidio, në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe qeverinë shqiptare.

Në aktivitetin “Lutja e Paqes 2015” marrin pjesë rreth 4000 persona, mes të cilëve krerë të besimeve fetare botërore (katolikë, ortodoksë, protestantë, myslimanë, hebrenj, zoroastrianë, sikh, budistë dhe shintistë), nga Italia, Gjermania, Franca, Belgjika, Iraku, Izraeli, India, Rusia, Indonezia, Qipro, Japonia, Kina, Australia, e shumë vende të tjera nga Evropa, Afrika, Azia e Amerika Latine. Po ashtu janë ftuar të marrin pjesë edhe personalitete të shquara të politikës, personalitete të larta të të gjitha besimeve fetare, historian, filozofë, ekspertë të zhvillimeve ndërkombëtare, përfaqësues të botës akademike, gazetarë, teologë, shkrimtarë të njohur.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama