Papa Francesku shkel token shqiptare

Papa Francesku shkel token shqiptare

Ka mbërritur në Tiranë Papa Françesku. Avioni i linjës ajrore “Alitalia” është ulur në aeroportin “Nënë Tereza” teksa mbante flamurin shqiptar. Të pranishëm në aeroport ishin kryeministri Edi Rama, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, të cilët kanë mirëpritur Atin e Shenjtë.  Përfaqësues të Kishës katolike ishin gjithashtu prezentë në aeroport.

 

Ashtu siç ishte lajmëruar, kryeministri ka zhvilluar një takim të shkurtër me Papën, në ambientet e rikonstrukturuara të terminalit VIP të pagëzuar me emrin “Marubi Lounge”.   Në takimin e hapur për mediat kryeministri Edi Rama i ka dhuruar Atit të shenjtë, kupën me dheun e tokës së shqiptarëve, e cila mbante mesazhin:

 

“Shenjtërisë së Tij, Papës Françesku, me lutjen e zjarrtë që duke bekuar këtë grusht dhe, nga trualli që shkeli në këtë ditë, të shtrijë mirësinë e Zotit mbi të gjithë vendin e shqiptarëve”. 

 

Ndërkohë pas këtij takimi, Papa është nisur drejt  qendrës së Tiranës, aty ku shumë besimtarë po presim me padurim të ndjekin meshën që do të mbahet. Në këtë mënyrë, Ati i Shenjtë ka nisur zyrtarisht vizitën e tij të parë në një vend evropian, ku pritet të ketë një agjendë të ngjeshur, me takime me zyrtarët e lartë të shtetit dhe drejtues të klerit fetar në vend. 

 

100 mijë pelegrinë nga i gjithë Ballkani do të jenë sot në Tiranë, ndërsa 1200 gazetarë nga e gjithë bota do të ndjekin këtë vizitë. Pelegrinë nga Puka, Shkodra dhe gjithë Shqipëria por dhe nga Kosova e Maqedonia kanë mbushur sheshin “Nënë Tereza” për të pritur Papa Franceskun.  Ata kanë mbërritur që në orët e para të mëngjesit, dhe disa edhe prej mbrëmjes së djeshme.

 

Rama: Ati i Shenjtë zbret mbi tokën e shqiptarëve

 

Kryeministri Edi Rama nuk ka mundur t’i përmbajë emocionet mbi këtë vizitë të shumëpritur. Përmes një statusi në profilin e tij në Twitter, ai shprehet i lumtur për “zbritjen e Atit të Shenjtë në tokën e shqiptarëve:

 

“Çfarë emocioni, flamuri shqiptar mbi avionin e Papës dhe zbritja e Atit të Shenjtë mbi tokën e shqiptarëve”, shkruan Rama në Twitter.

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama