Ka marrë fund enigma e kandidatëve të PD për dy bashkitë më kryesore të vendit, ajo e Durrësit dhe Tiranës. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vendosur që në kryeqytet të kandidojë Halim Kosovën. Tashmë është zyrtarisht e konfirmuar se koordinatorja e PD për marrëdhëniet me publikun Grida Duma do të përfaqësojë PD në Durrës.
Fatmir Mediu nga ana e tij shprehu mbështetjen për këtë kandidaturë, duke hequr dorë nga kërkesa për kandidimin e Agron Dukës.
Ai tha se në të 61 bashkitë PR dhe PD do të garojë me kandidatë të përbashkët.
Fatmir Mediu: “Ne kemi diskutime të përbashkëta me Dukën dhe Bashën për të analizuar mundësine e fitorës nga e djathta të bashkisë Durrës. Në gjykimin tim Duka ishte fitues, por do të konsideronim cdo kanditaturë që mund të fitohet. Duma është një figurë publike politike, një zë i opozitës shqiptare dhe ne do të bëjmë atë që është me mira për të fituar bashkinë e Durrësit.
Ka një marrëveshje në parim, ashtu sic janë konsideruar edhe figura të PR në bashki të rëndësishme të propozuara edhe nga PD , por të 61 kandidatët në rast të konkludimit të marreveshjes, kandidatet janë si të PR ashtu edhe të PD. Kemi ecuar me idenë që janë 61 kandidatë të opozitës.
Sot besoj që jemi në një realitet më afër marrëveshjes, por ditën e hënë kur të mblidhet asambleja do të japim edhe vendimin përfundimtar për angazhimin në fushatën elektorale”.