OXI (JO!)

OXI (JO!)

Rasti grek ishte ai që polarizoi OXI (JO!) Evropën si kurrë më parë. Media si asnjëherë e kishte vështirë të fshihte anësinë e saj, ku nuk munguan argumentet dhe epitete nga të vjetrat e deri te neologjizmat për grekët. Zëra të rrallë patën guximin të paraqisnin situatën me tone realiste.

 

Shumica e germave janë përdorur për të treguar idiotësinë e rrugës greke dhe ndershmërinë që ofronte pala kundërshtare. Teknikat e propagandës u përdorën si kurrë ndonjëherë, ku Davidi i vogël, përveçse dembel, ishte edhe mashtrues, kumarxhi e hajdut. Një proces super i ndërlikuar si situata greke dhe historiku i saj, u trajtuan në mënyrë të tillë që të preknin telat emocionalë të publikut, dhe jo të ofronin mundësi gjykimi për një çështje që edhe pa mjegullën mediatike, është tepër e vështirë për t’u kuptuar.

 

Europianët asnjëherë nuk shpjeguan pse nuk iu duhej lënë në dorë grekëve menaxhimi i buxhetit të tyre, pse nuk duhej shtyrë një borxh që po i merrte frymën ekonomisë, pse nuk iu duhej lënë mundësia e ristrukturimit të ekonomisë, e cila në fund të vitit 2020, do të dilte po me atë strukturë dhe e shkalafitur nga 12 vjet sakrifica.

 

Pasi, kush ka pasur vëmendjen të lexojë të dhënat, në to thuhet se Greqia në vitin 2008 kishte 120% të GDP borxh, dhe do të ishte sukses që me reformat e trojkës pasi shkoi deri në 172% të GDP borxh, në vitin 2020, të arrinte prapë në nivelin e fillimkrizës. Ku ishim? Askund! Gjithmonë faji gjendej te grekët dhe deficitet e tyre buxhetore që nuk u ul kurrë nën 3%, por askush nuk përmend se Gjermania ka një bilanc pozitiv prej 8%, 4% më shumë nga sa lejon i njëjti traktat, që e thënë me fjalë të thjeshta, eksporton mizerje dhe importon lumturi.

 

Ndërkohë, grekët asnjëherë nuk shpjeguan pse nuk pranonin reformimin dhe modelimin e sistemit të tyre fiskal që fut ujë gjithandej, cili do të ishte plani i tyre për ristrukturimin e ekonomisë, modernizimin e shoqërisë dhe administratës. Si në një nga skenarët më haluçinantë të luftës së ftohtë, kundërshtari përshkruhej me ngjyra demoniake. Anxhela Merkel ishte pasuesja e Hitlerit në sytë e grekëve dhe ata të tradhtuarit e mëdhenj, ndërsa në sytë e Evropës Tsipras ishte batakçiu i zakonshëm ballkanik, ndërsa ata bamirësit e mëdhenj, të lodhur nga lëmoshat e dhëna. Si asnjëherë më parë, përjashto deklaratat e filozofëve apo intelektualëve, vendet e pasura u rreshtuan së bashku.

 

Vendimi i tyre nëpërmjet dorës së Mario Dragit për të ndërprerë furnizimin me euro të bankave greke dhe lënë vendin në kolaps total për mungesë të parasë fizike, ishte presion i hapur për votuesit grekë. Pak miqësi ka në gjestin ku një vendi i lihen vite të tëra kohë përgatitje për të hyrë në euro, ndërsa për ta nxjerrë, i mbyllet rubineti brenda natës. Si asnjëherë, kapitali i madh shfaqi cinizmin dhe internacionalizmin e tij për të mbytur zërat kundërshtarë.

 

Tashmë grekët zgjodhën “Jo”-në. Është një rrugë me shumë të panjohura, e cila me shumë gjasa mund të jetë më e vështirë se vazhdimi i rrugës së zgjedhur për ta nga BE-ja, dhe pak të ngjarë ka të jetë më e lehtë. Pak miq do të kenë në rrugë, pasi revolta e tyre, përpara se të ishte një kundërshti ndaj Brukselit, ishte revoltë ndaj bankave, klasës së shkuar politike dhe, sado paradoksale të duket, ishte një “Jo” edhe për mënyrën e tyre të jetesës.

 

Ndërkohë, gjatë gjithë kësaj kohe, klasa politike shqiptare ka qenë një ndër më qesharaket, duke treguar jo vetëm cektësinë e saj politike, historike dhe diplomatike, por edhe provincializmin e saj gjeopolitik; të majtë e të djathtë, për ca kohë iu duk vetja kërthizë e Evropës në Ballkan dhe qeverisë shqiptare sikur ishte prokonsullja e Merkelit në rajon; shtypi shqiptar, më katolik se papa, duke tejkaluar edhe “Dojçe Velen”, radion zyrtare gjermane deri në grotesk; shoqëria civile, të kujtonte karbonarët italianë, për të cilët Napoleoni thoshte se “ju pëlqen të flasin për lirinë në krevatin e dashnoreve”.

 

Ndërkohë që, mësimi që duhet të marrim të gjithë prej tyre, është qenia dinjitozë. Grekët e tallur për djathin dhe ullinjtë, për mënyrën e tyre të jetesës, dhanë një shembull sesi mund të thuhet “Jo” edhe në qofsh i vogël. E thanë për herë të parë ndaj Musolinit, kur fashizmi dukej një lubi që s’mund t’i dilje përpara, dhe megjithëse asgjë nuk thoshte se mund t’ia dilnin, e bënë me turp Italinë dhe fituan respektin e miqve dhe armiqve.

 

Mbase rruga që zgjodhën të dielën është e gabuar, por ishte “Po” e madhe për krenarinë e tyre. Paçi fat, fqinjët tanë! CITIME Klasa politike shqiptare ka qenë një ndër më qesharaket, duke treguar jo vetëm cektësinë e saj politike, historike dhe diplomatike, por edhe provincializmin e saj gjeopolitik; të majtë e të djathtë, për ca kohë iu duk vetja kërthizë e Evropës në Ballkan dhe qeverisë shqiptare sikur ishte prokonsullja e Merkelit në rajon; shtypi shqiptar, më katolik se papa, duke tejkaluar edhe “Dojçe Velen”, radion zyrtare gjermane në anësinë e tij; shoqëria civile, të kujtonte karbonarët italianë, për të cilët Napoleoni thoshte se “ju pëlqen të flasin për lirinë në krevatin e dashnoreve”. Ndërkohë që, mësimi që duhet të marrim të gjithë prej tyre, është qenia dinjitozë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama