Tashmë është rikthyer, duke treguar se është sërish e lumtur, ndërsa thekson prerazi se kush janë më të rëndësishmet për të. Orinda Huta, rrëfen për herë të parë vuajtjet dhe makthin që i është dashur të hedhë pas krahëve me shumë mundim. Tashmë ajo rikthehet në ekran, më një tjetër hit, tjetër grup bashkëpunimi dhe për më tepër me një tjetër mënyrë jetese. Jeni shkëputur prej disa kohësh nga skena dhe ekrani. Paraqitja juaj e fundit ka qenë ajo në “Këngën Magjike”, me çfarë është marrë Orinda këto kohë?
Po, në fakt jam shkëptur për pak kohë. Por tani jam rikthyer me projekte të reja dhe nuk do të ‘humb’ më. Sapo kam përfunduar një këngë të punuar nga NRG Band. Kënga titullohet “As fejesa, as martesa”. Është punuar nga djemtë e NRG Band ndërkohë që orkestrimi është bërë në Maqedoni nga Darko Dimitrov. Është një këngë që do të shoqërohet sigurisht me një videoklip. Nuk dua që të humbë pasi është shumë e bukur. Në fund të Korrikut do ti serviret publikut, kohë kjo ku ka përfunduar tërësisht edhe videoklipi.
Pse ky titull: “As fejesa, as martesa”. Mos ndoshta trembesh prej tyre? Kohët e fundit njerëzit kanë filluar të fejohen dhe të martohen shumë shpejt. Çdo ditë shikoj dhe dëgjoj njerëz, miq e të njohur të mi që fejohen apo martohen. Nuk është se trembem pasi edhe për mua do të vijë kjo kohë, por shpresoj që të mos jetë e shpejtë, nuk dua që kjo të mos më ndodhë tani shpejt. Kam ende shumë kohë për të shijuar. Keni bërë kalimin nga NRG tek NRG Band. Pse ky kalim? Arsyet kanë qënë disa, por të vogla. Ndoshta ishte puna e ngadaltë që po bëhej për mua edhe pse vlerësimi është maksimal. të gjitha këngët e tyre janë bërë hite. Ka qenë një periudhë e mirë për mua, dhe shoqërore. Ndërsa me NRG Band, emri ishte një rastësi që përkoi me të mëparshmin. Puna e tyre më pëlqen. I kthehemi këngës. Është pjesë e ndonjë a albumi në plan? Albumi është në rrugë e sipër.
Do të dalë në vjeshtë. Më duhen edhe shumë pak këngë për ta përfunduar. Nuk kam qenë shumë e vullnetshme këto kohë, nuk kam patur dëshirë të merrem me asgjë. Pastaj, vera nuk m’u duk periudhë e përshtatshme për të nxjerrë albumin. Këtë stinë e lashë për të nxjerrë hitin tim të ri dhe klipin e tij. Por tani e në vazhdim gjithçka do të ndryshojë. Përse kjo mungesë dëshire dhe vullneti? Kisha shumë kohë që nuk merresha me veten. Nuk e njihja më. Kam kaluar periudhën më të vështirë të jetës time, aq sa u dobësova pa masë, arrita deri në 50 kg, shumë e papranueshme për gjatësinë time 1.75 cm. Nuk flija më, nuk doja të më fliste askush. Në shtëpi shkoja orar e pa orar. Madje ka patur raste që nuk kam shkuar edhe fare. Periudha më e gjatë që nuk kam fjetur në shtëpi ka qenë një muaj. Grindesha shumë me të gjithë, me prindërit e mi, kryesisht me shume.
Marre nga : Gazeta Shqiptare











