Plepi i bardhë numër një ka një "byzylyk" plastik me ngjyrë të verdhë, ku mbi të është shënuar emri dhe data kur e kanë mbjellë. Ai qëndron rreth trungut, njësoj si byzylykët që u vendosen fëmijëve të sapolindur në repartin e maternitetit. Quhet "Carolina Silverbell", emër ky i trashëguar nga familja që e ka dhuruar. Një ditë ajo do të çelë lule të bardha. Këtë pemë e ka mbjellë vetë një javë më parë kryetari i bashkisë, Bloomberg. Ajo qëndron buzë një trotuari, anash një kishe dhe duket se gëzon shëndet të mirë së bashku me "vëllezërit" e saj. Janë të hollë dhe me pak gjethe, por kanë një vlerë të madhe simbolike: përfaqësojnë avangardën e një ideje të re të qytetit. Janë një milion pemët e para që Nju Jorku do të mbjellë në dhjetë vitet e ardhshme. Ky është një projekt që do të përfshijë shumë rrugë e parqe dhe në ditë do të mbillen 20 mijë të tilla.
Kryetari i bashkisë e ka vënë në zbatim projektin e ri, duke filluar nga Morrisana, që ndodhet në pjesën jugore të Bronksit, sepse është edhe vendi me numrin më të madh të fëmijëve astmatikë në të gjithë Nju Jorkun. Dikur në Morrisana kishte shumë pemë. Nga gjysma e viteve 1600 e gjithë zona në lindje të lumit Harlem u bë prona e familjes Morris. Lewis, një nga pasardhësit dhe nënshkruesit për shpalljen e pavarësisë amerikane, në vitin 1790 dëshironte që ta bënte Morrisanën kryeqytet të Shteteve të Bashkuara, por më pas këtë të drejtë e fitoi Uashingtoni. Në mes të viteve 1800, familja pranoi kalimin nga hekurudha në krijimin e një fshati, i cili do të mbante emrin e tij. Më pas metroja, e cila edhe sot gjendet aty pas 100 vjetësh, shkatërroi gjithçka duke zhdukur çdo gjurmë të fshatit dhe jeshillëkut. Vendin e pemëve e zunë ndërtesa të vogla, një gjyq, një superstradë e shumë shtëpi të tjera. Tani në atë vend mund të shohësh vetëm çimento, asfalt dhe një pikturë të madhe kushtuar kujtimit të disa djemve, të rënë në një luftë të vjetër mes bandash, të cilëve u është kushtuar gjithashtu edhe një film i titulluar "Luftëtarët e natës".
Kryetari i bashkisë është shfaqur në këtë vend i shoqëruar nga një grup fëmijësh, që mbanin veshur bluza të kuqe dhe nga të ashtuquajturit "Big Bird", dordoleci jeshil, një personazh mjaft i njohur për fëmijët amerikanë. Me këtë prezantim ai ka pohuar se do të bëjë edhe më shumë, jo vetëm për pemët, por edhe për lulet. Për ta vërtetuar edhe më mirë faktin në fjalë, ai ka ndërtuar një kopsht të mrekullueshëm përpara një shkolle, ku ka mbjellë shumë lule e trëndafila. Një banore e lagjes shprehet se është mjaft e kënaqur me punën dhe përkushtimin e tij. Por aleatët e tij më të mirë, në betejën për pranimin e planit të tij për ambientin, kanë qenë fëmijët. I ka përdorur ata në spotet televizive për të bindur kundërshtimin e Parlamentit të vendit, që frenonte politikat kundër ndotjes.
Në ekran shfaqeshin nënat që qanin për fëmijët e tyre astmatikë, ndërsa kamera fokusonte fytyrat e fëmijëve të tyre "pa jetë". Jashtë ekranit një zë pyeste nëse ishte e drejtë të vazhdohej kështu apo jo? Më në fund, kryetari i bashkisë fitoi dhe qyteti do të ketë një pamje të re. Në rrugë do të mbillen 220 mijë pemë të reja, më shumë se sa ka aktualisht, 780 mijë të tjera do të mbillen nëpër parqe, shkolla e vende të tjera publike.
Kjo iniciativë është marrë duke parë statistikat e sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes: në zyrën e kryetarit të bashkisë dhe në atë të departamentit të paqes, është përgatitur një hartë e qytetit, në të cilën evidentoheshin zonat kritike. Disa zona ishin të ngjyrosura me ngjyrë më të theksuar, sipas varësisë së astmës mbi popullatën. Qëllimi ishte që të mbilleshin pemë në ato vende ku problemi ishte më i rënduar. Por gjërat nuk ishin kaq të lehta: fillimisht duhej vizatuar harta e qytetit dhe të ngjyroseshin me jeshile të fortë pemët e Nju Jorkut. Puna filloi nga imazhet satelitore të çdo lagjeje, më pas i ndanë në sektorë të ndryshëm dhe njëqind persona, mes tyre vullnetarë e nëpunës të komunës ishin të pajisur me nga një kompjuter për të ndihmuar në këtë iniciativë të re. Ata kanë punuar për 30 mijë orë dhe i kanë kontaktuar të gjithë një për një, rrugë për rrugë, duke treguar madje edhe gjendjen e tyre shëndetësore dhe familjet përkatëse. Në një lagje të Nju Jorkut, një javë më parë kishte 592.130 mijë pemë të 168 llojeve të ndryshme, sot janë mbjellë 49 copë më shumë, ndërsa nesër numri i tyre do të rritet me 10 mijë copë në muaj. Data e të dhënave të krijuara është mbresëlënëse dhe tani qyteti do të jetë në gjendje në një kohë rekord për të monitoruar çdo pemë. Është vërtet e habitshme që vendi i grataçielave dëshiron të bëhet vendi i pemëve.
Bloomberg është shprehur se sot metropoli më i pasur është Amerika, e cila duhet të jetë medoemos edhe më e gjelbëruara. Ai është shprehur gjithashtu se pemët janë shumë të dobishme për njeriun, sepse ndikojnë në uljen e temperaturave dhe në pastrimin e ajrit. "Nju Jorku ka qenë gjithmonë vendi i ëndrrave dhe i ideve të mëdha. Le t‘ia japim edhe këtë kënaqësi", është shprehur Bloomberg përballë nxënësve. Ata e kanë duartrokitur dhe e kanë ndjekur, edhe pse e kishin të qartë që kryetari i bashkisë nuk po u drejtohej atyre.
Ky projekt është mjaft i kushtueshëm. Qyteti ka programuar të investojë 400 milionë dollarë për të mbjellë 16 mijë pemë. Qëllimi është që çdo qytetar apo familje të ndihmojë duke mbjellë të paktën një ose dy pemë. "Do të jetë e kushtueshme nëse 92 ndërmarrjet njujorkeze, që pozicionohen si më të pasurat, të kontribuonin secila me 2.2 milionë dollarë, ose shoqëri të vogla të qytetit të dhuronin 200 mijë dollarë secila, apo 3.7 milionë banorë që punojnë të jepnin 5 dollarë në muaj, ose nëse një nga menaxherët e një kazinoje të dhuronte bonusin e tij të fundvitit atëherë do të mund t‘ia dilnim mbarë", është shprehur një aktore që ndiqte me vëmendje mbarëvajtjen e projektit.
Edhe kryetari paraardhës i Bloomberg e kishte prezantuar idenë e mbjelljes së pemëve, por ajo kishte mbetur thjesht në letër.
Në ditët në vazhdim, do të jetë radha e disa nxënësve shkollorë që do të ndihmojnë kryetarin e bashkisë në mbjelljen e pemëve të tjera.
Marre nga : Gazeta Shqip











