Njerezit kane akses ndaj ngjyres

Njerëzit kanë akses ndaj ngjyrës

E sotmja postmoderniste, a si të doni quajeni, karakterizohet tërësisht nga binomi prodhim-treg. Shfrytëzimi me agresivitet i gjithçkaje që sjell fitim lë mënjanë me mospërfillje natyrën, mjedisin, artin, madje dhe vetë njeriun, pra vetveten. Ky është realiteti ku jemi të destinuar të ndodhemi. E sotmja imponon trysni dhe stres nëpërmjet produktit virtual që përcjell nonstop teknologjia dixhitale. Falë kësaj, përthithim informacion mbi gjithçka, nga të gjitha skajet. Por në këtë hapësirë të pafundme informacioni serviret gjithashtu me mjaft abuzivitet. Ne funksionojmë në mënyrë manuale, pra ndjejmë të nevojshme të njohim e të këmbejmë eksperiencat. Globalizmi kjo strukturë gjigande organizimi, përbën një tjetër rëndesë që ushtrohet ndaj shoqërisë së konsumit, ndaj individit, ndaj artistit, duke vënë në rrezik identitetin dhe kualitetin e artit. Më lejoni të pohoj se, produkti më inteligjent mbetet sërish arti. Kurrsesi ai nuk mund të ndjekë ritmet marramendëse të teknologjisë së sotme të sofistikuar, e cila përllogaritjet i bën prodhim/minutë. Kontakti i parë i këtij prodhimi me tregun është reklama. Në shërbim të saj janë vënë të gjitha artet, në mënyrë të veçantë artet vizive, madje dhe arkitektura, duke sakrifikuar vëllime dhe hapësira të tëra urbane në shërbim të kësaj propagande të ethshme. Konstatoj jo pa keqardhje se ka mungesë vëmendjeje ndaj artit, se ka rënie të fluksit nëpër muze, galeri, ekspozita etj. Si për ironi edhe sponsorizimet për "zhvillimin", "stimulimin", s‘janë veçse slogane, që më së shumti konvertohen sërish në përfitime në favor të biznesit. Arkitektura: "Muzika e heshtur" apo "Arti i ngrirë", dikur nëna e arteve, mbetet më koherente. Në saj të shfrytëzimit të teknologjisë moderne janë shkurtuar së tepërmi afatet në zbatim, madje janë arritur "rekorde" duke ulur kështu koston. Arkitektura është dhe do të mbetet utilitare, ky është privilegj. Arti në vetvete nuk mbart funksion të mirëfilltë. Arti është luks. Qëllimi i tij është të sensibilizojë emocionalisht hapësirat e ndërgjegjes.

Misioni i tij mbetet human. Artit të modelimit nëpërmjet vëllimeve (arkitekturës) i vjen në shërbim dizajni me mundësitë që ai ka për të shfrytëzuar produkte industriale gjysmë të gatshme materialesh të larmishme si: xhami, elementët metalikë, fibrat plastike etj. Dizajni me imazhet kromatike i jep interierit apo eksterierit frymëmarrje dhe ekstravagancë. Ngushtohet gjithnjë e më shumë prania e arteve plastike, qofshin figurative apo dekorative. Njerëzit kanë akses ndaj ngjyrës, ritmit në përgjithësi, ndaj efekteve vizuale. Ata i konsumojnë kudo në jetën e përditshme. Po ju sjell një shembull nga Tirana, kryeqyteti i vendit nga unë vij. Kur në krye të bashkisë erdhi një piktor, ambicia e tij ishte ta ndryshonte atë. Projekti që kryebashkiaku propozoi, ishte transformimi nëpërmjet ngjyrës, pa marrë në konsideratë se çfarë servirte arkitektura ekzistuese. Të gjitha fasadat u manipuluan me ngjyra intensive, duke tjetërsuar totalisht pamjen e varfër e të rëndomtë ekzistuese. Përshtypja e parë ishte e mirë. Hera herës interesante e pse jo dhe sugjestive. Sigurisht që një sipërmarrje e tillë, do të thosha tejet e guximshme, nuk mund të kalonte pa polemika. Njerëzit janë të ndjeshëm ndaj mjedisit ku banojnë. Situata nuk mund të anashkalohej. Pati reagime nga qytetarë të ndryshëm, por dhe nga specialistë. Sidoqoftë kjo mbarte në vetvete ndryshimin. Tashmë shihet pozitivisht nga shumica e komunitetit. Por problematika mbetet sërish komplekse, urbanistika është në kolaps të plotë, për pasojë dhe arkitektura. Ndonëse ndesh aty-këtu ndonjë projekt apo objekt interesant, ato prezantohen te veçuara. Sa për vepra arti, as që bëhet fjalë.

Secili prej nesh është dëshmitar se si në metropole, qendra të rëndësishme urbane, fasada, mure, trotuare e kudo ndeshemi me lloj-lloj imazhesh, linjash e ngjyrash, me atë që quhet grafiti (teknikë që realizohet me bojëra spraj). Kam bindjen se kemi të bëjmë me abuzim, papërgjegjshmëri, mungesë profesionalizmi e rutinë. Krahas profesionistëve, kushdo mund të kontribuojë e të jetë bashkautor. Publiku ndeshet përditë e ngado me këtë skematizëm vulgar. Me dashje, apo pa dashje, është i detyruar ta konsumojë. Njerëzit kanë akses ndaj ngjyrës. Në veprimtarinë e përditshme brenda nesh, por edhe më gjerë, fshihen shumë dilema si: qëndrimi ndaj traditës, mjeshtërisë, shkollimit, lirisë së shprehjes, identitetit, të qenit elitë, të mbijetesës në treg etj., etj. Modernizmi tashmë është traditë. Postmodernizmi mbart krizë apo përbën risi?! ...Artistët kudo e ngado qofshin ndiejnë domosdoshmërinë për të qenë bashkë nëpër shoqata, koloni, bienale, simpoziume, ekspozita etj. Në këtë vazhdë zhvillohet dhe ky takim, të cilin sinqerisht e përshëndes. Për ne është e nevojshme të ballafaqojmë pikëpamjet, për të zbutur sadopak dilemat. Problematika mbetet sërish tejet e gjerë. Shumë çështje janë të karakterit konceptual. Ato nuk mund të marrin përgjigje në një apo dy ditë. Tematika le të mbetet e hapur me shpresë se do të gjejë shtrirje më të gjerë. Kjo mendoj se është mënyra më e mirë dhe alternativa që mund të na orientojë drejt të vërtetës.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama