Nje veshtrim juridiko-nderkombetar mbi devijimin e lumit Vjosa

Nje veshtrim juridiko-nderkombetar mbi devijimin e lumit Vjosa

Pezullimi dhjetëvjeçar i negociatave

 

Hidrocentrali i Pigait përfundoi dhe u vu në shfrytëzim. Ndërkohë midis të dy palëve vazhdonin bisedimet por pa rezultate. Në bisedimet e Tiranës, në janarin e 1989 dhe në ato të Gjirokastrës, në janarin e 1992 etj, pala greke avanconte pa kursim arsyetime sofiste dhe madje qesharake, për shmangien e temës së marrëveshjes ose, së paku, për reduktimin e saj në një akt formal, skeletik, pa asnjë vlerë. Ajo kundërshtonte me insistim nenin 1 të projektit shqiptar, ku thuhej se palët marrin përsipër të shqyrtojnë dhe të zgjidhin me marrëveshje të gjitha çështjet e ekonomisë ujore. Ky ishte një parim bazë i të drejtës ndërkombëtare të shfrytëzimit të ujërave kufitare, të cilin vetë Greqia e kishte fiksuar në të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me fqinjët e tjerë. Sipas delegacionit grek, neni 1 “cenonte parimin e sovranitetit shtetëror sepse i hiqte të drejten shtetit që të bënte ç’të donte me ujërat që rrjedhin në territorin e tij”!!


Pala greke, duke shkeluar nenin 7 pika b të Rregullores së Komisionit të Përbashkët, refuzoi çdo diskutim të mëtejshëm për hidrocentralin e Pigait, për pasojat me të cilat u shoqërua ndërtimi i tij, për masat që duhet të merreshin për minimizimin e tyre si dhe për kompensimin e dëmeve të shkaktuara. Si rrjedhim bisedimet u ndërprenë. Prej asaj kohe, janarit të vitit 1992, që përkoi me rënien e sistemit komunist në Shqipëri, kur në administratën shtetërore shqiptare u krijua një vakuum relativ institucional dhe legjislativ, për një periudhë të gjatë kohe nuk pati më bisedime dhe Komisioni nuk ka funksionuar, ndonëse, sipas Rregullores, duhej të mblidhej çdo vit. Me sa duket, nga kjo, ka përfituar pala greke, e cila, siç thuhet, ka filluar punimet e fazës së dytë në rrjedhën e sipërme të lumit Vjosa dhe të degëve të saj. Çështja u ringrit në tetorin e vitit 1999, gjatë punimeve të Sesionit të 7 të Komisionit të Përbashkët shqiptaro-grek për bashkëpunimin ekonomik, industrial dhe tekniko-shkencor, mbajtur në Athinë, por duke bërë një gabim me pasoja.

 

Në dokumentin e miratuar figuron një pikë, e formuluar si më poshtë: “Pala shqiptare propozoi dhe pala greke pranoi krijimin e një grupi pune greko-shqiptar ad hoc, i përbërë nga ekspertë teknikë nga të dyja palët në fillim të vitit 2000, i cili do të përgatisë një projekt-maarrëveshje të ekonomisë ujore që përmbledh të gjitha çështjet që lidhen me ujrat kufitare. Ky projekt do t’i paraqitet të dyja qeverive.” Pala shqiptare, e përfshirë nga amnezia historike, injoroi faktin që i ishte dorëzuar zyrtarisht qeverisë greke në Athinë, në prillin e vitit 1985, projekti i marrëveshjes së ekonomisë ujore dhe projekti i statutit të Komisionit të Përbashkët shqiptaro-grek për ekonominë ujore. Pa pritur marrjen e përgjigjes, tej mase të stërzgjatur, nga pala greke për keto projekte, ajo u ngut dhe avancoi një propozim të pakuptimtë. Ky hap i pamatur, rezultat i pakujdesisë ose i injorancës profesionale, u shfrytëzua menjëherë nga pala greke. Pasi e kishte sabotuar çështjen qëllimisht nën pretekste të kota për 15 vjet, gjeti rastin ideal që të rifillonte sërish ta zvarriste edhe për 15 vjet të tjera dhe ndërkohë të vazhdonte punën e qetë, në shkelje të parimeve dhe normave të së drejtës ndërkombëtare dhe, në mungesën e një marrëveshjeje bilaterale, të vazhdonte të rrëmbente ujrat e lumit Vjosa, një pasuri e përbashkët që iu përket sa grekëve po aq edhe shqiptarëve.

 

Duke i shkuar deri në fund gabimit që kryen në vitin 2000-2001, nënshkruan në 3 prill të vitit 2003, një marrëveshje pa përmbajtje dhe pa asnjë vlerë substanciale, që i kushtohej krijimit të Komisionit të Përhershëm shqiptaro-grek mbi çështjet e ujrave të ëmbla ndërkufitare, Komision që ishte krijuar që në vitin 1985. Një prapaktheu e panevojshme, një mohim i përpjekjeve diplomatike të lodhshme, të mundimshme dhe shumë të përgjegjshme mbi njëzetvjeçare, që riktheu në pikën e nisjes punën për trajtimin dhe zgjidhjen e duhur juridike të një çështjeje madhore me interesa të shumta dhe vitale për Shqipërinë. Për t’i shkuar deri në fund groteskut permanent ajutoritetet greke e lanë këtë të ashtuquajtur marrëveshje, krejt të panevojshme, edhe për dy vjet e gjysëm të tjerë, që të priste “plotësimin e formaliteteve procedurale” për të hyrë në fuqi, më 21 nëntor të vitit 2005. Kësaj kohe të shpërdoruar qëllimisht, do t’i shtoheshin edhe tre vjet të tjerë, gjatë të cilave Komisioni i Përbashkët do të “vazhdonte përgatitjet” për të nisur jetën institucionale, më 10 prill dhe më 8 dhjetor 2008, në dy mbledhje formale, respektivisht në Tiranë dhe në Janinë, ku nuk pati asnjë arritje konkrete. Sërish tetë vjet për të mbledhur një të ashtuquajtur Komision për të bërë asgjë.


Kjo është në mënyrë të përmbledhur kronologjia e trajtimit të kësaj çështjeje, e cila pasi zvarritet dekada të tëra ndërpritet në dhjetorin e vitit 2008. Vështruar nga një distancë e gjatë kohore, rezulton se kemi të bëjmë me një paradoks, një periudhë 31 vjeçare, rezulton e pamjaftueshme për të përgatitur dhe nënshkruar një marrëveshje të mirëfilltë për ekonominë ujore dhe një statut normal për komisionin e përbashkët, që do t’i hapnin rrugën shqyrtimit të përbashkët dhe marrjes së vendimeve të drejta për shfrytëzimin racional të ujrave të përbashkëta në përputhje me parimet ndërkombëtare. Nga ana tjetër rezultonte se ndërkohë që pala greke zvarriste pa kurfarë hezitimi zgjidhjen e problemit, imponoi përfundimin brenda rreth një viti, nëpërmjet dy apo tre takimeve farsë, të të ashtuquajturës marrëveshje për caktimin e kufirit detar shqiptaro-grek, në prillin e vitit 2009, që kërkonte të sanksiononte grabitjen e disa qindra km² territor shqiptar (354.4 km²).

 

Qëllimi i qëndrimit grek bëhet edhe më i qartë në se mbajmë parasysh përdorimin e standardeve të dyfishta vetëm ndaj Shqipërisë, sepse me fqinjët e tjerë të saj Greqia ka vepruar në afate optimale. Me ish Jugosllavinë brenda 13 vjetëve (1959-1972) përfundoi 3 marrëveshje, respektivisht më 18 qershor 1959, 2 qershor 1970, dhe 24 mars 1972, me Bullgarinë, brenda 7 vjetëve nënshkroi dy të tilla, përkatësisht më 9 korrik 1964 dhe 12 korrik 1971. Për më tepër, në të dy këto raste, sikurse edhe në marrëveshjen me Turqinë, figuron detyrimi i secilës palë për t’u marrë vesh me tjetrën për çdo ndërhyrje në ujrat e lumenjve apo liqeneve të përbashkët, detyrim i cili nuk pranohet prej saj në rastin e marrëveshjes me Shqipërinë, sepse neni 1 i projektit shqiptar, që fiksonte këtë parim, “cenonte parimin e sovranitetit shtetëror meqënëse i hiqte të drejtën shtetit që të bënte ç’të donte me ujrat që rrjedhin në territorin e tij”!
 
Kuadri juridiko-ndërkombëtar i trajtimit të çështjes


Shkeljet e rënda të normave të së drejtës ndërkombëtare dhe të Rregullores së Komisionit të Përbashkët, të kryera me vetëdije nga autoritetet greke, të vërtetuara me ndërtimin e hidrocentralit të Pigait duke devijuar përgjithmonë një pjesë të ujërave të Vjosës dhe, në se është e vërtetë, fillimi i devijimit të sasisë prej 77-80 % të prurjeve mesatare vjetore të ujërave të saj, pa u marrë vesh me palën shqiptare, sjellin përgjegjësinë e tyre juridiko-ndërkombëtare. Është detyrë e palës shqiptare që të evidentojë saktësisht dhe me kompetencë profesionale të gjitha pasojat e shkaktuara nga ky veprim dhe, në përputhje me rregullat e së drejtës ndërkombëtare, që rregullojnë përdorimin e ujrave ndërkombëtare për qëllime të tjera përveç lundrimit si për hidroelektricitet, për qëllime konsumi si ujitje, ujë të pijshëm etj., të kërkojë nga pala greke që të bëhen rregullimet juridiko-institucionale dhe të kryhen kompensimet e duhura. Duhet t’i bëjë të ditur fqinjës së vet, me të cilin dëshiron të ketë marrëdhënie miqësore, se, sikurse është përcaktuar në Rregulloren e Komisionit të Përbashkët, nuk ka të drejtë të ndërmarrë punime në këto ujëra pa u marrë vesh me palën shqiptare dhe t’i  kujtojë se e drejta ndërkombëtare nuk lejon që një shtet t'i shfrytëzojë ujërat e një lumi ndërkombëtar duke iu shkaktuar dëme shteteve te tjera. Çdo shtet i epërm duhet t'i respektojë të drejtat e njëjta të shteteve të tjera të interesuara për atë lumë. Kjo del ndër të tjera edhe nga vendimi i 10 shtatorit 1929, i Gjykatës së Përhershme të Drejtësisë Ndërkombëtare, për çështjen Juridiction of the International Commission of the RiverOder.

 

Ajo u shpreh duke riafirmuar konceptin, mbi të cilin është bazuar e drejta ndërkombëtare për lumenjtë, mbështetur në disa konventa ndërkombëtare që nga Akti Final i Kongresit të Vjenës, më 1815. Vendimi i saj kishte si premisë bazë “bashkësinë e interesave të shteteve breglumore”, që, në një lumë të lundrueshëm “bëhet baza e një të drejte të përbashkët, tiparet thelbësore të së cilës janë barazia e plotë e të gjitha shteteve breglumore në përdorimin e krejt rrjedhës së lumit dhe përjashtimi i çdo privilegji preferencial për ndonjë shtet breglumor në lidhje me të tjerët.” Ky parim u riafirmua edhe në aktet juridiko-ndërkombëtare specifike në këtë fushë, siç ishin konventa  ESPOO, 1991, në të cilën janë palë Shqipëria (4 tetor 1991) dhe Greqia (24 shkurt 1998), konventa e Helsinkit, 1992, në të cilën janë palë Shqipëria (05.01.1994) ashtu edhe Greqia (06.09.1996), konventa e Nju Jorkut, 1997, në të cilën Greqia ka aderuar më 2 dhjetor 2010, kurse Shqipëria ende jo, Direktiva 2000/60/EC e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, e datës 23 Tetor 2000, me titullin Ngritja e një kuadri ligjor për veprimet e komunitetit në fushën e politikës së ujërave etj.

 

Ato riafirmojnë dhe sanksionojnë parimin e rëndësishëm se në ujrat e përbashkëta, asnjë nga shtetet që laget prej tyre nuk duhet të ndërmarrë punime apo veprime që cenojnë sasinë dhe cilësinë e ujrave, pa u marrë vesh me shtetin apo shtetet e tjerë, që ndodhen në rrjedhat e sipërme apo të poshtme të tyre. Aktet e mësipërme, ku Greqia dhe Shqipëria janë bërë palë, për shkak të përcaktimeve në kushtetutat e tyre përkatëse (neni 28 i Kushtetutës greke dhe neni 122 i Kushtetutës shqiptare) janë shndërruar në pjesë integrante të legjislacioneve të tyre të brendshme dhe rrjedhimisht të zbatueshme nga autoritetet e tyre kompetente. Në kontekstin e çështjes objekt i këtij shkrimi, kjo do të thotë që shteti grek, sikurse edhe shteti shqiptar nuk duhet të nisin asnjë veprimtari në shtretërit e lumenjve të përbashkët, përfshirë në radhë të parë Vjosën, pa u marrë vesh me njëri-tjetrin. Më hollësisht dhe më gjerësisht kjo çështje trajtohet në Konventën Për të Drejtën e Përdorimeve Jolundruese të Rrjedhave Ujore Ndërkombëtare, 1997. Në paragrafin 4 të nenit 3 të saj, sanksionohet se përdorimi i rrjedhave ujore nga një ose disa shtete të rrjedhave ujore bëhet vetëm me pëlqimin e shprehur të këtij shteti ose të këtyre shteteve. Në nenin 5 thuhet se “Shtetet e rrjedhave ujore i përdorin rrjedhat ujore ndërkombëtare në territoret e tyre përkatëse në mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme. Në veçanti një rrjedhë ujore ndërkombëtare do të përdoret dhe do të vihet në zbatim nga shtetet e rrjedhës ujore me qëllim që të arrihet përdorimi i saj me avantazhe optimale dhe të qëndrueshme, duke mbajtur parasysh interesat e shteteve përkatës të rrjedhës së ujrave ... në mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme.”

 

Neni 6 përcakton se përdorimi i drejtë dhe i arsyeshëm nënkupton mbajtjen parasysh të faktorëve gjeografikë, hidrografikë, hidrologjikë, klimatikë, ekologjikë dhe faktorë të tjerë të karakterit natyror, të nevojave ekonomike dhe sociale të shteteve të rrjedhës ujore të interesuara, popullsinë tributare të rrjedhës së ujrave në secilin prej shteteve të rrjedhës së ujrave, efektet e përdorimit ose përdorimet e rrjedhës së ujrave në njërin prej shteteve të rrjedhës së ujrave mbi shtetet e tjerë të rrjedhës së ujrave, përdorimet aktuale dhe potenciale të rrjedhës së ujrave, ruajtja, mbrojtja dhe vënia në zbatim e ekonomisë në përdorimin e resurseve në rrjedhën e ujrave si dhe kostot e masave të marra për këtë qëllim, ekzistenca e opsioneve të tjera me vlerë të të krahasueshme, të mundshme për të zëvendësuar një përdorim të veçantë, aktual apo të parashikuar.

 

Neni 7 parashikon se gjatë përdorimit të rrjedhës ujore ndërkombëtare në territorin e tyre, shtetet marrin të gjitha masat e përshtatshme për të mos iu shkaktuar dëme të ndjeshme shteteve të tjerë të rrjedhës ujrore. Kur një dëm i ndjeshëm i është shkaktuar një shteti tjetër të rrjedhës ujore, shtetet që e kanë shkaktuar atë, në mungesë të një marrëveshje që ka të bëjë me këtë përdorim marrin të gjitha masat e përshtatshme, duke patur parasysh ashtu siç duhet dispozitat e neneve 5 dhe 6 të Konventës dhe në konsultim me shtetin e cenuar, për të eliminuar ose zbutur këtë dëm dhe, në se është rasti, diskutojnë çështjen e dëmshpërblimit. Nuk përjashtohet që skenari që po zhvillohet në Athinë lidhur me Vjosën, të jetë edhe një simetri e sajuar për të dalë te një qëndrim i stisur, i ngjashëm me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, të janarit 2010, që hodhi poshtë si të paqënë marrëveshjen shqiptaro-greke për kufijtë detarë, të vitit 2009. Mbi këtë bazë mund të avancohet idea e një kompromisi, “na jepni detin, t’ju japim Vjosën”. Mirëpo midis dy rasteve nuk ka asnjë pikë takimi dhe rrjedhimisht njëra nuk mund të shërbejë si precedent për zgjidhjen e tjetrës. Së pari sepse ne e kemi Vjosën dhe nuk ka pse ta kërkojmë dhe të na e japin, sikurse e kemi edhe detin tonë brenda kufijve të përcaktuara nga aktet juridiko-ndërkombëtare gati 100 vjet më parë. Së dyti, zgjidhja e çështjes së Vjosës lidhet ngushtë me zbatimin e akteve autoritare juridiko-ndërkombëtare multilaterale dhe bilaterale shqiptaro-greke, si dhe legjislacioneve të tyre të brendshme.


Një precedent gjyqësor mjaft i përmendur në literaturën juridiko-ndërkombëtare dhe shumë i ngjashëm me atë çka ndodhur ose mendohet të ndodhë me Vjosën, që njihet me emërtimin çështja e liqenit Lanu (Laoux). Ajo është trajtuar me qytetari dhe kulturë moderne nga dy shtete europiane, Franca dhe Spanja, nëpërmjet arbitrazhit ndërkombëtar dhe si e tillë mund të shërbente për t’u orientuar drejt zgjidhjes së çështjes. Lanu ndodhet në pjesën franceze të Pyreneve, pranë kufirit me Spanjën. Ushqehet nga një numër përrenjsh që burojnë nga territori francez. Ujrat e tij derdhen në lumin Carol, që buron në Francë dhe futet në Spanjë, për t’u bashkuar me lumin Rio Segre dhe më tej me lumin Ebro. Statusi i tij është rregulluar nëpërmjet tre traktateve të nënshkruar në Bayonne në vitet 1856, 1862 dhe 1866.

 
Konflikti ndërmjet dy shteteve lindi për shkak se Franca dëshironte t’i përdorte ujrat e liqenit për prodhimin e energjisë elektrike. Projekti francez, sipas palës spanjolle, do të ndikonte në furnizimin e Carolit. Rrjedhimisht do të cenonte interesat e saj, duke e privuar nga e drejta e përdorimit të ujrave. Franca premtoi se ujin e devijuar të liqenit Lanu do ta rikthente sërish te lumi Carol, por Spanja i kërkoi që çështja të shqyrtohej nga një Gjykatë Arbitrazhi, kërkesë që u pranua. Në vendimin e 16 nëntorit 1957 arbitrazhi i hodhi poshtë argumentet e Spanjës, sepse plani i paraqitur nga Franca nuk e prekte volumin e ujrave që hynin në Spanjë nëpërmjet lumit Carol.


Përsa i përket zgjidhjes së çështjes tepër komplekse dhe delikate, ndryshe nga sa thuhet në njoftimet e mediave, autoritetet shqiptare, nuk kanë arsye të presin sa të publikohet vendimi i Këshillit të Lartë të shtetit grek për çështjen objekt shqyrtimi, por duhet të ndërhyjnë menjëherë. Lajmet e shpërndara janë të mjaftueshme për t’i vënë ato në lëvizje që të kërkojnë shpjegime të hollësishme zyrtare se ç’po ndodh me një pasuri vitale, që është e të dy vendeve dhe se cila është alternativa e palës greke për zgjidhjen e saj sipas akteve përkatëse juridiko-ndërkombëtare.


Zgjidhja e çështjes së Vjosës, le të shpresojmë që nuk do të shndërrohet në çështje, bëhet shumë e thjeshtë në se mbështetet mbi normat e së drejtës ndërkombëtare të përmendura më sipër dhe në se merr në konsideratë faktin që edhe përkëtej kufirit shqiptaro-grek, në tokat ku rrjedh uji i Vjosës jetojnë e punojnë njerëz, që meritojnë të vlerësohen dhe të respektohen jo me pak se ata që të ndodhen në rrjedhën e sipërme të saj. Vjosa rrjedh në trojet e grekëve dhe të shqiptarëve prej mijëra vjetësh dhe ka shërbyer për t’i bashkuar dhe jo për t’i ndarë. Politika e ditëve tona, në të dy anët e kufirit, duhet të shohë përpara, të tregohet vizonare dhe e matur, të mos ecë as kundër rrjedhës së Vjosës dhe as kundër ndjenjave miqësore që shqiptarët ushqejnë për grekët dhe anasjelltas. Ajo duhet të lejë pas njëherë e përgjithmonë dhe të shkëputet nga reminishencat e politikave të dështuara dhe të mbajë parasysh se shqiptarët dhe grekët jetojnë në Europën e integruar, në Europën moderne, në Europën e të ardhmes së popujve.

 

Autoritetet kompetente greke kanë maturinë e duhur dhe të gjitha arsyet për të treguar respektin e nevojshëm ndaj parimeve dhe normave të së drejtës ndërkombëtare si dhe ndaj interesave dhe integritetit  të popullit shqiptar, popull me të cilin (përfshirë edhe pararendësit e tyre, ilirët) grekët jetojnë së bashku prej mijëra vjetësh. Udhëheqja e sotme greke, nuk ka se si të ketë pjesë përbërëse të platformës së saj politike programe të një të shkuare, që është lënë pas prej kohësh nga popujt e qytetëruar. Kushdo ka arsye të besojë se ajo priret nga filozofia politike moderne e integrimeve rajonale dhe globale që garantojnë një të ardhme të sigurt dhe të përparuar për të gjithë popujt.

 


Përgjigja për pyetjen se cilat mund të jenë mjetet me të cilat duhet të operojë pala shqiptare për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje, mund të ishte se e drejta ndërkombëtare iu ka dhënë subjekteve të saj komoditetin që për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis tyre të operojnë me ato që quhen mjetet paqësore, ku përfshihen mjetet diplomatike - bisedimet diplomatike direkte, ndërmjetësimi, shërbimi me qëllim të mirë, komisionet mikste etj si dhe mjetet gjyqësore, ku përfshihen gjykatat dhe arbitrazhet ndërkombëtare. Pala shqiptare, në marrëveshje me palën greke, do të duhet të veprojë nëpërmjet një ose disa prej tyre, sikurse veprohet sot në botën e qytetëruar dhe ku ka me dhjetra raste që çështje të tilla kanë gjetur zgjidhjen e përshtatshme.


*Autori është specialist i së drejtës ndërkombëtare, ka qënë anëtar i delegacioneve shqiptare në negociatat me palën greke për çështjen e ujrave të Vjosës (1984-1991) dhe është Dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin Europian të Tiranës


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama