Nje strategji tjeter per investimet apo privatizimi i vertete i vendit?

Një strategji tjetër për investimet apo privatizimi i vërtetë i vendit?

Javën e shkuar qeveria Rama miratoi një vendim për strategjinë e re qeevritare në mbështetje të investimeve të huaja. Vendimi parashikon hapat që duhet të ndiqen gjatë dy viteve të ardhshme, deri më 2018, për miratimin e një ligji të ri mbi investimet e huaja, i cili do të zëvendësojë dhe integrojë dy ligjet ekzistuese--ligjin e mbrojtjes së investimeve të huaja të vitit 1993, të ndryshuar më 2010, dhe ligjin mbi investimet strategjike të miratuar nga vetë qeveria Rama në fund të vitit 2015.

Realizimi konkret i përmirësimeve ligjore është planifikuar të hyjë në fuqi gjatë vitit 2018, pra mbas zgjedhjeve të 2017-s, pra nuk do të kenë asnjë efekt ekonomik në shërbim të fushatës zgjedhore, e cila pritet të jetë e vështirë për rikonfirmin e koaliconit aktual qeverisës.

Në këto kushte, lind pyetja pse duhet të njoftohet sot një strategji për investimet, e cila nuk do të hartohet nga qeveria e tanishme, por nga ajo që do të vijë pas zgjedhjeve? Për më tepër, pse vetëm pak muaj pasi ka miratuar një ligj investimesh, qeveria planifikon një tjetër që do të shfuqizojë të sapomiratuarin?

Ndoshta i vetmi shpjegim i mundshëm është se qeveria ka detyrim të harmonizojë dhe plotësojë kuadrin ligjor të vendit me atë të BE-së, në funksion të procesit të përgatitjes për anëtarësim në BE, ndërkohë që ligji i miratuar pak muaj më parë nuk ka qënë në përputhje me standardet europiane.

Në fakt, tashmë është e qartë se ligjet e miratuara nga dyshja Rama-Ahmetaj deri më sot në fushën e biznesit--përfshi ligjet e partneritetit publik-privat, të investimeve strategjike dhe të turizmit--kanë patur qëllim të vetëm kryerjen e disa operacioneve në favor të klientëve të tyre dhe nuk janë në të njëjtën linjë me ligjet europiane. Kjo gjë u konfirmua nga dhënia e statusit investim strategjik i një sërë investimeve të dyshimta vendase në bregdet, të cilat nuk kanë asnjë interes publik--si rrjedhojë, qeveria i dha investitorëve lehtësirave në infrastrukturë dhe një pjesë të bregdetit (publik) pa asnjë kosto.

Lajmërimi se po përgatitet një ligj i ri i përgjithshëm i investimeve i jep qeverisë kohë përballë BE-së, ndërkohë që zbatimi i ligjeve akoma në fuqi i lejon të përfundojë grabitjen e gjithë pronave të lira publike për klientët e saj.

Kjo duketse është strategjia e vërtetë afatshkurtër e qeverisë për investimet: mbajtja në fuqi, sa të jetë e mundur, e ligjeve që ligjërojnë kalimin klientelist të pasurive publike në dorë të një grushti klientësh oligarkë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama