Nje shprese e re per te lene duhanin

Një shpresë e re për të lënë duhanin

Megjithatë, për të ndihmuar miliona njerëz të varur nga nikotina, pa i dashur të dalin nga restorantet apo zyrat në netët e ftohta të dimrit, specialistët e shëndetit po mundohen gjithmonë e më shumë të ofrojnë një kompromis të ri: atë të provuarit të snusit. I zbuluar rreth viteve 1463 në Suedi, snusi është një lloj duhani që vendoset poshtë buzës së sipërme, duke u bërë kështu një mënyrë për të marrë nikotinën përmes gojës. Snus është i ndaluar pothuajse në të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, përveç Suedisë- e cila ka edhe përqindjen më të vogël të të prekurve nga kanceri dhe numrin më të ulët të duhanpirësve në Evropë. Por këto ligje ndoshta nuk mund të jenë në fuqi edhe për shumë kohë. Rregullat që ndalonin ndoshta shumë shpejt nuk do të ekzistojnë më, pasi ekspertët e shëndetit kanë treguar se ai mund të jetë alternativa më pak e dëmshme për të gjithë duhanpirësit "fanatikë". Javën e kaluar, në një raport të "The Royal College of Physicians" për mënyrat se si marrja e nikotinës përmes gojës, mund t‘i ndihmojë duhanpirësit e thekur të heqin dorë prej tij, snus u vlerësua si një "ndihmës" i rëndësishëm. "Është e vërtetë se snus është më i sigurt se duhani", tregon profesor John Britton, specialist në Universitetin e Notingamit dhe kryetar i "Tobacco Advisory Group" që u mor me hartimin e këtij raporti. Nëse ju tashmë jeni një duhanpirës i rregullt, atëherë ju pa asnjë problem mund të provoni këtë lloj duhani që është njëkohësisht edhe më pak i dëmshëm për ju", tregon ai. Por pyetja më e rëndësishme të cilës do të donim të gjithë t‘u përgjigjeshim është se me çfarë ngjason më tepër snusi. Në të vërtetë, ai është krejtësisht ndryshe nga zëvendësuesit artificialë të nikotinës që ofrojnë mjekët nëpër qendrat e ndryshme të trajnimit dhe ndryshe nga çamçakëzët, snusi ka një shije të ngjashme me cigaret. Për më tepër, është e rëndësishme të theksohet se mbajtja e tij në gojë për rreth 20-40 minuta i "sjell" organizmit një sasi nikotine të krahasueshme me cigaret që do të piheshin brenda kësaj kohe. Për më tepër, snus është një mënyrë e mirë që nuk ju bën të dilni jashtë restoranteve apo pabeve netëve të ftohta të dimrit, për shkak të ligjeve të forta antiduhan. Suedezët ishin të parët që e "futën" në gojë këtë lloj duhani në shekullin e 18-të.

Ai është kaq shumë pjesë e kësaj kulture, saqë qeveria suedeze hyri në negociata për të lejuar përdorimin e tij kur iu bashkua Bashkimit Evropian (pasi konsumi i tij ndalohej rreptësisht në vendet e BE). Për shkak të rregullave strikte të përdorimit të duhanit të hyra një fuqi në vitin 2005, në Suedi shiten më pak paketa se në çdo vend tjetër, ndërsa snusi renditet në vend të parë. Sot, në Suedi është vlerësuar se janë rreth 800.000 meshkuj dhe 200.000 femra përdorues të rregullt të tij në një popullsi prej nëntë milionë banorësh. Prodhuesi më i madh i snusit, në vend "Swedish match", tregon se pas ligjeve për duhanin, më tepër se gjysmë milion duhanpirës lanë mënjanë paketat për t‘iu drejtuar këtyre bustinave të vogla të duhanit. Një kuti e vogël kushton rreth 2 euro më pak sesa një paketë cigaresh e zakonshme. Por, meqenëse kultura suedeze është kryesisht mashkullore, snus është më pak i përdorshëm nga gratë për mënyrën e çuditshme me të cilën ajo e "fryn" buzën e sipërme. Në kërkim të tregut, ndërmarrje si "Swedish match" kanë filluar të futin kuti të vogla duhani edhe me shije trëndafili dhe boronicë të kuqe. Pavarësisht se në Suedi ka masa të rrepta që kontrollojnë përdorimin e duhanit në vend, doktor Britton dhe specialistë të tjerë besojnë se numri i ulët i duhanpirësve në këtë vend -veçanërisht meshkuj- i atribuohet konsumit të snusit. "Numri i duhanpirësve meshkuj është më i ulët në Evropë dhe nuk ka asnjë dyshim se snus ka dhënë një ndihmesë të madhe", thotë Bitton. Megjithatë, nëpër kutitë lexohet gjithmonë se ai është një produkt i dëmshëm për shëndetin. Snus përfshin rreth 30 lloje produktesh duhani, të cilat mund të vendosen poshtë buzës së sipërme apo mund të thithen. Më të rrezikshmit përmbajnë një grup kimikatesh të quajtura nitrosamines dhe disa prodhime duhani pa tym kanë nivele të larta të këtyre substancave më shumë sesa cigaret. Por "mbrojtësit" e snusit thonë se aktualisht po përdoren procese që ulin nivelin e këtyre substancave në produktin përfundimtar. Aktualisht, edhe pse është më i përdoruri në vend, shumë suedezë nuk janë të informuar se snus është më pak i dëmshëm se duhani. "Ka një diferencë të madhe në rreziqet e shëndetit mes snusit dhe cigareve, por shumica e njerëzve nuk e dinë këtë", tregon doktor Lars E Rutqvist, zëvendëspresidenti i kërkimeve shkencore në "Swedish Match". Po ashtu, ai shton se konsumi i madh i tij në Suedi erdhi sidomos pas ligjeve të ashpra që e ndalonin atë. Por lajmet e mira vijnë edhe nga qendra kërkimore për kanceret ku thuhet se snusi suedez është më pak i dëmshëm se duhani dhe llojet e tjera që përdoren për ta zëvendësuar atë. "Është e mundur se ai mund t‘i ndihmojë duhanpirësit fanatikë, por është e rëndësishme të theksohet se si të gjitha produktet e duhanit edhe snus nuk është tërësisht pa rreziqe për shëndetin", thotë Jean King, drejtor në "Cancer Research".


Megjithatë, kohët e fundit në revistën "The Lancet" u botuan dy studime dhe një editorial që përqendrohej në konsumin e madh të këtij lloj duhani, sidomos në Suedi dhe Norvegji. Studimi i parë u bazua në përqindjen e disa lloj sëmundjeve kanceroze te punëtorët e ndërtimi suedez, të ndjekur për 20 vjet, ndërsa tjetri ka vlerësuar efektet që do të kishte futja e këtij produkti në Australi. Në fillim rezultatet suedeze: snus nuk ka efekte kancerogjene në rrugët e frymëmarrjes dhe mbi mushkëritë në veçanti dhe as mbi mukozën e gojës dhe përcakton sëmundjet e tjera respiratore që prekin duhanpirësit si bronshiti kronik. Me pak fjalë, duket sikur nuk ka efekte negative mbi shëndetin, përveçse u dhuron kënaqësi konsumatorëve. Ndërkaq, studimi suedez ka treguar se në krahasim me joduhanpirësit, konsumatorët e snusit paraqisnin dyfishin e rrezikut për tumorin e pankreasit. Rreziku është vërtet i madh, por është më mirë të shihet në terma absolute. Kështu, mes duhanpirësve suedezë përqindja e tumorit të pankreasit ishte 13 raste për 100 persona në vit, ndërsa mes konsumatorëve të snusit ishte 8.8, mes atyre që nuk kishin pirë kurrë duhan kjo përqindje zbriste në 3.9, por rreziku i kancerit në pankreas dyfishohej, rezultonte në 40 raste të sëmundjeve në 125.000 përdorues të snusit. Ndërkaq, autorët e studimit australian shprehen se nëse snus do të zëvendësonte cigaren, duhet që të ketë patjetër efekte pozitive mbi shëndetin e njerëzve. Sipas tyre, asnjë studim i mirëfilltë nuk e ka provuar këtë, ndaj ato nuk mund të quhen të "shëndetshme". Përdorimi i madh i tij në Suedi është thjesht i lidhur me traditën. "Është më e rrezikshme se përdorimi i zëvendësuesve të nikotinës që këshillojnë mjekët, por nuk ka asgjë të përbashkët me rreziqet e duhanpirjes", thotë Britton, i cili shton se kërkimet të tjera afatgjata mbi efektin e tij në shëndet do të ishin shumë të dobishme. Të tjerat janë vetëm këshilla. "Nuk ka evidentime shkencore se duhanpirësit mund ta zëvendësojnë shumë mirë atë me snusin dhe pastaj të vazhdojnë të përdorin atë gjithë kohës", ka treguar drejtori i "American Cancer Society", për "The New York Time" javën e kaluar. Në Amerikë, Philip Morris, një nga gjigantët e industrisë së duhanit ka filluar testet e tregut për snusin. Javën e shkuar, "British American Tobacco", e cila mbulon rreth dhjetë për qind të shitjeve të snusit nëpër marketet suedeze, u përpoq të hartonte rregulla të reja për legalizimin e tij. Në fakt, snusi është ndaluar qysh prej vitit 1992, duke parë se kompanitë e duhanit pa tym u drejtoheshin kryesisht fëmijëve dhe adoleshentëve. Por këtu qëndron një problem i vogël, nëse kompanitë e duhanit lejoheshin të shisnin suns në Angli, kjo nuk mund t‘i kënaqë ata, pasi mund t‘i çojë konsumatorët e tyre të heqin dorë. "Puna e tyre është që të shesin sa më shumë duhan që të jetë e mundur, në këtë mënyrë ata mund t‘u shmangen shumë rregullave për duhanin", thekson dr. Britton. Ai kërkon një sistem rregullator strikt për të monitoruar tregtimin e këtyre produkteve. Por si në vendin e tij të origjinës, jo të gjithë përdoruesit e snusit mund t‘u gëzohen të gjitha privilegjeve të tij. Qëkur Suedia lejoi përdoruesit të "merrnin" nikotinën e tyre në avionë, në kinema apo në ushqimin e fëmijës me gji, snusi mund të krijojë më shumë varësi se duhani. "Nuk është i shëndetshëm, kjo nuk është e vërtetë", insiston Karl Tesdordorpf, 36 vjeç nga Stokholmi, i cili hoqi dorë nga përdorimi i snusit tre vjet më parë pas 13 vjetësh përdorim. "Nuk kam pirë kurrë cigare dhe kam nisur të pi snus qëkur isha 20 vjeç. E kam përdorur atë thuajse çdo ditë, madje ishte gjëja e parë që bëja çdo mëngjes. Kam edhe miq të mi që flenë me të në buzë. Kur konsumoni snus nuk dihatat të nxihen, ndërsa ushqimi nuk të shijon. Por ajo që më detyroi të hiqja dorë ishte problemi im me shëndetin. Sunset kanë shumë nikotinë, është shumë e vështirë të heqësh dorë. Kam shumë miq që e përdorin dhe jo shumë prej tyre janë të zotët të heqin dorë. Si mundet që një kompani të fitojë lek pa u interesuar për shëndetin e njerëzve".


Rregullat e duhanit në botë

* Në Kaliforni, javën e shkuar në kuadrin e ligjeve antiduhan u vendos që konsumi i tij të mos lejohet edhe në apartamentet private. Në Kalabasas, qytet në veri të Kalifornisë, duhanpirja është e ndaluar në vende publike, ndërsa ligji që ndalon përdorimin e tij nëpër banesat private do të hyjë në fuqi në nëntor. Më shumë se 50 për qind e shteteve në Amerikë kanë të njëjtat ligje mbi duhanin.


* Që nga 1 tetori është ndaluar pirja e duhanit në të gjitha taksitë në Pekin për shkak të Lojërave Olimpike të vitit 2008. Ky ligj ka hyrë tashmë nëpër spitale, shkolla, restorante, zyra qeveritare dhe organizata private. I gjithë qëllimi i kësaj është që për herë të parë të kemi "Lojëra Olimpike pa duhan" ndaj në kryeqytetin kinez nuk do të ketë duhan në shitje në asnjë hotel apo vend akomodimi apo mjedise stërvitore.


*Në shkurt, rreth 175.000 policë u ngarkuan posaçërisht në Francë për të mbikëqyrur ligjin antiduhan, në fuqi prej vitit 1991, por që nuk zbatoheshin

*Në total, më shumë se 140 shtete kanë firmosur një traktat ndërkombëtar për kontrollin e duhanit në vitin 2005, megjithëse në shumë prej tyre akoma nuk janë futur këto ligje. Duhanpirja në shkollë është akoma e lejueshme në Belgjikë, por kjo deri në shtator të vitit 2008.

"No smoking"


* Përtypja është një nga mënyrat më të vjetra dhe më të shpejta që praktikohej duke "gëlltitur" gjethet e duhanit dhe përdorej nga vendasit si Amerikën Veriore ashtu edhe në atë Jugore. Akoma edhe sot, kjo mënyrë është shumë e përhapur në pjesë të ndryshme të Amerikës. Po ashtu, është shumë e përhapur përmes atletëve.

Kohët e fundit, koncepti për zëvendësimin e nikotinës ka rifutur paketat pa tym si një mënyrë për të ndihmuar duhanpirësit që të shkëputen nga varësia e tyre ndaj nikotinës. Çamçakëzi me nikotinë u krijua qysh në vitin 1970

A ka ndonjë cigare të sigurt?


Do të ishte fitimprurëse nëse të paktën do të thuhej se një cigare "më pak e dëmshme" do të ekzistonte. Konsultuesit e industrive të duhanit paralajmëruan se meqë kancerogjenet prodhoheshin lehtë nga djegia e duhanit, një cigare komplet e sigurt nuk do të ishte e pamundur. Duhanpirësit mund të zgjedhin cigaren me përmbajtjen e katranit dhe nikotinës. Por ç‘mund të themi për një cigare që ne nuk mund ta pimë? Kompanitë e cigareve u eklipsuan nga kjo gjë.

Kjo ishte cigarja e teknologjisë së lartë që ishte dizajnuar që të nxehte cigaren, por jo ta digjte atë. Ajo lëshonte avujt e nikotinës, të cilët thitheshin në gojë me anë të një filtri. E meta ishte te filtri i saj. Ai ishte i ndotur me fibra qelqi, gjë e cila nëse thithej, do të shkaktonte një problem serioz në shëndetin e duhanpirësve.
Filtrat mund të ulnin lëndët toksike, por ishin përsëri shumë të rrezikshme për shëndetin. Cigaret me prejardhje bimore mund të jenë një zgjidhje e problemit të duhanit.
Megjithatë, cigare të këtij lloji nuk janë të rekomanduara për ata që dëshirojnë të lënë zakonin e pirjes së duhanit. Tymi i këtyre cigareve përsëri përmban katran dhe monoksid karboni.

Produkte të tjera të duhanit


Shumë njerëz, të cilët përdorin duhan pa tym, besojnë se është një alternativë më e sigurt cigareje. Nuk është e çuditshme kur dikush dëgjon se pirja e duhanit shkakton kancer në mushkri dhe probleme të tjera. E vërteta është se cigaret pa tym janë përgjegjëse për shumë tipa të tjerë kanceresh dhe problemesh të shëndetit. Përderisa duhani përmban kimikate dhe kancerogjene edhe pa u djegur, ai mund të shkaktojë kancere të gojës, gjuhës, buzëve dhe laringut. Nëse duhani thithet, ai mund të shkaktojë kancer në hundë.

Problemet me mishrat e dhëmbëve dhe kariesi i dhëmbëve janë probleme të përbashkëta për përdoruesit e duhanit pa tym. Përtypja dhe të marrit erë e duhanit çon më shumë nikotinë në trup sesa tymosja. Kështu që ai bëhet më adiktiv. Puroja është një cigare e mbështjellë me fletë duhani. Ajo ka shije dhe erë të ndryshme nga cigaret e zakonshme, sepse duhani që përbën atë është i vjetër dhe i fermentuar dhe është pa filtër. Ajo mund të zgjasë për disa orë për t‘u konsumuar dhe një cigare në ditë mund të jetë e mjaftueshme për të rritur rrezikun e kancerit. Ashtu si cigaret, pipat janë bërë një simbol sofistikimi, por ato mbartin të njëjtin rrezik si cigaret e zakonshme.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama