Bojaxhi Sdo lejohen ndertime qe s’plotesojne hapesiren per parkim

Bojaxhi: S'do lejohen ndertime qe s’plotesojne hapesiren per parkim

Kandidati i Pavarur për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi parashtroi planin e tij për mirëmenaxhimin e parkingjeve. Ai theksoi se degradimi dhe situata e rëndë e parkimit në Tiranë është rezultat i mungesës totale të vizionit dhe klientelizmit të drejtuesve të Bashkisë së Tiranës.

 

Sipas Bojaxhi drejtuesit dhe biznesmenët e tyre të ndërtimit nuk bënin dot shumë para dhe shpejt duke investuar në parkingje, ndaj nuk i ndërtuan asnjëherë ato, duke theksuar se e gjithë sipërfaqja e qytetit është përdorur për godina banimi. 

 

Bojaxhi tha se edhe kur situata e parkimeve u bë fitimprurëse për politikanët, i ndanë koncensionet e parkimeve tek klientët e tyre,  një të PD-së dhe një të PS-së, të cilat prapë nuk u bënë kurrë dhe nuk mbajti përgjegjësi askush.

 

Duke treguar një lagje të Tiranës ku parkimet ishin të zëna nga hekura e zinxhirë, ai tha se Tirana është i vetmi qytet në botë që nuk ka parkime publike nëntoksore apo mbitokësore.

 

“Ja si është menaxhimi aktual i parkingjevet. Me zinxhirë, hekra, apo betona. Kjo është pasoja dhe jo shkaku. Qytetarët nuk kanë më ku të parkojnë dhe ne do ti rikthejmë qytetarëve vendparkimet publike. Tirana është ndoshta i vetmi kryeqytet në botë që nuk ka parkime publike nëntokësore apo mbitokësore. Ne do t’a ndryshojmë këtë gjë”, - tha Bojaxhi

 

Plani i Bojaxhi për parkimet në Tiranë parashikon:

-Hapësira optimale parkingjesh nëntokësor për ndërtimet e reja, përndryshe leja nuk do të jepet.

- Program i veçantë për parkime brenda lagjeve me investim publik-privat. Bashkia do të ofrojë të drejtën e përdorim të tokës dhe do të koordinojë politikat për parkimin në zonën përkatëse.

- Ndërtimi i një parkimi të madh në stacionin e autobuzëve interurbanë në periferi të Tiranës.

- Futja e një sistemi modern për pagesën dhe menaxhimin e parkingjeve publike në rrugë.

 

Një ditë më parë, Bojaxhi prezantoi edhe planin për transportin publik ku theksoi faktin se tashmë do të ketë një biletë unike për linja të ndryshme dhe se autobuzet do të pajisen me GPS për të ditur mberritjen e saktë në stacionet e tyre. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama