Të plota më mirë se të holla, thonë psikologët e Universitetit të Lousvilles-it pas studimeve për buzët, por është rreziku se mos kalohet masa e meshkujt bëhen më pak tërheqës. Profesorët thonë se gratë kërkojnë nga buzët e meshkujve që të transmetojnë sensualitet dhe forcë në të njëjtë kohë.
Macho-t
Sidoqoftë, është shumë e rëndësishme që buzët e meshkujve të japin përshtypjen e duhur për maskulinitetin e tyre dhe karakteristikat femërore në këtë zonë të jenë rreptësisht të patolerueshme. “Por njëkohësisht duhet të kenë atë efektin e ngrohtësisë, që e japin buzët e plota”, shpjegojnë psikologët. Ndërsa meshkujt kërkojnë te femrat plotësinë, të kuqen e ndezur dhe ngrohtësinë e buzëve, ne jemi më “të ekuilibruara”. Buzët mesatarisht të plota janë më të pëlqyera te meshkujt sesa ato shumë të holla apo të trasha.
Jo vetëm për t’u puthur
Skuadra e studimit nxori konkluzionet pas një vargu eksperimentesh, të cilat konsistonin në përshtatjen e pjesëve të ndryshme të fytyrës, për të parë efektin e tyre në tërheqjen seksuale. Ata zbuluan se ndërsa buzët e bukura mund ta bëjnë një fytyrë tërheqëse akoma dhe më shumë, ato nuk mund të “shpëtojnë” një fytyrë që nuk është tërheqëse në aspektet e tjera.
Buzët mund të transmetojnë ngrohtësi, thonë studiuesit. Ato janë shumë shprehëse dhe kur dikush është me të vërtetë i dashuruar dhe ka përballë vajzën që do, ato skuqen e bëhen më të plota dhe më të theksuara. Buzët shfaqin instinktivisht atë sensualitet e ngrohtësi që ne kërkojmë nga partneri. Kështu ato bëhen gati edhe për puthje. Te buzët ka receptorë të ndjeshëm ndaj prekjes e presionit, të cilët i çojnë mesazhe trurit. Kështu, ti e kupton menjëherë nëse mbi buzë ke një puthje të vërtetë ose të shpërqendruar.
Që mes jush të mos ketë të tretë
Ditët e ftohta mbartin rrezikun e buzëve të ashpra e të plasaritura, aspak të këndshme në aspektin estetik, por dhe në atë erotik. Sepse një puthje e ashpër nuk është ajo që do doje. Zgjidhja në këtë rast është shumë e thjeshtë, sepse dhe cipat e buzëve janë shumë më pak të rrezikshme se një e tretë. I largon me një zbutës të thjeshtë për meshkuj ose dhe nga ata që mund të quhen unisex, për shkak se nuk kanë as nuanca as aroma të caktuara. Në rast se partneri nuk e përdor një të tillë në muajt e ftohtë, është e domosdoshme të fillojë ta bëjë këtë sa më parë.
Zbutësit e buzëve përmbajnë vitaminë E, një formulë që siguron zbutjen dhe mbrojtjen e tyre nga të ftohtit dhe nga dielli. Këta zbutës thithen menjëherë, duke mos lënë asnjë shtresë të bardhë apo me ngjyrë tjetër mbi buzë. Përmbajnë përbërës natyralë, që shërbejnë për zbutje dhe asnjë gjurmë nga aromat e ëmbla. Ai do të puthë më butë dhe buzët do t’i duken më të bukura e të shëndetshme, duke mbetur po aq mashkullore.
Bledi Strakosha
Të tulta, që mbërrijnë në kontur vetëm pasi e kanë formuar pjesën e kërcyer në zonën e gojës. E lënë një përshtypje mbi gjithçka tjetër në fytyrë. Sigurisht që nuk mund të lihej jashtë listës.
Brad Pitt
Ai mund të ishte fare mirë në dosjen e studimit për këtë tipar. Sepse buzët e tij janë ato që përshkruhen si perfekte për një mashkull: jo të holla, por as të shumë trasha, ngjyrë e ngrohtë, por jo flakë e kuqe, kontur si trajektorja e pagabueshme e sensualitetit. Eh, po flasim për Brad Pitt-in!
Leon Cino
Thonë që dielli nuk mbulohet me shoshë, edhe kur tenton ta bësh këtë me syze dielli. Sepse ia ka dalë që sytë bojëqielli t’i vërë në hije, por buzët mishtore balerini shqiptar i ka nën dritën e qartë të diellit: përmasa bujare, ngjyrë e ngrohtë. Asgjë për t’u shpërfillur, pra.
Gabriel Garko
Aktori i shtetit ku meshkujt e bukur janë të zakontë si makaronat për drekë, duket se ka diçka më shumë se të tjerët në pamjen e tij. Të jetë për sytë e gjelbër, hundën e rregullt, apo buzët e plota, rozë e errët mbi dhëmbët e fortë e të bardhë, shkaku që ai është aq i parezistueshëm?
Oni Pustina
Modeli shqiptar ka tipare të tilla, që e mbrojnë nga “rreziku” i dukjes “femërore” të një fytyre simpatike mashkulli. Buzët bëjnë pjesë te këto tipare me ekuilibrin joshës që kanë: formë e rregullt, trashësi normale, rezultat sensual.
Ashton Kutcher
Ja një mashkull që do ngjajë përherë si fëmijë, pak prej diferencës në moshë me partneren e tij superseksi Demi Moor, por pak dhe prej fytyrës së vet. Flokë shpesh të shpupurisur si prej shkujdesit fëmijëror, sy të ëmbël e ato buzë të kuqe, të tulta, të cilat duken të gjitha si truk për t’u bërë më joshës.
Enrique Iglesias
Latinët u thonë meshkujve “madho”, ndërsa gjithë bota u drejtohet meshkujve “prej vërteti” me gjuhën e tyre. Jo më kot. Testosteroni dhe veçoritë e tipareve e kanë një plus. Shihni buzët krenare të këngëtarit spanjoll. Shprehin pa fjalë kuptimin e një machoman-i.
Jude Law
Fytyra e mprehtë do ta ndjente nevojën e një pike të fortë poshtë, ndërsa lart, sytë e kaltër kanë situatën në zotërim. Buzët e rregullta shërbejnë si një joshje e ngrohtë për të ekuilibruar ftohtësinë e vështrimit.
Ryan Phillipe
Edhe pse shpesh i ka të rrethuara me qimet e mjekrës bionde, buzët e bukura nuk mbeten në hije: mishtore, të kuqe flakë, të buta në prekjen me sy, me kontur perfekt, që i ndan prerazi nga pjesa tjetër e lëkurës pa ngjyrë të ndezur.
Marre nga : Revista Jeta











