Një javë më parë Sadina, nuk ishte gjë tjetër veçse ajo vajza e zakonshme, që me piktura në dorë ngjiste dhe zbriste shkallët e Liceut dhe si në përralla u gdhi një mëngjes të bukur me kurorën e Miss Albania. Fadil Berisha i kishte vënë syrin kohë më parë sharmit të saj, që kur sfiloi për herë të parë në Super Model of the World, por duket se ai nuk ishte momenti i duhur për t’i treguar sekretin se përse ajo ishte kaq e veçantë. Dhe nuk kishte sesi të vononte, fotografi i njohur sapo të mbërrinte në Tiranë do t’i bënte një telefonatë për ta ftuar për të marrë pjesë në garën e radhës për Miss Universe Albania. Edhe nxënësja e pikturës, e dinte që nëse fati do të ishte me të dhe do të rrëmbente kurorën e më të bukurës, pa dyshim që do të gjendej në fund të muajit maj në Miss Universe.
Dhe kështu ndodhi, sa hap e mbyll sytë, që nga koha kur ajo mori “OK”, për të marrë pjesë në Miss Universe Albania dhe deri në momentin kur u përzgjodh fituese, fati kishte qenë me të. “Do të nisem në fundjavë për në Meksikë. Ndihem shumë e lumtur, por edhe e lodhur njëkohësisht, megjithatë dëshiroj të dal mirë në Miss Universe, ku do të marr pjesë me 29 maj për të përfaqësuar vendin tonë”-tregon bukuroshja shqiptare, që do të përfaqësojë Shqipërinë në ngjarjen e vitit më të rëndësishme të bukurisë botërore. Tani, ajo ka një kurorë bukurie, një shans më shumë se vajzat e tjera, për të treguar se në arenën ndërkombëtare të bukurisë, ndihet jo vetëm krenare, por edhe e detyruar, për të përfaqësuar vendin e shqiponjave me sharmin e vajzës ballkanike.
Një pikturë në Miss Albania
Pa pikë dyshimi që liceistja që studion në degën e pikturës tek “Jordan Misja” dhe triumfoi në edicionin e radhës së Miss Universe Albania, ishte piktura më e bukur e mbrëmjes ku edhe u kurorëzua si e tillë vetëm një javë më parë. Përtej një pjesëze të vogël nga ëndrra e saj për të marrë pjesë në spektaklet e bukurisë, e zgjedhura këtë herë do të demonstrojë bukurinë shqiptare në “Miss Universe”, ngjarja më e rëndësishme e bukurisë që zhvillohet në Meksikë në datën 29 maj.
Sytë e kaltër, trupi elegant dhe flokët e verdhëm, e bëjnë padyshim Sadinën një vajzë tërheqëse dhe të veçantë, ajo ka linjat e një vajze spektaklesh bukurie dhe të bëjë art me pikturën, është më shumë sesa një detyrim që e shtyn të studiojë në të njëjtën degë. Sadina Alla, ka arritur të dalë fituese në garë mes shumë vajzash të tjera dhe kjo ishte një sprovë e fortë për të. Për Sadinën është hera e parë që merr pjesë në një konkurs bukurie, por jo hera e parë që pozon për objektivin e Fadil Berishës, pasi ajo ka qenë pjesëmarrëse edhe në Super Model of the World Albania. “Quhem Sadina Alla. Jam 18 vjeç dhe studioj në Liceun artistik, për pikturë tekstil. Mendoj se ata që më zgjodhën vlerësuan bukurinë, qëndrimin në skenë dhe përshtatjen përballë aparatit fotografik.
Kam marrë edhe herë të tjera pjesë në sfilata, por asnjëherë në Miss”-rrëfen ajo, duke mos fshehur dëshirën që përpos impenjimeve që kanë të bëjnë me botën e bukurisë, ka dëshirë që të vijojë studimet e larta edhe në Akademinë e Arteve në degën e Pikturës. Por, sigurisht në këtë rrugë të mbarë që ka nisur, së cilës nuk i dihet ende se çfarë surprizash mund ta presin gjatë rrugës, edhe ëndrrat mund të ndryshojnë, për më tepër kur Sadina është tashmë në duart e fotografit Fadil Berisha. Ky i fundit, jo më larg se një javë, duket se i hapi dyert nënshkrimit të një marrëveshje mes Miss Albania 2006 Eralda Hitaj dhe markës së njohur të orëve “Rolex”. Ajo vetë e pranon se përkrah Berishës, gjërat do të ecin më mirë. “Ishte një kënaqësi e madhe të punoje me stafin e këtij konkursi, sidomos me fotografin Fadil Berisha. Fillimisht dëshiroj të dal mirë në “Miss Universe” dhe pse jo, do të kisha dëshirë për një kontratë me Ford Models”-pohon Sadina.
Por, sigurisht edhe ai që duket se ka qenë një ndër personat që i ka vënë gishtin bukuroshes liceiste, nuk e mohon faktin se këtë herë Shqipëria do të shkojë në Miss Universe me një imazh krejt ndryshe nga vitet e shkuara. Sadina edhe këtë herë është ndjerë shumë e sigurt përballë aparatit fotografik të Fadilit, i cili e vlerëson si të veçantë bukurinë e saj dhe shprehet optimist për vlerësimin që mund t’i bëjnë të huajt. “Besoj se bukuria e Sadinës do të vlerësohet, ashtu si ajo e Eraldës, pasi është një fytyrë krejt tjetër. Të huajt kanë parë Eraldën, ndërsa tani do të shikojnë një bukuri ndryshe, një vajzë bjonde nga Shqipëria. Nëse për Eraldën u bë rastësisht një krahasim me Anzhelin Zholi, por që unë mendoj se ishte më e bukur kjo e jona. Shpresoj që këtë herë, Sadinën ta krahasojnë me vetveten”-pohon fotografi i njohur Fadil Berisha.
Nga Liceu drejt Meksikës
Do t’i duhet që për rreth një muaj të lërë të gjitha impenjimet e saj shkollore, për të startuar një muaj intensiv, ku përveçse do të përfaqësojë veten, do të jetë edhe imazhi i Shqipërisë në botë. Në fundjavë niset drejt Meksikës dhe që nga ky moment, nuk do të mendojë për asgjë tjetër veçse për kurorën e saj dhe një tjetër që duhet të sjellë me vetë në shtëpi pas kthimit. Paraditeve ajo i kalon duke provuar modelet e veshjeve që do të përfaqësohet në Miss Universe.
Sadina është shfaqur prej ditësh në atelienë e Joni Peçit, prej nga edhe pritet që të marrë me vete disa nga veshjet me të cilat do të sfilojë për Shqipërinë. “Është menduar një set i tërë veshjesh të cilat janë dizenjuar enkas për Miss Universe dhe jemi në fazën e fundit të përgatitjeve. Sigurisht, një ndër më të rëndësishmit mbetet veshja me motive shqiptare, e cila do të përfaqësojë edhe vendin tonë në këtë ngjarje të madhe të bukurisë”-tregon stilisti i njohur Joni Peçi, për të cilin kjo është e disata eksperiencë bashkëpunimi me vajzat shqiptarë që marrin pjesë në evenimentin e bukurisë botërore. Tani që është konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrja e Sadinës në Miss Universe, edhe Miss Albania 2006 nuk kursehet për t’i dhënë asaj ndihmën e çmuar para se ajo të shkelë në skenën ku u gjend një vit më parë. Eralda Hitaj vlerëson bukurinë dhe inteligjencën e pasardhëses së saj, duke i uruar asaj të rrëmbejë trofeun që ajo nuk mundi dot ta fitojë. “Mendoj se Sadina Alla është shumë e bukur, një vajzë shumë e mirë, e dashur dhe mendoj se do të ketë shumë sukses edhe atje.
Ishte vajza që unë shpresoja se do ta fitonte dhe vërtet ashtu ndodhi. Ajo duket që është një vajzë e bukur, por ajo që më ka tërhequr akoma më shumë është qëndrimi i saj në skenë. Është shumë skenike, ecën bukur dhe ka një shpirt artisti. Shpresoj që ajo të ketë fat sa unë, madje edhe më shumë në Miss Universe. Do të ndihesha krenare dhe shumë e lumtur, nëse do të fitonte”-pohon Eralda Hitaj, Miss Albania 2006. Sfida për Sadinën sapo ka filluar, një rrugë e gjatë suksesi dhe të papriturash e presin bukuroshen në spektaklet e bukurisë, botën e modës, reklamave dhe televizionit dhe shansi për të triumfuar denjësisht, ka gjasa të trokasë vetëm pas pjesëmarrjes së saj me sukses në edicionin e radhës së Miss Universe. Ndoshta, Meksika do të jetë rruga më e shkurtër, prej nga do të vulosë të ardhmen, suksesin e madh..., edhe për Shqipërinë.
Olsi Kolami - Revista Mapo











