Gjithnjë një ëndërr e madhe. Toka e premtuar e të gjithëve. Amerika. Shumë larg Shqipërisë, por kaq shumë e dëshiruar. “Mall për Amerikën” titullohet ekspozita e fotografit Roland Tasho, e hapur prej muajit prill në një nga galeritë e Insbrukut. Me kërkesën e drejtuesit të galerisë 150-vjeçare, fotografi shqiptar duhet të çonte në Austri një copë Amerike shqiptare, gjë që nuk ishte e vështirë për Tashon. Si një fotograf i angazhuar, në arkivat e tij ruheshin dhjetëra momente ku shquhen qartë ngjyrat amerikane. Mjaft të kujtojmë vizitën historike në vitin 1991 të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Xhejms Beker, të cilit shqiptarët i bënë një pritje madhështore në Sheshin “Skënderbej”. Mijëra flamuj amerikanë që valëviten në Tiranën e sapodalë nga diktatura 45-vjeçare komuniste.
E nga mitingu madhështor, Tasho kalon në detaje të jetës së përditshme. Një fëmijë i vogël që mban një flamur në dorë, një vajzë me rroba banje me ngjyrat kombëtare amerikane, hyrja e “Coca Cola”-s në Shqipëri, etj. Nga flamujt në makinat private, tek targat fantastike të karrocave me kuaj. Thuhet se në vitet ‘90, karrocierët nuk preferonin asnjë “targë” të vendeve të tjera, aq më pak italiane, apo greke, por vetëm amerikane. “Texas RTC – 94 M” është një nga këto. Krahas fotografive ku mbizotërojnë ngjyrat e kuqe dhe blu, fotografi propozon edhe disa bardh e zi. Në dukje aty nuk shquhet asgjë amerikane. Por pas kalldrëmeve të gurtë të Korçës, fshihet një histori e tërë emigrimi.
Dihet tashmë që në fillim të shek. XX shumë korçarë emigruan drejt Amerikës ku ngritën e “dinastitë” e tyre. Pikërisht prej këtyre emigrantëve korçarë lindën edhe aktorët John dhe James Belushi, Sten Dragoti, apo Elisa Dushku. Në Insbruk, Roland Tasho u paraqit me 25 foto. Njëkohësisht me të ekspozuan edhe tre fotografë të tjerë, si Hazir Reka nga Kosova dhe nga Koreja. Tasho, gjatë ditëve të qëndrimit në Insbruk realizoi një cikël fotografish, që do paraqitet në një ekspozitë të përbashkët në muajin dhjetor në të njëjtin qytet. Më tej bashkëpunimi do vijojë me vizita e shkëmbime përvojash në Kosovë e Kore.
A.M - Gazeta Shekulli











