Nga qelia e burgut bosi kolumbian rrefen vitet e konfliktit

Nga qelia e burgut, bosi kolumbian rrëfen vitet e konfliktit

"Nuk ka njerëz të këqij apo të mirë në luftë", thotë 42-vjeçari Mankuzo në një intervistë të gjatë. "Ka vetëm objektiva dhe objektivi i luftës është fitorja falë përballjes dhëmbë për dhëmbë me armikun dhe armiku nuk luftohet me lule apo lutje. Armiku mposhtet me armë në dorë, gjë që shkakton vdekjen e njerëzve".

Si komandant dhe strateg kryesor i skuadrave të vdekjes që kanë shkaktuar disa nga mizoritë më famëkeqe përgjatë luftës së gjatë në vend, Mankuzo di shumë gjëra mbi vrasjen. Ktheu në realitet një seri planesh që i transformuan milicitë paramilitare në forca antiguerilase, në trafikante të mëdha kokaine, duke u lidhur edhe me figura të rëndësishme - disa thonë më madhoret - të qeverisë kolumbiane.

Tani që lufta civile në Kolumbi ka marrë trajta më të fshehta, Mankuzo i kalon ditët i mbyllur në një qeli - si edhe krerë të tjerë forcash paramilitare - falë një marrëveshjeje, sipas së cilës ai duhet të rrëfejë krimet e kryera dhe t‘u paguajë dëmshpërblime viktimave. Ky pakt do bëjë të mundur që dënimi t‘i reduktohet vetëm në tetë vjet, madje edhe më pak. Ishin pikërisht rrëfimet e këtij zotërie lufte ato që i dhanë shkëndijën skandalit që tashmë po përfshin shtresat më të larta të politikës kolumbiane, për shkak të lidhjeve të saj të ngushta me grupet paramilitare. Në skandal u përfshinë gjeneralë të lartë e spiunë të shtetit, thuajse të gjithë mbështetës të Presidentit Alvaro Uribe. Në këtë vend të gjunjëzuar nga lufta, Mankuzo është kthyer në simbolin e asaj se si lufta ndërfutet në çdo fushë të jetës. "Ne ishim mjegulla, perdja e tymit, pas së cilës fshihej gjithçka", tregon Mankuzo për paramilitarët, i veshur me sandale e një bluzë të zezë, teksa qëndron i ulur në një karrige plastike në qeli.

Mund të thuhet me plot gojën se Mankuzo është njeri i përkëdhelur nga fati: u rrit në bregdetin karaibik të Maonterias. Me baba italian - një biznesmen mjaft i suksesshëm - dhe mama që kishte fituar konkursin e bukurisë së zonës. Pas shkollës së mesme, pasi ndërpreu studimet në degën e inxhinierisë, prindërit e dërguan të studionte anglisht në Universitetin e Pitsburgut.

U kthye nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një vend të përçudnuar nga luftërat guerilase, pengmarrjet dhe hyrja në skenë e karteleve të drogës. Si një ndër njerëzit më të fuqishëm në zonë - e njohur për blegtori - në gjysmën e viteve ‘90, Mankuzo formoi një forcë paramilitare, me qëllim mbrojtjen e jetës dhe pronave të veta e të sipërmarrësve të tjerë përreth.

Përplasjet me guerilasit e tjerë i dhanë mundësinë ta shtrinte fuqinë nga Monteria drejt kufirit plot mjegull me Venezuelën. Sipas Shoqatës për të Drejtat e Njeriut, e cila e ka ndjekur njeriun me origjinë italiane për rreth një dekade, policia e qytetit kufitar, Kukuta, iu nënshtrua tërësisht pushtetit të tij, madje kontrollohet tërësisht nga ai edhe tani që qëndron i mbyllur në qelinë e burgut.

Por vetë Mankuzo e hedh me forcë poshtë këtë akuzë, duke thënë se vuan krejt i qetë ditët e burgimit. Ndërkaq, shton se 30 mijë forcat paraushtarake, tashmë të çmobilizuara, vërehen me shumë interes nga organizata të tjera të errëta, të cilat vazhdojnë ende vrasjet e trafikun e kokainës, që i referohen këtyre ish- luftëtarëve si "krah i kualifikuar pune".

Duke qenë se e shtriu influencën gjatë ditëve më të përgjakshme të konfliktit, sipas zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në Bogota, bosi italian ka urdhëruar vrasjen e 86 njerëzve. Ky numër korrespondon më së miri me rrëfimet e bëra së fundmi nga vetë Mankuzo. Në një prej seksioneve të marrjes në pyetje, Mankuzo kërkoi edhe faljen për krimet e shumta.

Grupet e viktimave, sipas të cilave Mankuzo nuk është përgjegjës për 86 vrasje, por për qindra, thonë se këto janë veç lot krokodili. "Që dikush si Mankuzo ta heqë veten si hero apo martir është shumë kontradiktore", tha Ivan Kepeda, i cili kryeson grupin e viktimave, babai i të cilit, ish-senator, është vrarë nga forcat paraushtarake. "Ky proces paqeje është krejt fals".

Edhe procesi i çmobilizimit është gjithashtu drejt dështimit të plotë. Edhe krerë të tjerë forcash paraushtarake kishin vendosur të pranonin krimet, si edhe Mankuzo, por u tërhoqën pas një vendimi të Gjykatës së Lartë kolumbiane, e cila nuk do t‘i trajtonte këta vrasës si opozitarë politikë, por si kriminelë të thjeshtë.

Pak gjëra janë aq elastike sa e vërteta në Kolumbi, tani që vendi po mundohet t‘u shpëtojë kthetrave të luftës, por Mankuzo thotë se është gati të hedhë në një libër gjithçka ka ndodhur gjatë konfliktit. Janë të paktë njerëzit që flasin kaq hapur për faktorët që e pengojnë këtë vend të hedhë hapat drejt paqes.

Sipas Mankuzos, lufta i vë aktorët e saj përballë alternativave aspak të këndshme. Po kështu, edhe situata në dukje e qetë, nënvizon duke e vënë theksin te 5 miliardë dollarët që ka derdhur Uashingtoni në Kolumbi gjatë dekadës së fundit, për të ndaluar trafikun e drogës, gjë që nuk ka gjasa të ndodhë.

Autoritetet kolumbiane, thotë bosi, "nuk kanë leverdi ta zhdukin nga skena kokainën, pasi konflikti gjeneron aq shumë ndihmë ndërkombëtare, sa vendos shumë para në tavolinë, gjë që më pas shoqërohet nga lëvizje të mëdha parash nën tavolinë, në formën e korrupsionit".

Duke parë mënyrën si trajtohen nëpër burgje Mankuzo dhe liderët e tjerë paraushtarakë, aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të njeriut druhen se këta vrasës nuk do paguajnë për krimet e bëra. Nën legjislacionin kolumbian plot të çara, ka shumë të ngjarë që Mankuzo të kalojë shumë më pak nga tetë vjetët e parashikuar në qeli. I lejohet të mbajë një televizor me lidhje satelitore, truproja dhe vizitohet çdo javë nga e shoqja, Margerita e i biri Salvatore. "Ka gjithashtu edhe një lap top të lidhur në internet", shton Hoze Migel Vivanko, drejtori i degës për Amerikën Latinë të Shoqatës për të Drejtat e Njeriut. "Është dhurata që u ka bërë Presidenti i vendit liderëve paraushtarakë". Vetë Mankuzo ngre supet përpara një akuze të tillë, duke shtuar se ndryshimi që ka pësuar në burg është "radikal". E, megjithatë ndjenja e fajit dhe pendimi nuk ndihen në asnjë notë të zërit të këtij njeriu që flet si të ishte drejtor i një korporate të detyruar të përdorte trafikun e drogës për të financuar forcat guerilase. "Nuk mund ta humbisja luftën", thotë, për të shtuar "kemi një narkoekonomi. Jemi narkoshoqëri".

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama