Nga monument kulture ne kazino

Nga monument kulture, në kazino

Ish-merkatoja e vjetër, e ndërtuar në qendër të qytetit të Vlorës në vitin 1918, e ka humbur funksionin e saj prej shumë vitesh. Tashmë është vjetruar totalisht edhe nga forma e saj arkitektonike. Arkitektura e projektuar në vitin 1918 nga italianët ka kaluar në disa faza degradimi deri sa tashmë është shndërruar në formën një bunkeri pa dritare dhe ku porta e hyrjes e ka humbur plotësisht stilin e tyre barok që tani të ngjan me disa porta tuneli...

Merkatoja e vjetër në qendër të qytetit të Vlorës, e cila ka shërbyer për vite të tëra si pikë referimi jo vetëm për vendasit, por edhe për të huajt me datën 23 nëntor të një viti më parë, është shpallur një ndër 18 godinat e qytetit monument kulture. Pas një viti të shpalljes së saj monument kulture është menduar që kjo vepër arti 70-vjeçare të kthehet në një kazino ku shqiptarët e varfër do të lënë peng të ardhurat e tyre qesharake.

Në brendësi të kësaj merkatoje 70-vjeçare ka qenë i ndërtuar një shatërvan, në të cilin të tërhiqnin vëmendjen katër skulptura lejlekësh e poshtë tyre kishte një rrjedhje të vazhdueshme uji. Ajo vepër arti në qendër të merkatos ka mrekulluar vlonjatët për vite e vite të tëra, ndërsa tani mbeten vetëm kujtimet në mendjen e moshatarëve të brezit të dytë a të tretë, ose në ndonjë fotografi bardhë e zi të kohës. Drejtori i monumenteve të kulturës në Vlorë, Ymer Yzeiri, pohon se kjo drejtori nuk është organ ekzekutiv dhe se pronarët e kësaj vepre më parë se ta shndërronin në një kazino, duhet të kryenin disa procedura zyrtare në lidhje me këtë vepër, edhe pse është prona e tyre. Sipas Ymerit, është lajmëruar në lidhje me këtë abuzim Instituti i Monumenteve dhe Ministria e Kulturës, pasi me këtë vepër kulture nuk është vetëm ndryshimi i destinacionit të aktivitetit që ushtron pronari i saj, por edhe pamja e jashtme. Si monument kulture duhet të ruhen parametrat dhe fasada dhe jo të kryhet çdo gjë sipas dëshirës, ka përfunduar Ymeri.

Merkatoja e vjetër 70-vjeçare në qendër të qytetit të Vlorës tashmë ka ndryshuar edhe ngjyrën. Dritaret e saj janë mbyllur plotësisht, pasi e lejon ndryshmi i destinacionit të aktivitetit që do të ushtrohet në këtë ambient. Por a duhet të respektohet kjo vepër arti? Janë vetëm qytetarët e Vlorës, të cilët ndjejnë një keqardhje për këtë ndërtesë gjigande, që tashmë është shndërruar në një bunker.


Marre nga :  Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama