Eshtë rikthyer sërish në tregun muzikor, pikërisht në këto ditë në nxehta vere, kur gjithmonë shohim të lançohen albume të reja të këngëtarëve të afirmuar apo edhe debutues. Ndonëse fillimet i ka pasur me muzikën popullore, për të cilën është shprehur se e tërheq jashtëzakonisht dhe se ndjehet mirë, këtë radhë ka vendosur të vijë ndryshe. Nertila Vreto, vajza nga Përrenjasi që synoi në muzikë duke u mbështetur pikërisht te folku, këtë radhë provon me ritmet moderne. Albumi i saj i dytë “Rreze hëne”, përveç folkut, që është një nga preferencat e Nertilës përmban edhe këngë të rrymave moderne, duke arritur madje deri te ritmet house. E tillë është edhe kënga “Rreze hëne”, e cila këto ditë është prezantuar edhe në ekranet muzikore shqiptare me një videoklip të realizuar nga “Max Production”, në të cilin Nertila shfaqet me një imazh krejt të ndryshëm nga sa e kemi njohur në videoklipet e mëparshme. “Rreze hëne” një krijim i Genti Lakos me tekst të Arben Dukës ka në thelb një histori dashurie dhe dhimbjen që shkakton pritja e njeriut të dashur. Albumi përmban 9 këngë të orkestruara nga Genti Lako, Sokol Marsi, Klodian Qafoku, dhe Arbër Gorezi, ndërsa tekstet janë shkruar nga Arben Duka dhe Armand Trebicka. Në këtë album.si për të treguar edhe një herë lidhjen me muzikën popullore e kryesisht me atë të jugut, Nertila Vreto ka një bashkëpunim me këngëtarin Petrit Lulo.
Marre nga : Gazeta Panorama











