Ajo në skulpturat e saja ka përdorur metalin, salikonin, poliesterin, tela të ndryshëm, tela me ngjyra, rrjetën, etj.
Poeti Lulëzim Haziri në hapjen solemne të ekspozitës tha se prezenca e skulptores Nebie Berisha në jetën kulturore shkakton habi dhe befasi të këndshme sepse ajo bie si një freski në ndarjen e profesioneve, duke thyer bindjen për skulpturën, si profesion meshkujsh dhe me guximin dhe formimin e saj artistik, ajo nuk u ndal së punuari edhe përkundër ndërrimit të statusit të saj jetësor.
“Për ta evituar rrezikun e materialeve, ajo e kërkon formën, të rëndomtës i jep mision estetik dhe artistik, duke ju dhënë një jetë dhe përmbajtje tjetër. Skulptorja nuk e kërkon materialin por materiali e gjen atë, i imponohet për t’u formuar”, thotë poeti Lulëzim Haziri.
Piktori Nehat Beqiri mendon se skulpturat e Nebie Berishës janë punime të lehta dhe nuk imponohen, nuk bien në sy në mënyrë të vrazhdë, por me një subtilitet të veçantë.
“Është skulpturë që unë personalisht kisha dashur të shoh në ndonjë park tonin që shpresoj se do t‘i bëjmë ndonjëherë. Është shumë origjinale dhe nuk është që mësohet. Është jashtë akademisë dhe qasjeve konvencionale”, thotë piktori Nehat Beqiri.
Piktori Faik Shabani është i mendimit se Nebie Berisha ka punuar një zhanër tepër interesant dhe me kahe të ndryshme. Sipas tij, skulpturat e Nebies kanë një model të ri perëndimor me një paraqitje të shkëlqyer të figurave.
“Me format që i përjetoj, mund të them se është një vijë dhe shprehje bashkëkohore me mënyrë të saj të shprehjes. Kjo mund të kuptohet se ka imponim të vijës, formës bashkëkohore, por me një fillim të vetin”, thotë piktori Fehmi Kurexha.
Nebie Berisha është e diplomuar në Fakultetin e Arteve Figurative në Universitetin e Tetovës në klasën e profesorit Xhelil Rufati, ndërsa momentalisht ndjek studimet postdiplomike në Universitetin e Prishtinës, drejtimin e skulpturës në klasën e profesorit Agim Rudi.
Marre nga : ALba Nur











