A kanë gratë emocione të njëjta me burrat? A janë realitet, apo trillime ngjarjet e rrëfyera në Bibël? A është përmirësuar situata e mjedisit, 50 vitet e fundit? A është e vërtetë që pjesa më e madhe e personave të cilët abuzohen seksualisht nuk pësojnë dëme të pariparueshme? A kanë meshkujt një tendencë të lindur ndaj përdhunimit? A janë terroristët persona të shkolluar, të mençur dhe njerëz me bindje dhe ideale të larta? A është morali thjesht një produkt i evolucionit të trurit tonë pa asnjë bazë objektive? A do të ishte më e mirë shoqëria, nëse do të lejohej ligjërisht përdorimi i kokainës dhe heroinës? A është homoseksualizmi një sëmundje ngjitëse? A ndikojnë prindërit, në njëfarë mënyre në karakterin dhe inteligjencën e fëmijëve të tyre. A do të ishin më të vogla dëmet e provokuara nga terrorizmi, në rast se policisë do t‘i lihej dorë e lirë në torturimin e të dyshuarve? Fëmijët e jashtëligjshëm dhe të padëshiruar a do të jetonin më mirë, në rast se do të kishte një "treg" më të lirë për adoptimin e tyre?
Të mendojmë mirë.
Ndoshta jeni inatosur duke lexuar këto pyetje. Ndoshta ju duket absurde që dikush t‘jua bëjë, jo sepse mund të mos jenë të vërteta, por sepse druhemi që ato cenojnë rendin moral në të cilin jetojmë. Kur flitet për "ide të rrezikshme" nuk është fjala për teknologji të posaçme me të cilat mund të ndërtohen armët e dëmtimit në masë ose për ideologji perverse racizmi e fashizmi. Bëhet fjalë për disa pohime ose zgjedhje politike të mbështetura me prova e fakte nga shkencëtarë seriozë, të cilat duket se sfidojnë normat e një epoke.
Idetë e renditura më sipër dhe paniku moral që secila prej tyre ka ngjallur gjatë shekullit të kaluar e në vazhdim janë vetëm një pjesë e shembujve të tjerë të ngjashëm. Ata që i kanë propozuar janë denigruar, censuruar, përjashtuar, pushuar nga puna, kërcënuar dhe në disa raste edhe sulmuar fizikisht. Çdo epokë ka tabutë e saj. Përgjatë mijëvjeçarëve, fetë monoteiste kanë përndjekur herezitë dhe idetë shkencore të cilat nuk u kanë ardhur për shtat dogmave të tyre të tilla si: gjeocentrizmi, arkeologjia biblike apo teoria e evolucionit.
Sigurisht që mund ta quajmë fat faktin që sot mbështetësit e disa lloj ideve "ndryshe" nuk dënohen si shekuj më parë me djegie në turrën e druve, por për shembull me ndërprerje të financimeve për kërkimet e tyre shkencore. Problemi është që kufizimi që bëhet përmes shpatës ose penës vendos se cilat ide duhet të merren seriozisht në një epokë të caktuar. Historia na ofron shumë shembuj. Gjatë rrjedhës së shekujve qeniet njerëzore u kanë atribuuar zbulimeve të ndryshme ndërlikime etike që sot na duken qesharake. Frika që zbulimi i një strukture ndryshe të sistemit tonë diellor mund të kishte pasoja të rënda në moral është një shembull klasik i kësaj tendence. Mësimi i teorisë së të ashtuquajturit "plani superior" nga studentët e biologjisë, është një nga shembujt e sotëm. Kjo duhet të na shtyjë të mendojmë për faktin që mentaliteti i sotëm mund të përmbajë paragjykime morale të njëjta me ato të shekujve më parë. Po sikur sot të akuzonim për herezi persona të cilëve një ditë në të ardhmen historia do t‘u japë të drejtë?
Ka shumë mundësi që të përballemi gjithnjë e më tepër me ide të rrezikshme, por duhet të jemi të përgatitur për t‘i përballuar. Nëse zhvillohet në mënyrën e duhur, kërkimi shkencor (së bashku me aktivitete të tjera njerëzore të tilla si historia ose gazetaria), ai e përshkruan botën ashtu sikurse është pa pasur frikë se një zbulim ose një tjetër do të tronditë moralin e njerëzve. Jo rastësisht, pikërisht shkenca është akuzuar për herezi. Përparimet e mëdha shkencore të epokës sonë në fusha delikate si gjenetika, evolucioni ose studimet mbi ambientin, janë të destinuara për të na hapur perspektiva të reja. Sot, falë internetit dhe globalizmit, heretikët mund të vihen në kontakt me njëri-tjetrin duke injoruar mjetet e informimit publik ose edhe vetë publikimet të cilat mund t‘u ndalohen nga autoritetet të caktuara shkencore zyrtare. Studentët e sotëm, ndryshe nga gjithë paraardhësit e tyre, pa dallim race, seksi ose vendi qeshin kur u thuhet se disa opinione të caktuara kanë qenë imorale ose tepër delikate për prindërit e tyre.
Po çfarë e bën të "rrezikshme" një ide? Ndoshta fakti se po ta pranoje ajo do të sillte rezultate që konsiderohen të dëmshme nga të gjithë. Në shoqëritë fetare, për shmebull, druhen se mos njerëzit do të rreshtin së besuari në thëniet dhe të vërtetat e Biblës, madje edhe në autoritetin e saj moral. Me fjalë të tjera, nëse sot një pjesë e njerëzve nuk besojnë në faktin që Zoti krijoi Tokën në gjashtë ditë, në një të nesërme nuk do të besojë më as në vlefshmërinë e urdhëresës: mos vrit, që thuhet në Bibël. Në disa ambiente të tjera ekziston ideja që nëse do të pranonim dallimin mes racave, sekseve ose personave në njëfarë mënyre do të justifikohej diskriminimi dhe shtypja. Ide të tjera të rrezikshme shkaktojnë frikën që njerëzit mund të braktisin ose keqtrajtojnë fëmijët, të bëhen indiferentë ndaj problemeve të mjedisit, të pranojnë dhunën, të heqin dorë nga zgjidhja paqësore e problemeve sociale. Çështja është se në këto rezultate të dhimbshme nuk mbërrihet domosdoshmërisht nga idetë e konsideruara "të rrezikshme". Për shembull edhe nëse do të demonstrohej në media se grupet e njerëzve janë të ndryshëm njëri me tjetrin, ngjashmëritë mes tyre janë kaq të shumta e kaq të dukshme saqë do të dukej e palogjikshme dhe e padrejtë që të diskriminosh njerëzit vetëm në bazë të faktit që ata janë të ndryshëm. Nëse njerëzit i perceptojnë disa ide si "të rrezikshme" kjo vjen edhe falë paragjykimeve që kanë grupe të caktuara ku ata
bëjnë pjesë. Qeniet njerëzore kanë zakonin e krijimit të grupimeve dhe të mbrojtjes së ideve të tyre, cilatdo qofshin ato, si provë e besnikërisë ndaj grupit duke i trajtuar kundërshtarët e një grupimi tjetër si intelektualisht më inferiorë dhe moralisht më të degraduar. Debatet mes anëtarëve të grupimeve të ndryshme shpesh përfundojnë me ofeza paragjykuese. Nga ky këndvështrim dy kategoritë e njerëzve që duhet të ishin më të interesuarat për të pranuar të vërtetën: studiuesit dhe politikanët, shpesh janë të verbuar nga ideologji moraliste. Mes tyre është teoria sipas së cilës qenia njerëzore është një///////////// tabula rasa dhe problemet sociale mund të zgjidhen vetëm përmes politikave të menduara në thelb për të dënuar pabesinë e meshkujve evropianë. Ideologjia e kundërt është ajo sipas së cilës morali i ka rrënjët te patriotizmi, te feja e krishterë dhe problemet sociale mund të zgjidhen vetëm me vendime politike që i dënojnë individët për mëkatet e tyre. Idetë e reja, më të artikuluara, më komplekse, ndonjëherë edhe të rrezikshme shpesh e kanë të vështirë të vihen kundër këtyre bindjeve që funksionojnë për të mbajtur grupet nën kontroll. Bindja që disa opinione të caktuara, sado të sinqerta qofshin janë njëherazi edhe të "rrezikshme" mund të lindë nga vetë natyra njerëzore. Sipas disa shkencëtarëve, disa raporte njerëzore bazohen mbi disa bindje të betonuara. Kështu, duam fëmijët tanë dhe prindërit, jemi besnikë ndaj bashkëshortit, ndihmojmë miqtë, bashkëpunojmë me komunitetin tonë, jemi të ndershëm ndaj grupimeve ku bëjmë pjesë, sepse e ndiejmë instinktivisht se kështu duhet të jetë pa e vlerësuar çdo herë një veprim të tillë. Ai që kalon shumë kohë duke pyetur nëse këto lidhje janë pasojë e logjikës ose e fakteve, konsiderohet "i pandjeshëm". Personat për së mbari nuk rrinë të mendohen për avantazhet apo dizavantazhet që mund të kenë për shembull në rast se do të shisnin besimin e fëmijëve, prindërve, miqve të tyre. Ata e përjashtojnë menjëherë faktin e një veprimi kundër këtyre kategorive. Thjesht e përjashtojnë dhe pikë. Tabuja e të vënit në diskutim e vlerave të konsideruara "të shenjta" ka kuptim në sensin e marrëdhënieve personale
Më mirë t‘i diskutosh
Po a ka ide që duhet të konsiderohen "të rrezikshme"? Përjashtojmë menjëherë gënjeshtrat e qëllimta, propagandën e gënjeshtërt, teoritë e komplotit dhe të përqendrohemi vetëm në dy lloj idesh: ato mbi të vërtetën e pohimeve empirike ose mbi efikasitetin e zgjedhjeve politike, që nëse do të dilnin të drejta, do të kërkonin një transformim domethënës të ndjeshmërisë sonë morale, dhe ato të cilat nëse do të dilnin të rreme, mund të dëmtonin personat të cilët i konsideronin të vërteta. Në të dyja rastet nuk e dimë "apriori" nëse janë të vërteta, apo të rreme: mund ta zbulojmë vetëm përmes ekzaminimit ose diskutimit. Në fund të fundit nuk e kemi fjalën për djegien e ndokujt në turrën e druve, por për të çinkurajuar idetë e tij dhe për t‘i dhënë sa më pak hapësirë publike atyre. Është mirë që të eksplorohen të gjitha idetë që kanë të bëjnë me opinionin tonë aktual, pa pasur frikën se ku mund të na çojë një gjë e tillë. Teoria se disa ide duhet të mos merren në konsideratë "apriori" përfaqëson kulmin e arrogancës, sepse niset nga pretendimi se mund të jesh kaq i sigurt për vërtetësinë e idesë tënde, sa të kesh të drejtë të mos dëgjosh as opinionin e tjetrit. Nga ana tjetër është e vështirë që të imagjinosh cilindo aspekt të jetës publike ku injoranca apo iluzioni janë më mirë se e vërteta, sado e pakëndshme mund të jetë kjo e fundit. Vetëm fëmijët dhe të çmendurit ia lejojnë vetes "mendimin magjik", idesë që për të parë të realizuara gjërat e bukura mjafton që t‘i mendosh, ndërsa për të zhdukur gjërat e shëmtuara mjafton t‘i injorosh. Një i rritur racional kërkon të dijë të vërtetën, sepse çdolloj veprimi i bazuar mbi premisa false nuk do të ketë pasojën që ai kërkon. Sipas asaj që na mëson logjika çdo sistem idesh që përmban një kontradiktë mund të përdoret për të dalë në çfarëdolloj përfundimi, sado absurd që mund të duket. Çdo ide është e lidhur me të tjera shpesh në mënyrë të paparashikueshme. Të zgjedhësh të besosh diçka që nuk është e vërtetë ose të ngresh një mur injorance përreth një argumenti mund të shkatërrojë gjithë jetën intelektuale duke gjeneruar një varg të pafund gabimesh.
Në jetën e përditshme a do të dëshironim që "mbrojtës" paternalistë të na gënjenin ose të na mbanin jashtë të vërtetës që ka të bëjë me shëndetin tonë, financat e çështje të tjera? Në jetën publike a do të na pëlqente që të na thoshin se nuk duhet të hetojmë në lidhje me ngrohjen globale apo në lidhje me ezaurimin e burimeve të energjisë? Sot, politikanët që marrin këtë pozicion, edhe pse në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, kritikohen me të drejtë. Po përse ide të tjera jo shumë komode duhet të trajtohen në mënyrë të ndryshme?
Ka një tjetër motiv për të mos i trajtuar idetë sikur ato të ishin të rrezikshme. Shumë nga zgjedhjet tona politike dhe morale na ndalojnë që të njohim anët më të rrezikshme të natyrës njerëzore. Mbikëqyrja dhe ekuilibrat e demokracisë, për shembull, janë prezantuar si pasojë e vetëdijes se liderët politikë tentojnë gjithmonë drejt arrogancës dhe dhunës kur bëhen shumë të fuqishëm. Në të njëjtën mënyrë, ndjeshmëria jonë ndaj racizmit vjen nga ndërgjegjësimi që disa grupime njerëzish, nëse do të liheshin të lirë, do të diskriminonin dhe shtypnin grupimet e tjera, shpesh në mënyrë të dhunshme. Historia na mëson që dëshira për të forcuar një dogmë duke eliminuar ata që janë kundër është në thelbin e dhunës dhe represionit. Të jesh i ndërgjegjshëm që brenda secilit prej nesh ka edhe një diktator të vogël thjesht na vë në vëmendje që të jemi të kujdesshëm ndaj çdo tentative dhune. "Drita e diellit është dezinfektuesi më i mirë", thoshte gjykatësi Louis Brandeis në mbrojtjen që i bëri lirisë së mendimit dhe të shprehjes. Nëse një ide është me të vërtetë e gënjeshtërt, mund ta dekretojmë vetëm duke e ekzaminuar në mënyrë të hapur. Për të bindur të tjerët në lidhje me realitetin e një ideje, drita është shumë më e mirë se errësira. E nëse një ide del se është e vërtetë do të bënim mirë që t‘ia adaptonim asaj ndjeshmërinë tonë morale, sepse të sanksionosh një konceptim të gabuar nuk mund të sjell kurrë asgjë të mirë. Rendi botëror nuk u shkërmoq kur shkenca demonstroi se Toka nuk ishte qendra e sistemit diellor.
Shpërndarja e ideve të rrezikshme
Sipas traditës: më parë mbështet një tezë me gjithë fuqinë dhe më pas kalon në tezën kundërshtare, nuk duhen inkurajuar disa linja kërkimi. Dy psikologë të famshëm, në një libër të tyrin, propozojnë një "ide të rrezikshme": mbështesin idenë se është e rrezikshme për një mendimtar që të shpërndajë ide të rrezikshme. Çfarë pasojash ka kjo tezë? Së pari, të mos harrojmë se jemi të gjithë të përgjegjshëm ndaj pasojave të parashikueshme të veprimeve tona. Përfshi ato të deklaratave publike. Sipas kësaj linje mendimi, liria e të kërkuarit është një vlerë e rëndësishme, por jo një vlerë absolute, mbi gjithë të tjerat. E dimë që bota është e mbushur me njerëz të këqij gati për t‘u kapur pas çdo preteksti për të justifikuar fanatizmin dhe dhunën shkatërruese. Nuk duhet të befasohemi nëse, ndonjë argument u duket në sintoni me bindjet e tyre, nxitojnë ta shfrytëzojnë. Idetë e helmatisura mund të gjenerohen jo vetëm nga debati shkencor, por edhe fakti i thjeshtë i të bërit të ditur të një ideje rrezikon të ndryshojë gjëra. Edhe nëse dikush është i bindur se ekzistojnë dallime mes sekseve apo grupeve etnike, ndoshta turpërohet ndaj këtij mendimi dhe e mban për vete. Disa persona, për shembull mund të diskriminojnë anëtarët e një grupi etnik edhe në rast se nuk kanë një mendim negative për ta thjesht të shtyrë nga ideja ose mendimi se kolegët ose grupi në të cilin bëjnë pjesë janë armiqësorë ndaj grupit të sipërpërmendur etnik dhe të sfidosh mendimin kryesor të grupimit ku bën pjesë është e rrezikshme. Në jetën tonë intelektuale parimi bazë duhet të jetë ai që është edhe në mjekësi: "Para së gjithash të mos bësh dëm". Duhet të jemi të kujdesshëm kur një ide e rrezikshme rrezikon të dëmtojë ata që nuk e mbështesin. Shkencëtarët, studiuesit dhe shkrimtarët i përkasin një elite të privilegjuar. Ata mund të kenë interes për shembull, ide të cilat favorizojnë privilegjet e tyre, që fajësojnë të dobëtit e shoqërisë ose minimizojnë vuajtjet, ose që tërheqin vëmendjen përmes natyrës brilante dhe provokuese. Nuk është e nevojshme që të bashkohesh me idenë e Marksit se idetë zhvillohen gjithmonë për qëllimin e vetëm të të vënit në shërbim të klasës sunduese, por duhet t‘i lejojmë vetes gjithmonë një lloj skepticizimi: që është gjithmonë më mirë që të kesh një sasi mosbesimi ndaj "ideve të rrezikshme", që nuk kanë shumë të bëjnë me atë që i mbron. Pikërisht kjo mënyrë sjelljeje na çon në hapjen e debatit ose marrjen me mend të një konflikti të mundshëm interesash.
Konservatorët e akademisë
Po a nuk duhet të na shtyjë gjithmonë racionaliteti në kërkim të së vërtetës, deri në fund? Jo domosdoshmërisht. Një agjent racional, siç e konsiderojnë studiuesit e inteligjencës artificiale, mund të zgjedhë të jetë injorant. Mund të vendosë që të mos e vendosë veten në pozicionin e marrjes së ndonjë kërcënimi ose të besimit të një sekreti. Mund të zgjedhë shmangien e mundësisë së një pyetjeje ndaj së cilës mund të ishte i shtrënguar të jepte një përgjigje të gënjeshtërt. Pikërisht për këto raste, në Kushtetutën amerikane, ekziston Neni i Pestë, i cili i ndalon individit që të dëshmojë kundër vetvetes.
Për sa u takon kufijve të kërkimeve shkencore, shkencëtarët janë të një mendjeje. Për shembull duhen respektuar vendimet e komiteteve për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, si dhe norma në lidhje me jetën private.
Në përfundim, fusha ku intoleranca e ideve ndihet më shumë është politika, pasi edhe pasojat e kësaj intolerance janë më të mëdha e më të dukshme. Nuk duhet të kemi frikë që të denoncojmë ata liderë të korruptuar e gënjeshtarë që mbrojnë doktrinat që u shkojnë për shtat etjes së tyre për pushtet dhe që dënojnë me "turpin e humbjes së moralit" çdokënd që u kundërvihet, qoftë edhe me argumentet më të drejta . Janë pikërisht këta demagogë që jo rrallë manipulojnë edhe shkencëtarët ose kërkimet shkencore për të mbrojtur interesat e tyre personale.
Marre nga : Gazeta Shqip











