Sipas dokumenteve angleze, Ahmet Zogu me eskortën e tij mbretërore hyri në Angli më 26 qershor të vitit 1940. Ai udhëtoi nga Franca me anijen britanike “SS Ettrick”. Rrethi mbretëror përfshinte 35 veta dhe vetëm katër prej tyre kishin shtetësi jo-shqiptare. Pavarësisht se qëndrimi i Mbretit të Shqiptarëve në territorin anglez ishte relativisht i shkurtër, kjo periudhë ka ngjallur kureshtjen e disa studiuesve vendas. Interesi për këtë periudhë të lënë në harresë, është rritur kryesisht për shkak të shtimit të numrit të shqiptarëve në Britani të Madhe. Një ndër studiuesit më të pasionuar pas jetës së Ahmet Zogut në Angli është Neil Rees, për të cilin folëm edhe në numrin e kaluar të gazetës. Ai lindi dhe jeton në zonën e Buckinghmashire, ku Mbreti Zog kaloi një pjesë të jetës së tij në azil. “Në Anglinë e periudhës së Luftës së Dytë Botërore kanë jetuar shumica dërrmuese e mbretërve dhe udhëheqësve të shteteve evropiane. Me historinë e Zogut u njoha papritmas kur po shkruaja një libër mbi ish-kryeministrin e Çekosllovakisë i cili jetoi po në këtë zonë. Më pas, vendosa të shkruaja një histori të përgjithshme për këtë konton, në perëndim të Londrës, por Zogu po më dilte gjithnjë e më shpesh përpara nëpër dokumentet e kohës. Një ditë vendosa të shkruaja një libër për të. Kam pasur mbështetjen e madhe të vendasve, por tashmë kam shumë besim se do të kem edhe mbështetjen e vetë shqiptarëve që tashmë formojnë një komunitet mjaft të rëndësishëm në Britani të Madhe”, tha Rees.
Çfarë la prapa Zogu?
Ahmet Zogu u largua nga territori anglez në janarin e vitit 1946. Arkivat e kohës, mbajnë vetëm emrat e rrethit familjar të mbretit të cilët janë regjistruar në portin dalës. Ndër ta mungonin nipi i tij, Sherafedin Dashishti, nipi i tij i cili u martua me ish-infermieren personale të tij dhe vendosi të qëndronte në Angli përjetë. Rees ka zbuluar tashmë pasardhësit e tij të cilët jetojnë sot e kësaj dite në zonën e Buckinghamshire. Djali i tij, John Dashishti është tashmë një anglez tipik i klasës së mesme dhe pëlqen të mbetet anonim. Sipas zotit Rees, një pjesë e familjes mbretërore mendohet të kenë mbetur këtu dhe ai është në gjurmët e tyre. “Familjarët e Mbretit frekuentonin lokalet dhe klubet vendase. Unë kam gjetur disa dëshmitarë që jetojnë ende sot dhe që flasin për lidhjet me pjesëtarë të oborrit mbretëror shqiptar. Ka pasur edhe lidhje intime ose dashuriçka të rastit. Disa janë martuar dhe refuzuan të largohen me Zogun. Kjo është e vërtetë edhe për një pjesë të truprojave të Mbretit”, tha Rees. Ai dëshiron që të përfshijë edhe vetë komunitetin shqiptar në nismën e tij për të ndërtuar historinë e familjes mbretërore shqiptare sa më të plotë dhe për të hedhur dritë edhe mbi shqiptarët e parë që mbetën në Angli, pas Luftës së Dytë Botërore. Rees dyshon se ish-personeli i ambasadës së Shqipërisë në Angli nuk është larguar nga Londra pas shkrirjes së kësaj ambasade dhe pushtimit fashist.
Ekspozitë për nder të Zogut
Në prill të vitit të ardhshëm, Parmoor House, vendi ku jetoi familja mbretërore shqiptare për rreth pesë vjet, ka vendosur të hap një ekspozitë për nder të ish-mbretit të shqiptarëve. Ekspozita do të përfshijë fotografi unike të kohës, mobilie që përdori familja mbretërore, madhe edhe mbulesat e tavolinave dhe perdet e brejtura nga dhia e mbretit, që jetonte në të njëjtat ambiente me njerëzit. “Prilli i vitit 2008 koincidon me disa përvjetorë të rëndësishme jo vetëm në historinë e mbretit Zog, por edhe në historinë e Shqipërisë. Prilli do të shënojë 80-vjetorin e kurorëzimit të Zogut si mbret i shqiptarëve, 70-vjetori i martesës së Zogut me Gjeraldinën si dhe 69-vjetori i pushtimit fashist të Shqipërisë. Besojmë që do të na nderojnë me këtë rast edhe shumë persona nga komuniteti shqiptar që jeton këtu. Deri atëherë edhe libri im do të jetë gati”, deklaron Neil Rees.
Marre nga : Gazeta Albanian Mail