Monika Kryemadhi Plumba nga makina e Aldo Bumcit

Monika Kryemadhi: Plumba nga makina e Aldo Bumcit

Një incident elektoral ka ndodhur në orët e mbrëmjes së djeshme në Shënkoll të Lezhës. Burimet nga policia lokale deklarojnë se shtetasi Tonin Fizi mësohet se ka qëlluar me armë në ajër para makinës së deputetes Monika Kryemadhi. Të shtënat kanë ndodhur pas një takimi që deputetja Monika Kryemadhi ka zhvilluar në këtë zonë. Në momentin e ngjarjes, deputetja Kryemadhi, me të cilën ndodhej edhe vajza e saj Bora, po dilte nga shtëpia e një banori të këtij fshati, me inicialet T.GJ, i njohur si përkrahës i PD-së, pas një takimi elektoral.

Të shtënat janë regjistruar kur ajo po futej në makinë. Në këtë takim Kryemadhi shoqërohej nga anëtarë të shtabit të kandidatit Viktor Tushaj. Në momentin e ngjarjes makina e deputetes Kryemadhi po i drejtohej qendrës së Shën Kollit. Autori që qëlloi me armë mësohet se është me precedentë të mëparshëm penalë. Personi është identifikuar si Tonin Fizi, i cili ka qenë i shoqëruar nga disa kushërinj të tij dhe kandidati i PD-së Fran Frroku, në një makine tip “Opel” me ngjyrë gri. Për fat, nuk ka patur të lënduar nga kjo ngjarje e rëndë. Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe nisi hetimet për zbardhjen e plotë të saj.

Sipas bluve të Lezhës, është identifikuar autori i dyshuar që qëlloi me armë dhe po punohet për kapjen e tij. Vetë deputetja Kryemadhi ka deklaruar se disa persona terrorizojnë banorët në Lezhë. Ndërsa bëri edhe një thirrje për deputetin e PD-së në këtë zonë, Aldo Bumçi, që të distancohet nga të inkriminuarit, të cilët udhëtojnë me makinën e tij dhe mbajnë aty armë pa leje, duke terrorizuar, jo vetëm banorët e zonës, por dhe duke ushtruar presion te votuesit për blerjen e votave për kandidatin Fran Frrokaj. Me depozitimin e kallëzimit për këtë ngjarje të rëndë në drejtorinë e policisë në Lezhë, shtabi elektoral i Viktor Tushajt dhe deputetja e zonës i kërkojnë forcave të rendit që të ushtrojnë kontroll të rreptë për të siguruar qetësinë e banoreve dhe sigurinë për ditën e zgjedhjeve.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i deputetit demokrat Aldo Bumçi, i cili ka mohuar të ketë qenë i përfshirë në një ngjarje të tillë. Akuzat e deputetes Monika Kryemadhi ai i quajti thjesht farsë. “Kërkoj që kjo ngjarje të mos përdoret si alibi për të përligjur terror mbi demokratët në ditët e fundit para zgjedhjeve. Të gjithë e dinë në Lezhë se LSI, Ilir Meta dhe Viktor Tusha janë të humbur në Lezhë dhe po krijojnë skenarë për t’i bërë presion votuesve”, u shpreh Bumçi. Sipas tij, kjo ngjarje nuk është konfirmuar ende nga policia, e cila deri dje në mbrëmje nuk konfirmonte në ka apo jo incident. “Duhet që fillimisht policia të konfirmojë ngjarjen e më pas të flasin kryeministri apo të tjerët. Unë hedh poshtë përbuzjet dhe shpifjet. Askush në Lezhë nuk mund ta besojë se nga makina ime mund të dalin armë”, tha Bumçi, duke iu referuar edhe një deklarate të kryeministrit Rama mbi ngjarjen.

Gjebrea: Partitë e kandidatët të distancohen nga aktet që prishin procesin

Ministria e Brendshme, nëpërmjet zëvendësministres Elona Gjebrea, sqaroi incidentin e ndodhur në Vorë pak ditë më parë, ku tha se personi i dyshuar ishte shoqëruar në polici përpara se të dilte në deklaratë për mediet Lulzim Basha. Gjithashtu, ministri Tahiri pati komunikimim të vazhdueshëm me kandidatin, si dhe përfaqësuesit e PD-së në këtë zonë, për t’u garantuar zbatimin rigoroz të ligjit nga çdo strukturë e Policisë së Shtetit.

Në Mallakastër, Policia ka shoqëruar disa persona, të cilët udhëtonin me dy automjete për mungesë dokumentacioni dhe pas verifikimit brenda 30 minutash janë të lirë. Drejtori i Policisë së Qarkut Fier ka komunikuar drejtpërdrejtë dje pasdite me kryetarin e degës lokale të PD, i cili nuk ka ngritur asnjë shqetësim apo pretendim të këtij lloji. Më pas ajo shtoi se Ministria e Punëve të Brendshme shpreh edhe njëherë qëndrimin e saj të qartë e të prerë, se pritshmëria për rezultatin zgjedhor të cilitdo subjekti politik dhe kandidati, nuk mund e nuk duhet të jetë një shtysë për të njollosur procesin zgjedhor.

Siguria e zgjedhjeve, angazhohen 6700 policë

Vetëm për 90 KZAZ-të dhe 5.299 qendrat e votimit do të angazhohen 5960 punonjës policie. Zv/drejtori i Policisë së Shtetit, Altin Qato, tha se janë marrë masa edhe për parandalimin e veprimtarisë kriminale dhe garantimin e rendit publik, si dhe për sigurimin e objekteve shtetërore dhe objekteve të tjera të rëndësishme. Në të gjithë qarqet dhe qytetet ku janë vendosur KZAZ, do të sigurohen me punonjës policie çdo ditë, prej orës 20.00 deri në orën 08.00.

Po kështu, me datë 20 qershor 2015, në orën 18.00 nga Policia e Shtetit do të merren në ruajtje të gjitha Qendrat e Votimit deri në orën 07.00, kohë në të cilën është parashikuar që të fillojë procesi i votimit. Ndërsa Vendet e Numërimit të Votave në të gjithë qarqet do të merren në ruajtje nga Policia e Shtetit me datën 21 qershor 2015, ora 18.00 deri në përfundim të procesit të numërimit të votave. Në total do të angazhohen rreth 6700 forca policore.

Të shtënat me armë, Kryemadhi denoncon Bumçin

Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, denoncon deputetin demokrat Aldo Bumçi si të përfshirë në incidentin me armë të ndodhur dje në Lezhë, kur një person ka qëlluar në ajër para makinës së ligjvënëses së LSI-së. Sipas Kryemadhit, personi i cili ka shtirë me armë, i identifikuar tashmë nga policia, ka dalë nga makina e ligjvënësit të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi. Tensionet në Lezhë, sipas deputetes së LSI-së, kanë nisur që mbrëmjen e së enjtes, kur është kërcënuar një familje. Kryemadhi tha se kishte bërë denoncim për këtë rast ndërsa njoftoi dhe për një denoncim të dytë.

Deklarata

“Sot (e premte) në mëngjes kam bërë denoncimin e parë në polici, tani do bëj denoncimin e dytë. I bëj thirrje policisë së shtetit të kontrollojë të gjitha makinat e shtabeve elektorale të Partisë Demokratike, Partisë Socialiste, Lëvizjes Socialiste për Integrim, edhe makinat e deputetëve”, deklaroi Kryemadhi në lidhje telefonike për “News 24”. Sipas saj, makinat e deputetëve të PD-së janë kthyer në magazinë armësh pa leje, të cilat i mbajnë persona që u bëjnë presion njerëzve për t’u marrë votën.

“Pasi tentojnë t’u blejnë votën njerëzve të cilët nuk pranojnë të shesin edhe dinjitetin e tyre pas trafikut të tokave që u janë vjedhur nga kandidati, këta persona iu vënë armën në kokë duke iu thënë ‘votoni Partinë Demokratike dhe kandidatin e PD-së, Fran Frrokun’. Si mund të votojë një njeri nga Shënkolli, nga Rrila apo Bregu i Lumit, Fran Frokun që u ka vjedhur tokën e trashëgimtarëve të para 200 vjetëve! Si mund të votojë një lezhjan një njeri që nuk dihet se nga vjen e çfarë përfaqëson”, - deklaroi ajo. Por edhe më shqetësuese, u shpreh Kryemadhi, është përfshirja e Aldo Bumçit në këtë situatë.

“Ajo që më shqetëson mua më shumë është se si një djalë si Aldo Bumçi, i shkolluar dhe që më reciton deklaratat e kishës katolike më tregon se çfarë po ndodh në Lezhë? Të vijë Aldo Bumçi dhe të përballet me makinat e tij që janë makina me targa të huaja, të vjedhura dhe që i mbajnë persona që iu ushtrojnë presion njerëzve. Iku koha kur kërcënoheshin njerëzit me bukën e gojës dhe idealet e partisë. Sot njerëzit janë të lirë dhe liria e tyre në shpirt nuk blihet as me një thes miell, as me 50 mijë lekë, as me 30 mijë lekë dhe as me tapinë e tokës”, - theksoi ajo duke denoncuar deputetin demokrat. “Unë denoncoj deputetin Aldo Bumçi i cili me makinën e tij lëviz në qytetin e Lezhës dhe makina e tij është kthyer në magazinë të njerëzve të inkriminuar që rrinë me armë pa leje. Denoncoj këtë veprim dhe jam e bindur se kur e bën Aldo Bumçi imagjinoni se çfarë mund të bëjnë deputetët e tjerë të PD-së”, - deklaroi Kryemadhi.

Deputetja e LSI-së shtoi se lidhur me këtë shqetësim ka njoftuar OSBE/ODIHR dhe do të njoftojë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. E gjithë kjo situatë e krijuar, sipas Kryemadhit ka ardhur nga fakti se PDja tashmë ka humbur edhe besimin e vetë demokratëve sepse, sipas saj, shqiptarët nuk janë budallenj. “Shqiptarët janë njerëz të mençur dhe duhet të kuptosh se shqiptarët po i kërcënove dhe dhunove në të kundërt ta japin votën. I kërcënoi Berisha në zgjedhjet e 23 qershorit dhe e dënuan me 83 deputetë”, tha ajo.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama