Monalisa made in China

Monalisa made in China

Kuadrot e mëdhenj apo të vegjël- që mbartin në vetvete piktura me motive të mjeshtërve të mëdhenj, të bëra me dorë, të realizuara në teknika të ndryshme, në vaj apo çfarëdo qoftë tjetër e që shpesh shihen të varura në muret apo sallat e hoteleve të njohur, në dhomat e pritjeve apo të gjumit të individëve të veçantë në të pesë kontinentet -duket se origjinën më të madhe e kanë nga këtu. Mënyra e prodhimit të tyre këtu është më shumë industriale, por sigurisht jo teknike: "E garantuar 100%, e bërë me dorë", thuhet në një përshkrim shoqërues të kompanisë që ka marrë përsipër menaxhimin e veprave botërore të riprodhuara me emrin "Shenzhen Arts Culture & Technology Company".

Dafen - aty ku takon Monet dhe Van Gogh
Ajo çka mund të shohësh në Dafen, i përgjigjet në pamje të parë asaj çka pret çdokush: piktura ku has në një tufë drerësh të zhurmshëm, apo dhe ndonjë bionde gjokszhveshur, por edhe venecian, shpesh takon "Kurorëzimin e Napoleonit" dhe jashtëzakonisht shumë vepra të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Njëkohësisht, natyrisht, edhe klasikët modernë, sidomos Monet dhe Van Gogh, i gjithë art i dorës së parë, që në këtë mënyrë i jepet rasti të rijetojë në realitetet e reja me emrin riprodhim. Por sheh edhe madje shumë vepra të punuara në vaj me një penelatë që i ka mbetur shumë besnik origjinalit të On Kawaras, apo të Gerhard Richter, kuadro pra që kanë lindur si reaksion ndaj "pështirosjes optike" (Duchamp) dhe abuzimit në riprodhimin rastësor. Dafen është bërë tashmë një simbol i zgjerimit të nocionit të riprodhimit në kohët bashkëkohore, që e bën dikë, në një mënyrë apo në një tjetër, të rrëzohet përtokë.

Një sistem i stërholluar
Nga një vend parkim i ruajtur, vizitorët nisin turin e tyre duke bredhur nëpër rrugicat e fshatit, sikur të shkelnin nëpër një "Montmartre" të vogël; në disa tezga e shëtitore ata mund të shohin madje live njërin apo tjetrin piktor, duke bërë riprodhimet e veprave të famshme. Mund të shkosh në fabrika e të kërkosh korniza, në ndërmarrje transporti dhe në reparte me makina shtypi të vjetra, që bëhen gati të hedhin konturet në pëlhurë, e që më pas do të mbushen me dorë. Është një sistem i kompletuar, ku ndërthuren të gjitha shërbimet e nevojshme. Në disa firma, piktorët specializohen në detaje të veçanta, qofshin lule apo imazhe qiejsh, në mënyrë që pikturat të prodhohen si në një proces zinxhir.

Në portin që ndodhet në afërsi të aeroportit të Hong-Kongut, riprodhimet kalojnë në duart e ndërmjetësve, apo tregtarëve të dorës së dytë, ku para së gjithash dallohet një grup rusësh që duket se i paska vënë punët në vijë me këtë lloj biznesi, pasi ata shpërndahen prej aty shpejt e pa probleme në mbarë botën.

Kush e nisi i pari?
Ky lloj biznesi shpërthimin e tij e njohu kur ia nisi punës sipërmarrësi Huang Jiang nga Kanton, që kishte mësuar në Hong-Kong kopjimin me dorë të veprave të artit. Në vitin 1989, ai shkoi të investonte për shkak të krahut të lirë të punës në ish-zonën e lirë ekonomike, të shpallur nga qeveria kineze, e frymëzuar me kohë nga orientimi liberal mbi ekonominë dhe politikat e dyerve të hapura të Shenzhenit. Ai hapi atje, fillimisht vetëm me dhjetë të punësuar, të parën firmë që merrej me riprodhimin e pikturave e që më pas me kalimin e viteve, nisi të bëhej konkurrencë gjithnjë e më e madhe. Sot, me mijëra "piktorë me mëditje" janë punësuar në Dafen. Aty mund të hasësh studentë të artit që sapo kanë mbaruar shkollat, por edhe punëtorë emigrantë të ardhur nga rajone të tjera të Kinës, të cilët e kanë mësuar zanatin në një kohë relativisht shumë të shkurtër. Për shumë prej tyre, kostot e qirave janë shumë të larta dhe ata shpesh mblidhen në baraka ku mund të kursejnë paratë e qirave të kripura të banesave që u ofrohen nga vendasit.

Një situatë postideologjike
Për aq sa mund të dimë, Ministria e Kulturës në vitin 2004 e ka shpallur këtë rajon si "model bazë të kulturës industriale të kombit". Por meqë politikat kulturore të qeverisë kineze në thelb nuk bëjnë ndonjë ndryshim mes kulturës e industrisë kulturore, në Dafen u ndërtua për këtë qëllim një muze. Deri më sot ai ka qëndruar bosh: Çfarë është dashur të tregohet me të? Ajo çka piktorët me mëditje prodhojnë në Dafen është pikërisht e kundërta e asaj çka mund të të ofrojë në vetvete një muze i artit normalisht: piktura, motivet e të cilave para se të hidhen në pëlhurë janë të përcaktuara thjesht dhe vetëm nga kërkesa.

S‘ka rëndësi nëse janë vepra të impresionizmit, realizmit socialist, të pop-artit (apo dhe të rrymave të reja kineze të preferuara si mao-pop), apo dhe autoportrete të montuara në një platformë të çfarëdoshme. Çdo gjë aty shitet e nxirret jashtë për t‘u transportuar drejt skajeve të pafundme të mbarë botës. I vetmi kusht është që ky apo ai synim individual të mos i përgjigjet asnjë norme të autorësisë dhe vlerave të mbrojtura. Klienti merr të gjitha pikturat që ai njeh e që do, por me ndryshimin se nuk janë thjesht vepër e një makine, por të bëra nga një apo shumë njerëz anonimë. Janë piktura të moçme të tregut aktual, ashtu sikurse rimbushen me ngjyra e restaurohen gjithnjë e më shumë ikonat bizantine, për t‘i shërbyer të vërtetës së rrënuar, në këtë rast dëshirës së shfrenuar të klientit, që të përmbushet sa më mirë të jetë e mundur. Ka gjasa që ky model të imagjinohet vetëm në "Kinën bashkëkohore", jo vetëm për shkak të krahut të lirë të punës, por edhe për shkak të situatave postideologjike, që mundësojnë shitjen e lirë të pikturave dhe pushtetit të tyre të dikurshëm të pretenduar, përfaqësimin politik në shtetin tashmë ndoshta vetëm me emër "socialist", si dhe që nuk gjen asnjë skrupull në përballjet e tij me autenticitetin e vlerave artistike të kulturës perëndimore.

Dafen ka një sërë dyqanesh, që janë të specializuara në kopjimin e pikturave me vaj. Një "Mona Liza" e pikturuar me dorë këtu shkon deri në 20 euro.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama