Misioni i i Nuland ne Tirane 5 gjera qe kuptuam

Misioni i i Nuland në Tiranë: 5 gjëra që kuptuam

Tashmë mund të thuhet me siguri të arsyeshme se më në fund do të arrihet një konsensus për reformën në drejtësi.

Misioni i Ndihmës Sekretares së Shtetit Victoria Nuland ishte jo vetëm i suksesshëm, por, mbi të gjitha qe i suksesshëm me një qasje që pak kush e priste: duke mos lënë asnjë krejtësisht të pakënaqur.

Zonja Nuland u tregua e matur duke mos zgjedhur një qasje të ashpër apo të njëanshme, por duke ofruar një zgjidhje të arsyeshme dhe plotësisht të mundshme për t'u pranuar nga të gjitha palët. Kështu ajo jo vetëm pothuajse arriti konsensunsin, por i mbajti të hapura dhe të shëndetshme marrëdhëniet amerikane me të gjitha palët.

Më poshtë ne po sjellim pesë gjëra që kuptuam nga misioni i Zonjës Nuland në Tiranë.

Propozimi i ri amerikan u jep mundësi të gjitha palëve të bien dakord pa humbur fytyrën, pa patur fitues të qartë por pa patur humbës dhe duke shmangur përshtypjen se amerikanët preferojnë njërin dhe urrejnë tjetrin. Tashmë, kompromisi nuk cënon as dinjitetin, as imazhin publik të askujt.

Nga ana tjetër, duket se Zonja Nuland arriti t'i bëjë të gjithë të flasin si politikanë seriozë dhe të përgjegjshëm. Ultimatumet, akuzat, sharjet, qëndrimet armiqësore u zëvendësuan menjëherë me deklarata parimore dhe shprehje të përkushtimit dhe vullnetit për të arritur kompromis.

Tek askush nuk u vu re më shumë ky ndryshim se tek Kryeministri Rama. Prej shumë javësh, ndoshta duke marrë krahë nga deklaratat kritike të përfaqësuesve të huaj ndaj PD-së, Kryeministri Rama mbante qëndrime triumfale, intolerante dhe shpesh qesëndisëse e tallësese ndaj opozitës dhe Zotit Basha. Hera-herës ishte dukur sikur deklaratat e tij, në vend të kompromisit apo zgjidhjes, kishin për qëllim të acaronin, provokonin apo poshtëronin opozitën.

Më në fund, pas vizitës së Zonjës Nuland, Kryeministri Rama bëri ndoshta deklaratën e parë serioze, të përgjegjshme dhe të denjë për udhëheqësin e një vendi, në lidhje me reformën në drejtësi.

Nëse Zonja Nuland do të kishte vënë ultimatum ndaj PD-së për të votuar reformën në drejtësi në variantin që gjendet në Kuvend, ai që do dilte më i humbur nga të gjithë do të ishte Lulzim Basha--imazhi dhe rëndësia e tij goditej rëndë, si në sytë e ndërkombëtarëve edhe brenda partisë së tij.

Kohët e fundit, në publik ishte krijuar gjerësisht perceptimi apo bindja se Zoti Basha ka treguar qëndrime të lëkundura, të pasigurta dhe të paqarta në lidhje me reformën në drejtësi. Në rrethet politike ka qarkulluar pretendimi se zoti Basha ka qenë dakord me reformën, por nën trysninë dhe autoritetin e Zotit Berisha ai ka i ndryshuar qëndrimet e tij dhe është tërhequr nga premtime të qarta të bëra ndaj të partnerëve të huaj në proces.

Dy herë, brenda pak javësh, Ambasadori Lu e veçoi me emër Zotin Basha si përgjegjës direkt për ngërçin ku ishte futur reforma. Duke ju drejtuar direkt me emër, me gjasa Ambasadori ka dashur të bëjë të qartë se Zoti Basha nuk mund të fshihej apo justifikohej më pas justifikimeve me Zotin Berisha, por do të mbahej përgjegjës për situatën, të paktën para amerikanëve. Përmes kritikës, duket se Ambasadori ka dashur t'i thtoë Zotit Basha: Je kryetar i opozitës, prandaj fillo e sillu si i tillë.

Zonja Nuland me qasjen e saj të matur pa dyshim që "shpëtoi" Zotin Basha nga dëmi i sigurtë politik dhe në imazh që e priste. Mbetet për t'u parë nëse Zoti Basha do të dijë ta përdorë këtë "triumf" të vogël për të përmirësuar imazhin dhe kredibilitetin e tij si para të përfaqësuesve të huaj edhe brenda partisë së tij.

Zonja Nuland, sërish, nuk e takoi Kryeparlamentarin Meta, sikurse nuk e kanë takaur edhe politikanë të tjerë të rëndësishëm botërore.

Zonja Nuland madje u takoi edhe me Ministrin e Jashtëm Bushati, takim i cili edhe pse i justifikuar nga pikëpamja protokollare ishte një takim krejtësisht i aprëndësihëm për qëllimin për të cilin ajo ishte në Tiranë. Por ajo zgjodhi të mos e takojë Zotin Meta, pavarësisht rolit kyç që ai ka në miratimin e reformës, jo vetëm si Kryetar i Kuvendit, por mbi të gjitha si komandues i rreth 20 votave në Kuvend.

Fakti që një kompromis PD-PS, i bën të parëndësishme votat e LSI-së në Kuvend, nuk mund të justifikojë, gjithsesi, indiferencën e Zonjës Nuland.

Zoti Meta dhe LSI-ja duket se po investojnë shumë nëpërmirësimin e imazhit dhe të marrëdhënieve të tyre me jashtë, por suksesi duket i papërfillshëm. Për shkak të këtij dështimi duket sikur Zoti Meta tashmë po mundohet të paktën të krijojë në opinionin e brendshëm përshtypjen se ai është politikan i vlerësuar në botë.

Për këtë qëllim ai po financon arritjen e një sërë takimesh të parëndësishme në Ëashington por që ëprbëjnë lajm në Shqipëri si dhe sponsorizimin e artikujve pozitivë ndaj tij në media amerikane të dorës të dytë.

Por edhe kjo propagandë zhvlerësohet mënjëherë në rastet e vizitave të rëndësishme të politikanëve të huaj në Tiranë, të cilët injorojnë Zotin Meta, indiferentizëm i cili nuk mund të mos vihet re nga opinioni publik.

Përveç ndjenjave të pazakonta proamerikane të shqiptarëve, arsyeja kryesore për këtë ndikim amerikan duket se ka të bëjë më shumë me dobësitë e politikës së jashtme europiane.

Henri Kissinger, si Sekretar Shteti i SHBA-ve, një herë nervozizmin e tij me mungesën e një politike të jashtme të qartë të Komunitetit të atëhershëm Europian, me shprehjen tashmë të famshme: "Europa? Kujt numri t'i bie kur dua të flas me Europën?"

Gjatë gjithë krizës së reformës në drejtësi ngërçpolitika e jashtme e BE-së nuk mundi të ushtrojë presion apo të ndihmojë në daljen nga kriza. Përtej pak deklaratave të disa ambsadorëve të vendeve të BE-së në Tiranë dhe këshillave apo komenteve të disa politikanëve europianë, BE nuk arriti dot as angazhimin e duhur dhe as aftësinë politike në zgjidhjen e krizës.

Rolin e BE-së e zbehu së shumti humbja e besueshmërisë dhe kredibilitetit të Ambasadores së BE-së në Tiranë. Edhe pse akuzat e PD-së ndaj saj për favorizim të qeverisë mund të kenë qenë të pabaza ose të paktën të ekzagjeruara, imazhi i Ambasadores u dëmtua shumë nga disa zgjedhje apo sjellje të saj në publik, që edhe pse nuk mund të quhen shkelje etike, sigurisht nuk ndihmojnë imazhin.

Kontrasti është i qartë: nëse publiku pa Viktoria Nulandin të udhëtojë brenda pak orësh në Prishtinë dhe Tiranë, të zhvillojë një sërë takimesh të rëndësishme dhe të vështira, pa patur kohë as për t'u ndërruar; imazhi i fundit i Romana Vllahutinit në publik është teksa ajo--e veshur me një fustan elegant rozë, që e mban me dorë për të mos ju ngritur nga era--ecën përmes një fushe futbolli, nën shikimin e syve aspak neutral të disa politikanëve të lartë socialistë që janë duke luajtur futboll, ndërsa Viktoria Nuland dhe Ambasadori Lu kanë qenë me siguri duke punuar për të zgjidhur krizën e tyre politike.

Si Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Viktoria Nuland renditet e pesta në hierarkinë e Departamentit të Shtetit, pas Sekretarit të Shtetit, dy Zëvendës Sekretarëve dhe Nën Sekretarit për Çështjet Politike. Por me njohuritë e thella mbi politikën e jashtme, mprehtësinë analitike, aftësitë negociuese, dhe kurajon e saj ajo ka dëshmuar shpesh se është një ndër personat më të rëndësishëm dhe më të aftë të diplomacisë amerikane.

Misioni i suksesshëm në Tiranë dëshmoi edhe një herë maturinë, përvojën dhe aftësitë e saj për të negociuar dhe ndërtuar kompromise.

Një nga personat e preferuar të Hilari Klintonit, kur ajo ishtë Sekretare Shteti, Zonja Nuland konsiderohet nga disa analistë amerikanë si kandidate e mundshme për postin e Sekretares së Shtetit ose të Këshilltares për Sigurinë Kombëtare, në një presidencë të mundshme Clinton.

Përveç aftësive vetjake, kandidatura e saj ka një avantazh të madh, pasi mund të jetë e pranueshme edhe për republikanët që mund të ruajnë kontrollin e Senatit. Arsyeja është se Zonja Nuland, e cila ka shërbyer si në administratat republikane edhe ato demokratike, është pjesë e një familje të shquar neokoservatore. Veç të tjerëve, bashkëshorti i saj, Robert Kagan, është ndër intelektualët dhe opinionbërësit më të rëndësishëm neokoservatorë të SHBA-ve.

Për këtë arsye, konfirmimi i saj nga një senat me shumicë republikane mund të jetë më i lehtë, edhe pse Zoti Kagan ka dalë hapur kundër kandidaturës presidenciale të Donald Trump dhe ka deklaruar se do të votojë për Hilari Clinton, çka nga shumë republikanë mund të konsiderohet si tradhti.

Në vitin 2013, gjatë konfirmimit në Senat si Ndihmës Sekretare e Shtetit, Zonja Nuland mori lëvdata nga figura të rëndësishme republikane, përfshi senatorët McCain dhe Graham.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama