Mirupafshim mes miqsh!

Mirupafshim mes miqsh!


Pesë vjet pas botërorit të sukseshëm për meshkuj 2006 Gjermania ka mundësi të përsërisë inskenimin e përrallës verore, siç u quajt ky kampionat. Krerët e FIFA-s u joshën prej motos "mirupafshim mes miqsh" të prezantuar vetëdijshëm prej Federatës Gjermane të Futbollit. Aq më tepër që i vetmi konkurrent Kanadaja përmes një prezantimi përmbyllës pa entuziazëm u vetëskualifikua.

Në të kundërt Federata Gjermane e Futbollit u mbështet tek energjitë e gruas. Ajo ishte bindëse përmes filmave të reklamës pa servilizëm, por me përmbajtje sa sportive aq edhe politike, dhe me një përzierje të goditur mes seriozitetit dhe emocioneve, mes erotikës dhe entuziazmit. Përmes një mesazhi në video kancelarja Angela Merkel siguroi mbështetjen e kërkuar prej qeverisë, mesazh ky që u konfirmua edhe me dërgimin në Zyrih të ministres së familjes von der Lajen (von der Leyen). Në skenë bënin reklamë dy lojtaret e kombëtares Birgit Princ (Prinz) dhe kosovarja Fatmira Bajramaj, që synonin të sillnin për herë të parë kampionatin në vendin që ka fituar dy herë titullin kampion bote.

Ato simbolizuan me profesionalitet aftësitë e tyre si dhe integrimin dhe angazhimin social duke u prezantuar herë të veshura elegante, herë të veshura me tuta sporti dhe atlete. Kjo paraqitje ishte mjaft joshëse për të tërhequr vëmendjen e funksionarëve të FIFA-s, të cilët kur bëhet fjalë për futbollin e femrave duken gjithnjë të lodhur.

Babai i suksesit Teo Zvanciger

Krejt ndryshe qëndron puna me Teo Zvanciger (Theo Zwanziger), babai i suksesit. 62 vjeçari i sapo rizgjedhur president i Federatës Gjermane të Futbollit është prej kohësh një tifoz me peshë dhe një mbështetës i futbollit të fermave. Tani po shpërblehet puna e tij në jubileun e 25 vjetorit të futbollit të femrave dikur të papreferuar prej federatës. Shpërblimi ishte së pari mbrojtja e sukseshme e titullit kampion bote në Kinë dhe më pas vendimi për organizimin e kampionatit 2011 në Gjermani. Ishte ai, që hapi rrugën duke bindur bashkëkonkuruesen Francën që të tërheqë kandidaturën dhe në vend të kësaj të mbështeste Gjermaninë si të vetmen kandidate nga Evropa. Pa këtë lëvizje të rafinuar shahu me siguri që presidenti francez i UEFA-s, Mishel Platini do ta kish përdorur ndryshe influencën e tij.

Që Gjermania sërish do të organizojë një kampionat perfekt, për këtë s´duhet të ketë askush dyshim, madje as për atë, që një mbrojtje e titullit për të tretën herë nga kombëtarja që do të luajë në fushën e vet në 2011 do të ishte si një katalizator perfekt për futbollin e femrave. Edhe për këtë arësye të martën (30.10) FIFA s´kishte alternativë veç Gjermanisë.

Po kaq i qartë, por jo i pranuar kaq bindshëm ishte edhe emërimi i Brazilit si organizator i botërorit për meshkuj 2014. Ky vend me rekordin e titullit kampion bote fitoi, pavarësisht nga rezervat lidhur me sigurinë dhe infrastrukturën. Konkurrentë nuk pati, sepse federata kontinetale amerikano-jugore pati përzgjedhur Brazilin si të vetmin kandidat. Por edhe pse FIFA e hoqi parimin e rotacionit mes kontinenteve, çdo kandidat tjetër nga Amerika e Jugut nuk do të kishte pasur shans.

Astrid Ravol : DW-World.de


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama