Metropolet qe preferojne yjet e modes

Metropolet që preferojnë yjet e modës

Të gjithë jemi kureshtarë të dimë se ku i kalon mbrëmjet Kate Moss, apo ku drekon Adriana Lima e Naomi Kampbell, ndaj ndoshta për këtë arsye revista ekonomike "Forbes" ka bërë klasifikimin e lokaleve më "fashion" të botës, ku personazhet e njohura të saj ndjehen si në shtëpinë e tyre, duke kaluar orë të tëra nën shoqërinë e miqve të tyre. Sipas revistës prestigjioze amerikane, e cilësuar nga ekspertët edhe si "Bibla e kapitalizmit", modelet i kalojnë mbrëmjet apo netët e tyre të lira, nëpër restorantet dhe lokalet më të mira të katër qyteteve të botës. Sipas asaj që shkruan "Forbes", Nju Jorku, Parisi, Londra dhe Majami janë oazet e personazheve të njohur të botës së modës. Po sipas revistës, në çdonjërin prej këtyre qyteteve ka tri vende, ku është e pamundur të mos gjesh ndonjë nga protagonistet më të famshme të pasarelave të gjithë botës.

Nju Jork

Në krye të klasifikimit qëndron padyshim qyteti i Nju Jorkut, një nga më të shtrenjtit në botë dhe më të pëlqyerit për njerëzit më të njohur dhe më të fuqishëm të planetit. Në vend të parë pozicionohet "Runway Club", ku ndihen si në shtëpitë e tyre modelja braziliane Adriana Lima dhe amerikania CariDee English. Ky klub nate, i hapur në prillin e vitit të kaluar, ka në qendër të tij një pasarelë të gjatë, shumë e ngjashme me ato të shkelura nga modelet gjatë javës së modës njujorkeze, ndërsa në krah, shumë tavolina, disa prej të cilave të veçuara për të garantuar privatësinë dhe qetësinë e modeleve. Por ashtu, siç bën me dije "Forbes", modelet nuk bëjnë vetëm jetë nate, apo sfilita mbi pasarela, një pjesë të mirë të kohës ato ia kushtojnë edhe "pazarit", sigurisht, jo për të blerë fruta dhe perime, por fustanet dhe aksesorët që ato vetë i kanë veshur dhe reklamuar të parat. Pikërisht, për këtë arsye, revista amerikane ka vendosur që në vend të dytë të pozicionohet butiku "Butik", në pronësi të modeles Helena Christensen dhe shumë i pëlqyer nga mbretëreshat e pasarelave, sidomos nga Gemma Ward. Te "Butik" shkojnë pothuajse të gjitha, pa përjashtim, pasi edhe gama e produkteve që ai ofron është vërtetë e gjerë. Aty mund të gjesh veshjet më të shtrenjta, por edhe suvenire dhe çokollata franceze.

I treti dhe i fundit në klasifikim njujorkez është restoranti "Waverly Inn", në pronësi të Graydon Carter, redaktor i prestigjiozes "Vanity Fair". Ai është shumë i frekuentuar edhe nga gazetarët më të famshëm të Nju Jorkut dhe në të është e pamundur të gjesh një tavolinë të lirë. Ai është edhe vendi i preferuar për modelet e "fiksuara" pas linjave si Liya Kibede dhe Adriana Lima. "Kur modelet vijnë këtu, ato zakonisht preferojnë ushqime dhe pije pa kalori, por që të bëjnë mirë për shëndetin tregon", Carter.

Parisi

Klasifikimi vazhdon me tri vende të kryeqytetit të Francës, Parisit. I pari është i mrekullueshmi dhe antiku "Hotel de Crillon". I ndërtuar nga Luigji XV në vitin 1758, pallati ku dikur Maria Antoneta merrte leksione muzike, nuk është vetëm hoteli superluksoz ku modelet kalojnë netët e tyre, por edhe vendi ku ndodhet restoranti i famshëm, "Les Ambassadeurs" dhe një piano-bar romantike. Frekuentueset e rregullta të tij janë modelet si Naomi Campbell, Stephanie Seymour, Lauren Bush dhe ish-gruaja e Mick Jagger, Jerry Hall. Vendi i dytë, më në modë në kryeqytetin francez, është "Murano Urban Resort", që ndodhet në lagjen karakteristike "Marais", ku frekuentuesja më e rregullt është modelja Darla Baker. I famshëm për kokteilet dhe mbrëmjet e zjarrta që ofron, ai është një nga vendet më të pëlqyera në Paris për yjet e pasarelës. Në fund, në vend të gjashtë, pozicionohet "Le Paris Paris", diskoteka me "kliente" të përhershme modelet

Agyness Deyn dhe Helena Christensen

Majami

Pas Parisit, modelet duket se vlerësojnë shumë edhe klubet e natës së Majamit. Kështu, në vendin e shtatë dhe të tetë, në qytetin më të famshëm të Floridës, pozicionohen dy lokale në pronësi të një super miliarderi me origjinë italiane, Nicola Siervoi. I pari është restoranti "Quattro Gastronomia Italiana", i famshëm për patëllxhanët me djathë dhe kotëletat alla milaneze (që kushtojnë rreth 47 dollarë), i pëlqyer shumë nga modelet Karolina Kurkova dhe Gisele Bundchen. I dyti është klubi "Mokai", me muzikë orientale, ku modelja braziliane Alessandra Ambrosio festoi së fundmi 26 vjetorin e saj. Në fund, gjithmonë në Majami, i pëlqyer prej modeleve është edhe klubi i natës "Set", që frekuentohet të paktën një herë në javë shumë nga Hilary Rhoda, Gemma Ward, Sasha Pivovarova.

Londër

Klasifikimi mbyllet me tre lokale londinezë. Metropoli anglez me sa duket këtë vit nuk është vetëm kryeqyteti i muzikës, por edhe një nga qendrat e modës. Në vendin e parë pozicionohet "Met Bar", lokali që ndodhet në "Metropolitan Hotel" të Londrës, që ashtu si shumë të tillë në kryeqytetin anglez, zakonisht qëndron i hapur deri në orën tre të mëngjesit. Frekuentuese e rregullt është Kate Moss, që preferon t‘i kalojë netët e saj edhe në klubin e dytë të pranishëm në klasifikim "Cuckoo Club". Ky klub nate ka mes të tjerash, edhe një sallon të rezervuar vetëm për personazhet e famshëm, të quajtur "Vip Rom", ku mblidhen shpesh modelet dhe njerëz të tjerë të famshëm për festat e organizuara pas sfilatave të modës. Në fund të klasifikimit qëndron restoranti

"Nobu London", i frekuentuar kryesisht nga modelet Ndaja Auermann dhe Elle McPherson, që adhurojnë kuzhinën japoneze. Kështu, nëse dikujt prej nesh i ndodh që të shkojë në këto qytete si turist, atëherë do ta ketë shumë të lehtë për ta gjetur, ose për ta parë nga afër, idhullin e tyre të pasarelave.


Klasifikimi i vendeve «fashion»

1) "Runway", Nju Jork

2) "Butik", Nju Jork

3) "Waverly Inn", Nju Jork

4) "Hotel de Crillon", Paris

5) "Murano urban resort", Paris

6) "Le Paris Paris", Paris

7) "Quattro gastronomia italiana", Majami

8) "Mokai", Majami

9) "Set", Majami

10) "Met bar",Londër

11) "Cuckoo Club", Londër

12) "Nobu London", Londër

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama