Meta Ja sa kushtoi ditelindja ime akuzat per shpenzimet jane fantazi

Meta: Ja sa kushtoi ditelindja ime, akuzat per shpenzimet jane fantazi

Kryetari i Kuvendit hedh poshtë komentet mbi festën e ditëlindjes së tij në Gjirin e Lalzit dhe shpjegon se ka harxhuar 3.5 mijë lekë të rinj për person. “500 kilogram karkaleca! Unë që isha i zoti i asaj feste kisha vetëm tre karkaleca në pjatën time. Nëse kolegët tuaj që kanë qenë atje, kanë pasur nga një kilogram karkaleca, kjo është histori tjetër. Mijëra shishe verë! Marrëzi!”

Si ju duket karriera juaj? Jeni i kënaqur me këtë që keni arritur në politikë?

Karriera nuk ka qenë dhe nuk mbetet qëllim në vetvete. Është një angazhim i nisur si spontanisht, por gjithmonë më duhet të kujtoj parimin e njohur të filozofisë: “Domosdoshmëria çan rrugën përmes rastësisë”.

Zoti Meta, njerëzit kanë një interes shumë të madh të marrin vesh për ditëlindjen tuaj. E para, gëzuar datëlindjen! Edhe 100!

Faleminderit!

Pse kanë kaq interes të madh që ju të tregoni për ditëlindje? Pse është kjo? Çdo njeri e feston ditëlindjen. Pse në këtë rast, sepse kemi detaje, disa kritika, disa akuza?

Nuk e di që një ditëlindje duhet bërë një objekt debati. Megjithatë, më vjen mirë kur politikanë të shquar dhe të pasionuar pas nekrofilisë, tani kanë filluar të merren me ditëlindjet. Në fund të fundit, është përparim. Është diçka më pozitive dhe është e drejta e tyre të merren me ditëlindjen time. Për mua nuk ka asnjë shqetësim.

Kjo quhet shpërfillje, zoti Meta, se jemi në një moment serioz tani. 650 të ftuar, 2 tonë verë, qindra karkaleca…

Si shpjegohet që janë pirë 2 tonë verë dhe nuk është bërë asnjë aksident?

Të lutem, regjia, zonjën Topalli sinkron. Ta ndjekim dhe…Qindra mijëra dollarë! Sa ka kushtuar ditëlindja juaj, zoti Meta?

Shiko, unë nuk jam këtu që të merrem me politikanë dhe me politikane që vuajnë nga sindroma e Otellos. Kjo është një çështje tjetër.

Pse?

Do t’jua shpjegoj shumë thjesht juve dhe teleshikuesve. Ata thjesht, prandaj them se vuajnë nga sindroma e Otellos, ku një nga problemet kryesore ishte edhe ai i xhelozisë dhe i krijimit të një bote paralele e kështu me radhë; nga Vora në Lalëz sa kilometra është? Më pak se 20 kilometra, ta them unë. Dy kamionë me palma, me vazo dhe me lule, vajtje-ardhje, sa karburant mund  të harxhojnë?

Deri këtu do të shkojmë, të llogarisim?

Po, këtu duhet të shkojmë për t’u dhënë njerëzve mesazhin që kemi të bëjmë me sindromën e Otellos. Thelbi i së cilës është xhelozia, bota paralele, dyshimet, pasiguritë dhe marrëzitë, të cilat ai vetë, në fund të fundit, i përjeton dhe i vuan. Nuk kemi të bëjmë me shpenzime marramendëse, sepse jua thashë edhe një herë, për të marrë nga një kompani, që i ka këto palma dhe lule me vazo, për t’i çuar në Lalëz, dy kamionë dhe për t’i kthyer, ngarkim-shkarkim nuk bën më shumë se 60 mijë lekë të rinj.

Tani, 60 mijë lekë palmat e mora vesh, po këto 50 tualetet, zoti Meta?

Kjo është një fantazi tjetër dhe natyrisht që kur dëgjohen shifra të tilla, të cilat janë tërësisht larg së vërtetës, duhen pjesëtuar disa herë, pa dyshim që çdo qytetar shqiptar… …të ulë galixhantin. Kërkoj ndjesë që po e them këtë, por ky ishte niveli, për fat të keq, i “Rilindjes demokratike” për katër–pesë ditë me radhë, lidhur me këtë ditëlindje, ku dihet që aty ishin të ftuar të gjithë: përfaqësues mediash, opozitarë e kështu me radhë. Pra, nuk kishte asgjë për të fshehur.

Pse nuk e ftuat zotin Basha?

500 kilogramë karkaleca! Unë që isha i zoti i asaj feste, kisha vetëm tre karkaleca në pjatën time. Nëse kolegët tuaj, që kanë qenë atje, kanë pasur nga një kilogram karkaleca, kjo është histori tjetër. Mijëra shishe verë! Marrëzi! Madje, nxjerrin edhe shishe në gazetën e partisë. Shishe gjoja 300 euroshe, të marra në Francë. Ndërkohë që aty nuk është shërbyer me shishe. Së dyti, unë mund t’ju them se…

Çfarë vere ishte?

Ishte e llojeve të ndryshme. Nuk ka pasur vetëm një verë. Është shërbyer me enë të veçanta. Unë nuk kam parë në jetën time shishe vere 300 euro. Nuk e kam provuar as për vete, jo më ta bëja këtë gjë për miqtë e mi shumë të nderuar që ishin aty. Po të ishte kaq shumë verë, do të kishte ndodhur edhe ndonjë aksident, sepse ka qenë edhe shi atë natë. E gjithë kjo është një përpjekje e dëshpëruar e disa mendjeve mjaft të lodhura që nuk prodhojnë dot politikë dhe kërkojnë të prodhojnë baltë. Është e drejta e tyre. Nuk kam gjë për të fshehur. Përkundrazi, meqë edhe ju e paskeni me kaq merak…

Zonja Topalli e kishte më merak sesa unë.

Nuk e shohim dot sindromën e Otellos për ata që e vuajnë, por për qytetarët, edhe për ju…Shpenzimi për një person nuk ka qenë më shumë se 3,5 mijë lekë të reja. Që do të thotë, dy ose tri herë më pak, nëse do të ishte bërë te “Rogneri” ose te “Sheratoni”. Për sa u takon palmave që janë vendosur atje, jua thashë se sa vete i gjithë shpenzimi. Ngarkim-shkarkim dhe 150 litra karburant nga Vora në Lalëz dhe kthim, me vazo sikurse erdhën. Gjithçka ishte thjesht një ide. Tenda gjigante, që ishte prodhuar gjoja vetëm për këtë ditëlindje, ishte vetëm një mashtrim.

Pse?

Sepse, e para, ditëlindja është vendosur pak ditë përpara për t’u bërë dhe për t’u bërë në atë vend, për arsye edhe të numrit të njerëzve që u shtuan.

Pak nuk ishin.

Unë do të doja të ishin 6 mijë, por nuk kisha mundësi. Pra, edhe në këtë rast është thjesht një abuzim, sepse çadra të tilla bëhen këtu, janë kompani shqiptare që i kanë të gatshme, me elemente të parafabrikuara për të kompozuar gjëra të tilla. Kështu që…

Po dhuratat si ishin, zoti Meta? Për këtë jam kurioz më shumë.

Shumë normale. Ato që duhen deklaruar, do të deklarohen.          

Kishte ndonjë dhuratë që ju bëri më shumë përshtypje?

Ajo e pikturave të zotit Rama. Ishte shumë interesante, sepse ishte shtrirë mbi të.

Megjithatë, zoti Meta, unë po këmbëngul për faktin se edhe në rrjetet interesi ka qenë shumë i madh. Pse ndodhi kjo, sipas jush? Mirë kjo që po thoni në mënyrë të përgjithshme, megjithëse zonja Topalli ka emër e mbiemër dhe ka folur pesë metër para jush në Kuvend…

Sigurisht që ka folur dhe flet vazhdimisht…

Edhe zoti Ngjela, po ashtu.

Flet vazhdimisht gjëra të tilla dhe unë nuk para preferoj t’i përgjigjem në Kuvend, sepse mendoj se vlerësimin për secilin prej nesh e japin qytetarët dhe ata nuk nisen nga ajo se çfarë themi ne, por nga ajo se çfarë bëjmë ne. Për zonjën në fjalë, mendoj se ato që ka bërë në vetëmenaxhimin e Kuvendit, nuk e nderojnë edhe në aspektin e respektimit të ndjeshmërisë së qytetarëve për shpenzimet e politikanëve. Mund t’ju them se unë kam një përqasje tjetër prej saj në këtë drejtim, duke kufizuar në maksimum shpenzimet e lëvizjeve të Kryetarit të Kuvendit. Jo vetëm kaq, por edhe për transparencën e menaxhimit të fondeve të buxhetit të Kuvendit. Por nuk dua të hyj në këtë çështje. Nuk dua të merrem me këto gjëra. Dua të them se është për të ardhur keq kur dëgjon politikanë të tillë, të cilët shpifin jashtë çdo standardi. U morën me ngjalat dy vjet, ia panë hajrin. Tani merren me karkalecat.

A kishit ngjala, apo vetëm karkaleca?

Vetëm tre karkaleca kisha unë për vete. Nuk e di kush ka pasur kaq shumë.

Pse nuk e keni ftuar zotin Basha? Nuk keni ftuar edhe shumë të tjerë, por le të ndalemi te zoti Basha.

E kemi ftuar për reformën administrative-territoriale: kjo është më e rëndësishme.

Po s’është ditëlindje ajo, zoti Meta!

Nuk jemi këtu për “qoka”, por për të zgjidhur ca gjëra më të mëdha. Reforma administrative territoriale është më e rëndësishme, dhe ai po i largohet asaj ftese. Kjo i intereson qytetarëve. Kostoja administrative kursen 80 milionë dollarë. Nuk është pak, apo jo, dhe rikthehemi sërish.

Zoti Meta, kritikët, sidomos opozita, kanë një sërë rezervash për qeverisjen 7-mujore të koalicionit PS-LSI. Situata kriminale, situata ekonomike, por edhe papunësia janë tri shtyllat, në të cilat opozita e ka përqendruar të gjithë bërjen e pozicionit të saj ndaj qeverisjes. Si e komentoni ju këtë?

Problemi është se opozita është ende larg të ambientuarit me pozitën e re, ku e ka vendosur vota e qytetarëve shqiptarë, që është pikërisht të bërit opozitë dhe, njëkohësisht, nuk ka ende një reflektim për përgjegjësitë që ka për sa i takon situatës financiare të vendit, asaj ekonomike, problemeve të punësimit, apo edhe kriminalitetit, sepse këto nuk janë probleme të krijuara tani. Kemi dëgjuar vazhdimisht të flasin edhe për punën e Lazaratit, për kanabisin, ndërkohë që harrojnë se në momentin kur ishte mbjellë kanabisi, në pushtet ishte PD-ja.

Ishit edhe ju me PD-në.

Patjetër. Ndoshta kjo mungesë aftësie për të reflektuar për të qenë të vërtetë, e bën shumë të pabesueshme dhe jo premtuese bërjen e opozitës nga ana e tyre. Për sa i takon qeverisë, unë mund të them se ka një dinamikë, një ritëm të qartë dhe një vullnet për t’u ndeshur me problemet dhe rezultatet po vijnë. Rritja e të ardhurave në tatime nga doganat është tashmë e qëndrueshme, është një trend i qëndrueshëm dhe në rritje të pandërprerë.

Si po funksionon koalicioni LSI-PS? Cili është ndryshimi me koalicionin që kishit me PD-në?

Koalicioni po funksionon në mënyrë shumë konstruktive dhe bashkëpunuese, sikurse edhe ju e shikoni dhe e ndiqni.

Dhe raporti juaj personal në këtë koalicion me zotin Rama dhe me zotin Berisha. Me kë po qeverisni më mirë, me zotin Rama, apo me zotin Berisha?

Unë jam gjithmonë bashkëpunues dhe konstruktiv, dhe jemi duke bashkëpunuar shumë mirë me Kryeministrin Rama.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama