Mes kengeve te nates se dyte ne Festivalin e RTSH-se edhe teksti i Dr. Florit

Mes kengeve te nates se dyte ne Festivalin e RTSH-se edhe teksti i Dr. Florit

Nën prezantimin e shqiptares nga Kosova Liberta Spahiut edhe Turjan Hyskës u zhvillua edhe nata e dytë e Festivalit të 53-të të Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar. Mbrëmjen e djeshme u ngjitën në skenë edhe 13 artistët e tjerë konkurrentë. Mbrëmja u hap me këngëtaren e re Jozefina Simonin, edhe u mbyll me Gjergj Lekën. Të shoqëruar nga orkestra live këngëtarët shpalosën përpara publikut këngët e tyre pjesëmarrëse. Ashtu si natën e parë edhe dje, në fund të mbrëmjes u bënë të ditur emrat e artistëve që do të jenë sot pjesë e natës finale të Festivalit nga ku do të dalë edhe fituesi, që do të na përfaqësojë në Eurovizion. Të gjithë konkurrentët e vlerësonin këtë Festival si një eksperiencë të bukur, për shkak të mënyrës sesi ishte organizuar, si edhe për shkak të shoqërimit nga një orkestër live. Në skenë u ngjitën këngëtarë të ndryshëm, si nga mosha dhe eksperienca, por edhe nga rrymat muzikore që përfaqësojnë.

Altin Goci: Rock për t’u shkundur nga përtacia

Pas pesë vjetësh shkëputje, Altin Goci rikthehet në Festivalin e 53-të të Këngës në RTSh me këngën “Rock për gjithë jetën”. Kjo këngë është punuar nga ai para disa viteve. Fillimisht teksti i kësaj kënge ishte shkruar në anglisht me titull “Rock today”. Miqtë artistë të këngëtarit e shtynë atë për të marrë pjesë në këtë festival. “Kjo nuk është këngë vetëm për rrymën rock. Kjo është një këngë për t’i dhënë ditës rock, për ta shkundur nga përtacia dhe apatia që na kap ndonjëherë”, u shpreh ai. Altin Goci ka marrë pjesë në festivale që në fillim të viteve ’90. Me kalimin e viteve në festivalet e fundvitit, por edhe te vetë këngëtari kanë ndryshuar shumë gjëra. “Dikur festivalet bëheshin playback dhe skenografia ishte e një kohe tjetër, sepse dhe mënyra e të menduarit dhe të vepruarit ishte tjetër. Fakti që vitet e fundit festivali është bërë live është një aspekt shumë pozitiv, që më bën mua herë pas here të marr pjesë. Këndimi live të jep emocionet, për të cilat një artist ka nevojë”, u shpreh ai.

Rezarta Smaja: E vetmja dëshirë është të përcjell mesazhin e fundit të Dr. Florit

Para 3 vitesh ajo mori pjesë për herë të parë në Festivalin e Këngës në RTSh. Emocionet e fituara nga kjo eksperiencë, e bënë Rezarta Smajën që të mos i ndahet këtij festivali. Këtë vit ajo konkurron me këngën e kompozuar dhe orkestruar nga Klodian Qafoku dhe me tekst të Dr. Flori. “Unë u ndjeva shumë mirë kur mora vesh se kompozitori Klodian Qafoku do të bashkëpunonte me Dr. Florin. Në fillim të punës ishim të gjithë të kënaqur. Çdo punë ka problemet e veta, por gjithçka rregullohej në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Por ja që ndodhi ikja e parakohshme e Dr.Florit dhe në këtë festival ne ndihemi të lënë pak vetëm. Do të ishte shumë bukur që të ishim të 3 sonte. Vetëm fizikisht nuk jemi 3, se shpirtërisht jemi në çdo notë të kësaj kënge. Dëshira ime më e madhe është që mesazhin e fundit të Florit, unë ta transmetoj ashtu sikurse dëshironte ai. Teksti i kësaj kënge u dedikohet njerëzve që gjejnë prehje te dashuria e Zotit. Është një këngë optimiste dhe frytdhënëse. Është një tekst i shkruar me mjeshtëri. Jam shumë e sigurt që njerëzit do ta pëlqejnë këngën. Për mua edhe për Klodian Qafokun e rëndësishme është ta përcjellim bukur mesazhin e Florit, edhe nëse do vlerësohemi me çmim do të ishte akoma më bukur. Kjo më shumë për Florin sesa për ne. Do të ishte një dhuratë e bukur për familjen e tij”, u shpreh ajo. Rrezarta Smaja e vlerëson këtë garë në Festivalin e Këngës, pasi sipas saj, ka këngë dhe këngëtarë shumë të mirë. Interpretimi përkrah një orkestre të madhe si ajo e RTSh-së i jep një emocion të veçantë. “Unë jam shumë sfiduese kur dal në skenë. Më pëlqen të sfidoj veten për të parë se ku mund të arrij. Edhe kompozitorët krijojnë këngë të vështira për mua, që tregojnë shpalosje vokali. Unë e kam për nder të jem në këtë skenë”, u shpreh Rezarta Smaja.



Teksti i fundit i Dr. Florit

Më rrëmbe

Për një çast çdo gjë mbaroi
Miku im më i mirë më tradhtoi
E gjithë bota më mënjanoi
Në syt’ e mi iku perëndoi
 
Vetëm ti dashuri më dhurove
Nga luginat e errëta më nxore
Kur un’ humba ti nuk harrove
Ti me ke, me rrëmbe…

Do të dua ty,
frymën tënde unë kam
më je pranë kur nuk jam
Det i shpirtit mban
Çdo stuhi dhe vullkan
Ja ku jam…

Kur të ndihesh i vetmuar
Mos mendo se je harruar
Nëpër dhimbje ke lundruar
Por i vetëm nuk je

 


Mjellma Berisha: Gara, realizimi i një ëndrre

Për të është hera e parë që merr pjesë në Festivalin e Këngës në RTSh. Këngëtarja e re Mjellma Berisha me origjinë nga Kosova ka marrë pjesë edhe në kompeticione të tjera muzikore, por jo të këtij niveli. Kompozitori i këngës “Sot jetoj”, Enis Mullaj i bëri ftesë që ajo të ishte pjesë e këtij eventi dhe ajo pranoi menjëherë. “U ndjeva shumë e nderuar që jam pjesë e këtij festivali ku kanë kënduar emra të mëdhenj të skenës shqiptare. Është emocionuese kur një ditë të punosh me njerëz që dikur i ke parë vetëm nëpërmjet televizorit”, u shpreh ajo. Dje ajo u ngjit në skenë me një këngë ritmike që kishte si tekst forcën e femrës. Përkundrejt vështirësive që ka në jetën e saj ajo i përballon të gjitha dhe del fituese. “Në çdo këngë që unë këndoj e gjej veten, dhe aq me tepër te kjo. Pres që kënga të pëlqehet dhe të vlerësohet në mënyrë të drejtë”, përfundoi ajo.

Enxhi dhe Xhejni Kumria: Sjellim një baladë me temë sociale

Enxhi dhe Xhejni Kumria kanë 3 vite resht që po marrin pjesë në festivalin e fundvitit. Duke e konsideruar në eksperiencë të këndshme ato po tentojnë që ta kthejnë në traditë pjesëmarrjen në festival. “Është një festival që e kemi shumë përzemër prandaj po vijmë sërish me një kompozim dhe tekst tonin, të cilin e orkestroi Gjergj Kaçinari. Kemi zgjedhur që në këtë edicion të vijmë me një temë sociale. Teksti i këngës “Njeri” flet për diskriminimet. Duke qenë femra, ne jemi më të ndjeshme në këtë pjesë. Femra duke qenë më e brishtë shpesh bëhet preh e paragjykimeve dhe e diskriminimeve”, shprehen ato. Ndryshe nga vitet e tjera ato erdhën në këtë edicion me një baladë, me rrymë pop-alternative.

Bojken Lako Band : I këndojmë qytetit dhe njerëzve

Skenën e festivalit, rokeri Bojken Lako e ka parë si një mundësi të mirë për të promovuar grupin e tij Bojken Lako Band. “Për vetë faktin që luhet live, ishte një mundësi e mirë për të dalë në këtë event prestigjioz, së bashku me grupin tim. Këngën në të gjithë komponentët e saj e kemi bërë të gjithë bashkë”, tha ai. Kënga e Bojken Lako Band titullohet “Të ndjej”, edhe i kushtohet qytetit. “U frymëzova nga jeta që unë bëj në këtë qytet. Unë jetoj në një lagje të re të Tiranës dhe aty shoh energjinë e njerëzve të rinj, që përpiqen të përballojnë jetën. Mua më pëlqen qyteti sepse më pëlqejnë njerëzit që jetojnë në të”, u shpreh ai.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama