Merkatoja e emisioneve politike

Merkatoja e emisioneve politike

Ne jemi një popull që e duam politikën. Ulemi çdo mëngjes në ndonjë kafe me gazetën në dorë e flasim për ato që ndodhën në sheshin e luftës politike, në “Top Story”, në “Opinion”, në “Debat” apo diku tjetër. Edhe këtë vit gazetarët më të mirë të politikës në vend nuk do të na e kursejnë këtë kënaqësi, këtë englendisje të mëngjesit. Sezoni i pushimeve mbaroi edhe për gazetarët më të mirë në treg. Pas një viti të egër politik dhe pas debateve të ashpra, të gjithë ata do të rikthehen në ekranet tona me emisionet e tyre politike. Disa sipas formatit të mëparshëm, ndërsa të tjerë me pak ndryshime në kanale të ndryshme televizive. “Shekulli” do t’ju zbulojë të rejat që vijnë këtë sezon të ri. 

 

Top Story me Sokol Ballën 

 

Këtë vit nuk ka surpriza, për historitë “top” të politikës. Do të jenë nën kujdesin e Sokol Ballës edhe për këtë sezon. Ai i kaluari ka qenë i suksesshëm dhe duket se kështu ka nisur edhe takimi i parë me Ballën edhe këtë sezon. Është rikthyer këtë të enjte në ekranin e Top Channel me emisionin “Top Story”, në një transmetim nga Uellsi, aty ku liderët e vendeve të NATO-s ishin mbledhur në një samit, që diskuton çështje madhore si kriza në Ukrainë dhe strategjia e re e mbrojtjes së NATO-s. Të ftuarit e parë të këtij sezoni të gazetarit Sokol Balla në studion e improvizuar në ambientet pranë samitit kanë qenë ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati dhe kryeministri Edi Rama. 

 

“Opinioni” i Fevziut, një javë më vonë 

 

Thashetheme njëlloj si vitin e kaluar? Jo. Nuk është diskutuar fare për Blendin që do t’i mblidhte “Opinionet” e tij në një studio tjetër, ashtu sikurse ndodhi vjet në këtë kohë. Një status në faqen zyrtare të emisionit “Opinion” e ka sqaruar se emisioni do të riniste sezonin më datë 11 Shtator, në po të njëjtin kanal televiziv dhe në po të njëjtin orar. Në vitin e 18-të të këtyre takimeve, “Opinion” do të ketë vetëm ndryshime në studio. 

 

Roland Qafoku, korrekt deri në detaje 

 

Sezoni i ri nis në shtator, me 1 shtator, njëlloj si shkolla dikur. Dhe Roland Qafoku ka qenë më korrekti. E ka nisur i pari “Debati në Channel One”. Takimi i parë nuk ka qenë një debat i nxehtë, por një rrëfim i jashtëzakonshëm i Nexhmie Hoxhës, bashkëshortes së ish-diktatorit Enver Hoxha, e cila edhe pse pas shumë vitesh ditën e nesërme pushtoi edhe faqet e para të gazetave. Kjo ka qenë edhe hapja e një sezoni që pritet të jetë i suksesshëm edhe këtë vit për Roland Qafokun. Mbrëmjet e takimit janë të njëjtat: të hënën dhe të enjten, në ora 21.00, në “Channel One”. “Shekulli” ju përcjell edhe të ftuarin e radhës. Ai është Saimir Tahiri, ministri i Brendshëm që këto ditë sapo ka mbushur 1 vit në krye të dikasterit blu. 

 

Aleksandër Furxhi largohet nga AS, ndiqeni në Vizion Plus 

 

Gazetarin Aleksandër Furxhi prej vitesh jeni mësuar ta shihni mbrëmjeve në Albanian Screen në “Prizmin” e tij, por këtë sezon nuk do të jetë më pjesë e Albanian Screen. Si shumë figura të këtij televizioni edhe ai ka vendosur të largohet drejt një tjetër kanali televiziv, por pa u shkëputur nga “Prizmi” i tij. Do të vijë me një emision politik të ngjashëm me”Prizëm”,  por ende nuk dihet nëse Vizion  Plus do ta transmetojë formatin e njëjtë të Aleksandër Furxhi me të njëjtin titull. 

 

“Tonight Ilva Tare” 

 

Emisioni i politikës realizuar në Ora Neës nga Ilva Tare rezultoi sfidues dhe i ndjekur. Ilva Tare ka vendosur që edhe këtë vit të vijë në të njëjtin format. Është sërish polikë. Por, ndryshe nga sa më parë ajo ka zgjedhur të jetë në ekran katër ditët e para të çdo jave dhe jo më dy herë në javë ashtu sikurse vitin e kaluar. E enjtja shënoi edhe hapjen e sezonit. Në studio u fol për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë që pritet që edhe javët në vazhdim të kenë të njëjtin intensitet tematik dhe diskutimi. 

 

Babaramo ka përsëri 5 pyetje 

 

Ai do të vijë çdo javë në “A1 Report” dhe si gjithnjë me 5 pyetje për të ftuarit e tij. Në qendër të bisedës do të jetë ngjarja më e bujshme politike e javës e sjellë përmes një interviste, e cila sillet rrotull 5 pyetje të rëndësishme që Babaramo ka për të ftuarin e tij. Edhe për këtë sezon duket se nuk ka ndryshime. Do të mund ta ndiqni në ekranin e A1 Report, çdo të martë në mbrëmje. 

 

Çim Peka e nis me Lulzim Bashën 

 

Çim Peka sjell sërish “Fakt-e”. Edhe ai, njëlloj si Blendi dhe Babaramo na e konfirmoi prezencën e tij, në po të njëjtin vend, në po të njëjtin orar. Na njofton se do të jetë çdo të hënë, të mërkurë dhe të premte në UTV News” në ora 21.00. “Të hënën në ora 21.00 rikthehem në "FAKT". I ftuari i parë për këtë sezon, kryetari i opozitës Lulzim Basha”, njoftonte Peka disa ditë më parë në portalet sociale. 

 

Eni Vasili 

 

Në përpjekje për t’i thënë Enit të mos vonojë në përballjet politike, që shqiptarët aq shumë i duan mbrëmjeve, kemi përshtypjen se do të na duhet të presim pak. Sepse sezoni i kaluar i emisionit të saj ka përfunduar edhe më vonë se sa emisionet e tjera politike. Ajo ende nuk ka njoftuar për nisjen se sezonit të ri. Burime jozyrtare thonë se Eni do ta hapë studion e saj javën që vjen, pasi është me pushime. 

 

Largimet 

 

Sigurisht që do të kishte edhe largime, edhe këtë sezon. Largimi më i përfolur këto ditë ka qenë ai i prezentatorit të njohur Adi Krasta nga kanali Agon, mirëpo kjo u hodh poshtë vetëm disa orë më pas nga Sonila Meço një nga drejtoreshat e informacionit në këtë kanal. Ajo rrëfente përmes një fotografie të realizuar në festën e ditëlindjes së pronarit të kësaj medie se Adi do të ishte edhe këtë sezon në Agon Channel. Fjorën, moderatoren e emisionit Chic +, që jeni mësuar ta ndiqni në Vizion Plus prej vitesh, tashmë do ta ndiqni në televizionin Ora News. Në sezonin e ri që sapo ka filluar, Fjodora do të vijë me një program të ri, të ngjashëm me Chic +, por që me siguri ajo do ta emërtojë ndryshe emisionin e saj. Prej vitesh Fjodora merret me kulturën ndaj edhe pritet që ajo të ruajë në thelb strukturën dhe përmbajtjen e emisionit socialo-kulturor. Fillimi i transmetimit të programit është parashikuar për në datë 15 shtator. Një tjetër prezantues, i cili i ka munguar për këtë rreth një vit në televizion është Bledi Strakosha. Kohët e fundit, ai ishte aktivizuar në një kanal në You Tube ku realizonte emisione për kafshët, e kryesisht për qentë. Që nga e hëna në ora 07.00, ai do të na thotë “Mirësevjen” në TVSH. Strakosha është prezantuesi i emisionit të mëngjesit në TVSH për çdo ditë të këtij sezoni. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama