Nuk është vetëm arma e talebanëve: me rreth 100 milionë ekzemplarët e prodhuar në 60 vjetët e fundit, kallashnikovi (i njohur si AK-47, d.m.th. Avtomat Kalashnikova modeli i vitit 1947) është arma zjarrit më e përhapur në të gjithë botën. Ajo është përdorur si një armë ordinance nga pesëdhjetë vende të ndryshme të botës dhe ka qenë protagoniste në pjesën më të madhe të konflikteve të 30 vjetëve të fundit. Ka edhe nga ato grupe ushtarake si Mozambiku, grupi ushtarak libanez Hezbollah dhe ushtria islamike në Irak, që e kanë bashkangjitur në flamurin e tyre zyrtar.
Efikas
Përse kallashnikovi ka akoma kaq sukses pas 60 vjetësh të krijimit të tij? Arsyet janë të shumta. Mbi të gjitha peshon pak: 3,8 kg pa fishekët me plumba dhe 4,3 kg nëse është i karikuar. Është i besueshëm, preciz, lehtësisht i menaxhueshëm dhe mund të mirëmbahet pa harxhuar shumë. Është i çmontueshëm në 8 pjesë dhe mund të rimontohet në 50 sekonda. Ndër të tjera mund të pastrohet pa problem dhe të zëvendësohet në pjesët që nuk funksionojnë. Është i lehtë që të transportohet, të fshihet dhe të shitet në tregun e zi. Së fundi është jetëgjatë (një kallashnikov mund të qëndrojë në formë të mirë për një kohë të gjatë).
Problemet
Kushton pak: në disa zona të Afrikës për të blerë një AK-47 mjafton të kesh me vete 12 dollarë. Jo rastësisht është arma e preferuar e ushtarakëve, terroristëve dhe milicisë së Botës së Tretë. Është një armë që mund të përdoret lehtësisht edhe nga fëmijët, por që ka efekte shkatërruese.
Historia e saj, e konceptuar në spital
Kallashnikovi është krijuar për herë të parë në Rusi në vitin 1947, në kohën e Luftës së Ftohtë. Shpikësi i saj ishte një nënoficer i ushtrisë ruse, Mikhail Kalashnikov (sot 88 vjeç), i cili u frymëzua kur kaloi një kohë të gjatë shtrimi në spital, për shkak të disa plagëve që kishte marrë në luftë. Pikë referimi për shpikjen e tij ishin armët gjermane të zjarrit.
Variante të ndryshme
Në vitin 1949, kallashnikovi u bë arma që u përdor shumë nga Ushtria e Kuqe dhe në vitin 1964 u bë një ndër armët më të përdorura në shumë vende të tjera, të cilat kishin nënshkruar paktin e Varshavës. Kjo zgjati deri kur Bashkimi Sovjetik vendosi që ta prodhojë i vetëm. Shumë vende të tjera filluan që ta kopjonin, duke i ndryshuar emrin dhe kalibrin. Në Izrael mori emrin Galil, në Finlandë u quajt Valmet, në Indi Insas, në Egjipt MISR, në Hungari AMD 65 në Kinë lloji 56-1 dhe në Kubë AKM.
Masakrat
Asnjë prej këtyre tipave të krijuara nuk e kopjoi ashtu siç duhej prodhimin e AK-47, që qëndron sot modeli më i përhapur në botë. Me ndihmën e AK-47 janë bërë shumë masakra në të gjithë vendet e botës, sidomos në vendet e Botës së Tretë.
Sekreti i saj
AK-47 është armë zjarri: ka karakteristikat e mitralozit (qëllon me breshëri, ka një vend për fishekë) dhe të pushkës (qëllon me një gjuajtje të vetme dhe mund të shkojë shumë larg). Është një armë e lehtë dhe me të mund të arrish të qëllosh edhe kur je në lëvizje. Kallashnikovi mund të njihet lehtë, për shkak të karikatorit që e ka në formë banane. Mund të qëllosh me breshëri, sepse me një karikator mund të qëllohet deri në 30 gjuajtje. Në shkallë teorike është e mundur që të qëllosh 650 gjuajtje në minutë, sepse karikatori mund të zëvendësohet në pak sekonda.
Fuqia
Predha e një AK-47 mund të arrijë shpejtësinë e 700 metrave në sekondë. "Kallashnikovi është ndërtuar duke imituar shembullin e armës së zjarrit gjermane, e cila është përdorur gjatë Luftës së Dytw Botërore, StG-44. Nga kjo armë, AK-47 i kopjoi fishekët (por me madhësi më të vogël 39 mm në krahasim me ato që përdoreshin njëherë e një kohë që ishin 54-36 mm). Kallashnikovi ka avantazhe të mëdha: mundësinë për ta transportuar dhe për të qëlluar me shumë fishekë, një peshë që mund të transportohet shumë kollaj dhe mund të menaxhohet lehtësisht në sulme.
Tregu: Në Irak kushton 16 dollarë
Kallashnikovi sot prodhohet në Rusi, në vendet që kanë nënshkruar paktin e Varshavës, por edhe në Kinë, Irak, Egjipt, Izrael, Finlandë, Korenë e Veriut dhe Indi.
Çmimet
Sot një kallashnikov ka një tarifë që varion në varësi të vendeve: në Irak, për shembull, kushton 16 dollarë, në Kolumbi, 3000. Në një llogari të bërë para pak kohësh rezulton se që nga viti 1947 janë shitur rreth 100 milionë kallashnikovë.
Skeda teknike
Gjatësia: 870 mm
Pesha pa karikator: 3,8 kg
Me karikator 4,3 kg
Karikatori: 30 gjuajtje
Municione: 7,62 x 39 mm
Marre nga : Gazeta Shqip











