Mbi nje kontrate mes BE-se dhe Akademise Shqiptare te Shkencave

Mbi nje kontrate mes BE-se dhe Akademise Shqiptare te Shkencave

Akademia e Shkencave nën hije dyshimi? Emërohen drejtorë të rinj të institucioneve shkencore intelektualët e listës “Topalli” që anatemuan opozitën e djeshme. Kryerja e studimeve hidrologjike dhe hidraulike për rregullimin e rregjimit ujor të Liqenit të Shkodrës dhe të lumenjeve Drin e Buna dhe nevoja për një audit të MAS. Mjergullnajë në transparencën për financimet e projektit të rëndësishëm me Malin e Zi, me partner udhëheqës shqiptar, Akademinë e Shkencave. Çfarë ka ndodhur me projektin dhe kush e udhëheq atë?

Epilog në vend të prologut…


Shumëkush e kujton me saktësi fytyrën e gëzuar të ish-spikeres së Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli, kur, pak para përfundimit të afatit për tentativën për pranim (për herë të tretë) të Shqipërisë në BE, në Kuvend u paraqit një listë e firmosur nga 110 (fiks 110) intelektualë që sa nuk  “kryqëzonin” opozitën dhe vetë kreun e atëhershëm të opozitës, Edi Rama, që ishin bërë pengesë për pranimin e Shqipërisë në Europë. Historia është e njohur dhe madje, edhe hollësitë e saj.


Unë po hedh vështrimin në një anë tjetër të kësaj historie, te njerëzit që kishin firmosur peticionin “e shenjtë”, të cilin e tundtte me shumë ndjeshmëri ish-spikerja dhe për të cilët (firmëtarët) Sali Berisha, atëherë kryeministër, sa nuk kishte thënë se dëshironte t’i përqafonte të tërë, një për një! Kështu thuhet se kishte ndodhur.


Lista kishte 110 persona, të gjithë thuajse të njohur, kundërshtarë të hapur politikë të së majtës në opozitë, mbështetës deri në militantizëm të së djathtës në pushtet. Por edhe të shkolluar, pra intelektualë! Me tituj e grada shkencore. Unë vura re se në këtë listë numrat 3,4,5,6, numrat 23, 24, 25, 26, 27 numrat 36, 37, 38, 39, 40, 41 dhe numrat 47&48 dhe 88&89 ishin të gjithë punonjës të një institucioni të vetëm, të Institutit të Gjeoshkencave dhe Energjisë, Ujrave dhe Mjedisit, (IGJEUM) që ishin vendosur në këtë listë nga Universiteti Politeknik i Tiranës, nga vareshin juridikisht.


Atëherë kjo nuk ishte shumë e rëndësishme: mund të ishin nga kushdo institucion. Tani këto numra janë të rëndësishëm, jo vetëm sepse kanë lidhje me projektin e mësipërm, për të cilin do të shkruaj më gjatë, por edhe sepse nga qeveria e re e z. Rama, janë “graduar”, do të thotë kanë marrë poste, jo pak të rëndësishme. Psh, nr 25 i listës jozefiniane, Prof. As. Dr Fatos Hoxhaj, është bërë drejtor, drejtor i Institutit të Gjeoshkencës dhe Energjisë, Ujrave dhe Mjedisit (IGJEUM). Vetëm pak kohë më parë, ky person është “zgjedhur” drejtor i IGJEUM dhe ka marrë detyrën e re, datë 22 Maj 2014. Mund ta ketë merituar ose ta ketë fituar me votë? Po, dakort, edhe kështu mund të jetë, por unë kam dijeni se një dosje me plot kundërshti e ish drejtorit të IGJEUM dhe kandidat për këtë funksion, është depozituar në paradhomën e Kryeministrit dhe në tavolinën e MAS. Që lidhet me procedurat, me zgjedhjet, me kandidimin, me shkeljet ligjore që fillojnë që nga mënyra e organizimit të zgjedhjeve në IGJEUM, që nga dita e krijimit të tij të “paligjshëm” e deri sot etj etj. Unë nuk do të ndaloj me këtë çështje, me të cilën tani mund të merren autoritetet publike.
 
Çfarë është duke ndodhur me Akademinë e Shkencave?


Dritëhije dyshimi mbi një kontratë mes BE-së dhe Akademisë Shqiptare të Shkencave? Kryerja e studimeve hidrologjike dhe hidraulike për rregullimin e rregjimit ujor të Liqenit të Shkodrës dhe të lumenjeve Drin e Buna ka qënë një project që kemi vëzhguar nga afër. Por ka mjergullnajë në transparencën për financimet e projektit të rëndësishëm me Malin e Zi, me partner udhëheqës shqiptar, Akademinë e Shkencave. Çfarë ka ndodhur me projektin dhe kush e udhëheq atë?


Ky institucion i rëndësishëm ka nënshkruar një kontratë për të përdorur paratë e taksapaguesve europiane në kuadër të IPA, për të kryer një studim hidrologjik dhe hidraulik për rregullimin e rregjimit ujor të Liqenit të Shkodrës (ju kujtohen përmbytjet e përvitshme të nënzonës) si dhe të lumenjve Drin dhe Bunë. Kontrata ka nr 2012/287-023. Në datën 06.12.2012 Europa ka dërguar eurot te z. Gudar Beqiraj, Kryetar i ASHSH. Ky titullar ka qënë korrekt me ligjin, ka respektuar procedurën standart të BE-së, ka nënshkruar një kontratë me UPT, ku është rektor  Jorgaq Kaçani, një homolog në titull me të dhe kanë përcaktuar së bashku partnerin e projektit të mësipërm, që është IGJEUM.


Në datën 29.07.2013, me shkresën nr. 19/35 prot, Salvator Bushati i dërgon lajm UPT duke e njoftuar se “në cilësinë e institucionit lider në projekt, Akademia e Shkencave ka zhvilluar procedurat e prokurimit për blerjen e pajisjeve të parashikuara në projekt (nga dokumentet e verifikuar nga ana ime transhi i parë i projektit nuk i kalonte 100 mijë euro). Bushati i thotë Rektorit të UPT se “këto pajisje do të përdoren nga anëtarët e IGJEUM, anëtarë të projektit” dhe i tërheq vërejtjen: “për implementimin e plotë të projektit…të merrni masat e nevojshme për marrjen në përgjegjësi të këtyre pajisjeve, deri në përfundim të projektit”.


Një ditë më vonë, në datën 30.07.2013, me shkresën nr 951/1, rektori i UPT i kërkon drejtorit të IGJEUM, Prof. Marenglen Gjonaj “të përmbushë detyrimet e parashikuara në marrëveshjen e bashkëpunimit me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë”, sikurse theksohet “për realizimin me sukses të projektit në fjalë”.


Dua të shtoj edhe dy fjalë lidhur me pajisjet e blera nga ASHSH: Janë tre laptop-ë me vlerë 287.996 lekë, një work station me vlerë 599.999 lekë, dy GPS me vlerë të përgjithshme 71.998, një automjet tip Land Rover me vlerë 2.412.000 dhe katër softwere (hidraulik+hidrologjik) me vlerë të përgjithshme (përfshirë TVSH) 9.072.000 lekë.
 
Ku shkuan pajisjet e prokuruara dhe të tenderuara  nga ASHSH?


Nga një shikim i shpejtë i dokumentacionit (shumë e vështirë që në rrugë ligjore të gjesh informacionin e kërkuar në këto institucione) rezulton se pjesa dërmuese e pajisjeve janë firmosur nga z. Fatos Hoxhaj. Ai nuk ka qënë drejtor i IGJEUM në këtë periudhë, detyrë që e mbante Marenglen Gjonaj. Pikërisht, ky është z.Fatos i listës xhozefiniane! Mbase rastësi? Prit! Në dosjen e projektit që gjendjej në IGJEUM nuk ka asnjë produkt të paraqitur!?


Në 1 nëntor 2013 vendoset drejtor i ri i IGJEUM. Nuk gjendet asnjë shkresë e z. Gjonaj që të ketë marrë në dorëzim pajisjet e z.Gudar Beqiraj. Por gjendet një shkresë dhe një kërkesë e drejtorit të ri  të IGJEUM, që këmbëngul të bëjë një analizë të plotë të dosjes në fjalë. Kjo këmbëngulje i përket muajit mars 2014?!


I kontaktuar, ish drejtori - tani nuk është më drejtor- thotë se pas kësaj kërkese përgjigja ishte “dosjen që kërkon, po e shohin shefat”! Specialistë të tjerë të këtij institucioni shkencor nuk arrijnë të më shpjegojnë se si janë blerë dy stacione hidrologjike në 25.06.2013 me një vlerë mjaft të madhe: 19.566 Euro!!! Ju do të shihni më poshtë edhe faksimilet e faturave me të cilat janë marrë në dorëzim këto produkte te prokuruara nga ASHSH dhe jam i bindur se nuk do t’u besoni! Adresa e blerësit lexon thjesht: “Fatosi”!


Tre laptop-et janë marrë në dorëzim nga Fatos Hoxhaj, automjeti me vlerë 2,4 milionë lekë është firmosur nga Fatos Hoxhaj. Në dy ditë në terren (12.10.2012 dhe 26.11.2012 janë shpenzuar 3.000 Euro. Për tërë vitin 2013 për shërbime në terren janë shpenzuar 4 536 Euro! Pas 1 nëntor 2013, nuk ka asnjë shpenzim në terren?! Në tabelën e plotë të shpenzimeve (që e disponon jozyrtarisht autori) ka shënimin “janar 2014-honorare 158 Euro”?!!


Në fakt, nuk është se jemi dukë bërë auditin për këto raporte financiare, ky audit është detyrë e MAS dhe e KLSH. Por ajo që duam të theksojmë është se si ka mundësi që me një projekt të tillë të rëndësishëm të mungojë transparenca, të jetë “i nënës” një drejtor dhe i “njerkës” drejtori tjetër, që pajisjet me vlera financiare të merren në dorëzim me letra bakalli, që këmbëngulja për të vendosur drejtor të IGJEUM personin e listës “xhozi” të jetë komedi e gjallë, që një pjesë e konsiderueshme e intelektualëve të spikatur të këtyre institucioneve të “prosvalen” në këtë mënyrë, duke mos pyetur as ligj dhe as rregull? Që nga emërimi e ç’emërimi i drejtorëve e deri tek firmosja e shumave të konsiderueshme financiare në fatura të çuditshme! Ka nxjerrë një urdhëresë Ministre e Arsimit dhe Sportit, zonja Lindita Nikolla, shkresën me nr 106, dt 28.03.2014 “Për kryerjen e kontrollit të zbatimit të ligjshmërisë në institucionet publike dhe jopublike të arsimit të lartë”, që duhet t’i verë në tavolinë titullares  së MAS të gjithë mangësitë brenda datës 31 maj 2014. Urojmë që të jetë respektuar kjo dhe shpresojmë që të ketë më shumë transparencë në MAS për të parë edhe të vërtetën lidhur me shqetësimet e mësipërme.


Me pas do të jemi serish të prirur të mësojmë edhe për projekte të tjera, si ai i “Rrjeti i Adriatikut bazuar në Integrimin e sistemit të Radarëve dhe Platformave Web”, ku spikasin të njëjtët “aktorë” dhe vihen re pothuajse të njëjtat dukuri si këto që përmendëm më lart në përdorimin e parave të projekteve. Por për këtë le të shkruajmë në një nga numrat e ardhshëm. Të mësojmë së pari si janë përdorur 91.749,56 Eurot e transhit të parë! Të tjerat, më pas.
         


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama