Massimo Ranieri Ditelindja nje rrefim ne Tirane

Massimo Ranieri: Ditëlindja, një rrëfim në Tiranë

Artisti italian, i njohur nga publiku shqiptar më shumë si këngëtar, ka ardhur bashkë me regjinë e një Traviate moderne. I është vënë punës deri në detaje, duke harruar gjithçka jashtë spektaklit. Madje edhe që e djeshmja shënonte 56-vjetorin e tij të lindjes. Urimet kanë qenë një surprizë për Ranierin. Do ta merrte me hezitim ftesën e drejtorit Zhani Ciko për të bërë një mbledhje. I është thënë se ka disa probleme që duhen zgjidhur. Nuk i ka ngjitur me qejf shkallët për të shkuar në zyrë, ku në vend të vend të një mbledhjeje rutinë, e kanë pritur urime të shumta. Një tufë lule, një tortë ditëlindje dhe disa fotografi me artistët shqiptarë, u kthye në një festë modeste për artistin. Pas kësaj, ai i është kthyer sërish sallës së provave.

Tragjedia e Violetës e ka pushtuar të tërin. Këmbëngul deri në detajin më të vogël. Padyshim që më shumë se kushdo këtë e ndjejnë artistët e TOB-it. Ranieri nuk kërkon thjesht këngëtarë, por edhe shpirt aktori. Ka menduar një Traviatë moderne, të cilën e ka kërkuar në rrugën e vazhdueshme të eksperimentimeve të tij. Në intervistën e mëposhtme ai zbulon se çfarë do të sjellë për publikun shqiptar dhe aventurën e tij për të bërë regji lirike.
Keni festuar një përvjetor në Tiranë. Si e përjeton Ranieri një ditë të tillë?


Të bën të shohësh para, por njëkohësisht të shohësh edhe se fundi është gjithnjë e më afër. Je një vit më i vjetër. Gjithashtu, mendon edhe të ardhmen. Mundohesh ta shohësh më mirë se një vit më parë dhe shpreson që viti që vjen të jetë me më shumë diell, me pak re dhe kohë të keqe, që të jetë pak më i qartë për të gjithë ne dhe pak më i qetë.
Prej disa ditësh ndodheni në Tiranë për të vënë në skenë operën Traviata. Që në fillim është cilësuar si moderne. Si do të jetë në të vërtetë Traviata që do ngjitet në skenë?
Nuk është klasike. Unë e kam sjellë Traviatën më ndryshe nga ato që kam parë deri më tani, sepse nuk më pëlqen ta sjell si një vepër borgjeze. Është një “Traviatë” shumë realiste, që flet për një argument universal, siç është dashuria. Dashuria është e njëjtë si në vitet 800, 2000, 5000 vjet më parë apo edhe në kohën e Adamit dhe Evës. Ndjenjat janë të njëjtat, kështu që e kam transferuar këtë histori pothuajse në ditët tona, ku një vajzë shumë e sëmurë takohet me një djalosh dhe dashurohen çmendurisht. Asaj i ndodh tragjedia më e madhe e jetës. Një tragjedi që është më e madhe se sëmundja, dashuria. Që kur ka qenë e vogël, Violetës i është imponuar të mos dojë, të mbyllë zemrën dhe ta kthejë në një copë mishi normal, që nuk pulson dhe nuk rreh ndaj emocioneve të forta. Ajo nuk mund të dashurojë, ajo duhet të punojë. Kuptim e dashurisë që po përjeton e gjen brenda një fraze të vetme “Ç’gjë e mrekullueshme është të jesh e dëshiruar dhe të duash”. Në momentin që ajo shkon në shtrat me baronin, markezin apo klientë të tjerë, atë e dëshirojnë, por ajo nuk i do.

Duket se tentoni më shumë te personazhi i Violetës se sa te historia në tërësi?
Më ka interesuar më shumë drama e vajzës, një vajzë që vdes që në moshën 19-vjeçare, se sa të tregoj atë botë që ne tashmë e njohim. I jam kushtuar dramës dhe bukurisë së dashurisë që lind te Violeta. Drama e sëmundjes së saj dhe dashuria e këtyre të rinjve që takohen dhe ndahen. Violeta arrin më në fund të hapë strofullën e zemrës së saj, ka filluar të ndjejë pulsimet. Por kjo e gjitha kthehet në tragjedi. Ajo nuk mund të dashurojë në këtë botë, ku duhet të duash gjithnjë e më shumë. Më ka interesuar shumë edhe jeta e Violetës së djeshme, të asaj fëmijë që në moshën 13-vjeçare është hedhur në rrugë për të punuar si prostitutë. Për këtë do të shohim në skenë në fillim të preludit një vajzë (një retrospektivë e jetës së saj për ta njohur para se të bëhej Violetë), që kur ishte fëmijë ndoshta donte të bëhej balerinë në Paris. I njëjti prelud do të jetë edhe në fund. Ajo jeton në një botë të ashpër, ku çdokush njihet me tjetrin vetëm nëpërmjet shampanjës, kokainës, festave, karrocave të fundit të 800-ës.
E mendoni se si mund të reagojë publiku përballë “Traviatës” tuaj?


Nuk e njoh publikun këtu, edhe pse më kanë thënë që është i afërt me teatrin. Kjo është “Traviata” ime. Njerëzit mund të presin edhe një oper klasike, por unë i jam dedikuar këtij projekti, kam punuar shumë dhe jam i lumtur që e bëj kështu. Nuk do ta ndryshoja kurrë. Pas Tiranës do të shkoj në Napoli dhe do të bëj një “Traviatë” tjetër po në këtë version. Atje e njoh publikun, se është qyteti im. Megjithatë, përsëri pajtohem me publikun. Nëse atij nuk i pëlqen “Traviata” ime, do të thotë se ka dashur të shohë diçka ndryshe.
Prej disa ditësh po punoni me artistët e TOB-it. Cilat janë përshtypjet e para?
Unë kam punuar edhe më parë me artistë shqiptarë, siç është Ermonela Jaho dhe Inva Mula. E mendova që më parë se këtu mund të kishte profesionalitet të madh dhe kështu e gjeta te Eva, Mariana, personazhet e tjerë apo edhe artistët e korit. Në katër ditë ne kemi arritur të kalojmë gati të gjithë operën dhe kjo është e mrekullueshme, nuk ka ndodhur në historinë lirike. Kjo është meritë e tyre, unë jap udhëzimet dhe ata i zbatojnë.


Gjatë provave ju keni insistuar jo vetëm te zëri, por edhe shprehja artistike e këngëtarëve. Sa e rëndësishme është për ju?
Që në fillim më mahniste mendimi që t’i bëja këngëtarët edhe pak aktorë. Përgjithësisht këngëtari lirik mendon vetëm për zërin. Sot kohët kanë ndryshuar. Këngëtarët e rinj duhet të jenë edhe pak aktorë, sepse publiku duhet të jetë i lodhur duke parë një këngëtar statik, që këndon dhe ikën. Duhen përfshirë edhe pak veprime fizike, gjë që kërkon shumë sakrifica nga ana e këngëtarëve. Në fakt i shoh pak të lodhur.


Ju keni punuar me dy Violeta shqiptare; Ermonela Jahon dhe Inva Mulën. Si ka qenë ky bashkëpunim?
Ishte një bashkëpunim fantastik, mbi të gjitha me Ermonelën. Ermonela më kujton veten kur isha i ri, me një dëshirë të madhe për të mësuar. Ajo merr vazhdimisht. Është një artiste e mrekullueshme. Po ashtu edhe Inva Mula, por kam punuar më shumë me Ermonelën dhe Invën, nuk pata mundësi ta njihja në thellësi.
Veshjet dhe skenografia do të jetë po si vënia në Itali?


Veshjet do të jenë ato të viteve ’50-’60, ndërsa skenografia do të jetë shumë e thjeshtë. Pas kemi perden e zezë dhe karrige të thjeshta të vendosura në formë arene. Jam munduar t’i përshtatem kësaj dramaturgjie. Nëse do të kisha variant klasik, atëherë edhe unë mund të përdorja dritare të mëdha, ambient madhështor. Gjithçka ndodh rreth një divani, që është edhe shtrati i saj i vdekjes.
Çfarë ju shtyu të merreshit me operën?


Nuk e di, kishte kohë që doja të kaloja në regji, megjithëse jo në lirikë. Unë jam aktor dhe mendoja që puna ime e parë do të ishte një Çehov, Pirandelo apo Molier. Në fakt kjo gjë e bukur më ndodhi 5 vjet më parë në operën Macerata, ku unë iu futa kësaj rruge.
Nga kënga, aktrimi, regjia...A nuk ju lodh ky rrugëtim?


Është një dëshirë për të njohur gjëra që nuk i njoh. Është si të hapësh një dritare të re në botë dhe asnjëherë nuk kthehem pas. Edhe kjo që po kaloj këtu është një tjetër emocion. Është gjithnjë një zbulim. Megjithatë është e vështirë, sepse një njeri që nuk rri asnjëherë në një vend, idealisht është gjithnjë me bagazhe në dorë, gjithnjë në një tren, makinë, aeroplan, je gjithnjë duke parë rrugët, duke njohur shtëpitë, njerëzit etj.
Sa po i kushtoheni këngës këto kohë dhe a do të dëshironit të ishit në Shqipëri si këngëtar?
Pas “Traviatës” këtu dhe në Napoli do të vazhdoj turin e koncerteve në Itali. Do të më pëlqente shumë të vija edhe këtu nëse do të më bënin një ftesë. Me sa di, në të kaluarën time këtu kam qenë një këngëtar i njohur.

Oliverta Lila - Gazeta Shqiptare


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama