Në Gjermani opinioni publik filloi t´i kushtojë vëmendje këtij problemi pas vrasjes në mes të rrugës së vajzës me origjinë kurde, Hatun Surucu, në shkurt të vitit 2005. Ajo u qëllua me plumba për vdekje nga vëllezërit e saj, sepse ishte larguar nga familja, që donte ta martonte kundër dëshirës së saj.
Strehimoret e grave ofrojnë ndihmë për vajzat që i ikin martesës së detyruar
Është një shtëpi e fshehur në një rrugë të ngushtë në mes të qytetit. Muret e lartë mbulohen nga gjethet e dendura që shtrihen pothuajse edhe mbi derën kryesore. Një derë qelqi që është e kyçur. "Këtu nuk hyn dot kushdo. Unë mora më parë në telefon dhe tani më presin. Dhe kjo është diçka shumë e mirë, sepse po të hynin të gjithë njerëzit këtu, do e dinin të gjithë këtë vend".
Sana është 19 vjeçe dhe ka prejardhje turke. Nuk do ta tregojë emrin e saj të vërtetë, sepse ka 6 muaj tashmë që ka ikur nga shtëpia, duke u larguar kështu nga familja e saj. Ajo ka një fytyrë të butë dhe të qeshur: "Po ta dinin vëllezërit ose babai im ku jam, atëherë do isha e vdekur tashmë. Nuk do të ma falin kurrë që ika nga shtëpia".
Ajo iku sepse donin ta martonin me detyrim dhe kërkoi ndihmë në një strehimore për gra që rrezikohen nga martesa e detyruar në Bielefeld të Gjermanisë. Birgit Hoffmann Reuter, drejtoresha e këtij institucioni, njeh qindra raste të tilla. Qysh prej 10 vitesh punon këtu: "Vajzat janë midis moshës 12 dhe 27 vjeç. Ato mund të na marrin në telefon, por mund të na kontaktojnë edhe online. E dimë tashmë se komunikimi online është një mundësi e mirë për vajzat që të vendosin kontakt me ne, sepse ato mund të na shkruajnë në çdo orë. Ne i këshillojmë ato në gjuhën gjermane, angleze, turke, kurde, arabe dhe në gjuhën shqipe".
Mes vajzave, edhe shqiptare
10 bashkëpunëtore këshillojnë dhe ndihmojnë vajza që janë keqtrajtuar fizikisht dhe në mënyrë psikike nga prindërit e tyre. Shumë prej tyre janë detyruar të martohen me dhunë. Shumica e vajzave vijnë nga Turqia, por ka edhe nga Kosova, Irani, Pakistani dhe Sri Lanka. Rreth 200 vajza kërkuan gjatë vitit të kaluar ndihmë te kjo strehimore.
Detyrimi për martesë fillon aty ku fillon presioni
60 prej tyre ndodheshin në prag të një martese të detyruar. Drejtoresha Birgit Hoffmann-Reuter shpjegon: "Detyrimi fillon në momentin kur ushtrohet presion. Pak rëndësi ka se në cilën formë shfaqet ky presion. Mund të jetë dhunë fizike, por mendoj se kur prindërit ushtrojnë presion ndaj fëmijëve të tyre, duke thënë do martohesh me këtë apo atë, atëherë ky presion është detyrim. Kur vajzat nuk pranojnë, ato e vuajnë atë nëpërmjet mungesës së dashurisë, ose duke dëgjuar se po shkelin me këmbë nderin e familjes".
Edhe Sanës iu desh të dëgjonte shpesh akuza të tilla. Familja e saj erdhi përpara 15 vitesh në Gjermani. Sana ishte 4 vjeçe. Ajo u ambientua shpejt me atdheun e ri, kishte shoqe gjermane dhe ndonëse familja e saj ishte shumë konservatore, ajo nuk mbante shami koke dhe shkonte edhe në shtëpitë e shoqeve gjermane për vizitë. Deri sa mbushi 17 vjeç. Aty ndryshoi gjithçka: "Papritur duhet të kthehesha menjëherë pas shkolle në shtëpi. Nuk më lejonin të bëja më asgjë. Prindërit më thoshin se isha një grua tashmë. Por nuk më tregonin gjë. Kur fillova të pyes përse po na vinin kaq shumë njerëz për vizitë në shtëpi, mamaja më tha se po kërkonin një burrë për mua".
Por Sana nuk donte të martohej. Sidomos jo me një burrë që nuk e njihte. Ai vinte nga Turqia, nga e njëjta zonë si familja e saj. Por kur mësoi se pas martese do të jetonte në Turqi, te familja e burrit, ajo nuk dinte ca të bënte: "Isha e dëshpëruar. Nuk doja ti mërzisja prindërit, ndaj pranova të martohesha për hatër të tyre. Por kur më thanë se do shkoja në Turqi pas dasmës, nuk munda më. Më duhej të dilja që aty".
Tani. qysh prej 6-muajsh jeton në një strehimore për raste të tilla. Prindërit e saj nuk e dinë ku është dhe Sana është e pikëlluar mbi këtë gjë: "Më merr malli për ta, por ça mund të bëj. Nuk mund të jetoj dot në një familje që s‘e njoh e që jeton në Turqi".
Marre nga : Gazeta Shqip











