Manual per parate e pista Ja si nje politikan legalizoi 500 mije euro ne nje vit

Manual per parate e pista: Ja si nje politikan legalizoi 500 mije euro ne nje vit

Agjencia kundër Pastrimit të Parave dërgoi në Prokurori 7 politikanë për “legalizimin” e parave të dyshimta, por asnjë prej tyre nuk u procedua. Zbardhet skema se si një ish-zyrtar pastroi 500 mijë euro, burimi i të cilave është i paqartë

Tiranë Drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave, Gent Gazheli, duke prezantuar raportin vjetor në komisionin e Sigurisë tha se të paktën 7 politikanë janë dërguar në prokurori për pastrim parash. Gazheli nuk publikoi emrat e politikanëve të dyshuar, por tha se prokuroria shpeshherë nuk i kupton siç duhet këto vepra, çka bën që dosjet e dërguara në gjyq të jenë të rralla, ndërsa vendimet e gjykatës akoma më të rralla. “Informacionet e referuara në prokurori për rastet e dyshuara për pastrim parash nuk përbëjnë provë në kuptimin e ligjit. Në këto kushte, unë nuk mund të publikoj emrat dhe të dhënat e subjekteve që dyshohen për pastrim parash”, – tha Gazheli pas interesimit të gazetës “Mapo”.

 

Por sipas procedurës që ndjek prokuroria në raste të tilla rezulton se ky informacion që Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave referon, verifikohet ligjërisht dhe në rast se konstatohen elemente të veprës penale, organi i akuzës regjistron procedim penal për subjektet e dyshuara. Por, pavarësisht mungesës së emrave të politikanëve, në raportin vjetor të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave jepen të paktën tre shembuj, të cilët konsiderohen si modele klasike të pastrimit të parave nga ana e zyrtarëve. Rastet konkrete të pastrimit të parave i përkasin vitit 2013 dhe më së shumti si mburojë përdorin bizneset fiktive, nëpërmjet të cilave vihen në qarkullim paratë me burim të dyshimtë. Rasti më klasik që është prezantuar edhe në raportin vjetor i referohet një zyrtari që aktualisht rezulton jashtë vendit, ndërsa ka mbajtur tri detyra të rëndësishme nga viti 2006. Ky person, sipas Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, brenda pak kohësh ka përfituar në llogarinë e tij 300 mijë euro, ndërsa në total ka qarkulluar shumën e 500 mijë eurove, para këto që vinin nga një kompani e regjistruar në Shqipëri. Një pjesë e këtyre parave janë transferuar jashtë vendit, ndërsa subjekti ka deklaruar se paratë ishin marrë hua nga e njëjta kompani.

 

“Në vitin 2012 ka pasur një transfertë në mbërritje në llogarinë e tij individuale me dërgues shoqërinë ‘M’ në shumën 50 000 Euro me përshkrim “dividend i vitit 2012” dhe në vitin 2013 ka pasur një transfertë tjetër në mbërritje nga kjo shoqëri në shumën prej 250 000 euro me përshkrim ‘kalim fondi në llogarinë e pronarit’. Gjithashtu kishte edhe një transfertë tjetër në mbërritje në llogarinë e tij bankare individuale në vitin 2013 me dërgues një person të tretë ‘S’ në shumën prej 100 000 EUR, pa përshkrim”, thuhet në raportin vjetor të Drejtorisë së Pastrimit të Parave, duke iu referuar dyshimeve se paratë mund të kenë ardhur si pasojë e veprimtarisë korruptive. Nga hetimi i kryer rezulton se personat që kanë dërguar paratë në llogarinë e subjektit janë të lidhur me kompaninë “M”, njëri pronar dhe tjetri administrator i kësaj shoqërie. “Nga verifikimet në të dhënat tona rezultoi se shtetasi ‘D’ kishte nënshkruar një kontratë huaje me shtetasin ‘S’ sipas të cilës i merrte hua shumën 500 000 EUR për 12 vjet dhe mënyra e kthimit të huasë do të ishte nga fitimet e realizuara nga shoqëria ‘M’. 

 

Përveç këtyre nga investigimi financiar rezultoi se kishte transferuar edhe 300 000 EUR të tjera drejt llogarisë së tij personale jashtë vendit, të cilat i ishin transferuar nga shtetasi ‘S’ si përfaqësues i shoqërisë ‘M’. Për shtetasin ‘S’ nuk rezultonte të dispononte apo të kishte disponuar këto shuma të larta apo të kishte ndonjë burim tjetër të ardhurash në këto vlera”, thuhet në raport. Por ky është vetëm një nga rastet e evidentuara, pasi nga hetimi i kësaj drejtorie janë zbuluar edhe raste të tjera të fshehjes së të ardhurave, apo transferimit të parave jashtë vendit. Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave jep edhe dy shembuj të tjerë, kur subjektet kanë fshehur të ardhurat nëpërmjet manovrave me kompani fiktive të krijuara në Shqipëri, si dhe shuma të konsiderueshme të larguara jashtë vendit për qëllime biznesi, ndërsa burimi i tyre është i dyshimtë. Të gjitha këto raste i janë referuar prokurorisë përgjatë vitit 2013, ndërsa drejtori i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave thotë se nuk ka informacion se çfarë ka ndodhur me këto çështje në prokurori.

Gazheli: Policia dhe Prokuroria, mangësi në hetimin e pastrimit të parave

Në raportin përmbledhës për vitin 2013, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave thotë se ka referuar në prokurori të paktën 35 raste ku janë konstatuar lëvizje të dyshimta parash, apo siç quhen në gjuhën zyrtare “Raport i Aktivitetit të Dyshimtë”. Por pavarësisht numrit të lartë të referimeve, në raport citohet se ende nuk ka një sistem të konsoliduar për ndjekjen e tyre nga prokuroria apo policia, edhe pse ka një marrëveshje të nënshkruar për këtë qëllim. “Pavarësisht se të dhënat janë të pjesshme e të pakonsoliduara, numri i rasteve të cilat dërgohen në gjykatë për pastrim parash është i ulët dhe akoma më i ulët numri i vendimeve të dënimit.

 

Ky konkluzion është i shprehur edhe në progres-raportin e Komisionit të BE-së për vendin tonë për vitin 2013. Bazuar në të dhënat që kemi pasur në dispozicion dhe siguruar me anë të kërkesave të vazhdueshme për ecurinë e rasteve, në mënyrë të vazhdueshme dhe në mënyrë institucionale kemi shprehur qëndrimin tonë mbi mangësitë e konstatuara në trajtimin e rasteve të dyshuara për pastrim parash, qoftë nga Policia e Shtetit apo Prokuroria”, thuhet në raport. Megjithatë referuar rasteve me aktivitet të dyshimtë financiar, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave përgjatë vitit 2013 ka vendosur sekuestron dhe bllokimin e shumave të konsiderueshme parash. “Për periudhën janar- dhjetor, 2013 janë nxjerrë 15 urdhra bllokimi për fonde dhe llogari bankare të dyshuara si të lidhura me aktivitete të jashtëligjshme.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama