Maja me e larte e Amerikes Latine mban edhe flamurin shqiptar

Maja me e larte e Amerikes Latine mban edhe flamurin shqiptar

Ai është vetëm 20 vjeç por e njeh dhe e do natyrën ashtu si pak të rinj në Shqipëri. Pasioni i tij është të merret me aktivitete që e lidhin atë drejtpërdrejtë me natyrën. Mateo Begeja, djaloshi emri i të cilit është bërë i njohur për ngjitjen e tij në Everest, këtë herë vjen me një triumf në Shqipërinë e tij. |Nuk ka shumë që është kthyer nga maja më e lartë e Amerikës Latine, Akonkagua, 6,962 metra. Ka shkuar në Argjentinë për të ngjitur majën më të lartë të Amerikës Latine dhe për të ngulur aty flamurin shqiptar. Sigurisht që është shumë e vështirë që të ngjitëesh në një nga majat më të larta të botës për të vendosur një flamur, por Mateo e bën atë me pasion.

 

Sepse paçka vështirësive që mund të ketë ai e dashuron këtë sport. Nga biseda me të kkuptojmë se sa më lart të ngjitesh, aq më evështirë është të mbusheshe me frymë. Sa më lart ngjitesh, aq më ftohtë bënte. Dhe moti në këtë periudhë nuk duket edhe shumë miqëso. Mirëpo, Mateo siç duket kishte aftësinë dhe përgatitjen e duhur për ta përballuar këtë sfidë të cilën i kishte caktuar vetes. Na rrëfen se udhëtimi për në majën më të lartë të Amerikës Latine, Akonkagua, 6,962 metra, ka zgjatur 15 ditë. Ishte së bashku me dy alpinistë të tjerë, veteranin 65-vjeçar Ibrahim Haçkaj dhe Florian Haçkaj.

 

Mateo rrëfen se Floriani u tërhoq në fund të rrugëtimit. Ishte i detyruar të tërhiqej, pasi mund të humbiste gishtat. Këmbët i kishin ngrirë. Floriani mund ta arrinte majën, por në kthim, ai nuk do të mund ta përballonte të ftohti. Gjatë ngjitjes alpinisti Florian Haçkajt në lartësinë 6700 metra, pra 262 metra nën majën e shumëpërfolur të Argjentinës i kishte filluar ngrirja e gishtave të këmbëve që në fillim të ngjitjes nga Kampi 3 në 5970 metra për shkak të këpucëve të ngushta dhe me një shtresë. Udhërrefyesit i këshilluan kthimin, por Floriani, një orë më vonë u bind dhe vendosi të kthehet për të mos rrezikuar më shumë shëndetin.

 Rrugëzgjidhja e vetme ishte ndarja me mikun e tij Mateon, i cili mundi të kthehej fitimtar në atdhe. Ndërsa 65-vjeçari e kish lënë rrugëtimin e tij për në Akonkagua pasi u detyrua të tërhiqej një javë përpara se të mbërrinin në pikëmbërritje, për arsye mjekësore. Ndërkaq, Mateo e ka arritur me sukses majën më të lartë të Amerikës Latine në orën 14:05 me orën lokale, 18:05 me orën e Tiranës. 26 janari për të shënon një triumf. Por për këtë triumf, Mateo kujton edhe stërvitjen e tij për në majën e Everestit. Më parë Mateo ka thënë për mediet se ngjitja në Everest ka qenë një ndër eksperiencat e tij më të bukura. “Moment të veçantë do ta quaja valëvitjen e flamurin shqiptar në majën e Everestit. Është nder, krenari që i shërbeva kombit shqiptar dhe sportit shqiptar për 100-vjetorin e Pavarësisë . U kthyem me këtë simbol at e bir duke realizuar edhe rekordin botëror”, u shpreh Mateo pas mbërritjes në Tiranë nga maja e Everestit. Delegacioni shqiptar, atë kohë përbëhej nga 6 alpinistë, të cilët shënuan një nga rezultatet më të mira të të gjitha kohërave në sportin e alpinizmit në Shqipëri. Për të kjo eksperiencë në Akonkagua, 6,962 metra lartësi e ka ndihmuar shumë. Është vetëm 20 vjeç, por ndien se ka edhe shumë maja të tjera nëpër botë që e presin flamurin shqiptar.

Shqiptari që ngjiti majën më të lartë të Alaskës

Iglin Shyti është vetëm 25 vjeç, por i ka vënë qëllim vetes që brenda pak vitesh të ngjisë shtatë majat më të larta të shtatë kontinenteve të botës. Vitin e kaluar ai plotësoi një pjesë të ëndrrës së tij. Në majën më të lartë të Amerikës Veriore, në Alaskë, tani qëndron edhe flamuri shqiptar. Së bashku me dy miqtë e tij, edhe këta alpinistë, Iglini ka ngjitur Denalin, ose majën e McKinley, në Alaskë, për vetëm pesëmbëdhjetë ditë. Në një intervistë për “Shekullin”, Iglini ka shpjeguar se sa e vështirë ishte të ngjiturit një nga shtatë majat më të larta të botës. “Ngjitja filloi me datë 13 qershor dhe përfundoi me datë 26 qershor, atëherë kur sulmi përfundoi. Ne ishim tre shqiptarë, mes edhe disa alpinistëve të huaj, që u ngjitën në pikën më lartë të Amerikës Veriore, Denali.

 

Ishte 6195 metra e lartë dhe kjo ishte maja e parë më e lartë që unë kam ngjitur. Më presin edhe gjashtë maja të tjera në kontinentet e tjera të botës. Nuk mendohej që ta ngjisnim për 13 ditë, por moti na ka ndihmuar që ta ngjisnim shpejt. Mund ta kishim ngjitur edhe më shpejt, por gjatë procesit të ngjitjes na është dashur që të transportonim të gjitha ushqimet dhe mjetet që do të na nevojiteshin për ngjitjen e së nesërmes. Të tre shqiptarët, unë , Gerti Pishtari dhe Gjergj Bojaxhiu ishim gjatë gjithë kohës të lidhur të tre me një litar. Ky do të na ndihmonte nëse ndonjëri nga ne do të përfundonte në ndonjë gropë të madhe, që ishte maskuar duke u mbuluar me dëborë. Ashtu të lidhur me njëri-tjetrin udhëtuam për 13 ditë derisa ngjitëm majën më të lartë të Alaskës”, ka thënë ai më parë për “Shekullin”.

 Ne u përpoqëm që aso kohe të flisnim me miqtë e tij, por përpjekjet na i rrëfeu vetëm Iglini, i cili po ashtu si edhe Mateo dëshiron që të kapë majat e botës. Iglini ka zgjedhur të bëhet alpinist gjashtë vjet më parë, në një moshë kur të gjithëve u vlon gjaku për ta njohur më mirë botën. Fillimisht, ai është njohur me majat e maleve shqiptare. Sot, ju prezantojmë një 26-vjeçar të cilin mund ta konsiderojmë pa frikë si më të riun njohës të maleve shqiptare. Rrallëherë të rinjtë shqiptarë kanë interes të ngjisin majat e maleve të veta. Shkollimi i tij, nuk ka të bëjë fare me pasionin të cilin e ndjek rregullisht prej pesë vjetësh. Ka mbaruar studimet për Bioteknologji dhe na rrëfen se alpinizmi i pëlqen aq shumë sa ndonjëherë mendon se ky është profesioni i tij, një pasion të cilit i kushton aq kohë sa i kushtohet një profesioni. Ngjitja nëpër maja të larta malesh e bën Iglinin të harrojë botën që lë pas, madje,ndonjëherë harron që duhet t’i telefonojë nënës, e cila më shumë se askush tjetër merakoset për të birin që ngjit majat. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama