Lufta per pasurite e Polit te Veriut

Lufta për pasuritë e Polit të Veriut
 Ajsbergët me përmasat e shtëpive kalojnë me dembelizëm, ndërsa traktorët e vjetër me naftë qëndrojnë të heshtur në ajrin e acartë. Kanë kaluar ditët kur avionët nuklearë uleshin e ngriheshin pa pushim në bazën ushtarake "Nagurskoje". Sot regjistrohet vetëm një fluturim në muaj në bazën ku gjenden 30 ushtarë, 16 shkencëtarë dhe 6 meteorologë, të cilët i raportojnë drejtpërdrejt FSB-së, Shërbimit Rus të Inteligjencës.

Shtatorin e shkuar, ky stacion fantazmë i Luftës së Ftohtë papritmas u kthye në qendër të ngjarjeve gjeopolitike, në çastin kur aty u shfaqën rreth 30 përfaqësues qeveritarë, përfshi edhe ministrin e Mbrojtjes, Anatoli Serdukov. Zyrtarët shpejt dolën me përfundimin se "Arktiku duhej të kthehej në bazën kryesore të Rusisë për sa u përket burimeve minerare". Nikolai Patrushev, sekretari i Këshillit rus të Sigurisë, vërejti se "nëse nuk aktivizohemi tani, shpejt do ta gjejmë veten të përjashtuar".

Grupi i zyrtarëve të lartë vendosi se lipsej një strategji e përcaktuar qartësisht lidhur me Arktikun deri në vitin 2020. Dokumenti në fjalë do të publikohet këto ditë, por një pjesë e përmbajtjes së tij kishte dalë që më parë nga dosjet e autoriteteve. "Nuk mund të përjashtohet mundësia që beteja për mineralet të zhvillohet edhe me mjete ushtarake", vërehet në dokumentin provokues. Duket se Rusia ka ndër mend t‘u vërtetojë shteteve perëndimore që kufizohen me Arktikun se frika e tyre për qëndrimin e shtetit ish-komunist nuk është e pajustifikuar. Ka të ngjarë që shumë shpejt kjo fuqi e madhe nukleare të nisë të tregojë muskujt përgjatë brigjeve të ngrira të Arktikut.

Interesi i shteteve përreth Arktikut po rritet teksa shtresat e akujve tërhiqen. Një javë përpara se të linte postin, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, zbuloi planin strategjik për rajonin e Arktikut. Kanadaja, Danimarka dhe Norvegjia kanë ndërmarrë nismat përkatëse. Edhe Bashkimi Evropian njoftoi publikisht për një plan të ri për rajonet e poleve në nëntor të vitit të shkuar.

Ndërkaq, gazeta e kontrolluar nga qeveria ruse, "Rossiyskaya Gazeta", u bëri të qartë lexuesve të vet nocionin që "beteja për Arktikun do jetë shkëndija fillestare për një ndarje të re botërore". Artur Çilingarov, anëtar i Parlamentit rus dhe një prej ideologëve më të njohur të Moskës, kur vjen fjala te pushtimi i Arktikut, e shtron çështjen në këtë formë: "Nuk kemi ndër mend t‘ia lëmë askujt Arktikun".

Artur Çilingarov - që në gushtin e vitit 2007 urdhëroi një nëndetëse ruse të ngulte një flamur rus titaniumi në dyshemenë e oqeanit në Polin e Veriut, në thellësinë 4,261 metra - ka ndër mend "që deri në fund të vitit t‘u paraqesë Kombeve të Bashkuara provat që do të vërtetojnë se Poli i Veriut u përket rusëve". Kërcënimi ndaj perëndimorëve që nuk janë dakord është i thjeshtë: "Nëse këto të drejta nuk njihen, Rusia do të tërhiqet nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për detet".

Aleksandër Dugin, shkencolog dhe mbështetës i qëndrimeve neo-imperialiste të Moskës për një Rusi më madhe, mbështetet edhe te biologjia për t‘u amshuar tezave të tij: "Qëllimi i species sonë është te shtrirja në hapësirë. Arktiku na përket neve. Arinjtë polarë jetojnë atje, arinjtë polarë rusë. Edhe pinguinët jetojnë atje, pinguinët rusë".

Megjithëse pinguinët nuk janë aq të shumtë në Arktik, veriu i ngrirë i Rusisë është plot me rezerva gjigande minerare. Rusia Arktike është sot përgjegjëse për 11 për qind të prodhimit të brendshëm bruto dhe për 22 për qind të fitimeve që vijnë prej eksporteve në industrinë minerare. Rusia kërkon ta shtrijë kufirin verior të pakët 241 kilometra më tej, që do të thotë një sipërfaqe totale prej afërsisht 1.2 milionë kilometrash katrorë - një zonë tri herë më e madhe se Gjermania, që premton rezerva gjigande natyrore.

Qenë pikërisht këto burime të pamata që u diskutuan javës së shkuar nga Sergei Donski, zëvendësministër i Burimeve Natyrore dhe Ekologjisë, gjatë Konferencës për Kufijtë e Arktikut të zhvilluar në Norvegji, ku morën pjesë disa qindra shkencëtarë.

"Shpresojmë të gjejmë rezerva nafte e gazi që u korrespondojnë 20 për qind të sasive të përgjithshme që zotëron sot Rusia", tha Donski, duke nënvizuar planet e Rusisë për Arktikun.

Sipas këtyre planeve, gjeologët rusë do nisin fillimisht punën me studimin e detit Barents dhe detit Kara. Presin që nën sipërfaqen e secilit prej tyre të gjejnë nga dy në katër fusha gazi. Nëse gjithçka shkon sipas planeve, volumet e para të gazit të Arktikut do nisin të rrjedhin në vitin 2013 ose 2014, thotë Herve Madeo, zëvendësdrejtor i një konsorciumi të drejtuar nga "Gapzprom"-i rus në detin Barents. Për sa i përket fushës së gazit në këtë det, ai thotë: "Është një prej më të mëdhave në botë dhe unike në Rusi".

Pavarësisht krizës financiare, e cila është ndjerë veçanërisht shumë në Rusi, përgatitjet për shpime po ecin përpara me ritëm shumë të shpejtë. Kjo fushë gazi mund të kthehet në gurin themeltar të shfrytëzimit të rezervave energjetike në veri. Kjo e shtyu admiralin norvegjez, Trond Grytting, të vendoste nota mjaft sarkastike në fjalën e mbajtur në konferencën e zhvilluar në Norvegji (prezantimin e kishte titulluar "Nga Lufta e Ftohtë te Arktiku i Ngrohtë"): "Kemi shumë rezerva natyrore, personel ushtarak dhe diskutime kufitare në Arktik. Kjo kurrë nuk ka qenë receta që të çon te paqja".



Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama