Lollipop-izimi i shoqerise me fondet publike

Lollipop-izimi i shoqerise me fondet publike

Shqipëria ka një qeveri të re prej më se 14 muajsh, që konsiderohet si kohë e mjaftueshme për të bërë një bilanc provizor. Përveç disa gafave të pashmangshme, si përpjekja imponuese e aleatëve tanë të mëdhenj mbi demontimin e armëve kimike ose të evitueshme, si rasti i uljes se kuotave për masterat pasuniversitarë apo të tjerë, mund të thuhet që ka filluar me këmbë aq të mbarë sa edhe “analistët” e djathtë i njohin shumë merita ose më mirë të themi, i japin tagër se po bën më shumë, madje edhe më mirë se qeveria paraardhëse. Në fakt, edhe qeveria aktuale i mëshon shpesh krahasimeve me atë pararendëse. Kjo metodë krahasuese do të kishte vend sikur qeverisë se kaluar t’i njihnim merita, qoftë edhe minimale në çfarëdo lloj fushe dhe ky nuk është rasti. Kjo qeveri dhe ky kryeministër u votuan për të rilindur vendin me një shumicë votash pothuajse spektakolare për një demokraci, jo vetëm sepse programi ishte ambicioz, por edhe sepse ishte shpresa e fundit dhe për më skeptikët, e keqja më e vogël. Pikërisht këtë pret ky popull.

 

Një rilindje, një shpresë të fundit për ta parë Shqipërinë të bërë ose drejt realizimit. Kjo është pritshmëria ime, e atyre një milionë shqiptarëve që e votuan, e asaj pjese të diasporës, që edhe pse jeton jashtë kokën e mban të kthyer pas dhe do të guxoja të thosha edhe ajo pjesë e elektoratit të djathtë, që pret të vlerësohet puna. (Elektorati nuk lind i djathtë apo i majtë. Ai behet i tillë me politikat që ndjekin partitë dhe në rastin shqiptar me radikalizmin e urrejtjes ndaj kundërshtarit politik. Kjo e fundit e ngritur në sistem nga kryeministri i kaluar). Ashtu siç jam shprehur edhe më parë në këtë gazetë, fushat që lëngojnë më shumë janë kultura dhe mjekësia, pikërisht ato që duhet të shkëlqenin falë profesioneve të kryeministrit aktual dhe të atij të shkuar. Në prill të vitit 2013, kryeministri Rama, në një nga fjalimet e tij u shpreh se: “Kultura, mjedisi, sporti me ne do të rilindë!”. 

 

Sensi estetik i lindur i një populli që në mijëra vjet u shpreh në kostume popullore mahnitëse dhe në një krijimtari muzikore magjepsëse, u zbeh nën pushtimin turk dhe u zhbë krejtësisht në 45 vitet e regjimit, për të marrë goditjen vdekjeprurëse në 25 vitet e një kapitalizmi harbut. Pasojat janë të pariparueshme, pasi “diarreja arkitektonike/urbanistike” e prodhuar në këto vite, ka përmasa të tilla që nuk e lejojnë rehabilitimin. Akoma më tragjik është rikthimi i analfabetizmit në rang kombëtar, bjerrja e civilizimit të shoqërisë, shpyllëzimi kafshëror, si i pemëve frutore, ashtu edhe të lëndës drusore, si në modelet shoqërore skandaloze të përcjella prej mediave televizive (telenovelat, pasurimi i shpejtë pa qenë i nevojshëm asnjë lloj arsimimi, formimi apo talenti nëpërmjet “reality-show” të ndryshme si “Big Brother” apo të ngjashëm ku fama është faktori kryesor). Në fushën muzikore, rasti shqiptar është akoma më i shpresëhumbur. Mungon tregu, ligjet, organizmat, kritiket, por akoma më keq, mungon krijimtaria cilësore. Shqipëria po përjeton një terr të llahtarshëm krahasuar me çdo vend të rajonit, lëre më në nivel ndërkombëtar. Në Shqipëri, grupet “live” numërohen me gishtat e njërës dorë, regjistrimet diskografike janë kryesisht video muzikore pa shije dhe përmbajtje.

 

Nuk ekziston një gazetë apo revistë e vetme që të botojë kritika mbi albumet ndërkombëtare, pasi ato vendase mungojnë tërësisht. Mbizotëron muzika “commercial-folk” apo “pop-folk”-u amator. E thënë qartë, muzika më e rëndomtë që ka prodhuar perëndimi, importohet dhe përpunohet në një version “folk” apo anasjelltas, me një regjistrim diskografik ku nuk ekziston pothuajse asnjë instrument “live”, por vetëm ritme dhe imitime të instrumenteve në kompjuter. Më e keqja është se ky model është i vetmi që dëgjohet në çdo lokal, radio, televizion publik apo privat. U bënë 24 vjet që rinia shqiptare Lollipop-izohet dhe Tallava-zohet. Të njëjtët producentë diskografikë janë edhe drejtore festivalesh nëpër televizione apo në juritë e tyre. Me pak fjalë, e vetmja mundësi, që i ofrohet të rinjve që duan të krijojnë apo të jetojnë me muzikë, pasi kanë studiuar në lice, konservatore apo akademi artesh pothuajse një dhjetëvjeçar, është “commercial-folk”, “turbo-folk” apo tallavaja. Kjo, me kushtin e domosdoshëm që regjistrimet t’i bëjnë tek ata producentë-drejtorë festivalesh sa më sipër. Edhe kur ka disa tentativa më dinjitoze me ndonjë festival, organizimi i tyre i lihet rëndom ndonjë kompanie marketingu, që kryesisht merret me reklamimin dhe imazhin e birrës apo të ndonjë produkti tjetër, çka nuk do të ishte skandaloze në vetvete, sikur profesionalizmi i tyre të mbulonte fushën e muzikës. Kështu, rastisim rëndom festivale të muzikës tradicionale me DJ “comercial” apo grupe “rock”, festa partizane të çlirimit me këngëtarë pop apo DJ elektronikë. Mungon tema, lidhja logjike e përzgjedhjes së artistit me kontekstin etj. Pikërisht për të shmangur produktet përfundimtare populiste dhe amatore në kulturë dhe në muzikë, pothuajse në çdo shtet të botës, qeveritë, ministritë apo dikasteret e kulturës në rang vendor, i kushtojnë një pjesë të të ardhurave publike formave “të larta” artistike, si muzika klasike, jazz, popullore apo tradicionale qytetare e përpunuar.

 

Mirëpo, ja tek vijnë festat e nëntorit dhe shqiptarët gjejnë surprizën festive në shesh. Këtë vit do të kemi sërish Çiljetën, por në versionin anglez: Jessie J. Po i njëjti zhanër muzikor, po të njëjtat shpenzime absurde (shpenzimet për një koncert të tillë janë pothuajse të barasvlershme me fondet që Ministria e Kulturës shpërndau për promovimin e kulturës gjatë vitit 2014), po i njëjti skenar për të siguruar vazhdimësinë e Lollipop-izimit të rinisë. Nuk druhem aspak të prononcohem se përzgjedhja e artistes është jo vetëm skandaloze, por edhe kulturëzhbërëse. Është ngritja e kafenesë apo e klubit ne sistem. Në qoftë se vjen nga Ministria e Kulturës kemi të bëjmë me një amatorizëm të pafalshëm, por nëse përzgjedhja është e kryeministrit në detyrë, lind natyrshëm dyshimi mbi sensin e tij estetik, të paktën në fushën e muzikës. Shpresoj që përzgjedhja e artistes në fjalë, të jetë një lajthitje e këshilltarëve të këtyre institucioneve. 

Kjo nuk më ndalon t’i kërkoj kryeministrit tim të mbajë fjalën e dhënë disa muaj më parë: “Çiljeta nuk do të këndojë!”, qoftë kjo Çiljeta kombëtare apo Çiljeta angleze Jessie J.

 

Angazhimi

 

Zhvillim turizmi vetëm prej kulturës

 

Shqipëria, falë bujarisë së natyrës, ka shumë për të ofruar në turizëm, si p.sh. zonat bregdetare dhe ndoshta akoma më shumë në ato malore. Në fakt, kryeministri aktual, të cilit nuk mund t’ia mohojmë nuhatjen, u angazhua pothuajse tërësisht në aksione të guximshme, falë votës bindëse që mori në zgjedhje, sensit estetik që supozohet se zotëron duke qenë artist dhe pritshmërisë (të gjithë e prisnim të përsëritej në rang kombëtar, aksioni për çlirimin e Lanës), të cilat po u kthejnë dekorin qyteteve, akseve rrugore dhe po bëjnë që të gjithë ne të nuhasim aromën e harruar të shtetit, që shumëkush për faj të klasës politike të dy dhjetëvjeçareve të fundit, e lidh me një nostalgji të gabuar ndaj regjimit. Ky fokus në turizëm, që gabimisht shume e quajnë një fasadë, është kuptimplotë, pasi turizmi është edhe fusha ku vendi ynë mund të marrë rezultate pozitive në terma afatshkurtër. 

 

Nuk mund të ketë një zhvillim turizmi pa një ofertë kulturore. Pata rastin të vizitoj sivjet dhe vjet jugun e Shqipërisë me miq të huaj, të cilët mbetën të mrekulluar nga natyra, pavarësisht përdhunimit brutal që ajo ka pësuar në planin arkitektonik dhe urbanistik, por ky është një subjekt mbi të cilin nuk do të zgjatem, sepse të gjithë e njohim mirë. Turistit në jugun tonë nuk i ofrohet asnjë zbavitje tjetër përpos lokaleve që ofrojnë të njëjtën “bum-bum music” të sipërpërmendur. Turisti që viziton Shqipërinë është guximtar, kureshtar dhe, mbi të gjitha, me kulturë. Nuk është adoleshenti që vjen për të gjetur ishullin Ibiza të Spanjës apo Santorinin e Greqisë, ku ofrohet ai lloj argëtimi. Ato lloj lokalesh janë vetëm në funksion të Tiranës së Lollipop-izuar, pra të një turizmi të brendshëm, që nuk sjell zhvillim e aq më pak valutë. 

 

Para 15 vitesh, Pulia nuk ishte një drejtim turistik i nivelit të parë në Itali. Rajoni i Pulias investoi fort në ngjarje kulturore, duke i bërë artistët ndërkombëtare, disa prej të cilëve kam fatin t’i menaxhoj, të binin në dashuri me rajonin. Ata, unë dhe kolegët e mi u bëmë zërat kryesorë të promovimit të atij territori, që në vitet 2000-2010 ka pasur një rritje prurjesh prej 75%, e cila renditet si më e larta në rang kombëtar në shtetin fqinjë, rritje që vazhdon akoma me të njëjtat ritme në këtë pesëvjeçar. Turizmi kulturor renditet i pari në rëndësinë e prurjeve dhe lokomotiva e kësaj rritjeje janë pikërisht dhe kryesisht ngjarjet koncertore, me një ndërvarësi në shkallën 50%. Një miku im i mirë, që është edhe drejtor artistik i një prej këtyre festivaleve, me një qëndrim autoironik të adhurueshëm, njëherë më tha: “Arritëm të ndërkombëtarizojmë tarantelën dhe me të të ngremë turizmin. Pesë këngë të shkruara me tri nota”. 

 

Në fakt, grupet që luajnë “pizzica”/”taranta” bëjnë turne ndërkombëtare me rrugën e paguar nga Puglia Sounds, që është një organ i qeverisë lokale. Festivali “La Notte della Taranta” ka mbi 100.000 spektatorë çdo vit në gjysmën e dytë të gushtit, për të thithur turistë nëpër lokalitete turistike, në periudhën që këto kanë rënie prurjesh në numër. Ftohen artistë nga gjithë bota, që interpretojnë muzikën e tyre dhe atë vendase, po as që bëhet fjalë as për Jessie J dhe as për Elton John. Thirret ajka ndërkombëtare e “rock”-ut ose e “jazz”-it. Një vend me sipërfaqe sa Pulia, por me një trashëgimi kulturore në muzikë aq të larmishme dhe të thellë siç është Shqipëria, po të fokusohej në promovimin e saj jo vetëm do të ringjallte muzikën dhe gjithçka rrotull saj me shërbimet, por do ta bënte muzikën nxitësin kryesor të turizmit. 

 

Teatër 

 

Teatri ka nevojë për rregullime, ne po përpiqemi

 

Pas publikimit në gazetën “Shekulli” të problemeve që ka sot godina e Teatrit Kombëtar, vjne menjëherë edhe reagimi i drejtuesit të këtij institucioni. Hervin Çuli në një postim që ka bërë në faqen e tij të rrjetit social Facebook ka shkruar: “Godina e Teatrit Kombëtar është një godinë në emergjencë teknike, por që sipas të gjithë grupeve të ekspertëve që e kanë skanuar nuk paraqet rrezik për jetën e artistëve të skenës. Padyshim, TK ka nevojë për disa ndërhyrje emergjente që do të kryen shumë shpejt dhe do ta risjellin skenën në gjendje normale. Kërkoj mirëkuptimin e të gjitha mediave për të mos ekzagjëruar një shqetësim që si unë edhe Ministria e Kulturës e kemi prioritet të punës së përditshme. Së bashku me Ministrinë e Kulturës po bëhen përpjekjet më maksimale për një ndërhyrje sa më të plotë që do të siguronte një funksionim normal sa më afatgjatë të godinës. Shpresoj në mirëkuptimin e të gjitha medieve për të mos ekzagjeruar problemin sepse kjo nuk do t’i bënte mirë as Teatrit Kombëtar, as artit shqiptar dhe as publikut kryeqytetas.

 

“Liri në Bremen” nën kujdesin e Sesila Plasarit

 

Në skenën e Teatrit Kombëtar ka nisur ditën e djeshme të shfaqet vepra “Liri në Bremen”. Ajo do të vijojë të luhet deri në datën 30 nëntor, Çdo ditë në ora 19:00. Kjo vepër mban emrin e dramaturgut gjerman Rainer Ëerner FassBinder. Vepra frymëzohet nga një ngjarje e vërtetë e Bremenit të vitit 1831. Ekzekutimi i fundit publik me prerje koke në këtë qytet të Gjermanisë, ishte ai i një gruaje që kishte helmuar  me arsenik pesëmbëdhjetë persona të familjes e të rrethit të saj. Gjenia e autorit Rainer Ëerner Fassbinder nxjerr nga kjo ngjarje e kronikës së zezë një tragjedi agresivisht «naive» të jetës sociale. Pjesa është gjithashtu një alegori e mënyrës se si ngjizet fashizmi, fenomeni i dhunës dhe diktatura. Vepra vjen me regji të Sesilia Plasarit dhe në role interpretojnë aktorët: Gladiola Harizaj; Ndriçim Xhepa; Anastas Kristofori; Vasjan Lami/Pjerin Vlashi; Aneta Malaj; Sokol Angjeli; Bujar Asqeriu; Anila Bisha; Naun Shundi; Gert Ferra; Indrit Çobani dhe Anil Frashëri.

 

Lollipop, trendi i ri

 

Lollipop është një lokal në Tiranë, ku rinia kalon kohën gjatë fundjavave dhe është një vijë e mesme midis një diskoteke dhe një lokali. Pa u futur në shijen muzikore të askujt, aty konsumohet kryesisht muzika komerciale. Quhet e tillë për faktin që nuk ka vlera kulturore apo muzikore. Është muzikë e mirëfilltë dëfrimi, e konceptuar për të mos përcjellë asnjë mesazh, përpos motivit të thjeshtë dhe përsëritës, që duhet të të ngulitet në kokë. E pikërisht ky sot wshtw trendi mw i ri i shqiptarwve, lolipopizmi.

 

Gjermani vs Francë

 

Në vitin 2011, sektori kulturor në Francë gjeneroi 75 miliardë euro dhe 1.200.000 vende pune. 10 miliardë më shumë se sektori i industrisë së rëndë automobilistike. Rajoni Ruhr në Gjermani konvertoi minierat dhe fabrikat në qendra kulturore dhe sot është një nga vendet më të vizituara në Europë, duke e bërë Gjermaninë të tërheqë më shumë turistë se Franca apo Spanja. Me kulturë, me përmbajtje dhe jo me zbrazëti.

 

Kur fondet ndërpriten

 

Pak vite më parë komuna e Napolit në Itali përdori fonde publike për koncertin e Elton John dhe Këshilli i Europës kundërshtoi dhe mori mbrapsht 720.000 euro të shpenzuara për honorarin e artistit. Më domethënës është rasti i Bullgarisë, ku grupi mediatik “Payner”, që kishte fituar një fond europian prej një milion eurosh, për të rinovuar pajisjet e regjistrimit, u detyrua të hiqte dorë nga fondi, pas kërcënimeve jo dhe aq diplomatike të Brukselit, që do t’i ngrinte fondet e ardhshme për vendin në fjalë. Skandali qëndronte në faktin se ky grup mediatik menaxhon pop-folkun bullgar.

 

Çërçill dhe fondet

 

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Çërçillit  i propozuan të ulte fondet e përcaktuara për kulturën, u përgjigj: “Në qoftë se pres fondet për kulturën, atëherë për çfarë po luftojmë?!”. Ashtu siç thoshte edhe: “Jam gjithmonë i gatshëm të mësoj, paçka se jo gjithmonë parapëlqej të më mësojnë”. Shpresoj që perzgjedhësi i artistit ne fjale, qoftë ai edhe kryeministri i ri, të ketë të njëjtën modesti intelektuale.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama