Lisen Bashkurti 1913-1919 kur nisi kalvari per shqiptaret e Camerise

Lisen Bashkurti: 1913-1919, kur nisi kalvari per shqiptaret e Camerise
Materiali është pjesë e një studimi të prof.dr.Lisen Bashkurti, pjesë e librit “Çameeria -Ne rrugen drejt zgjidhjes”. Eshtee njee monografi shkencore me mbi 270 autore tee huaj tee referuar si dhe nga disa arkiva e mediume prej shume vendeve te botes. Libri i nisur nee 2002 do të gjejë dritën e botimit me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Prof.Dr. Lisen Bashkurti, President i Akademisee Diplomatike Shqiptare, e nis këtë botim me studimin për historinë e Çamërisë në vitet pas shpalljes së pavarësisë së vendit, deri në 1919.

LIBRI PER ÇAMERINE

Shpallja e pavarësisë së shtetit shqiptar në nëntor 1912 nisi njëkohësisht historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë me gjithë subjektet e të drejtës e të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke përfshirë fqinjët, shtetet e kohës, Fuqitë e mëdha tradicionale, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe organizatat ndërkombëtare, posaqërisht me Lidhjen e Kombeve. Ishte sfidë e madhe për shtetin e sapoformuar që të ndërtonte sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare bazuar në një strategji të qartë, në një tërësi prioritetesh të qëndrueshme, në një plan veprimi aktiv dhe eficent, në një kalendar kohor pritshmërishë dhe mbi të gjitha mbi një vision afatgjatë mbarëkombëtare.

Për, përkatësi, konjuktura ndërkombëtare do ishte shumë e vështirë. Këtu kemi parasysh se koha kur shteti shqiptar po hynte në marrëdhëniet ndërkombëtare si subjekt i së drejtës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare përfshiu luftrat ballkanike, Luftën e Parë Botërore, Sistemin e Versajës plot asimetri, krizën ekonomike botërore 1929-30 dhe Luftën e Dytë Botërore. Në këtë konstelacion problematikash, marrëdhëniet më fqinjët ishin prioritare e, brënda këtyre marrëdhënieve, për shkak të suazës së tezës tonë, marrëdhëniet me shtetin Grek do paraqiteshin shumë të vështira dhe komplekse. Në këtë qerthull vështirësish komplekse cështja e Çamëve dhe e Çamërisë do mbeteshin nyje tensionesh, krizash e konfrontimesh në nivele dy palëshe dhe shumëpalëshe, në nivele Rajonale dhe ndërkombëtare.

Mbas shpalljes së pavarësisë, problematikat me fqinjët në tërësi, e me shtetin Grek në vecanti bëhen më të vështira dhe komplekse. Për shtetin shqiptar të sapoformuar, përballja politiko-diplomatike me Monarkinë Helene ishte një sfidë e re. Monarkia Helene kishte afro një shekull përvojë, kishte krijuar lidhje e marrëdhënie me shumë aktorë e faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, ishte profesionalizuar dhe sofistikuar në një masë të konsiderueshme. Nga ana tjetër, shteti i ri shqiptar, diplomacia e tij po themeloheshin rishtazi, bazuar vetëm në përvoja të pakta, të fragmentuara, shpesh konfuze dhe amatoreske. Deri në pavarësi, procesi kishte ecur në trekëndëshin politikë, kulturë, rezizstencë e armatosur. Mbas shpalljes së pavarësisë, sërish këto tre komponentë do vijonin, por gjithnjë e më shumë do fitonte prioritet politika dhe diplomacia.

“Gjatë Luftës së II-të Ballkanike (1913), kur Serbia dhe Greqia u lidhën për të luftuar kundër Bullgarisë, shtetet ndërluftuese zhvilluan luftime edhe në toka të banuara nga shqiptarë. Edhe para shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, Greqia pushtoi Shqipërinë e Jugut, ku bëri një genocid të vërtetë duke djegur 400 fshatra me popullsi shqiptare - myslimane. Në shembullin e genocidit që kishin bënë serbët kundër shqiptarëve në vitin 1912 e 1213. Serbia pushtoi përsëri Shqipërinë e Veriut (1915) kur serbët ishin në luftë kundër ushtrisë austro - hungareze. Merrni me mend Shqipërinë e Veriut që u bë prapë fushë lufte. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, italianët filluan pushtimin e tokave të Shqipërisë Jugperëndimore (1915). Edhe francezët dërguan ushtritë e tyre për të pushtuar Shqipërinë Juglindore në vitin 1915. Ja se si evropianët e kanë trajtuar një shtet sovran dhe asnjanës të vetë Evropës”.(A.Lambert, Besa. Info. 1 dhjetor 2007)

Pra, menjëherë mbas shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar, mu në fillim të Konferencës së Ambasadorëve, Ballkani u ripërrfshi në luftën e tij të dytë. Kjo gjëndje prolog i Luftës së Parë Botërore trazoi shumë kanceleritë e mëdha Evropiane, të cilat as nuk mund të qëndronin më pasive dhe as nuk do të ishin tërësisht në gjëndje të zgjidhnin krizën e Ballkanit e të parandalonin shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. Për të adresuar këtë gjëndje shumë komplekse dhe kaotike të Ballkanit u mblodh në Londër Konferenca e Ambasadorëve. Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër kishin të bënin me shumë cështje e midis tyre i dhanë njëfarë zgjidhje edhe problemit të shtetit shqiptar të sapoformuar. Themi njëfarë zgjidhje, sepse në fakt dhe në realitet zgjidhja e vendosur në Londër 1912-1913 për shtetin shqiptar ishte e pjesëshme, e paqëndrueshme, e padrejtë dhe mbarte në vetevete shumë probleme të hapura për shqiptarët si dhe kriza e konflikte potenciale për mbarë Ballkanin.

Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër dëshmonin se Fuqitë Evropiane nuk e njihnin mirë Ballkanin, ose e njihnin pjesërisht atë, nuk arrinin të depërtonin në kulturat, mentalitetet dhe karakteristikat e politikave të vëndeve individuale të Ballkanit, nuk konsideronin frymën nacionaliste, revolucionare, populiste e konfliktoze të këtij Rajoni dhe as të parashikonin zgjidhje afatgjate e të qëndrueshme të konstelacionit të ri politik Ballkanik mbas kolapsit të Perandorisë Osmane.

Vetë diplomacia Evropiane vuante nga sindromat e karaterizuara prek konspiracionit, elitarizmit aristokratik, klientelizmit, konservatorizmit politik dhe fanatizmit kulturor e fetar. Një mal me paragjykime e formula dogmatike udhëhiqte diplomacinë Evropiane në prag të Luftës së Parë Botërore. Ballkani ishte ndër Rajonet e para që ishte në asimetri të plotë me diplomacinë tradicionale Evropiane. Nacionalizmi, shovinizmi, segregacionizmi, populizmi, revolucionarizmi, konfliktualiteti, fanatizmi, ksenofobia e të tjera dukuri, të cilat në Evropë egzistonin në forma shumë të kamufluara, në Ballkan shpërthenin fare hapur.

Konferenca e Ambasadorëve në Londër e vitit 1913 ishte vijim i filozofisë politike e diplomatike të Koncertit të Evropës, por në një mjedis krejtësisht të ndryshëm nga ai evropian. Ky mjedis Ballkanik, kaq afër dhe kaq larg Evropës do t’i priste në mënyrë shumë kontradiktore vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londer në vitin 1913 ishin një goditje e madhe e kauzës së shqiptarëve, ishin një reduktim i thellë i aspiratëve të tyre, ishin një fragmentim i padrejtë dhe shumë i dhimshëm i territoreve dhe popullsisë shqiptare. Kufijtë politik, të dizajnuar në Londër ishin një operacion i cungimit të territorit dhe popullit shqiptar. Prandaj, shqiptarët këtë Konferencë e pritën me shqetësim dhe reagim të madh.

Por, më paradoksale ishte fakti se edhe përfituesit nga kjo zgjidhje e padrejtë në dëm tërësor të shqiptarëve, që ishin grekët dhe serbët, në kundërshtim të plotë me aktet juridike ndërkombëtare, faktet dhe realitetet shqiptare e ballkanike dolën, gjithashtu, të pakënaqur me aneksimet që u kishin bërë trojeve e popullsisë shqiptare. Mesa dukej strategjitë e Monarkive fqinje dhe interesat e disa Fuqive të Mëdha ishin të pranonin një Shqipëri sa më të dobët e të paqëndrueshme deri në atë masë, saqë në rastin e krizës më të parë, të brëndshme apo ndërkombëtare të mund ta ndanin atë përfundimisht ndërmjet tyre, duke synuar dhënien fund të ekzistencës politike të shtetit shqiptar të sapolindur. Këtë strategji, e cila në vitin 1913 do të dukej vetëm si prognozë, e zbuloi si synim real bilateral Greko-Serb, Kryeministri i Mbretërisë Serbe, Pashic, afro katër vite mbas Konferencës së Londrës. Në atë vit Pashic do të theksontë qëllimin e dy shteteve për ndarjen e Shqipërisë, me arsyetimin si “shtet i dobët”.

Po le t’i rikthehemi vështrimit politik të kohës. Mbas 1912, Monarkitë fqinje nuk përballeshin më vetëm me luftën e popullit shqiptar të armatosur në terrenin e brëndshëm, pa mbrojtje politike dhe me luftën e rilindasve të mëdhenj në rafshin historiko-teorik për Shqipërinë e shqiptarët në terrenin ndërkombëtar, pa mbështetje ndërkombëtare. Monarkitë fqinje tanimë do të përballeshin edhe me faktorin Shtet Shqiptar. Prandaj, mbas shpalljes së pavarësisë të Shqipërisë, lypet të vihet në dukje se, sërish aspektet kryesore të marrëdhënieve të shqiptarëve me fqinjët morën karaktër të mirëfilltë politiko-diplomatik ndërshtetëror gjithnjë e më të mprehtë. Ndonëse shteti shqiptar ishte i sapo themeluar dhe shumë i dobët, prap se prap ai filloi të reagojë politikisht, diplomatikisht dhe ushtarakisht gjithnjë e më mirë, më fort e më qartë.

Në këtë kontekst, aspektet e Çamërisë në marrëdhëniet politike shqiptaro-greke ndodheshin të shkruara në doktrina, strategji, plane veprimi e po zbatoheshin me ndërmarrje politike konkrete, të udhëhequra nga qeveritë e ndryshme Greke individualisht ose në bashkëpunim me faktorë të ndryshëm Rajonal e ndërkombëtar. Në këtë mpleksje shumëplanëshe politike ndaj Çamërisë, sikundër do vëmë re në analizën e mëposhtme, konstant ka qënë vetëm qëndrimi politik i Greqisë, ndërsa qëndrimet e faktorëve të tjerë Rajonal apo ndërkombëtarë, qoftë edhe i Fuqive të Mëdha janë karakterizuar nga ambiguitete, ulje-ngritje, zik-zake, avancime e tërheqje, mbështetje e kundërvënie ndaj politikave Greke.

E themi këtë qysh në fillim të këtij kapitulli, sepse, në mjaft studime, artikuj, madje edhe në tekste shkollore e universitare të ndryshme vërëhen se hiqen thuajse gjatë tërë kohës paralele midis qëndrimit politik konstant Grek ndaj Çamërisë dhe qëndrimeve të vëndeve të ndryshme të Rajonit, të faktorëve ndërkombëtare dhe Fuqive të Mëdha lidhur më këtë politikë Greke. Paraprakisht, mund të thuhet se midis Greqisë dhe Rajonit, faktorëve të ndryshëm ndërkombëtar dhe Fuqive të Mëdha për cështjen e Çamërisë në kohë e rrethana të ndryshme nuk ka pasur gjithnjë paralele, por edhe mospërputhje, përplajse dhe kundërvënie.

Veprimtaria politike e Greqisë lidhur me kufirin Jugor me Shqipërinë, të vizatuar dhe të vendosur nga Fuqitë e Mëdha në dhjetor 1913 (Protokolli i Firences, 1913) nuk rreshti asnjë cast nga insistimi për të avancuar në doktrinën e vet revanshiste kundër territoreve e popullsisë shqiptare. Edhe mbas shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar, edhe gjatë Konferencës së Ambasadorëve në Londër për përcaktimin ndër të tjera të kufirit midis Shqipërisë dhe Greqisë, edhe gjatë përfundimit të Prokollit të Firences, edhe mbas tij Qeveria Greke dhe qarqet politike kryesore të tyre nuk e hoqën Jugun e Shqipërisë asnjë rast nga doktrina, dokumentat politike, strategjitë politike dhe aksioni politik, sepse e e quanin pandryshmërisht si “Vorioepir”, pra “Epiri i Veriut”.

Kështu, menjëherë mbas përfundimit të Protokollit të Firences(1913), Qeveria Greke, e udhëhequr asokohe nga Kryeministri Venizellos, mobilizoi gjithë faktorët politikë të brëndshëm në Greqi dhe mercenarë pro grek në Shqipëri për të jetësuar me cdo kusht në terren doktrinën e “Vorio Epirit”. Krahasuar me “Medali Idhea” (Idea e Madhe) të lancuar si doktrina e krijimit të shtetit pan-helenik ortodoks në mbarë ish-territoret e popullsitë ortodokse të Bizantit, në fillim të shekullit XIX, doktrina e Venizellosit për “Vorio Epirin” tingëllonte si një “Mikri Idhea”, pra një “Ide e Vogël”. Kjo, sepse në fakt, krahasuar me ambiciet historikisht të dështuara helenike për të vënë nën administrimin politik të Greqisë gjithë ish Perandorinë e Bizantit të rroposur nga Otomanët, Qeveria e Venizellosit po përqëndronte tanimë tërë revanshim e makinerisë politike për t’i rrëmbyer disa territore e popullsi Shqipërisë, fqinjit më të lashtë, me të cilin kishte ndarë historinë mijra vjecare. Nga “Megalo Idhea” tek “Mikri Idhea”, pa qënë kurrë realiste, kjo ishte trajektorja njqëqind vjecare e doktrinës helenike shtet-formuese me të cilën, në shekullin XX e më tutje do të përballeshin shqiptarët.

Në Qeverinë e Venizellosit doktrina e “Vorioepirit”, e krijuar politikisht nëpër laboratore politikanësh aspak realistë, por shovenë e magalomanë, u shndërrua në plan për veprim. Në zëmrën dhe prapavijën e kësaj doktrine qëndronte Kisha Ortodokse Greke, e cila qysh në lindjet e nacionalizmit Grek, gjatë shtet-formimit dhe më pas mbeti simbiozë e pashqitshme e politikës dhe shtetit helenik. Venizellosi dhe qeveria e tij ishin produkt i dyfishtë: i politikës dhe i Kishës.

Venizellosi, ndonëse ishte mjaft i rafinuar, i ditur dhe diplomat me njohje e reputacion ndërkombëtar sërish për vetë bazën e tij, realitetin, mjedisin politik dhe doktrinën që përfaqësonte shpalosej asokohe si një politikan Grek me vizone politike konfuze dhe jo afatgjate. Elita politike dhe metropolite përreth tij mendonte e vepronte në një mënyrë dritëshkurtër dhe shumë të rrezikshme. Kjo u duk menjëherë mbas definimit të kufijve politik të Shqipërisë nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Menjëherë mbas definimit të kufijve me Shqipërinë nga faktorët relevantë ndërkombëtare qeveria e Venizellosit nisi “lëvizjen për autonominë epirote”. Natyrisht, ishte një veprim flagrant nga pikpamja e marrëdhënieve dhe të së drejtës ndërkombëtare që, akoma pa u tharë boja e një dokumenti ndërkombëtar obligativ juridikisht për të dy palët, Shqipërinë e Greqinë, Venizellosi shkelte mbi firmën e vet.(B.N.Sadiku, Lindja e Cështjes Çame, 1820-1943, Tiranë 2011, faqe 209-212)

Greqia e Venizellosit u bë kështu ndër të parët precedente Ballkanike që firmoste pa ngurrim marrëveshjet ndërkombëtare ditën dhe i shkelte ato natën. Ky precedent, pra i mashtrimit me marrëveshjet dhe detyrimet ndërkombëtare nga Qeveria e Venizellosit, që ndëshkohej qysh athere në parimet e së drejtës ndërkombëtare publike, do të adoptohej si një vijë sjellje edhe nga Qeveritë Serbe e madje, pak nga pak do të merrte formën e një pandemije Ballkanike, të shfaqur gjithnjë e më shumë në mos respektimin e detyrimeve ndërkombëtare të pranuara jurikisht, të firmosura e të ratifikuaranga vetë këto shtete.

Në sindromën e mos respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare të vetëpranuara, firmosura e të ratifikuara, Venizellozi është pionier themelues, ndërsa qeveritë Serbe do të bëheshin pasuese të zellshme të kësaj vije sjellje. Ballkani hynte kështu në një precedent shumë të rrezikshëm: në atë të politikës më dy standarte: një standart të jashtëm për faktorët ndërkombëtarë dhë nën presionin e tyre dhe një standart të brëndshëm si dhe ndaj fqinjëve, kryesisht ndaj Shqipërisë e shqiptarëve. Politikat e dy standartëve, të kultivuara e të vijuara gjatë në Athinë e Beograd gjatë shekullit të 20-të do të ndikonin në shumë plane, brenda këtyre shteteve, në nivele Rajonale dhe ndërkombëtare.

Duke parë veprimin politik revanshues të Greqisë përkundër vendimeve të Konferencës së Londrës dhe Protokollit të Firences, Fuqitë e Mëdha reaguan kundër Qeverisë së Venizellozit dhe i kërkuan asaj ndalimin e cdo veprimi politik kundër kufijve të Shqipërisë. Ishte kjo mospërputhja e dytë midis disa Fuqive të Mëdha dhe Greqisë. Le të kujtojmë se mospërputhja e parë kishte pasë ndodhur në Kongresin e Berlinit, ku Mbreteria e Bashkuar dhe Italia i kishin pasë kërkuar Greqisë të ishte më e përmbajtur lidhur me pretendimet ndaj territoreve të Shqipërisë. (Congres of Berlin, 1878)

Në rastin që analizojmë, përballë këtij presioni ndërkombëtar, Venizellosi tërhoqi ushtrinë zyrtare Greke, por nuk ndali veprimet luftarake në terren për “lëvizjen e autonomisë së Vorioepirit”. (Cështja Shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës se imperializmit, Vëllimi II, faqe 423-426) Në vënd të forcave të armatosura zyrtare, Venizellosi vuri në veprim trupa ushtarake pa uniformë, pra mercenarë vorioepirotë. Me këtë taktikë, duke tërhequr ushtrinë e rregullt me uniformë dhe duke aktivizuar ushtri mercenarësh, Venizellosi shlyente në dukje përgjegjësitë ndërkombëtare, ndërkohë që faktikisht vijonte në terren strategjinë pushtuese me trupa jo të rregullta të armatosura e të financuara prej tij.(Arkivi i Institutit të Historisë, Tiranë, Shifra A-IV)

Me këtë taktikë, pra të krijimit të strukturave ushtarake paralele mercenare, në dukje jo shtetërore, por të prira nga një strategji, udhëheqje, armatosje dhe financim shtetëror, Venizellozi do i kontribuonte precedentit të dytë Ballkanik - atij të krijimit të institucioneve paralele për të fshehur përgjegjësitë e Qeverive përpara faktorit ndërkombëtar. Bazuar thuajse në të njëjtin model, pra duke vazhduar këtë taktikë të institucioneve paralele meërcenare, në dukje jo shtetërore, Serbët kishin krijuar atë që do quhej quhej “Cërna Ruka”, ose “Dora e Zezë”.

Deri në kohët moderne këto dy shtete, Greqia dhe Serbia përdorën institucionet paralele mercenare, në dukje jo shtetërore për qëllimet e tyre kundër shqiptarëve. Nga Greqia organizatat kriminale si “17 nëntori” e “MAVI” u përdorën mbas Luftës së Dytë disa herë si jo shtetërore, por për synime shtetërore kundër Shqipërisë e shqiptarëve; sikundër në Serbi, organizata “Cerna Ruka” dhe “Tigrat e Arkanit” u përdorën në dukje si jo shtetërore, por për qëllime të mirëfillta shtetërore kundër shqiptarëve deri në fund të shekullit XX. Shqipëria ka qënë ndër të parët shtete që i ka vuajtur mbi kurriz këto dubël standarte të Greqisë dhe Serbisë zyrtare. (Arkivi i Institutit të Historisë, Tiranë, Shifra A-IV)

Këto dy shtete fqinjë të Shqipërisë, Greqia dhe Serbia vijuan deri në të kaluarën e afërt të përdornin institucionet paralele mercenare, në dukje jo shtetërore, por me mjete dhe për qëllime tërësisht politike shtetërore kundër shqiptarëve në Jug dhe në Veri te shtrirjes së tyre në Ballkan. Politika shqiptare është e para dhe deri vonë e vetmja që i ka bërë të ditura thuajse prej një shekulli më parë këto taktika mashtrimi të ndjekura në të kaluarën nga politika Greke në Jug dhe nga politika Serbe në Veri të Shqipërisë, sikundër ka demaskuar edhe shkeljet e njëanshme të marrëdhënieve e të drejtës ndërkombëtare prej këtyre dy shteteve kundër Shqipërisë. (HHSTA,PA,A, Telegram i Konsullit Austro-Hungarez në Korfuz, drejtuar Vjenës, 30 qershor 1913) Natyrisht, zëri i Shqipërisë ka qënë i dobët dhe i pamjaftueshëm për t’u dëgjuar e besuar nga faktori ndërkombëtar. U deshën shumë kohë që faktori ndërkombëtar t’i besonte shqiptarëve, të cilët kanë qënë të parët që kanë vuajtur në kurriz të tyrë nga Çamëria deri në Kosovë veprimet e këtyre strukturave ushtarake e sekrete mercenare paralele, në dukje jo shtetërore, por të përdorura mirëfilli për qëllime politike shtetërore nga Greqia dhe Serbia.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama