Ligji Gijotine - Parate nen hetim

Ligji 'Gijotine' - Parate nen hetim

Prokurorë e gjykatës, zyrtarë të lartë të shtetit të cilët do të jenë nën akuzë për korrupsion nuk do të ndëshkohen vetëm me burg; qeveria parashikon miratimin e një ligji që do të lejojë sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të tyre nëse ato janë krijuar në mënyrë të paligjshme. Të rrezikuar deri dhe vëllezërit, motrat, nipërit e mbesat e tyre. Pasuria e pistë do të hetohet edhe deri në pesë vjet pas vdekjes tek ata që e trashëgojnë atë. Revista Java siguron draftin e parë të tij, i cili ndodhet në qeveri. Besohet se javën tjetër do të përfundojë në Kuvend. Cilat janë pikat e debatueshme të ligjit të ri të përgatitur nga ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë që mendojnë se korrupsioni duhet të konsiderohet krim i rëndë dhe duhet ndëshkuar nga gjykata e krimeve të rënda. Megjithatë rradha e zgjedhur është: parandalim, pastaj ndëshkim...

Ndiq gjurmët e parave që të shkosh tek autorët e krimit. Godit paratë e krimit që ta çmontosh dhe demoralizosh atë. Parandalo dhe pastaj ndëshko! Këto tre aksioma duket se po kërkon të përdorë qeveria e re në luftë kundër korrupsionit, betejë që deri më tani, ka rezultuar gjithmonë e humbur në Shqipëri. Tashmë, zyrtarët e lartë, por sidomos prokurorët e gjyqtarët, nëse rezultojnë se janë të korruptuar dhe ndëshkohen nga hetimi gjyqësor, nuk do të paguajnë vetëm me vite burg. Ata mund të vihen nën dyshim dhe hetim edhe nëse standarti i jetesës së tyre nuk përputhet me të ardhurat legale që ata realizojnë. Në një vëzhgim të muajve më parë, Java evidentoi një numër të madh gjykatësish të cilët udhëtonin deri në tre herë në muaj jashtë shtetit, një gjë tërësisht e pamundur për t’u kryer me të ardhurat e tyre mujore në nivelin e rreth 600 eurove në muaj. E po kështu edhe për shumë zyrtarë të tjerë të lartë, të cilët kanë deklarata të paqarta dhe të pabesueshme pasurie. Deri më tani, pothuaj askush nga kjo kategori nëpunësish të shtetit nuk e ka provuar shijen e goditjes. Qeveria e re premton vullnet politik se situata do të ndryshojë.


Qeveria është vënë prej javësh në kërkim të një instrumenti të ri në goditjen e krimit të organizuar dhe për sekuestrimin e pasurive të vëna nëpërmjet krimit. Revista Java zbulon draftin e projektligjit të përgatitur nga ekspertë të ministrisë së drejtësisë, por që ende nuk është marrë zyrtarisht në shqyrtim. Thelbi i tij qëndron në përfshirjen e veprave penale të korrupsionit tek krimet e rënda, hetimin dhe ndëshkimin e tyre nga prokuroria e krimeve të rënda dhe gjykata homologe. Kjo është një ide që ka nisur të materializohet të paktën që në nëntorin e vitit të kaluar, por që ka mbetur ende në heshtje për shkak të kundërshtive që janë hasur nga partnerët ndërkombëtarë që kanë asistuar reformën në sistemin në drejtësi. Ata fillimisht kanë refuzuar përfshirjen e gjykatës së krimeve të rënda në këtë proces duke gjykuar kryesisht për shtimin e ngarkesës së punës së tyre, e ndoshta mungesës së kapaciteteve njerëzore. Konfirmohet se mbas negociatash të gjata me ta është arritur në një pikë të përbashkët dhe se shumë shpejt, projektligji do të ndjekë rrugën e tij normale për t’u shndërruar në ligj. 

 

“Eshtë një projekt që synon të mbyllë disa hapësira që janë vënë re nga blloku i ligjeve antikorrupsion, duke nisur që me Kodin Penal e që ndoshta kërkojnë ndërhyrje edhe vetë në Kod”, thotë një ekspert i fushës në kushte anonimati, sipas të cilit kjo inisiativë ligjvënëse, është një praktikë normale dhe se mund të konsiderohet edhe si përgjigja e politikës penale ndaj emergjencave të kohës, kur shenjohet një figurë krimi si më e rrezikshme apo si më frekuente në kryerjen e saj.


Si ishte


Vetëm për vitin 2012, Shqipëria zbriti 18 vende në renditjen e indeksit të korrupsionit të Transparency International; një vend në renditje që e klasifikonte Shqipërinë si vendin më të korruptuar në Evropë. Katër vjet më parë, në dhjetor të vitit 2009, Kuvendi ka miratuar një ligjin “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”. Ligji përcaktonte mënyrën e sjelljes me pasurinë e gjithë atyre individëve që dyshoheshin se kishin pjesëmarrje në krimin e organizuar dhe trafiqe të paligjshme, të qënieve njerëzore apo të drogës. Qëllimi i tij ishte parandalimi dhe goditja e këtyre figurave të krimit duke konfiskuar pasurinë që krijohej nëpërmjet tyre.


Personat që do të gjykoheshin si të fajshëm për një sërë veprash penale, që nisnin që nga pjesëmarrja në organizata kriminale ose në grupe të strukturuara kriminale, pjesëmarrja në organizata terroriste ose në banda të armatosura, për kryerjen e veprave të tjera, për qëllime terroriste, e të tjerë, do të kishin këtë fat: do të shihnin se çfarë parash kishin vënë me krim, do të detyroheshin t’i dorëzonin sërish. Por tashmë duket se gjërat do të marrin dhe një rrjedhë tjetër. Në rradhën e atyre që do të gjenden në të njëjtën situatë me ta, do të shtohen dhe gjyqtarë e prokurorë si dhe zyrtarë të lartë.
 
Si bëhet


Propozimi i ekspertëve të ministrisë së drejtësisë, në draftin e përgatitur që tashmë ndodhet në tryezën e kryeministrit, përfshin dhe një sërë veprash penale të korrupsionit që do të përfshihen në fushën e veprimit të ligjit të ri. Deri tani, një zyrtar i lartë, gjyqtarët e prokurorët, të gjendur fajtorë për krimin e korrupsionit, ndëshkoheshin me gjobë ose burg, por pasuritë e vëna për shkak të korrupsionit, vazhdonin të mbeteshin të paprekura. Nëse projekti i qeverisë do të marrë dhe votën e shumicës së thjeshtë në Kuvend, ky realitet do të ndryshojë dhe shihet si një mjet që do të bënte të mundur parandalimin e veprimeve korruptive, nëpërmjet sekuestrimit e konfiskimit të pasurive të pajustifikuara.


Nisja e një procesi ndaj një zyrtari, me ligjin e ri, lejojnë gjykatën që te vendosë sekuestrimin e pasurive, veprimtarisë ekonomike, tregtare dhe profesionale të personave, deri në konfiskimin e tyre.


Pronat, paratë, veprimtaritë ekonomike, tregtare dhe profesionale, niveli i jetesës dhe burimet e të ardhurave të tyre do të jenë pjesë e verifikimit nëpërmjet hetimit. Aq më shumë në rastet kur të pandehurit zotërojnë leje, licensa, koncesione e të tjerë. Nëse nga hetimi, sipas draftit të projektligjit, rezulton se ka dyshime të arsyeshme të bazuara në indicie, se personi mund të jetë i përfshirë në veprimtari kriminale dhe zotëron pasuri apo të ardhura që nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve apo veprimtarive të ligjshme, të deklaruara dhe as nuk justifikohen prej tyre, ndërhyn gjykata e shkallës së parë për krime të rënda. Kjo gjykatë, me kërkesë të prokurorit, vendos sekuestrimin e pasurive të pajustifikuara. Po kështu, gjykata e shkallës së parë për krime të rënda vendos konfiskimin e pasurive kur ka dyshime të arsyeshme, bazuar në indicie, për pjesëmarrjen e personit në veprimtari kriminale që përfshihen në fushën e veprimit të ligjit; kur nuk provohet se pasuria ka prejardhje të ligjshme apo personi nuk justifikon zotërimin e pasurive.


Praktikisht rrjedha e ngjarjeve do të jetë e tillë: prokurori dhe policia gjyqësore do të marrin dijeni për pasuritë që duhen verifikuar, dhe nëse pas verifikimit rezulton se personai nën hetim ka një standart shumë më të lartë jetese në krahasim me të ardhurat e deklaruara prej tij, atëherë prokurori mund të paraqesë kërkesë në gjykatë për sekuestrimin apo konfiskimin e pasurisë.
 
 
 
 
Deri ku mbërrin


Të jesh zyrtar i lartë i shtetit, përfshi dhe prokurorët e gjykatësit dhe të tentosh korrupsionin, të paktën sipas projektit të ri, do të thotë t’u hapësh telashe dhe një numri njerëzish të lidhur në një mënyrë apo një tjetër me të. Kështu, do të verifikohet dhe hetohet pasuria e personave të afërm me zyrtarët dhe njerëzit e drejtësisë, bashkëshortja, fëmijët, vëllezërit, motrat, vjehrri e vjehrra e deri tek bashkëjetuesit me ta, në rastin kur ata janë beqarë. Dhe nuk ndalet këtu, sepse veprimi i projektligjit shtrihet edhe tek personat fizikë apo juridikë tek të cilat  zyrtarët e pandehur për korrupsion, dyshohen se kanë interesa direkte apo të tërthorta.


Madje edhe vdekja nuk e shpëton nga ndjekja sepse deri në pesë vjet mbas vdekjes, trashëgimtarët e tij mund të kontrollohen për pasuritë e tyre.
 
Ekuilibri, rreziku


“Ndëshkimi i korrupsionit nuk është qëllim në vetvete. Në thelb, koncepti i projektligjit ka të bëjë me masat për ta parandaluar atë”, komenton një ekspert i fushës së të drejtës që ka konsultuar draftin qeveritar. “Lufta ndaj korrupsionit nuk mund të bazohet vetëm në konceptin klasik të  masave represive, pra vetëm nëpërmjet dënimit. Më shumë rëndësi kanë marrë masat parandaluese, të cilat, të alternuara me tolerancë zero ndaj formave të krimit të korrupsionit, ndikojnë efektivisht në reduktimin e këtij krimi, veçanërisht në përfshirjen e tij në institucionet e shoqërisë apo ekonomisë së vendit”, thotë ai.


Ka megjithatë një kufi delikat që nuk duhet të tejkalohet, balancimi i të drejtave dhe lirive të individit dhe kufizimit të këtyre të drejtave për interesin madhor të luftës kundër korrupsionit. “Ky ekuilibër duhet të gjendet për vendosjen e kufizimit të së drejtës së pronës dhe lirisë ekonomike për një kategori të caktuar individësh, të dyshuar për korrupsion, me detyrimin për të mbrojtur dhe garantuar të drejtat dhe liritë themelore për një kategori më të gjerë personash”, thotë eksperti, sipas të cilit, kufizimi duhet të jetë në proporcion me gjendjen që e ka shkaktuar dhe se nuk duhet të tejkalojë kufizimet e vendosura nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.


Këtu qëndron dhe thembra e Akilit të projektligjit dhe pikërisht këtu, do të jenë shumë të forta debatet që do të shoqërojnë diskutimin dhe miratimin e tij. Megjithatë, duket se ndoshta që javën e ardhshme projekt do të mbërrijë në zyrat e komisionit të ligjeve dhe do të nisë proecdurën parlamentare të tij për t’u shndërruar në ligj. Deri atëherë, të paktën një gjë është e qartë: maxhoranca e re ka shprehur vullnet politik për luftën ndaj korrupsionit dhe vendosmëri për të marrë një instrument më shumë në këtë luftë. Sa do të vlejë dhe sa do të zgjasë? Kjo mbetet të verifikohet, por të paktën deri më tani, shumica e re është akuzuar për gjithçka nga opozita, por në asnjë rast nuk i janë përmendur fakte reale për korrupsion përtej retorikës së zakonshme dhe të mërzitshme të akuzave të përgjithshme.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama