Legjenda e Gjirit te harruar shqiptar qe premton shume

Legjenda e Gjirit te harruar shqiptar, qe premton shume

Gjiri i Porto-Palermos sillet edhe një herë në vëmendje për turistët e aventurës, por këtë herë nga agjencia britanike “Reuters”. Reportazhi zbulon me mjaft finesë arsyet se pse duhet vizituar

 

Në vitin 1984, kur Shqipëria ishte një shtet i izoluar komunist, si sot Koreja e Veriut, një oficer gjerman me një automjet “Mercedes” u ngjit në majën e Llogarasë dhe që andej zbuloi një panoramë mahnitëse në bregdetin e thyer jonian, e cila e intrigoi pa masë. Duke dalë nga makina e tij, Franz Josef Strauss, atëherë ministër i Bavarisë dhe një prej zyrtarëve perëndimorë të rrallë që vizitonte Shqipërinë e Enver Hoxhës, mbeti pa frymë nga ajo që pa. “Virgin California!”, do të thoshte ai. Tri dekada më vonë, Gjiri i Porto-Palermos me kështjellën e tij dhe ujërat e thellë blu janë një nga elementet tërheqëse turistike të vendit, të botuara tashmë në gazeta dhe internet dhe në shumicën e listave të guidave europiane, të cilat sugjerojnë vendet që duhen vizituar për të apasionuarit pas aventurës. Në kohën e regjimit të Hoxhës, Porto- Palermo nuk ishte hapur për publikun. U përdor si një nga bazat më të rëndësishme ushtarake, ku strehoheshin avionë dhe nëndetëse. Ajo u hap nja dy vjet pas komunizmit, më 1991, kur Shqipëria filloi udhëtimin e saj drejt kapitalizmit.

 

Në ditët e sotme gjiri merr sharm edhe për shkak të izolimit të tij, i shtrirë vetëm në një rrugë me dy korsi gjatë bregdetit dhe i fton të huajt të mësojnë se për cilat arsye ai ishte i ndaluar dikur. Gjermanë, çekë dhe turistë hungarezë dalin dhe bëjnë banjë edhe nudo. “Askush nuk i shqetëson ata, për asgjë”, – tha një kujdestar i gjirit, Klearko Koçi. Zona është e pasur me histori, mite dhe legjenda, dhe shtrihet në pjesën e një vije bregdetare që zhduket në lartësitë që rriten, por ende e paprekur nga ato të tjerat. Vetëm poshtë rrugës, një shkëmb i vogël arrin tek një ishull shkëmbor i rrumbullakët, në mes të dy kepave të përqafuar nga ujërat blu në të dyja anët. Në ishull ulet një kështjellë dhe besohet nga disa të jetë ndërtuar nga sunduesi osmano-shqiptar Ali Pasha, në fillim të shekullit të 19-të, rrethuar me pemë dhe shkurre të ngjyrave të gjalla, të kundërta me blunë e thellë. “Pamje më e mirë është ballkoni, ku nusja e re e Aliut dilte dhe krihte flokët e saj”, – thotë Koçi.

 

'Detarë! Lundroni anijet brenda gjirit ku nuk ka erë. U ndërtua nga gratë e Himarës të jetë i butë me miqtë dhe i ashpër me armiqtë. Unë i përkas Zotit të detit dhe tokës, Ali Pasha”, – deklaronte në një pllakë, që dikur qëndronte në portën e saj. I informuar nga legjenda lokale dhe këngët, Koçi thotë se Pashai ndërtoi kështjellën mbi rrënojat e manastirit të Shën Nikollës. Studiuesit e huaj, megjithatë thonë se struktura ishte fillimisht një fortesë veneciane, e përdorur për të mbrojtur rrugët tregtare. Luani i Shën Markut të vërtetë, paraqitur në një pllakë nuk gjendet më, sepse është vjedhur në vitin 1997, kur Shqipëria u zhyt në anarki me rënien e skemave piramidale dhe vendi u bë i njohur si një “Perëndim i egër” i Ballkanit. Por tani vendi është anëtar i NATO-s dhe një kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në anën e ishullit, shtrati i detit mbart shenjat e peshkimit me eksploziv ku mblidhen midhje. E ndërtuar prej guri, kalaja lejon dritë përmes dritareve të vogla. Pasi kalojnë derën kryesore, vizitorët gjejnë rrugën e tyre në krye të saj, ose në ballkon nëpërmjet arkadës nga një sallë kryesore. Drejtimi nga Italia është një shenjë e okupimit të saj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Turisti anglez Danny Foster, duke e vizituar me familjen e tij, kërkoi të shihte se kush luftoi dhe pse në një vend të tillë të qetë.

 

“Është udhëtim mbrapa në kohë, – tha ai. – Kurrë nuk kam prekur pikëpamje të tilla të bukura, shumë tërheqëse”. Më 1803, Ali Pasha ia ofroi kështjellën dhe portin British Royal Navy. Një dijetar britanik ka shkruar se aty kishte deri në pesë topa në atë kohë. Në një rrip të ngushtë toke që lidh kështjellën dallohen kazermat e ushtrisë, që ende mbajnë parulla me bojë të kuqe të periudhës komuniste, të tilla si “Rroftë miqësia shqiptaro-kineze”, “Rroftë Partia Komuniste e Kinës dhe shokut Mao Ce Dun”, e që lexohen ende në muret e këtyre ndërtesave. Pemë lisi në majën e një mali duken prapa gjirit. Pemët e agave janë importuar nga Kina dhe janë mbjellë me sa duket për të shkurajuar erën me fundet e tyre të trasha. Hoxha ishte tejet i shqetësuar për mundësinë e një pushtimi të huaj. Për fat të keq, Porto-Palermo ka ende për të fituar kujdesin që meriton për të nxjerrë në pah thesaret e tij përtej tregimeve të pasionuara të një kujdestari të magjepsur nga gurët aty, pemët dhe lulet. Zamir Dedej, kreu i një organizate joqeveritare shqiptare, punon me “World Wildlife” për të mbrojtur zonën, kështu që ofron një të ardhme të qëndrueshme në turizëm. Ata vërejnë se nevojitet një operacion i dytë i rritjes së peshkut në gji, për të pasuruar më tej faunën ujore. Auron Tare, kreu i një agjencie të sapokrijuar bregdetare, tha se kalaja dhe një tunel nëntokësor kilometra i gjatë, ndërtuar në kohën e komunizmit, do të sigurojnë tërheqjet kryesore të turistëve.

 

“Qeveria shqiptare ka plane për të tërhequr turistë të shumtë deri Gjirin e Porto-Palermos, veçanërisht ata që vijnë me anije, jahte, apo për kënaqësi, të cilët vinin më parë deri këtu rrotull, por nuk ndalen”, – tha Tare për “Reuters”. Qeveria ka mobilizuar ushtrinë dhe vullnetarë për të pastruar nga mbeturinat rrugët dhe plazhet. Në një plazh jugor këtë javë një grup turistësh britanikë pastruan plazhin ashtu si dhe vendasit, për të kthyer bregdetit edhe më tërheqës se herë të tjera. Në Porto-Palermo, pushuesja holandez Agnes Kuijl tha se familja e saj kishte ardhur duke udhëtuar përmes Greqisë dhe kishte përftuar në dy vendet një eksperiencë të madhe. Të huaj të shumtë kanë ardhur aty me automjete që i përdorin edhe si shtëpi, por ka edhe nga ata që kanë ngritur kampe në Porto-Palermo. Pushuesit përshtaten mirë me moton e re që Shqipëria ka përdorur për të promovuar veten në botë: “Shqipëria është e lirë”,- thotë Kuijl, teksa kjo moto lexohet në rrugët e bregdetit shqiptar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama