Kush po e fiton kripto-luften?

Kush po e fiton 'kripto-luften'?

Ka një luftë mbi enkriptimin mes Agjencisë Kombëtare të Sigurisë në SHBA, NSA, dhe aktivistëve të privatësisë. Një garë e paepur ku aktivistët kërkojnë të ndalojnë qeverinë më të fuqishme të botës të “fusë hundët” në jetën tonë private. Por kush po fiton?

 

NSA vs. Aktivizmit

Kush po e fiton ‘kripto-luftën’?

 

Ladar Levison ulet i rraskapitur, i zhytur në një kolltuk me qenin e vet ‘Princess’ mbi laptopin e tij. Ai është i rrethuar me shumë kuti pasi u zhvendos në një shtëpi të re në periferi të Dallasit, Teksas, një ditë më parë.

 

Ai e përshkruan shtëpinë e tij të re si një “manastir për programuesit”. Levison dhe bashkëpunëtorët e tij kanë në plan të jetojnë dhe punojnë këtu për të krijuar një postë të re elektronike, një shërbim që do t’i lejojë njerëzit të komunikojnë tërësisht të sigurt dhe në mënyrë private. Objektivi i tij, thotë, është të “përhapë enkriptimin në mënyrë masive”.

 

Ky është një shërbim i ri me email për shkak se vetë Levison fiku shërbimin e tij të vjetër – të quajtur Lavabit – pas një vizite nga Byroja Federale e Hetimit, FBI.

 

Historia filloi me një kartëvizitë në maj të vitit të kaluar. Ata po kërkonin komunikimet e njërit prej klientëve të vet. Levison nuk mund të thotë se cili është ai, por të gjithë e dinë se bëhet fjalë për Eduard Snouden (Edward Snowden) i cili sapo ishte larguar nga vendi me një sasi të madhe dokumentesh sekrete. Snouden po përdorte postën elektronike të Lavabit për të komunikuar.

 

Një përleshje me FBI-në solli një urdhër gjykate për Levison, që e detyronte të jepte fjalëkalimet për shërbimin e tij të postës elektronike. Ai pati frikë se diçka e tillë do të rrezikonte privatësinë e 400 mijë përdoruesve dhe kështu hartoi një plan.

 

Fjalëkalimet konsistonin në mijëra germa dhe numra në dukje rastësore. Në vend që t’ia jepte në format elektronik, ai i printoi ato. Me një germë fare të vogël. Dhe ia dha në një copë letër.

 

“Unë takova agjentët e FBI-së në holl dhe i dhashë një zarf dhe agjenti i FBI-së e ngriti atë në kundërdritë, bëri nja dy ecejake dhe dukej sikur thoshte ‘a janë këto fjalëkalimet?’ dhe unë i thashë, poooo. Unë i printova ato. Dhe ai bëri ‘Oh’. Kështu ai shkroi një copë letër ku pranohej dorëzimi dhe e mbylli në një zarf me vulë”.

 

Levison e dinte se do t’i duhej ca kohë që FBI të hidhte fjalëkalimet në kompjuter për t’i përdorur dhe kjo i dha atij shansin të mbyllë të gjithë sistemin e vet. Ai i kishte emëruar makinat sipas ish të dashurave të veta dhe e përshkruan procesin e shkuljes së spinës si një “eksperiencë surreale… ndërsa shihte dritat që vijonin në ndriçonin kur klientët përpiqeshin të aksesonin postën e tyre elektronike, edhe pasi sistemet ishin fikur.

 

Në zemër të çështjes së Ladar Levison është një pyetje. A i duam ne komunikimet tona të jenë tërësisht private në mënyrë që absolutisht askush, me përjashtim të marrësit, të dijë se çfarë është thënë? Apo ne jemi përgatitur të lejojmë aksesin e shtetit – për shembull kur ai thotë se po heton një krim apo mbron sigurinë tonë kombëtare? Kjo çështje ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve për shkak të Eduard Snouden. Por ajo që njihet si kripto-lufta në fakt ka vijuar që prej 40 vjetësh.

 

Mund ta shënjosh fillimin e luftës në një takim në Universitetin e Stenfordit më 1976-n. Në njërën anë të tavolinës ishte një çift matematicienësh – Martin Hellman dhe Uhit Difi (Whit Diffie). Në anën tjetër ishte një skuadër nga qeveria federale, përfshirë NSA.

 

Hellman dhe Difi besonin se një standard i propozuar federal për enkriptimin e të dhënave ishte dobësuar qëllimisht nga NSA për të lejuar superkompjuterët e saj për të kontrolluar komunikimet. Ka pasur gjithashtu dyshime për të ashtuquajturat ‘dyer të pasme’, të cilat lejojnë NSA-në të ketë akses sekret. Në një shkëmbim gjithnjë e më të nxehtë diskutimesh, të dyja palët argumentuan se sa shumë nga fuqia e kompjuterimit duhet të lejohet të thyhet nga standardi i propozuar.

 

“Mendimi im në atë kohë ishte që unë isha Luk Skajuollker (Luke Skywalker) te Lufta e Yjeve, – thotë Hellman në shtëpinë e tij në kampusin e Stenfordit, – dhe NSA ishte Darth Vadar”.

 

Shpejt pas takimit, Difi dhe Hellman revolucionarizuan kodet e botës duke publikuar një studim për prezantimin e konceptit të njohur si “Çelësi i kriptografisë publike”. Deri në atë kohë, procesi i enkriptimit të informacionit ishte diçka që e bënin vetëm qeveritë, por çelësi publik ofronte një shans që njerëzit e zakonshëm të komunikonin në mënyrë të sigurt.

 

Admirali Bobi Rej Inman (Bobby Ray Inman) mori postin e drejtorit të NSA më 1977. Ai zbuloi se stafi i tij ishte i shqetësuar nga ndërhyrja në atë që e konsideronin si fushë të dominuar prej tyre. “Shqetësimi i madh ishte që kjo përpjekje për të prodhuar sisteme kriptografike që nuk mund të thyheshin mund të dilnin të suksesshme dhe nuk ishte problemi vetëm te trafikantët e drogës”, – më thotë mua ai në zyrën e tij në Ostin, Teksas. “Shqetësimi ishte që kjo mund të kopjohej dhe përdorej nga vende të huaja”. Inman vendosi se të dyja palët kishin nevojë të bisedonin dhe shkoi të takohej me Hellmann, gjë që solli dialogun mes NSA dhe komunitetit të akademikëve.

 

Por enkriptimi po përhapej. Kompanitë tregtare filluan të zhvillojnë produkte që ato dëshironin t’i shisnin – dhe eksportonin. Dhe aktivistët filluan të ndërtojnë sisteme që njerëzit të mund t’i përdornin në mënyrë të sigurt – më i rëndësishmi qe Fil Zimerman (Phil Zimmermann), programi PGP për enkriptim i zhvilluar prej tij filloi të shpërndahej falas në fazën e parë të internetit. FMI dhe NSA nisën të shqetësohen.

 

“Rezultoi se tregu më i madh dhe më entuziast për enkriptim të fuqishëm gjendet mes njerëzve që kanë shumë gjëra për të fshehur”, – thotë Stjuard Beker (Stewart Baker), i cili mori postin e kryejuristit të NSA në vitin 1992. Ai përmend kriminelët, përfshirë pedofilët si dhe spiunët e huaj, si njerëzit që përdorën sistemet e reja. Ata që kundërshtojnë NSA argumentojnë se këto shqetësime nuk duhet të mjaftojnë për të shkelur të drejtën e publikuar për jetë private.

 

Nga fundi i viteve 1990, enkriptimi ishte i përhapur dhe kripto-lufta duket se ishte fituar. Së paku kjo qe se si dukeshin punët në atë kohë.

 

Në Konferencën Vjetore të Sigurisë RSA në San Francisko disa javë më parë, pjesëmarrësit shkuan dhe zgjodhën një film dhe hëngrën kokoshka përballë ekranit të kinemasë. Ata zgjodhën filmin Armiku i Shtetit, një thriller i Uill (Will) Smith që paraqet agjentët dezertues nga NSA.

 

Eduard Snouden është bërë një armik i shtetit, por për shumë aktivistë të së drejtës për jetë private, është shteti, dhe në veçanti NSA, që është armiku i vërtetë.

 

Problemet e ngritura nga Snouden – veçanërisht pretendimi se NSA ka punuar për të mposhtur enkriptimin – qëndron varur në takim. Një takim mbi programet e gjenerimit të numrave rastësorë kthehet në një diskutim nëse gjeneratorët kanë arritur të manipulohen nga NSA për të krijuar një derë të pasme.

 

“Qeveria e ka humbur kripto-luftën”, – thotë një kriptograf i njohur dhe kritik i NSA-së, Brus Shneier (Bruce Schneier) ndërsa flet në konferencë. “Kriptimi tashmë është i disponueshëm lirisht, por në njëfarë kuptimi ata fituan për shkak se ka kaq shumë mënyra se si njerëzit dërgojnë të dhëna duke anashkaluar kriptimin.

 

Ajo që po mësojmë nga dokumentet e Snouden nuk është se NSA dhe GCHQ mund të thyejnë kriptografinë, por se ata shumë shpesh mund ta bëjnë atë të parëndësishme… ata shfrytëzojnë implementimet e këqija, përgjues në pajisjet kompjuterike apo programe, fjalëkalime të përgjithshme, fjalëkalime të dobëta apo shkojnë të thyejnë sistemet dhe të vjedhin të dhënat”.

 

Vetë NSA ka punuar duke e mbajtur veten prej kohësh në sekret. Por në muajt e fundit ajo ka kuptuar se duhet të luftojë në cepin e vet. Unë u lejova të shkoj në selinë e saj qendrore në Fort Mid, Meriland, për të parë punën e saj – por pa asnjë pajisje regjistrimi me vete.

 

Në një hotel në qendër të Uashingtonit, gjithsesi, unë fola me Kris (Chris) Inglis, i cili ka pasur postin e zëvendësdrejtorit të NSA. Ai është një njeri i kujdesshëm me fjalët, por zemërimi i tij ndaj publikimeve të Eduard Snouden gjendet lehtë nën sipërfaqe. “Ka një ndjesi tradhtie që dikush e emëroi veten gjykatës dhe juri”, – thotë ai, duke shtuar se kundërshtarët e Amerikës tashmë do ta kenë “më të lehtë” të shmangin vëmendjen e NSA-së.

 

Ai argumenton se “NSA nuk ka dyer të pasme në botën e programeve të enkriptimit”.

 

“Pika e fortë e NSA-së, – thotë ai – është të përpiqet të gjejë këto gjëra që ose janë të trashëguara, aksidentale ose që thjesht u shpëtojnë njerëzve mes shalëve kur nuk aplikojnë masa mbrojtëse siç duhet”.

 

Sa i përket pretendimit për dobësitë që janë vendosur në sistemet tregtare për t’i bërë ato të shfrytëzueshme, Inglis nuk e mohon mundësinë, por ai sugjeron se teknika të tilla mund të përdoren vetëm në mënyrë selektive.

 

“Çdo aktivitet i kësaj natyre në këndvështrimin tim përqendrohet në një objektiv specifik – ndoshta taktikisht i fokusuar dhe vetëm për arsye të ligjshme”. NSA ka role mbrojtëse dhe sulmuese – për sigurimin e informacionit të sigurisë kombëtare si dhe për vjedhjen e informacionit të të tjerëve, por tensioni mes këtyre roleve është theksuar nga përdorimi gjithnjë e më i gjerë i kriptografisë komerciale, përfshirë vetë qeverinë.

 

Enkriptimi është i padukshëm por gjendet gjithkund sot. Çdo herë që ju hyni në bankë apo blini diçka në internet, kur bëni një telefonatë me celularin tuaj apo te çelësat e makinës tuaj. Kriptimi mund të gjendet kudo. Por kripto-lufta, beteja mes atyre që besojnë se privatësia është mbreti dhe atyre që mbështesin të drejtën e qeverisë për të përgjuar, thjesht sa po bëhet më e ashpër se kurrë më parë.

 

 

 

Çfarë është enkriptimi?

 

Përzierja dixhitale e materialit të marrë nga burimi, duke e kthyer atë në një “ciphertext”. Ajo që duket se është një seri e pakuptimtë germash, numrash e shenjash bëhet e kuptueshme nëse një sasi informacioni i quajtur “çelësi”, e kthen atë në formën origjinale


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama