E kishim parë gjithmonë në role komike. Është aq mirë brenda atyre petkave, sa askush nuk ka dashur të qeshë më pak, për ta menduar Marjanën në një rol ndryshe. Ajo është një nga ato që të shkrin gazit, që njehsohet me emrat e personazheve e që i shndërron në ikona portrete të mjeruar, ashtu siç vështirë se ia ka arritur një aktore femër e këtyre viteve në Shqipëri.
Por ja që, megjithëse me një sukses 100 karatësh, ajo tregoi se kufijtë e saj nuk janë aty ku duken, të paktën nga vështrimet jo të mprehta.
Drama e Marjanës
Ishin sytë e një mjeshtri si ato të Dhimitër Anagnostit, që arritën të shohin në këto karaktere komike pjesën tragjike që mbajnë brenda, dhe ajo u bë e besuara e filmit më të fundit të tij "Gjoleka, djali i Abazit". Nafija, Bakushja, gabelja, Pasionare Llapa, të bëjnë të gjitha për të qeshur po me ato veçori, për të cilat duhen mëshiruar. "Anagnosti ka meritën e veçantë që një aktore komike e kalon në dramë, por rolet e mi e kanë pasur këtë element. U bënë 23 vjet që luaj humor dhe brenda meje ka qenë drama. Jam me fat që këtë e zbuloi i madhi Anagnosti", -thotë Marjana, e cila një rol si ky e kishte dashur, por jo më shumë se veten, sa për t'u shtrirë dorën regjisorëve të tjerë. Kur Anagnosti e kishte ftuar, ajo as që dinte gjë për filmin. Edhe kur Alemen, gruan e nënshtruar dhe nënën e pafuqishme të një familjeje patriarkale, ende në letër, regjisori ia la në duar Marjanës për t'i dhënë jetë, zonja e humorit nuk e priti si diçka të bujshme. Gjeti me-njëherë vetveten në atë personazh. "Unë kam në të vërtetë një Aleme brenda meje. Të parat vë detyrimet e familjes dhe pastaj bëj art". Ajo tregon se ishte një tërheqje e menjëhershme afërsie dhe njohjeje. Nuk i mbetej tjetër, vetëm ta niste këtë përvojë të re, që do ta largonte nga shtëpia e do ta çonte drejt e në Vuno, aty ku për xhirimet do sakrifikoheshin ditët e dimrit të kaluara pranë familjes. Por ama, për të mbushur disi këtë boshllëk ishte deti, një pasion i saj i përhershëm. Edhe pse filmi xhirohej në nëntor- dhjetor, ajo nuk humbiste rastin të lahej në det dhe pastaj të hipte në pemë për të mbledhur mandarina e portokaj. E nuk ishte e vetme në aventurat e saj.
Shpesh Artur Gorishti dhe Bobi, një qen që i kujtonte të sajin, e shoqëronin. Përveç rolit në këtë film gjeti dhe djalin e munguar, Enxhin, aktorin e vogël. Një fëmijë i zgjuar, me të cilin u lidh tepër. Por ishin vetëm çaste çlodhjeje, sepse gjithë ç'mbetej përmblidhej vetëm në punë dhe xhirime. "Gjatë xhirimeve të filmit kishte një lloj "diktati". Dëgjoheshin vetëm zogjtë, dallgët e detit dhe blegërima e deleve. Xhirohej me Dhimitër Anganostin". Regjisori, i cili, siç thotë ajo, fliste vetëm një herë, brenda kishte plot nënkuptime, njëkohësisht dashuri, profesionalizëm, mirësi, punë. Në atë shesh xhirimesh Marjana e vërtetoi edhe vetë atë që kishte dëgjuar të thoshin për regjisorin: ai në kamera arrin të ndjejë edhe rrahjen e zemrës së aktorit. "Nga do ta nxjerrësh batutën?- më pyeti njëherë. -Nga goja,- i thashë. Çfarë goje?! Nga barku!!!- bërtiti". Gjithsesi, edhe pse i kursyer në fjalë Marjana, mori prej tij mbështetjen dhe sigurinë e një babai.
Lufta në sheshin e xhirimeve
Por jo gjithçka ka qenë kaq idilike gjatë xhirimeve të filmit. Sepse, ndërsa njohu më të mirën, punën me atë që njihet si mjeshtri i kinemasë shqiptare, Mariana mundi të përjetonte edhe anën tjetër të medaljes, atë më të keqen, xhelozinë dhe sulmin e dy kolegëve, njëri prej të cilëve ishte dhe një nga producentët e filmit. "Çifti Ferri u bë ferri im i vërtetë i atyre ditëve. Në çdo çak më vinin në vesh ofendimet e tyre të thëna nën zë, se unë isha e paaftë për ta luajtur këtë rol. Nuk mund të bëja skandal, duke reaguar për ato që i dëgjoja vetëm unë, kështu që më duhej të përtypja gjithë inatin dhe të vazhdoja. Por s'ishte e lehtë që me një vesh të dëgjoja këto fjalë dhe në të njëjtën kohë të realizoja dublin, i cili para një regjisori si Anagnosti, nuk përsëritej shumë herë".
Xhelozinë e shfaqur kaq haptas ajo sheh me shqetësim, si pjesë e një dukurie që po mbështjell gjithë botën e filmit shqiptar, ku rolet janë shndërruar në monopol të disa aktorëve dhe shtigjet për të rinjtë shfaqen të mbyllur. "Regjisorët bëjnë gjithmonë të njëjtat zgjedhje për një numër të vogël aktorësh dhe janë përherë po ata që luajnë në filmat e rinj. Kështu, të rinjtë e kanë të pamundur për të çarë dhe për t'u afirmuar".
Ka kaluar sigurisht një periudhë të vështirë, një betejë psikologjike që Marjana nuk preferoi ta bluante në heshtje, siç bëjnë rëndom shumë njerëz kur gjenden përballë sulmeve. Por, ajo ka një karakter të fortë: preferon të përballet direkt, të thotë pa rezerva gjithçka që ndjen dhe pastaj të tregojë me punën e vet që ka pasur të drejtë. Dhe në fakt roli ishte i saji dhe jo i Rozeta Ferrit. Në premierë u pa që Anagnosti nuk kishte gabuar edhe kësaj radhe, duke parë tek Marjana dramën, atë që ajo e kishte pasur të pranishme edhe në humorin e saj.
Nëse ajo tregohet e patrembur nga xhelozitë që mund të shfaqin kolegët, apo moskokëçarëse nga indiferenca e regjisorëve që angazhojnë vetëm një grup aktorësh, ndihet e shqetësuar për ata aktorë të rinj, të cilët të vetmin shans për t'u afirmuar kanë pikërisht ftesat për role. "Unë nuk i jam bërë urë dikujt dhe nuk do t'u shtrij dorën ndonjëherë regjisorëve. Asnjëherë nuk kam pasur krahë të ngrohta si disa aktore të tjera, por vetëm për faktin se i kam ngjitur shkallët me rend, kam arritur të krijoj personalitetin tim dhe kam mbërritur këtu ku jam sot". Këtë parim, të marrë me vete nga familja e saj, ia kanë ushqyer edhe në familjen e bashkëshortit, Anamali, një familje shkodrane me taban, të arsimuar prej disa brezash, ku edhe pse nga më të kulturuarit, njerëzit ishin të thjeshtë. "Unë e kam pasur mundësinë për të siguruar një pozitë më të mirë që shumë vite më parë në Teatrin Popullor. Vjehrri im ka qenë arkeologu i parë shqiptar dhe kishte shumë njohje, por ai asnjëherë nuk ka dashur të ndërhyjë. “Nuk mund të bëhesh aktore e madhe menjëherë, por shkallë-shkallë. Ti mund të bësh humor duke u dhënë dashuri njerëzve”, më thoshte ai. Dhe duket se Mariana e ka respektuar këtë porosi. Ajo e nis dhënien e dashurisë te vajza dhe bashkëshorti, te familja e saj që është para çdo gjëje dhe pastaj dhe te publiku që e respekton.
Dashuri me shijen e detit
Nëse nuk do të ishte bërë aktore, do të ishte bërë padyshim mjeke. Por ishte gjyshja ajo që këmbënguli për t'i kthyer mendjen. "Ajo pëlqente aktoret e mëdha si Margarita Xhepa, Roza Anagnosti dhe kur më shihte tek recitoja në shtëpi më thoshte se do të bëhesha si ato". Gati nuk ka një shpjegim më të fortë pse Marjana vazhdoi studimet e larta për aktrim. Rëndësi ka që ajo ishte e suksesshme që në fillim. Menjëherë pas diplomimit ka luajtur rolin e saj të parë të rëndësishëm, atë të Fluturës në komedinë "Tre dhëndurët" e vënë në skenë nga Pirro Mani. Një ogur i mirë për të gjitha rolet e mëvonshme, sepse nuk është pak që rolin e parë të ta japë një regjisor si Pirro Mani, i cili thoshte: "Të ngjitet Marjana në skenë, se vetëm ajo më frymëzon".
Ky rol erdhi në të njëjtën kohë me një ngjarje shumë të rëndësishme të jetës së saj, lindjen e vajzës, që plotësoi familjen e re të Marjanës. Me bashkëshortin ishin njohur në plazh, një mjedis shumë i dashur, ku familja kalon stinën e nxehtë. Ata të dy janë "qejflinj noti" dhe nuk zgjedhin kurrë malin për pushime, ndërsa bregdetin e shëtisin nga pak, duke u ndalur te i preferuari i tyre, në Durrës. "Ne nuk zgjedhim plazhe mondanësh, por Durrësin, aty është deti, aty ka rërë dhe pisha dhe kujtimet janë po aty. Kemi qenë dy herë në Antalia, por jemi kthyer në Durrës dhe na është dukur më i bukur",- tregon ajo për vendin ku kalon pushimet, që i përgjigjet stilit të saj aspak pompoz, por me këmbë në tokë.
Marjana rrëfen se nuk preferojnë restorantet dhe jetën luksoze, por zgjedhin gjithmonë mjedise familjare ku kalojnë çaste të bukura, pa folur për ushqime të shtrenjta, udhëtime, veshje e pushime luksoze, por për çka të bën të lumtur, që në rastin e Marjanës është familja dhe dashuria për njerëzit. Shoqëria e familjes së saj është e njëjtë prej 20 vjetësh, në të ka pak artistë dhe më tepër nga fusha e biznesit dhe agjencive turistike, së cilës i përket i shoqi. Kurse dimrin e kalon thuajse plotësisht në shtëpinë e saj rreth 60 metër katrore, ku në drekë dhe në darkë, si ka qenë gjithmonë traditë, familja mblidhet rreth tavolinës. "Përherë hamë diçka të sapogatuar, unë asnjëherë nuk e lë pas dore gatimin dhe shtëpinë, është diçka që e ndjej dhe me të cilën tashmë ata janë mësuar", thotë Marjana, sipas së cilës, nëse në skenë ajo bën të qeshë publikun, në shtëpi janë bashkëshorti dhe vajza që "tallen" me të, sepse i ka "të përkëdhelurit" e saj, jo vetëm ata të dy, por edhe qenin Tërri, i cili jeton me ta prej tre vjetësh. "Ai është i vetmi në shtëpi që më vjen pas edhe kur i bërtas, se burri dhe vajza nuk të vijnë nga pas",- thotë ajo duke qeshur dhe kuptohet se kjo zgjedhje, fillimisht e vajzës, është shndërruar në një dashuri të madhe për të. Por edhe pse amvisë e përkryer dhe shumë e dhënë pas familjes, për Marjanën bashkëshorti ka vlerë të padiskutueshme në familje.
"Në një çast të vështirë fjala e tij është afër me atë të Zotit". Edhe pse me një karrierë si e saj duket se janë lënë shumë gjëra pas dore, ajo të tregon se asnjëherë nuk ka qenë kështu. "Për mua arti ka qenë në plan të dytë dhe jam me fat. Edhe pse i kam kushtuar rëndësinë që meriton familjes, ajo dhe arti kanë ecur paralelisht". E me gjithë këtë, ajo tashmë në moshën 45-vjeçare, është një nga aktoret më të kërkuara. Kapitullin e filmit me Anagnostin tashmë e ka mbyllur, ka marrë komplimentet dhe kënaqësinë e një pune të bërë mirë dhe të një roli që e kishte ëndërruar. Tashmë po bëhet gati për projektet e reja. Një film tjetër i tillë? Sigurisht që do t'i pëlqente një tjetër rol dramatik. Më i fundit është një provë e qartë se ajo di t'ia dalë mbanë shumë bukur dhe në atë gjini. "Megjithatë nuk do t'i lutem askujt. Në rast se do kem ofertë për ndonjë rol, më duhet ta ndiej për ta luajtur, në të kundërt do t'i kthehem humorit". Ide shumë të qarta, por sa u përket planeve për të ardhmen, thotë se ka disa, por nuk dëshiron të flasë para kohe. Çfarëdo që të jenë, publiku s'është veçse duke i pritur.
Arta Çano - Revista Jeta











