Kur Rama ben gazetarin

Kur Rama ben gazetarin

Kryeministri Edi Rama e nxorri nga tradicionaliteti mbrëmjen e fundvitit me mediat, ndërsa shfrytëzoi mundësinë t’i ironizonte kritikët.  Mbrëmja ishte menduar t’i ngjante asaj që zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë.

Ishte një përpjekje për ta bërë si në Shtëpinë e Bardhë në SHBA, por gjërat janë më të komplikuara në Tiranë, ku ashtu siç pohoi kryeministri as ai Edi Rama nuk është Barack Obama dhe as gazetarët e botuesit që kishte ftuar nuk u ngjajnë atyre të përtej oqeanit. Rama e mbylli takimin aspak tradicional me gazetarët duke thënë se pas një viti qeverisje kishte mësuar që “jemi të përkohshëm” dhe se “nuk duhej ta merrnim veten aq seriozisht”.

Kjo ndoshta për të sqaruar një lumë batutash që një pjesë i lexuan si hakmarrje e tij ndaj “armiqve” gazetarë e botues të ftuar në mbrëmjen e fundvitit, që e parë nga ky kënd “i ngjante” ftesës që i bëri parisë shqiptare më 1830 Mehmet Reshit Pasha (I njohur pas kësaj me pseudonimin “vrasësi i shqiptarëve”). Rama nuk përdori armë sidoqoftë dhe po ashtu “premtoi” që nuk do të përdorë as burgun kundër gazetarëve (veç nëse nuk kanë paguar energjinë), por batutat ishin të ashpra për kë njeh historinë e palëve.

Disave iu duk se kryeministri Edi Rama, kishte lënë detyrën për të qenë edhe një herë publicist, e kështu mund tua kthente pas të gjithëve, kritikat, akuzat edhe sharjet, që mesa duket i ka lexuar edhe pse nuk e ka pohuar asnjëherë këtë. “A është Rama Konti i Monte Kristos?!”, shkruante pak kohë më parë Lapsi.al botimi online i Armand Shkullakut dhe Andi Bushatit, nisur nga një shkrim i Artur Zhejit që i ftonte të mos ia vishnin këtë titull.

Darka duket se ishte frymëzuar prej kësaj, edhe pse organizatorët ishin përpjekur për diçka më miqësore. Kjo ishte pse në fillim u ftuan të flisnin gazetarët kundër Ramës. Baton Haxhiu ironizoi me këtë rast “ortakërinë” që rama njoftoi në fillim të mandatit me tani presidentin e Turqisë Rexhep Taip Erdogan duke vënë theksin se ky i fundit kishte futur në burg mjaft gazetarë. Botuesi i Mapo-s Henri Çili, pasi ironizoi një artikull të Rilindjes Demokratike të disa javëve më parë, kërkoi nga Rama më shumë vëmendje për ekonominë duke ngacmuar faktin që ai nuk kishte këshilltarë për ekonominë. Turjan Hyskaj nga Vizion Plus i vuri në dukje kryeministrit që meqë donte të imitonte Obamën duhej të kishte qëndruar në krah të gazetarëve për t’iu përgjigjur atyre, ndërsa e pyeti se kujt do ia përcillte të “falat”.

Rama nga ana tjetër bëri sikur nuk i kishte dëgjuar këto. Ai e filloi me etiketat që ishin vënë në çdo tavolinë. Sipas tij ishin emra të gazetave të vjetra shqiptare, por pak kush do besojë që nuk ishin aty qëllimisht dhe madje të përfshira me rradhë në fjalën e kryeministrit. “Përshembull, nuk është  e qëllimshme që Genc Dulaku është tek “Shkëndija” sepse nuk ka lidhje me asnjë shkëndijë, ose që Armand Shkullaku është tek  “Rrufeja”, ka rënë rrufeja aty ku s’duhet, ose që Bled Manja është tek “Djersa e Bujkut”, s’ka të bëj me origjinën, apo që Martin Leka është tek “Opinga”, janë pa lidhje”, tha Rama. Njëfarë autoironie pati kur Rama tha se ishte servilizëm i stafit të kryeministrisë që kishin vënë në tavolinën e tij titullin “Brezi i Ri”. Më tej  kryeministri bëri batuta me të pranishmit dhe ata që nuk kishin ardhur.

“Është privilegj i madh, realisht, që të kesh një detyre si e imja që të jep mundësinë fatlume që në prag të Krishtlindjeve të kesh një darkë si kjo, me njerëz që të kanë quajtur “rrezik diktatorial”, “lider frikacak”, madje edhe pa moral; të festosh me njerëz që janë munduar tërë vitin që t’i tregojnë popullit anën e errët, anën e  fshehtë, anën e dyshimtë të përpjekjeve të tua dhe atyre që të rrethojnë  dhe të gëzosh me njerëz të cilët punojnë përditë që të mos të lënë t’i gëzohesh një suksesi”, tha Rama, ndërsa tha se pavarësisht kësaj ishte i lumtur që i kishte të pranishëm. Më pas numëroi batuta kokë për kokë. Kryesisht me botuesit. Dikujt i kujtoi miqësinë me ish-kryeministrin Sali Berisha, një tjetri kritikat dhe mospajtimin me çdo kusht.  Dukshëm pati hatërmbetje. Dikush sepse nuk gjeti emrin në listë u largua demostrativisht e ndonjë tjetër për batutat me dhe pa kripë të kryeministrit. Ky i fundit në fund kërkoi të mos merrej seriozisht edhe pse siç tha as këtë nuk do ia besonin.

Mediat ndërkohë e lexuan me humor ngjarjen. Në anën tjetër “Antena” në Gazetën Tema ironizonte Ramën se nuk po i bindte dot shqiptarët që nuk ishte njësoj si Berisha.

Batutat më pikante

“Është një mundësi fatlume që në prag Krishtlindjesh të kesh një darkë me njerëz që të kanë quajtur frikacak dhe pa moral, të rrezikshëm disa herë, që kanë tentuar gjithë vitin t’i tregojnë popullit anën e errët tënden, që punojnë çdo ditë që ti të mos gëzosh një sukses. Por sidoqoftë askush prej jush nuk mungon se është në burg, s’ka për ti gjetur gjë vetëm nëse nuk paguajnë energjinë”.

“Dava njerëzish pa karakter si puna jote dhe si puna e Obamës”, – mendon Andi Bushati, me siguri. Kurse Mero jam i bindur se do të shkruajë “ Sandri, jo më në paradhomë, por edhe në krye të vendit”. Punë legenësh ne socialistët Sandër, s’jemi burra që ta heqim shikimin. Por të paktën e kemi edhe një si puna jonë në kullën tënde, kemi Fevziun. Ti me siguri mendove kur thashë unë kemi një si puna jonë, Arian Çanin, por Ariani ha bukë veç, nuk konkurrohet në diametër.

Për dronin:

Ishte një ngjarje, o çuna dhe o goca, që nuk ua tregoj dot sa larg më dukej toka nga këmbët. Ngjarjet pra ngjarjet, që ndodhin kur nuk i pret fare dhe të ngrenë peshë me një fuqi që s’ke fuqi as të habitesh. E meqë ulja e Papës në tokën tonë ishte momenti më kryelartë i këtij viti për mua dhe për të gjithë shqiptarët, ajo e dronit ishte qëndrimi im më i gjatë pezull në ajër.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama