Kundra rrymes

Kundra rrymës

Libri i studiuesit francez, Mathieu Aref, Shqipëria, odiseja e pabesueshme e një populli parahelen", të cilin autori e ka shtjelluar dhe në një intervistë ekskluzive dhënë gazetës "Shqip" tri ditë më parë, është pjesë e atij zinxhiri të gjatë veprash me autorësi shqiptarësh e të huajsh, ku mbështetet teza e origjinës së lashtë të shqiptarëve në Ballkan, e për më tepër autoktonia e tyre. Në rastin e francezit Aref, synimi i shprehur që në titull si një definicion i vërtetuar shkencërisht, është që shqiptarët të provohen si një popull më i lashtë se grekët, të cilët në "Olimpin" e mendimit botëror, mbeten simbol i një kulture dhe qytetërimi të lashtë. Por në mendimin filologjik ballkanik, kufiri mes të bërit politikë dhe të bërit shkencë, asnjëherë nuk ka qenë i qartë, ndaj dhe filologjia në një kuptim të gjerë të këtij nocioni, është shndërruar në politikë të mirëfilltë në çdo periudhë, çfarë ka bërë që pas saj të fshihet një ego e thiktë nacionaliste.

Shembujt janë të shumtë e madje dhe të freskët, të pakushtëzuar nga stadi i sotëm politik dhe social në kuadër të zhvillimeve globale. Nëse sot, Mathieu Aref, na vjen me një studim dhe një vepër të bujshme, deri dhe lapidare në "Olimpin" e mendimit shqiptar për rrënjët e thella dhe autoktone të shqiptarisë në Ballkan, ka pasur dhe prej atyre studiuesve që pak u është lejuar t‘u publikohen studimet e tyre, që po ashtu shkencërisht, kanë bërë të lëkunden disa teza të mitizuara rreth origjinës, autoktonisë apo vetë gjuhës shqipe. Një prej tyre, është profesori gjerman, Gottfried Schramm. Ai ka qenë në Shqipëri në vitin 1993 dhe ka shtjelluar para akademikëve të Tiranës, një tezë të tij mbi kontuinitetin iliro-shqiptar, si dhe mbi gjuhën shqipe, për të cilën siç është shprehur, ka nuhatur pakënaqësinë e kolegëve të tij në Tiranë.

Në një shkrim të tij vite më vonë, me titull, "Këndvështrim i ri mbi historinë e hershme të shqiptarëve", prof. dr. Gottfried Schramm, shprehet se "Kush dëgjon teza të tilla në Shqipëri, pa u interesuar për argumentet përkatëse, reagon instinktivisht duke u hedhur në mbrojtje. Dhe kjo sepse pretendohet se teza të tilla ngacmojnë themelet e ndërgjegjes historike shqiptare...qysh herët është ngritur një mur i qëndrueshëm argumentesh të lidhura mirë ndërmjet tyre, të cilat vërtetojnë në mënyrë të padiskutueshme se shqiptarët janë autoktonë; ilirë të ngulitur në të njëjtin truall, ku ata kanë banuar dhe në antikitet. Pra, duhet bërë kujdes se mos ky profesori gjerman bashkëpunon me armiqtë e betuar të këtij vendi: serbët apo grekët ndoshta...", shkruan kështu Gottfried Schramm, duke imagjinuar reaksionin që ka shkaktuar teza e tij tek akademikët shqiptarë, e nuhatur kjo nëpërmjet ftohtësisë së tyre të mëvonshme në formën e një bojkoti bashkëpunimi.

Duke shtjelluar a më saktë, duke cekur shkurtimisht disa prej studimeve të tij mbi hershmërinë e shqiptare, profesori gjerman, është marrë fillimisht me studime më të zgjeruara që kanë të bëjnë më rajonin e Ballkanit apo të Evropës Lindore, siç preferon ta quajë ai. Në rastin shqiptar, Gottfried Schramm u është referuar tezave të bashkëkombësit të tij, Georg Stadtmuller, që shqiptarët e pastër, ata të prejardhur nga ilirët, ishin të vendosur vetëm në rrafshinën Matit, duke konkluduar se ilirët e lashtë patën mundësi të mbijetonin vetëm nën mbrojtjen e zonave malore, tepër të vështira për t‘u depërtuar. Profesori gjerman shtron pyetjen: "A janë shqiptarët ë sotëm pasardhës të ilirëve, të cilët të shkrirë më romakët apo sllavët, shfaqen me emrin Arbanon?"

Sipas tij, ka një shprishje të kontuinitetit gjuhësor iliro-shqiptar deri në ditët tona, duke u bazuar në veriun e Shqipërisë, ku ky kontuinitetet pretendohet te jetë i padiskutueshëm. "Unë iu drejtova rezultateve të gjuhëtarëve dhe konstatova se emrat e hershëm nuk kanë ndjekur të njëjtin zhvillim siç mund të pritej nëse qëndron teza e kontuinitetit.

Tjetër tezë e trajtuar që prek profesori gjerman, është ajo e afërsisë gjuhësore mes shqipes dhe rumanishtes. Sipas tij, rumunët fjalorin e tyre baritor e kanë marrë prej shqiptarëve dhe siç shprehet Gottfried Schramm, dy popujt, kanë jetuar në një simbiozë të ngushtë me njëri-tjetrin, çka dallohet nga ngjashmëritë e tyre gjuhësore. Këtë tezë e ka trajtuar dhe studiuesi tjetër i njohur gjerman, Gustav Weigandt, në studimet me titull: "A janë shqiptarët pasardhës të ilirëve apo të trakasve", si dhe "Ç‘gjë i del zot origjinës ilire?". Në këtë të dytin, Weigandt, skepticizmin e tij e nis me versionin: "Në qoftë se marrim parasysh faktin se asnjë popull evropian nuk banon atje ku ka banuar qysh në fillim, historianët dhe gjuhëtarët duhet të kujdeseshin më mirë për këto punë". Me këtë këshillë, studiuesi gjerman, u heq vërejtjen kolegëve të tij shqiptarë, që të marrin parasysh disa rrethana, para se të arrijnë në përfundime të mirëqena.

Në studimin e tij, Gustav Weigandt, shtjelloi shumë teza. Por ndër to si më delikate, është ajo e emrave të trashëguar. Ai i sheh me shqetësim ndikimet e sllavishtes në disa prej tyre. Si provë jep: Mali më i lartë i Shqipërisë së Mesme, ka emrin Ilir Tomaros; fonetikisht ky duhej të ishte Tomër a Tomar në shqipe. Mirëpo, në vend të kësaj kemi formën sllave Tomor". Weigandt dhe disa emra të tjerë si Pojani (Apollonia) e Devoll i nxjerr nga sllavishtja si Poljana e Dëvol. Weigandt shqyrton dhe teza të tjera si ajo e autoktonisë shqiptare në trojet e tyre ku ndodhen dhe sot. Dhe shtjellimi shoqërohet me një mori analizash të thukëta shkencore. Tezat e Gottfried Schrammit, Georg Stadtmullerit dhe Gustav Weigandtit, mbeten dhe sot pak të njohura për publikun, përkundër faktit që në nivele të larta akademike, ato janë prezente, por deri diku të injoruara.

 

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama