Ku gabon rende Albin Kurti dhe ku ka te drejte

Ku gabon rende Albin Kurti dhe ku ka te drejte

Kur i atakon politikanët e Kosovës në pikën e tyre më të dobët – në krim e korrupsion, Kurti tingëllon i besueshëm. Kur sillet si gjeodezist gjeostrategjik me ambicie për të ndryshuar kufijtë në Ballkan – Kurti është mjerueshëm qesharak.

«Morali i një njeriu shihet në raportin e tij ndaj fjalës», thoshte Lev Tolstoj. – Lexova një letër të shkruar nga i burgosuri politik Albin Kurti, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje dhe faktikisht kryetar në hije i kësaj force të tretë politike në Kosovë.

Disa gjëra më ranë në sy.

E para: Kurti i bie alarmit se shqiptarëve në Ballkan po u kanoset rreziku që të futen në kuadër të një «Mini-Jugosllavie», të cilën po synuaka ta krijojë bashkësia ndërkombëtare. Për shqiptarët bashkësi ndërkombëtare janë shtetet e Bashkimit Europian (në radhë të parë fuqitë kryesore: Gjermania, Britania e Madhe, Franca) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pjesë e kësaj Jugosllavie, sipas Kurtit, mund të jenë jo vetëm Kosova, por edhe Shqipëria. Asnjë fakt të bindshëm nuk e përmend për këtë artikullshkruesi. Çfarë thotë janë teori komploti, të cilat ai i rendit mirë falë shkathtësisë retorike. Athua Perëndimi dëshiron të ringjallë Jugosllavinë pasi i dha mbështetje pavarësisë së Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës, Maqedonisë, Kosovës. Në fund edhe Malin e Zi, pasi e bëri të pavarur, tani po e merr në NATO?

E dyta: Kurti me asnjë fjalë nuk e përmend se Shqipëria është anëtare e NATO-s. Ky anëtarësim është garanci e madhe e sigurisë në kuadër të një sistemi kolektiv të mbrojtjes. Çdo sulm kundër Shqipërisë nga një shtet tjetër konsiderohet sulm kundër të gjitha shteteve anëtare të NATO-s. Të shkruash për sigurinë në Ballkan dhe të mos përmendësh faktin se Shqipëria është anëtare e NATO-s nuk është lëshim. Është mashtrim i opinionit. Para disa ditësh profesori i Universitetit të Vjenës Oliver Jens Schmitt në një përshkrim të gjatë të sukseseve të Rumanisë në konsolidimin e institucioneve të shtetit, shkroi në «Neue Zürcher Zeitung» se për këtë meritor më shumë është anëtarësimi në NATO se hyrja në BE. Tek në atë çast kur rumunët e kanë fituar garancinë se nëse kanoset rreziku nga Rusia do të mbrohen nga NATO, ata filluan të merren më seriozisht me murtajën e korrupsionit.

Edhe Shqipëria doemos do të shkojë kësaj rruge – jo vetëm si shtet anëtar i NATO-s, por edhe si korridor për transport të gazit mes Azisë dhe Europës. Javëve të fundit në diskursin publik në Shqipëri vërehet një ndryshim dramatik dhe pozitiv: disa politikanë kanë nisur që hapur të pranojnë se klasa politike në çerekshekullin e fundit ka bërë ndyrësi të pafundme dhe ka shkatërruar shumë segmente të shtetit. Se a e kanë bërë këtë më shumë të djathtët a të majtët – është e parëndësishme në kontekstin historik. Dështimi është i përbashkët. Deklarata e ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë Mimi Kodheli në Prishtinë se Kosova nuk duhet t’i përsëris gabimet e Shqipërisë, është deklaratë e sinqertë. E thënë nga një grua, kjo deklaratë fiton peshë edhe më të madhe. Nervozizmi i Jakup Krasniqit se Kodheli e paskësh fyer Shqipërinë jashtë vendit është absurd. Ku ka vend më të mirë se në Prishtinë që politikanët e Tiranës të qortojnë vetveten dhe, kësisoj, t’i ndihmojnë edhe Kosovës? Dhe, po ashtu, nuk ka vend më të mirë se në Tiranë që politikanët e Kosovës të pranojnë gabimet e tyre.

E treta: Kurti shkruan se temë e vizitës së sekretarit amerikan të shtetit John Kerry «është lufta globale kundër terrorizmit, mirëpo aty jemi pak të rëndësishëm». Për fat të keq e kundërta është e vërtetë. Numri i shqiptarëve nga Kosova që luftojnë në Siri dhe Irak sillet rreth 300. Afër 40 tashmë janë vrarë në betejën për Kalifatin e Krimit. Një duzinë të rinjsh nga diaspora kanë lënë jetën relativisht luksoze në Perëndim dhe i janë bashkangjitur çmendurakëve me Kuran në dorë. Për çdo ditë ballafaqohemi me lajme mbi çika e gra të Kosovës që kërkojnë fatin në Raka, në kryeqytetin e të vetëshpallurit «Shtet Islamik». E udhës do të ishte që Kurti të dënonte me fjalët më të ashpra të gjithë ata fanatikë fetarë që i bashkohen shtetit që në fakt është antiislamik dhe antimysliman. E udhës do të ishte që Kurti, si lider i opozitës, t’i dërgonte një letër sekretarit amerikan të shtetit dhe t’i garantonte se Lëvizja Vetëvendosje do të përkrahë çdo aksion brneda ligjit kundër kontaminuesve fetarë. Ai e bën të kundërtën dhe thotë: Kosova është e parëndësishme në luftën globale kundër terrorizmit. Këtë e thotë bash në ditën kur policia e Kosovës në bashkëpunim me policinë italiane arrestoi disa persona, të cilët dyshohet se kanë pasur lidhje me milicinë terroriste të quajtur «Shtet Islamik».

E katërta: Në furinë e zemërimit Kurti «zbulon» se në Kosovë paskësh forca projugosllave, të cilave u prijnë Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi. Kjo është moda e fundit e Vetëvendosjes: kush nuk i duartroket hedhjes së gazit lotsjellës, është proserb. Pak e çuditshme si ishte i gatshëm Albin Kurti që jo më larg se vitin e kaluar të krijojë qeveri me Isa Mustafën, të cilin tash ka mbetur ta krahasojnë edhe me Aleksandar Rankoviqin. Tolstoj kishte të drejtë: «Morali i një njeriu shihet në raportin e tij ndaj fjalës». Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi janë figura të diskredituara politike për shkak se njëri në nivel lokal dhe tjetri në nivel qendror e kanë shkatërruar substancën e shtetit, e kanë toleruar dhe me gjasë edhe favorizuar korrupsionin masiv, kanë mbyllur sytë para krimit të organizuar, kanë instaluar një sistem të nepotizmit masiv dhe shumë njerëzve në Kosovë ua kanë bërë jetën ferr. Qytetarët vitin e kaluar dhe në fillim të këtij viti votuan me këmbë: rreth 100 mijë shqiptarë braktisën shtetin e tyre, për të cilin kishin sakrifikuar me gjenerata. Forcat projugosllave, që i përmend Kurti, mund të ekzistojnë në fantazinë e tij, por peshë politike nuk kanë. Këtë fjalor, që të kujton fjalimet e Enver Hoxhës në Radio Tirana, Albin Kurti është mirë ta harrojë sa më shpejt.

 

Kur sillet si gjeodezist gjeostrategjik me ambicie për të ndryshuar kufijtë në Ballkan – Kurti është mjerueshëm qesharak, andaj në letrën e tij nga burgu gjen edhe këso margaritarësh: «Me të drejtë thotë një mik imi nga Shkupi se ne shqiptarët i bëjmë tifozeri SHBA-ve. Ky s’është partneritet politik dhe ekonomik. Kjo s’është aleancë ushtarake dhe strategjike. Kosova që të fillojë të peshojë më rëndë në arenën ndërkombëtare duhet që ta përfytyrojë veten si pjesë të kombit shqiptar shtatëmilionësh në Ballkan dhe ta ketë një udhëheqje radikale në diskurs dhe veprim politik që nuk sprapset para vuçiqave e daçiqave». Kur lexon njeriu një konstatim të tillë, s’mbetet gjë tjetër veçse të pyesësh: athua këta shokët e Albin Kurtit në Shkup apo gjetiu kanë ndonjë kusur nga e kaluara, që duan ta lajnë tash me patriotizëm që nuk u kushton asgjë dhe me zhurmë për Shqipëri Etnike. Albin Kurtin mund ta këshillojnë shokët që nuk u dashka të bëjmë tifozeri për Amerikën, por kjo propagandë e pistë nuk duhet ta hutojë askënd: gjermanët kanë qenë mbi gjysmë shekulli tifozë të mëdhenj të Amerikës derisa arritën bashkimin – falë Amerikës.

 

Dhe, edhe sot, elitat politike, ekonomike dhe intelektuale gjermane, përkundër kritikave të drejta ndaj Amerikës, angazhohen për aleancë të fuqishme me Washingtonin. Brenda një çerekshekulli shqiptarët, falë Perëndimit, kanë arritur suksese që nuk mund të mohohen: intervenimi i NATO-s për çlirimin e Kosovës (1999), pavarësia e Kosovës (2008) dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO (2009) janë më të rëndësishmet. Të gjitha këto u arritën përkundër se kishim një klasë politike batakçinjsh: Shqipërisë faktikisht iu dhurua anëtarësimi në NATO, intervenimi në Kosovë u bë edhe nga shtetet që tradicionalisht kanë qenë aleate të Serbisë ose, si Gjermania, shumë skeptike sa i përket bombardimit të Serbisë. Na dolën në ndihmë, sepse Lidhja Demokratike e Kosovës ishte jashtë rolit të saj historik, ndërsa krerët e UÇK-së si puna e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit më shumë ishin të preokupuar me marrjen e pushtetit në Prishtinë, madje edhe me çmimin e luftës vëllavrasëse. Herët apo vonë para gjyqit tokësor, hyjnor apo historik do të përgjigjet për mbrapshtitë e tij edhe Thaçi me tarafin e tij. Që sot është e sigurt se nuk do të kenë më shans të hyjnë në histori si figura të ndritshme. Këtë shans e kanë varrosur me sjelljet e tyre që të thuhet se janë skandaloze është pak.

Që drejtësia tokësore të afrohet Albin Kurti duhet të qetësohet. Sepse ai, natyrisht, ka të drejtë në shumë kritika që ia bën pushtetit, por edhe diplomatëve cinikë që sorollaten bareve të Prishtinës dhe për këtë shoqëri kanë po aq respekt sa kishte Mbreti belg Leopoldi i II-të për kongolezët para një shekulli, kur ua priste duart, sepse nuk nxirrnin rendimentin e kërkuar në plantacionet e kauçukut në trevat afrikane.

Albin Kurti ka të drejtë më shumë se çdo politikan, kur kritikon korrupsionin në Kosovë, sepse vetë nuk është përlyer në moçalin e ryshfetit dhe bixhozit me pasurinë e shtetit.

Kurti ka të drejtë kur atakon figura si Gani Thaçi për përzierjen e tij në afera të korrupsionit. (Për çudi Vetëvendosje nuk reagoi të martën kur u bë e ditur ajo që merrej me mend: se vëllai i Hashim Thaçit mban një lloj monopoli në sistemin e sigurimeve në Kosovë).

Kurti ka të drejtë kur kërkon nga qytetarët e Kosovës që, më në fund, ta tejkalojnë të menduarit parapolitik dhe të sillen si pronarë të shtetit. Ai ka të drejtë kur atakon intelektualët e Kosovës që kanë futur kokën në zall dhe presin njëherë se kush do të fitojë për t’u bërë me të. Ai ka të drejtë kur atakon ata që pasurinë e Kosovës e shitën për pesë para të kuqe e tre dinarë. Ai ka të drejtë kur demaskon hipokrizinë e aktivistëve të shoqërisë civile për sjelljet e tyre anticivile. Ai ka të drejtë shumë kur godet gazetarët e korruptuar që janë bërë zagarë të çdo pushteti që u jep pak tagji.

Nëse i përkushtohet këtyre kauzave në të ardhmen Albin Kurti ka ende shans të hyjë në histori si çlirimtar i vërtetë dhe i sinqertë i Kosovës. Shanset historike nuk përsëriten shpesh. Këtë shans muajve të fundit ai e ka dëmtuar, por ende nuk e ka varrosur krejtësisht. Për fat të keq, letra e tij e fundit nga burgu nuk është aq shpresëdhënëse. Kuptohet, këtë letër do të doja ta mbyllja me një pritje më shpresëplotë. Le të mbetet si thirrje nga një gazetar që është pajtuar me pothuaj të gjitha kauzat e tij civile, të drejta dhe të padhunshme.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama