Kryebashkiaku i Kavajes Rroshi jep doreheqjen Qenkam denuar ne Itali pa dijenine time!

Kryebashkiaku i Kavajës Rroshi jep dorëheqjen: Qenkam dënuar në Itali pa dijeninë time!

Kryebashkiaku i Kavajës Elvish Rroshi dha sot dorëheqjen pasi "papritur dhe pa kujtuar rezulton të jetë dënuar si minoren, pa dijeninë e tij në Itali."

Lajmin për dorëheqjen e tij Zoti Rroshi e publikoi në Facebook, ku shkruan se vetëm sot e ka mësuar se është dënuar në Itali, ku ai ishte 16 vjeç.

"Jam akoma i shokuar nga ky njoftim dhe as unë vetë nuk di çfarë të shpjegoj më shumë. E vetmja gjë që mund të kujtoj është se na patën shoqëruar njëherë në polici në tufë nga kampi pas një sherri të madh. Mua me ndanë veç se isha minoren dhe kur më morën në pyetje nuk dija akoma as pesë fjalë italisht. Por as kam qenë ndonjëherë në gjyq as kam bërë ndonjë ditë burg për këtë dënim të dhënë nga një gjykatë minorenesh, që rezulton në kartelën time penale kur sapo kisha mbushur 16 vjeç", shkruan kryebashkiaku Rroshi.

Kryebashkiaku i Kavajës ka qenë një nga zyrtarët më të përfolur për të shkuarën e tij kriminale. Në formularin e vetëdeklarimit, Zoti Rroshi shkruante se është dënuar dhe gjykuar për një vepër penale në Gjermani, por se nuk e mban mend as veprën dhe as vendimin e gjykatës.

Elvis Rroshi është akuzuar vazhdimisht edhe nga Partia Demokratike, veçanërisht për trafik droge. Për këtë arsye, sipas opozitës, ai ka ndryshuar dhe identitetin e tij nga Ervis në Elvis.

Dhe në njoftimin e sotëm, Elvis Rroshi ka mohuar akuzat e opozitës për çdo lidhje me krimin. Ai shprehet se të gjithë dokumentet që ka siguara nga shtetet ku ka emigruar tregojnë se ai nuk është dënuar askund, përveçse në Itali kur ka qenë minoren, dënim të cilin nuk e dinte.

Elvis Rroshi ka patur dhe mbështetjen e Kryeministri Rama, i cili në daljet publike në krah të Zotit Rroshi ka bërë shpesh batuta për ndërrimin e emrit dhe akuzat e PD-së. Ai madje është shprehur se Elvis Rroshi nuk ka asgjë në të shkuarën e tij që mund të jetë objekt i ligjit të dekriminalizimit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama