Kristo Frasheri Me kane harruar te gjithe!

Kristo Frasheri: Me kane harruar te gjithe!

Edhe pse nuk të vjen mirë, kur e dëgjon, profesori e artikulon qartë: Më kanë harruar të gjithë! Dhe, në këtë harresë, ai fut institucionet, akademinë, botuesit, por mbi të gjitha shtetin shqiptar dhe indiferencën e vet për historinë kombëtare…

Po i afrohet pak nga pak shekullit të jetës dhe duket se ritmin e botimit do ta mbaj deri më atëherë njësoj. Ka ende etje për të shkruar, megjithëse përreth ka më shumë një xhungël hijesh, që e identifikon dhe e lokalizon vetëm me zërin. Të 94 vitet i qëndrojnë si zhguall mbi trupin që është rënduar dhe që nuk e lejon më të jetë aktiv si më parë. Por, nëse nuk lëviz si dikur, nuk do të thotë se nuk punon si në kohët më të mira. Kristo Frashëri punon ende me një energji për t’ja pasur zili shumë më të rinjtë dhe me një dëshirë që nuk rresht. Ka një ngut që i shtohet sidomos, kur ndonjë bashkëbisedues i afrohet për botimin e ndonjë vepre. “Kush mendon se mund ta botojë?! Ah e kam provuar. Vinë. Flasin. Dhe, ikin. Ehu...”. Bashkëbiseduesi i tregon një mundësi tjetër për botim. Atë moment, e gjithë vëmendja e tij mblidhet aty. “Po është kaq faqe...Po. Janë kujtimet. Është edhe kjo, që është gati. Por duhet ta marrin përsipër dhe jo të më mbajnë me fjalë!”... Pastaj shikon sërish nga dritarja, sikur askush të mos jetë në dhomë.


Ngado është i rrethuar me letra dhe libra. Studioja e tij e punës gjendet në një kuzhinë të vogël, brenda një apartamenti të stilit të vjetër, ku faqet e mureve janë të mbushura me çertifikata nderimesh, mirënjohje dhe çmimesh që i janë akorduar prej gjithandej. Nga një cep e ndjek fotoja e bashkëshortes së ndjerë, në një vizatim me laps dhe në një tjetër sërish ajo, e menduar, me gishtin në tëmth. Nipërit, në fotot e laureimit janë përballë. Brezi i ri i Frashërllinjve e ndjek buzagaz dhe me përmasa fizike të stërmëdha. Janë të gjithë jashtë vendit. E kap drejtimin e vështrimit. Ku e ke mendjen? Fillon e shpjegon. “Po, ajo është mbesa. Ka ecur mirë dhe është studiuese. Ka botuar diçka në SHBA, por dua ta botoj në Shqipëri. Po kush e boton këtu. Ajo punon në OKB dhe ka ecur mirë, por nuk njoh më...”. Të gjithë i njeh profesor, kush do të kthente ty!


“Si? Kush do t’ia dijë sot? Të gjithë më kanë harruar. S’më marrin në telefon dhe nuk kujtohen fare. Nuk kujtohen më për botimet dhe për gjithë ato vepra që u kam thënë se i kam gati”. Është e vështirë ta dëgjosh të gjithë ligjëratën, pasi zëri i plakur mbytet në këtë ditë pa drita prej zhurmës së një gjeneratori të vogël, që i mban në funksion aparatin e oksigjenit. Këtë të fundit e rregullon herë pas here dhe duket se ky aparat ia ka zgjatur jetën.  Në një ditë pa drita, si kjo, që në dimër janë bajagi të shumta, në lagjen e tij, zhurma e tmerrshme e gjeneratorit ia zbeh akoma më shumë zërin. Mbështetet mbi një jastëk në tavolinë, kurse karrigen e mban të palëvizur dhe të kthyer përballë ballkonit të vogël, ku drita që vjen nga jashtë i jep mundësi të krijojë një përshtypje më të qartë në pyllnajën e hijeve.
 
Për jetën e vet


Bisedën e drejton vetë, por i pëlqen shumë ta pyesin sepse tregon me këtë rast dhe kthjelltësinë e vet. Ka pasur fatin të ishte në kremtin e 25-vjetorit të pavarësisë më 1937 si djalë i ri; 50-vjetorin e pavarësisë më 1962 e provoi si studiues, në moshë të pjekur; ndërsa 75-vjetorin e pavarësisë më 1987, dhe 100-vjetorin, si një nga njerëzit që i kish dhënë bajagi shumë studimeve shqiptare. “A do t’ia arrij vallë?!”-thoshte për 100-vjetorin. Në fakt, jo vetëm e arriti, por duket se edhe e sfidoi kohën, kur me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë botoi një album, studime dhe vazhdon ende që të kërkojë botimin. Por, dëshira shpesh nuk shkon me mundësitë dhe për këtë është krejtësisht i vetëdijshëm.


“Më kanë harruar dhe të mendosh unë vetë jam kthyer në një Institut Historie me këtë që prodhoj, por gjithnjë e më pak duken se janë të interesuar. Duket se nuk kanë interes për asgjë”. Si ka mundësi, juve ju referohen?! “Eh”, ia bën me dorë mospërfillës. Shqetësimi vazhdon me Frashërin, vendbanimin e madh historik. Është gjithë sy e vesh sepse i biri po përgatit një memorandum për Frashërin. “Ka mundësi që Frashëri të mos jetë më qendër komune. A e mendon apo jo? E gjithë ajo histori që mund të vitalizohet me një investim të thjeshtë dhe me asfaltin për 25 kilometra sot është lënë krejtësisht. Është lënë...”. Gjergji (është i biri, tepër i angazhuar me problemet e trashëgimisë) po i drejton një letër kujtimi presidentit, kryeministrit dhe të gjithëve bashkë për t’i lajmëruar. “Nuk mund të shuhet Frashëri kështu, se ju tek sot të bëjnë ndryshime. Është vendi, ku lindi Naimi dhe Abdyli, vatër e atdhedashurisë. Vinë nga Kosova, nga Maqedonia e Mal i Zi dhe po e harrojmë ne shqiptarët. Epo kjo s’durohet...”. Është e tepërt t’i thuash se reforma territoriale është reformë pragmatiste dhe utilitare dhe jo reformë për të sajuar. E Frashëri i sotëm ka mbetur pak fare shtëpi dhe po aq pak frymë.


Befas biseda kap Tiranën. Nga njëri skaj i vendit, kalojmë në një problem tjetër. Ka mbaruar vëllimin e parë për Historinë e Tiranës, por interesi ka qenë pothuaj i pamjaftueshëm për të. Për vëllimin tjetër as nuk është kujtuar njeri. Të paktën për të. “Por, bashkia asnjëherë s’ka qenë e vëmendshme”. ‘Historia e Tiranës’ i duket se ka kaluar pa asnjë vëmendje edhe pse duhet të kujtojmë se Bashkia e Tiranës e ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi” për kontributin e çmuar në evidentimin e vlerave historike të kryeqytetit.
 
 
Vendimi që është miratuar në unanimitet nga të gjithë këshilltarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ka qenë vazhdë e propozimit të këshilltarëve të PS-së. Patjetër që libri kushtuar Tiranës ishte shkaku kryesor dhe motivacioni është i shkruar për evidentimin e vlerave historike kulturore dhe qytetare të Tiranës. Biseda me profesorin e i ngjan disi kukullzave të Matrioshkës. Ti heq njërën dhe befas të shfaqet tjetra pjesë. Por, nëse Tirana, ashtu si thotë se ka nderuar aq sa duhet, këtë se bën as Kosova. I kujtoj nderimin, që ata përcjellin. I kujtojmë edhe atë që ka bërë në botimet e tij për Kosovën. “Nuk ka fare reagim për të, për të mos thënë që ata janë jo vetëm indiferentë, por edhe fare të interesuar. Ky brez i sotëm as do t’ia dijë më”, përsërit.


Profesor Frashëri ka disa punime, deri diku të përfunduara që qëndrojnë në dorëshkrim. Të gjitha janë në një raft, të seleksionuara në dosje, nga një grua e re që i shërben si asistente dhe që me sytë e saj, ai lexon këtej e tutje. Por, ato janë të heshtura, pasi askush s’është i interesuar t’i botojë. Secila ka nevojën e rishikimit profesional para se të shkojë në shtyp. “Do të duheshin të paktën 2 muaj. Vëllime me 300-400 faqe të mbështetura në dokumente. Punimet përfshijnë që nga “Shqipëria në Konferencën e Paqes në Paris-1946”, 2. “Epiri gjatë shekujve” 3. “Historia e Çamërisë”, 4. Historia fetare e Shqipërisë, 5 “Kujtimet e një historiani”, dhe puna e tij dhe e kolegëve të tij me Serinë e vëllimeve të dokumenteve “Mbi Skënderbeun (plot 9 vëllime). Do të duheshin për këtë të fundit dhe honoraret për përkthyesit e dokumenteve që kanë punuar, përveç shpenzimeve të tjera, por askush s’kujtohet”. Në fakt, kujtojmë se shqetësimin për vëllimet e dokumenteve mbi kohën e Skënderbeut është një problem shumë i vjetër dhe sot e kësaj dite nuk i gjendet zgjidhje.

 


Eh, ia bën me dorë. Shenja do të tregojë se është i njëjti muhabet gjithnjë.


Befas dhe kur e pyesim shkon në Korçë. Sikur të jetë sot, bën një paraqitje të gjithë situatës së asaj kohe madje dhe peizazhin urban dhe personazhet e ndryshme të qytetit. Pas lufte, shkoi të punonte në kohën e ndërrimit të parasë në Bankë. Mban mënd vajzat e bukura të Korçës dhe të gjitha personazhet, që i kanë dhënë emër qytetit. Një koleges sonë që përpiqet ta ngacmojë i korrigjon gjithçka. “Jo s’është e vërtetë që keni qenë kushërinj. S’keni fare lidhje fare me të. Po ai ishte mysliman, çfarë lidhje kishit ju, që ishit ortodoksë”…Me një logjikë të disiplinuar i shpjegon një situatë familjare dhe befas kujton historinë e Çajupit, që ka lidhje me këtë familje. Si ai e degjeneroi në krijim Gjergj Adhamidhin me personazhin e njohur të Adhamudhit. “Eh ajo kohë është si sot. Gjithnjë jemi përpjekur të hedhim baltë, duke shfrytëzuar letërsinë, letrat, gjithçka...”.


 Kur ngacmohet për Enver Hoxhën, mundohet të ekuilibrohet, për të mos i dhënë debatit drejtim të panjohur. “Shpesh, njerëzit që merren me dokumentet s’janë treguar aq të mirë. Nuk më duken të rregullt”. E njeh mirë luftën dhe ka qenë një nga njerëzit e parë të organizuar komunistë. E kanë përjashtuar, kur e kanë kapur me një material të Zai Fundos. Këtë të fundit e nderon.
“Zai Fundo më del një nga ideologët më të mëdhenj të kohës së luftës. A e dini që unë isha në Parti që në themelim dhe më hoqën sepse më gjetën me një nga traktatet e tij. Doja të botoja monografi për të dhe e kam gati por duhet mbështetje dhe kush mund ta bëjë këtë vallë...”.


Bën pauzë, por zhurma e tmerrshme e gjeneratorit nuk pushon. Nuk lëviz fare nga vendi dhe duket si i salduar me karrigen, të cilës i rri skiç. Dëgjon pjerrtas dhe afron veshin kur do të dëgjojë më shumë. Edhe pse kemi folur shumë dhe na drejtohet në fytyrë, sërish shton se nuk sheh fare edhe pse e dimë që orientohet mirë me hijen. Një moment që marrim një album dhe e shfletojmë, na e pret menjëherë: “Lëre aty, ke ardhur për mua apo për ato”. Në fakt kemi ardhur për të dhe ndaj po flasim për shumë gjëra.


Po ajo demonstrata e Luftës? “Ah, mua më dalin disa njerëz që kanë qenë të përfshirë por ata që spekulojnë sot me dokumente, nuk i besoj. Nëse do të hulumtosh kërko relacionin e prefektit të Korçës të asaj dite. Janë pjesëmarrësit, ata që e organizuan dhe të gjithë të tjerat...”, i thotë koleges sonë.
....


Kristo Frashëri jeton prej kohësh i vetëm dhe njëkohësisht me shumë njerëz. Pas vdekjes së bashkëshortes, përveç të birit, e ndihmojnë dy gra dhe i asiston edhe një grua e re. Është e vështirë të shpjegosh mekanizimin e punës të tij, por në tollovinë e librave, ai orientohet me një saktësi murgu. I vinë pak kolegë dhe studentët e tij. Njësoj si vite më parë, Frashëri  ka gjithnjë disa libra që presin dritën e botimit, por thotë se asnjë shtëpi botuese nuk i afrohet. Sa është e vërtetë? Relativisht mund të quhet e vërtetë, pasi ata që e kanë botuar, duket se nuk i janë rikthyer më. Në këtë kohë krize, interesi më i vogël, sot është për librin. “Më thonë se librat e mi shiten shumë, këtë ma cilësojnë miqtë, por librashitësit më thonë se librat e mi nuk shiten. Kujt t’i besoj vallë?!”-shton pa-të-keq.


Qesh. Në fakt, nga halli. Është paqtuar me kohën, me jetën dhe pamundësinë, por nuk harron kurrë se pas ka një trashëgimi të tërë. Befas vinë dritat. Zhurma e gjeneratorit pushon, por fillon një zhurmë tjetër. Është ajo e aparatit të oksigjenit. “Të mendosh sa paguaj për të gjitha këto, të zë koka, por shyqyr që janë fëmijët dhe pensioni ”. Ka ardhur koha të ikim, por me premtimin që të kthehemi me lajm për botimin e ndonjë libri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama