Kosovaret festojne te pakenaqur 6-vjetorin e pavaresise

Kosovaret festojne te pakenaqur 6-vjetorin e pavaresise

Disa pranojnë se u është përmirësuar jeta, e disa të tjerë mendojnë që Qeveria është pasuruar dhe se populli ka stagnuar. Në ditën kur Kosova po i kalon gjashtë vite shtet i pavarur, mendimet e qytetarëve janë të ndryshme. Pritjet për ta kanë qenë të mëdha sa i përket zhvillimit ekonomik ndërsa e konsiderojnë si të paktë vetëm ndërtimin e rrugëve, sepse sipas tyre, varfëria në Kosovë është e madhe. Shpresat i kanë tek të rinjtë e vendit. Shkumbin Bajrami, qytetar i Prishtinës tha për KosovaPress, se edhe në Kosovë ka përmirësime që nga paslufta, sipas tij, nuk duhet të kënaqemi më këtë sepse prapë ngelemi larg Evropës. “Në përgjithësi kushtet, jo vetëm pas 6 viteve të pavarësisë, por prej vitit ‘99 janë përmirësuar shumë. Sidomos prej shpalljes së pavarësisë ka përparim, por kur krahasohemi me pjesën tjetër të Evropës ne jemi ende mbrapa, ka punë ende për tu bërë shumë, shumë punë e madhe na pret. Nuk ka vend për vetëkënaqësi për tu kënaqur me atë që kemi arritur se larg jemi nga Evropa dhe standardet evropiane.. normal që pres se njeriu është vet nga natyra I prirur për të pritur pozitivistet dhe optimizëm”, ka thënë ai. Përmirësim të vogël, një tjetër qytetar, Naim Zeqiri, sheh vetëm në infrastrukturë. Ai më shumë shpreson që gjeneratat e ardhshme do t`i ndryshojnë gjerat në vend. “ Është një përmirësim i vogël, pak infrastrukturë, shumë pak.

Është një papunësi e madhe. Ndoshta po presim ditë më të mira, një qeveri e re një gjeneratë e re.. në përgjithësi ekonomia duhet të zhvillohet punësimi, njerëzit ta ndiejnë vetën më të relaksuar por shumë ngadalë po shkojnë punët. në vitet nëvazhdim, kam besim në gjeneratat e reja besoj që ndoshta diçka me hapa më të sigurta, po shpresoj. Visar Rexhepi, i cili ka ardhur nga Berlini për ta festuar 6-vjetorin e pavarësisë së Kosovës tha se Qeveria është munduar në përmirësimin, por populli pret akoma nga ata. “ Nuk kanë bërë sa duhet, por edhe ata po mundohen me kaçikun e vet. Por populli gjithmonë pret më shumë se janë në opozitë, e ata që janë në pozitë nuk mendojnë si ne....Ato premtimet gjatë fushatës që po i japin partitë politike dikur po harrohen, në ato fillime deri sa po i arrijnë qëllimet edhe pastaj dikur populli po ngelet si peshku në zall...Ne kemi shpresat që do të behët më mirë, mos të kishin qenë shpresat ne nuk e di se çfarë do të kishim bërë” ka thënë ai për KosovaPress. Më e rëndësishme është që Kosova është e pavarur dhe se çdo dit e më shumë ajo ka njohje të reja nga shtetet e botës. Kështu sipas, Mehmet Fetahut, i cili thotë se ka pritur se procesi i zhvillimit do të jetë më i shpejtë. Ai shpreson që bisedimet ndërmjet në Bruksel të përfundojnë sa më shpejtë në mënyrë që Qeverisë t`i kthehet vëmendja kah populli. Tefik Salihu, shprehet pesimist për të ardhmen e tij dhe të qytetarëve të tjerë, dhe se sipas tij, derisa populli në Kosovë jeton në varfëri ekstreme, vetëm ata që i takojnë politikës po pasurohen.

“Sipas mendimit tim, është dashur shumë më shumë të punohet, pavarësisht që janë rregulluar disa autostrada e sheshe, populli është shumë i varfëruar, skamja është jashtëzakonisht e madhe. Kemi pritur më shumë. Prej mbas luftës vetëm politika është pasuruar, kurse populli vetëm ka varfëruar. Ishalla ndonjë gjë më e mirë për popullin e jo vetëm për qeveri e vetëm për ministra, le të ngopen një herë ata, pastaj ndoshta edhe populli. Përderisa qytetarët e Kosovës, nuk janë të kënaqur me zhvillimet dhe kushtet jetësore në Kosovë edhe pas 6 viteve pavarësi, qytetarët e Shqipërisë, me gëzim, vijnë në vendin tonë për të festuar këtë përvjetorin. Qazim Ukaj, qytetar nga Tropoja e Shqipërisë, me sy të përlotur thotë se Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë një. “Vij këtu me gëzimin më të madh se nuk është më serbi, nuk ka më zaptues të huaj, janë shqiptarët që udhëheqin shqiptarët. Prandaj shqiptarët i ka marr malli të jetë i njëjtë gjaku, i njëjtë kombi, i njëjtë flamuri, të jenë të bashkuar pa kufi, s’ka pse shqiptari me shqiptarin të kenë kufi se shtylla kryesore është të bashkohen shqiptari si kemi qenë 100 e disa vjet më parë” tha ai. Ndryshe edhe pas 6 vite kur Kosova u shpall e pavarur dhe 15 vite të përfundimit të luftës, qytetarëve shpresat nuk po i humbin, se një ditë edhe Kosova do të jetë e zhvilluar si duhet, e të jetë një shtet europian. E me gjithë mllefin që qytetarët kanë, në rrugët e qytetit tonë, ata kanë filluar një ditë më herët ta festojnë këtë festë, 17 shkurtin, ditën kur Kosova u shpall e pavarur.

Ilir Gashi, zyrtari i parë që zbuloi flamurin e Kosovës

Gjashtë orët e mbrëmjes së 16 shkurtit kishin qenë të mundimshme për Ilir Gashin. Sorollatja nëpër vendin e punës në Kuvendin e Kosovës edhe jashtë orarit zyrtar nuk i kishin ndihmuar shumë. Kureshtja për pëlhurën që do të shihte në orën 24:00 të asaj dite po e mundonte. Rreth orës 18:00 i kishin treguar se do t`ia bënte një “argat”, ceremonisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Misioni i tij do të fillonte pas gjashtë orësh. Ilir Gashi është këshilltar i Grupit Parlamentar të PDK-së dhe anëtar i Komisionit Qendror Zgjedhor nga partia e kryeministrit Thaçi. As njëra dhe as tjetra punë nuk e bëjnë të pazakontë. E veçantë ishte detyra që atij i ishte dhënë në ditën e pavarësisë. Gashi ishte caktuar që të mbante të fshehtë flamurin e Kosovës, simbolin e shtetit të ri që po lindte më 17 shkurt dhe ta shfaqte atë në Kuvendin e Kosovës fill pas miratimin të Deklaratës së Pavarësisë, shkruan Tribuna. “Jam takuar më datën 16 pasdite me Vlora Çitakun dhe disa anëtarë të tjerë të Këshillit Organizativ të shpalljes së pavarësisë. Na i kanë treguar në detaje punët që do të bëhen në Kuvendin e Kosovës gjatë aktit. Mua më kanë thënë se atë natë rreth orës 24:00 duhet të shkojë në kabinetin e kryeministrit dhe ta marr flamurin e Kosovës. Të njëjtin me e sjell në Kuvend dhe me e fsheh deri nesër gjatë ceremonisë”. Gjatë gjithë kohës deri te momenti i takimit me flamurin, thotë se ka përjetuar gjëra të ndryshme. I ishte dukur vetja pjesë e një ngjarjeje të madhe.

I ishte kujtuar Ismail Qemali, por edhe Kosta, djaloshi që në filmin “Nëntori i Dytë” i shpërndan fshehurazi telegramet e njoftimit për vendin dhe datën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, para njëqind vjetësh. “Në qeveri ka qenë kryeministri dhe stafi i tij. Brenda kanë qenë duke e shkruar Deklaratën e Pavarësisë. Flamurin që ma dhanë ishte i mbështjellë. Nuk kam mund me prit. Menjëherë e kam shpalos për me e pa se si duket”, rrëfen Iliri. Nuk e mban mend saktë se kush i kishte treguar domethënien e yjeve. Për sfondin e kaltër dhe hartën në mes nuk kishte nevojë t`i shpjegohej. “M’u kanë kujtuar shumë gjëra. Sytë më kanë mbet të harta. Nuk e mohoj se harta e territorit të Kosovës është simboli më i dashur në flamur. Më së shumti emocione kam pas kur m’u ka kujtua gjyshi dhe gjenerata e kaluar”, rrëfen Gashi. Sipas instruksioneve, aty duhej ta linte flamurin në një vend ku nuk do të shihej. Për disa minuta e kishte analizuar hapësirën. Në fund e kishte gjetur kthinën.

 

“Prej emocioneve e kam gjetur shtizën dhe e kam vendosur në të flamurin. Nuk e di pse m’u dukë më mirë sesa me e lanë të mbështjellë”. Kishte qëndruar për disa orë pranë flamurit. Krejt vonë ishte kthyer në shtëpi për të bërë gjumë. “Çfarë gjumi. S’e di qysh kam fjet hiç”, shpjegon Iliri. Ora 07:00 e ditës historike do ta gjente Ilirin sërish në Kuvendin e Kosovës. Kësaj radhe, jo në hapësirat e Grupit Parlamentar të PDK-së ku punon, por në ambientet e kryeparlamentarit, një kthinë të së cilave e kishte përdorur për ta fshehur flamurin. “Kryetari i Kuvendit e ka pa në mëngjes. Nuk ka reaguar. Nuk e di a e ka pa më herët”, tregon Iliri. I është dashur të presë deri në orën e shpalljes së pavarësisë, dhe ftesës së kryeparlamentarit që të shfaqet brenda sallës së parlamentarëve me Flamurin e Kosovës në duar. “Shumë jam ndier mirë. Më kujtohet reagimi i njerëzve që e kanë pa prej zyrave deri të salla. Shumica absolute e shihnin për herë të parë. Edhe deputetët, shumica për herë të parë e kanë parë”. Ky është flamuri i Republikës së Kosovës”, ka qenë deklarata e kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, në momentet që Iliri po e shpaloste atë para deputetëve.

“E kam shpalosur mbrapsht. Veriu i ka rënë poshtë. Kur jam kthyer nga deputetët e kam pa Memli Krasniqin që më bënte me shenjë. E kam kthyer në anën tjetër nga është mbarë”, rrëfen Iliri. Ai moment ka ndryshuar shumëçka në jetën e kosovarëve që më në fund kishin shtetin e tyre. Tek Iliri ka ndryshuar edhe diçka krejt të veçantë, e që është raporti me familjarët. “Nuk ndalej telefoni. Çdo i njohur brenda e jashtë Kosove më ka thirrë në tel. Ata që më merrnin nga jashtë, ishin të gëzuar dhe vetëm më uronin. Edhe këta që më thirrnin nga Kosova, ishin të gëzuar, por pas urimeve nuk e linin pa e përmend se nuk po u pëlqente flamuri”, tregon Iliri. “Ku e gjete atë flamur allahile?, Na s’e duam pa qenë kuq e zi”, kishin qenë disa nga reagimet. Ilir Gashi, ende e mban në shtëpinë e tij, flamurin e parë të Republikës së Kosovës që u shfaq publikisht. Atë është i gatshëm që t`ia ofrojë muzeut të pavarësisë, kur një i tillë të ndërtohet. “Ka qenë fat imi. Ndoshta edhe një shpërblim për gjithë sakrificën e familjes”, thotë Ilir Gashi.

Festimet

Një ditë para përvjetorit të gjashtë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kosovarët duket se janë gati për festë. Në kryeqytet, po edhe në qytetet të tjera, rrugët janë stolisur me flamuj shtetëror dhe kombëtar. Në kryeqytet vërehen përgatitjet, si ngritja e podiumeve për koncertet dhe aktivitetet e parapara për 17 shkurt. Aktivitete dhe organizimet e tjera, në pjesë të ndryshme të Kosovës tashmë kanë filluar qysh të shtunën, shkruan REL. Ndërkaq, Kuvendi i Kosovës, sot, me rastin e 17 shkurtit, do të mbajë një seancë solemne, ku pritet të flasin kryeparlamentari Jakup Krasniqi, presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi. Sot aktivitetet kryesore pritet të nisin rreth orës 11:00, me parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Sheshin "Nëna Terezë", ndërsa qytetarëve do t’iu drejtohen udhëheqësit e vendit. Me rastin e kësaj dite, do të bëhen homazhe edhe te Varrezat e Dëshmorëve. Që nga 17 shkurti i 2008-s, pavarësia e Kosovës është njohur nga 106 shtete.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama